Prof. Dr. Rami Memushaj
22 Nëntori, Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe, këtë vit përkon me 117-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 53-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, dy data që janë dy gurë themelorë shënues në rrugën e gjatë të përpjekjeve të shqiptarëve për të shkruar e lartësuar gjuhën shqipe. Me këto dy ngjarje të mëdha gjuhësore janë të lidhura ngushtë hopet cilësore në jetën e kombit shqiptar, sepse ato nuk janë pasqyrim i këtyre zhvillimeve, po pararendëse të tyre dhe të tilla që, pa to, nuk do të kishin ndodhur këto hope. Si të tilla, ato nuk duheshin veçuar duke njohur vetëm të parën dhe duke harruar të dytën. Ato kanë shtruar rrugën për zhvillimet e mëpastajme politike në hapësirën shqiptare, e para për krijimin e shtetit shqiptar dhe e dyta për bashkimin gjuhësor të shqiptarëve. Pikërisht, për rolin vendimtar që ka luajtur gjuha në ngjizjen e kombit tonë, Shqipëria renditet ndër shtetet e quajtura “gjuhësore”, ndryshe nga shtetet historike, ku shteti i ka paraprirë lindjes së kombit.
Lufta për shkrimin e shqipes dhe mësimin e saj në shkollë, që nis me “Ëvetarin” e vitit 1844 të Naum Veqilharxhit, erdhi e u intensifikua në periudhën e Rilindjes. Aty nga fillimi i viteve ’60 të shek. XIX, Kostandin Kristoforidhi deklaronte: “Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe, nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri në faqe të dheut”. Dhe Lidhja e Prizrenit në dy nga shtatë pikat e programit të saj autonomist kërkonte që në shkollë të mësohej gjuha shqipe dhe nëpunësit që do të punonin në Shqipëri të dinin shqip.
Kërkesa për mësimin e shqipes në shkollë shtronte nevojën urgjente për një alfabet të përbashkët, punë që e nisi Shoqëria e Stambollit më 1879 dhe e përmbylli 30 vjet më pas Kongresi i Manastirit. Ky alfabet i përbashkët do t’i shërbente një gjuhe të përbashkët, detyrë që e shtruan intelektualët e Rilindjes. Samiu i shkruante De Radës në shkurt 1881 se punë e Shoqërisë së Stambollit dhe e Lidhjes së Prizrenit është “të ngjallurit të gjuhësë shqip edhe të bashkuarit të dialektavet t’asaj e të ndritësuarit të kombit tënë”. Në kapërcyell të shekullit, Faik Konica thoshte: “Është nevojë dhe shtrëngim të hedhim themelin e nja gjuhës letrarishte”. Dhe ca vjet më vonë do të shkruante: “Ky trup i ri – KOMBI – ka nevojë për një organ të ri. Si do të ndjejë Shqipëtari i Pejës se është NJË komp me Shqipëtarin e Filatit, kur të mos jetë NJË gjuh’ e përbashkme në mes të tyre?”
Kjo nevojë për një gjuhë letrare të përbashkët u kuptua më 1916, kur Komanda austro-hungareze e pushtimit njohu shqipen si gjuhë zyrtare të administratës. Po gjuha zyrtare duhet të kishte një ortografi të sajën, kështu që kjo Komandë ngarkoi për këtë punë një grup intelektualësh, që u bënë pjesë e asaj që njihet si Komisia letrare e Shkodrës. Komisia, në gjirin e së cilës bënin pjesë emra të njohur, e kuptoi që në fillim se duhej zgjedhur si bazë e gjuhës letrare një nga variantet e shkruara të shqipes, pastaj të hartohej një ortografi e saj. Dhe si bazë u zgjodh varianti letrar i Elbasanit.
Komisia Letrare ka meritën se bëri përpjekjen e parë për një gjuhë letrare të përbashkët, duke shënuar kështu një gur tjetër kilometrik në udhën e shqipes së shkruar. Por elbasanishtja letrare u përdor vetëm si gjuhë zyrtare e shtetit, jo si gjuhë letrare. Kështu që kjo detyrë i mbeti ta zgjidhte Kongresit të Drejtshkrimit (nëntor 1972), që u dha shqiptarëve një gjuhë letrare të përbashkët, e cila prej më se një gjysmë shekulli përdoret në të gjitha hapësirat ku flitet gjuha shqipe.
Në historinë e formimit të gjuhëve standarde (letrare), rasti i shqipes, që rrugën nga përpjekja e Shoqërisë së Stambollit për një alfabet të përbashkët deri në ngritjen e saj në shkallën e gjuhës standarde e bëri në më pak se një shekull dhe në rrethana shumë të pafavorshme, është ndër të rrallët, po të kujtojmë se gjuhëve me histori të gjatë shkrimi u është dashur një kohë e gjatë për këtë proces.
