Nga Dorian Koçi
Rezistenca shqiptare nuk është më e rëndësishmja në Europë, por as e vogël në raport me numrin e popullsisë ndaj me të drejtë nëse e pranojmë antifashizmin si një vlerë të konfirmuar edhe nga Këshilli i Europës herë pas here, ne duhet të ndihemi krenarë që vendi u radhit në koalicionin antifashist. Luftë civile, luftë shoqërore, luftë nacionalçlirimtare apo luftë antifashiste? Pasioni duhet të pushojë të jetë mbizotërues në gjykimin e kësaj lufte dhe gjykimi i shëndoshë duhet të marrë udhë, jo si një tendencë apo rreshtim politik, as si përfitim elektoral i së sotmes, por si një e vërtetë që vjen përmes dokumentacionit të shumtë të shfletuar dhe të paraqitur me skrupulizitet akademik.
Në datën 2 Korrik shqiptarët përkujtonjë rënien heroike të Asim Zenelit dhe betejën e Grykës së Mezhgoranit. Asim Zeneli, student në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë në Romë,lindi në Progonat, fshat i komunës së Kurveleshit, qarku i Tepelenës. Ai që herët protestoi kundë pushtimit fashist të Shqipërisë dhe organizoi një demonstratë antifashiste në shkollë për të cilën për të cilën u arrestua më 1939. Mbas kthimit të Atdhe, hyri në rradhët e UNÇSH në prill 1943, u pranua anëtar i PKSH dhe u caktua komisar i çetës “Hajredin Tremishti”. Ra duke luftuar kundër forcave të shumta fashiste në grykën e Mezhgoranit, më 2 korrik 1943. Rënia e tij heroike dhe beteja e Mezhgoranit u përmend në Konferencën e Paqes në Paris në 1946, ku shteti shqiptar kërkoi të rreshtohej në fuqitëaleate që kishin luftuar Boshtin Fashist dhe të njihej si fuqi fituese për të përfituar reparacionet e Luftës së Dytë Botërore.
Pas vdekjes ai u nderua me titullin më të lartë të vendit, Hero i Popullit. Busti i Asim Zenelit është vendosur në qytetin e Tepelenës. Lufta jonë kundër nazifashizmit përfshiu shumë njerëz, fate njerëzore e personazhe që do të shenjonin historinë e mëvonshme 50-vjeçare së Shqipërisë, por në asnjë rast korruptimi i idealeve të atyre që morën pjesë në luftë nga ata që volën frutat e fitores duke u shndërruar në udhëheqës që shkelën mbi idealet e ëndrrat e shokëve të tyre në luftë, nuk duhet ngatërruar duke përbaltur protagonistët dhe njerëzit e thjeshtë që vunë gjakun dhe sakrificat e tyre në shërbim të atdheut. Lufta jonë, përveçse një luftë çlirimtare, është dhe një sfidë për shqiptarët e sotëm për të parë të vërtetën dhe të shkuarën drejtpërdrejtë në sy, pa komplekse për të shkuarën dhe me një tharm dinjiteti njerëzor për të shkruar historinë moderne të Shqipërisë, larg llogoreve të hapura që në frontin e luftës dhe me një gjithëpërfshirje dhe përfaqësim të të gjithë atyre që kontribuuan sado pak në mbarëvajtjen dhe fitoren mbi fashizmin.