Planifikimi gjuhësor kalon nëpër tri etapa: alfabetizimi, dmth. krijimi i një alfabeti të njësuar; standardizimi – krijimi i gjuhës standarde; dhe modernizimi. Çdo etapë, nga ana e vet, përbëhet nga tri faza: zgjedhja (përzgjedhja e variantit që pritet të ngrihet në normë), kodifikimi (krijimi i normës) dhe zbatimi i normës së dalë nga kodifikimi. Secila fazë i nënshtrohet procesit të vlerësimit, që është si një lloj skanimi që zbulon problemet që duhet të zgjidhë faza pasardhëse.
Dy etapat e para gjuha shqipe i kaloi shekullin që shkoi. Nga këto, etapa e parë zgjati rreth 40 vjet. Krijimi i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip dhe hartimi e miratimi prej saj i alfabetit përbën cakun që shënon përmbylljen e fazës së parë të alfabetizimit të shqipes – fazë që nis me dokumentin e parë të shkruar të shqipes (Formula e Pagëzimit, 1462) – dhe fillimin e fazës së dytë, e cila përmbyllet me Kongresin e Manastirit. Ajo që i dallon këto dy faza, është se, duke filluar që me Buzukun e deri para themelimit të Shoqërisë së Stambollit, gjithë puna për alfabetin qe në duar individësh, lëvrues të gjuhës a eruditë, që krijuan secili alfabetin e vet për nevojat e shtypjes së librave të tyre. Pra, nuk mund të flitet për planifikim gjuhësor. Asnjë nga autorët e këtyre alfabeteve nuk kishte as autoritetin, as mjetet për t’i bërë alfabetet e tyre kombëtare, sepse, siç ka vërejtur Luigj Gurakuqi, “njësia e abesë nuk është që mund ta bëjë një njeri i vetëm”. Planifikimi i shqipes fillon me krijimin e Shoqërisë së Stambollit, e cila kishte jo vetëm autoritetin e një institucioni shkencor, përderisa anëtarë të saj ishin dijetarët tanë më të mirë të asaj kohe, por edhe mjetet për ta vënë në jetë programin e saj kulturor e arsimor.
Kurse faza e tretë, me gjithë masat që mori Shoqëria e Stambollit për përhapjen e alfabetit, nuk u përmbush, pasi alfabeti i saj nuk u përhap në të gjitha trevat shqiptare, madje, edhe në trevat ku u përdor, nuk kaluan as dhjetë vjet dhe filloi të zëvendësohej nga alfabete thjesht latine. Këtë gjë e kishte paraparë Th. Mitkoja që më 1881, kur i shkruante De Radës: “Sa për shkronjëza të gjuhësë sënë mun të jenë të mira ato të Samiut, hëpërhë, e pa pastajë tuke par’e tuke bërë”. Kështu që vlerësimi i zgjedhjes së bërë nga Shoqëria e Stambollit vijoi deri në Kongresin e Manastirit, i cili nga moria e dialekteve pranoi dy prej tyre, duke i modifikuar e kodifikuar që të dy. Por kur filloi zbatimi i tyre, u pa shumë shpejt që alfabeti me bazë alfabetin e Stambollit nuk e kaloi procesin e vlerësimit, ndërsa ai me shkronja latine e dyshkronjësha u pranua gjerësisht. Megjithatë, u desh edhe pak kohë që alfabeti pa dyshkronjësha të mos përdorej më. Si rrjedhim, faza e tretë zgjati deri më 1917, kur Komisia Letrare miratoi një ortografi që mbështetej në alfabetin me dyshkronjësha që përdorim edhe sot.
Etapa e dytë, ajo e standardizimit, zgjati ca më shumë. Ajo filloi me zgjedhjen e elbasanishtes së shkruar si bazë e gjuhës letrare. Faza e dytë e kësaj etape, kodifikimi, mori fund me Kongresin e Drejtshkrimit, ndërsa faza e zbatimit vijoi deri në fund të shekullit të kaluar. Edhe fazat e kësaj etape iu nënshtruan procesit të vlerësimit. Zgjedhja e Komisisë Letrare doli e pasuksesshme, pasi elbasanishten letrare nuk e pranuan as rrethi i krijuesve shkodranë, as rrethi i krijuesve toskë. Kështu që pas Luftës shqipja u përdor në dy-tre variante letrare dhe kjo vijoi deri në prag të Kongresit të Drejtshkrimit, ndonëse në Kosovë që në prill 1968 Konsulta e Prishtinës kishte pranuar si gjuhë letrare gjuhën zyrtare të shtetit shqiptar. Në fazën e tretë, të zbatimit, gjuha standarde e sanksionuar nga Kongresi i Drejtshkrimit, me gjithë sukseset e para në zbatimin e saj, dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XX iu nënshtrua një procesi rivlerësimi që kulmoi me kërkesën për zhbërjen e saj dhe kthimin në gjendjen e mëparshme. Megjithatë, gjuha standarde kishte hedhur rrënjë në ligjërimin e shkruar dhe deri diku edhe në ligjërimin e folur të shtresave të gjera të popullsisë dhe kishte fituar një status më të lartë, duke u bërë gjuhë e parë zyrtare edhe në Kosovë, gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni dhe gjuhë rajonale në Mal të Zi e Serbi, kështu që e kapërceu pa vështirësi procesin e rivlerësimit.
Këtë shekull gjuha jonë standarde ka hyrë në etapën e modernizimit. Në këtë etapë merr përparësi puna për përpunimin dhe përsosjen e normave e kodeve të saj, për pasurimin e fjalorit, të sintaksës dhe të mjeteve shprehëse stilistike. Këtë çerekshekull, ndonëse për sa i përket aspektit të parë nuk është ecur, në aspektin e dytë janë shënuar arritje. Hapja ndaj botës dhe heqja e barrierave ideologjike sollën si pasojë të menjëhershme një vërshim të paparë të informacionit. Për ta përcjellë këtë informacion te shqiptarët, lindën dhjetëra televizione e radio, gazeta e revista dhe dy-treqind shtëpi botuese, të cilave dy dhjetëvjeçarët e fundit u është shtuar edhe shtypi elektronik. Vetëm në Panairin e Librit, që sapo u mbyll, morën pjesë rreth 100 shtëpi botuese, që çmohet se u paraqitën me disa qindra libra të rinj. Natyrshëm që gjithë kjo veprimtari ligjërimore e shkruar dhe e folur ka kontribuar në pasurimin e shqipes me qindra në mos mijëra fjalë të reja – vendi e të huaja – me ndërtime sintaksore e mjete të reja stilistikore.
E gjithë kjo dëshmon se gjuha standarde ka arritur të përballojë lehtësisht në përkthim gjuhët standarde më të zhvilluara. Megjithatë, në këtë etapë sfidat për gjuhën standarde dhe për shqipen në tërësi janë shtuar. Lëvizja e lirë e shqiptarëve, mërgimi i qindramijëve jashtë, ndikimi i paparë i medies së shkruar, audiopamore e elektronike mbi lexuesit e dëgjuesit dhe mungesa e kujdesit institucional për gjuhën kanë sjellë si pasojë vërshimin e pakontrolluar të huazimeve të panevojshme, të atyre që i kemi quajtur “fjalë kopile”, dhe të ndërtimeve të huaja sintaksore. Aq shumë janë shtuar këta çibanë në trupin e shqipes, saqë kanë filluar të “infektojnë” të gjitha sistemet e saj: fjalorin, morfologjinë, sintaksën dhe fonetikën.
Përballë një gjendjeje të tillë nuk mund të bëhet sehir. Shteti, që e ka detyrim kushtetues mbrojtjen e gjuhës, dhe institucionet shkencore duhet të veprojnë. Një ligj për gjuhën është i domosdoshëm, jo që të trembë njerëzit, po të vërë rregull në botimet me gabime të shumta; të vërë rregull mbi televizionet e radiot, që të monitorohet gjuhësisht ligjërimi i folësve të tyre; të mos lejojë që dokumentacioni zyrtar të jetë me gabime etj. Po jo vetëm ligji, duhen ndërmarrë edhe disa masa praktike që ndihmojnë të shkruhet pa gabime. Institucionet shtetërore e private nuk duhet të punojnë më me programe pirate të Mikrosoftit, po me programe të blera, të cilat janë të pajisura edhe me korrektorin elektronik, që i gjen automatikisht gabimet e shpejtësisë apo ortografike, duke e ndihmuar atë që shkruan t’i ndreqë. Ndreqja automatike e gabimeve duke përdorur inteligjencën artificiale është një mundësi tjetër që duhet shtrirë përtej e-Albania-s. Veç kësaj, duhet një tastierë kompjuteri për gjuhën shqipe. Kjo do ta shpejtonte procesin e të shtypurit, sepse ai që shkruan ë-në dhe ç-në, do t’i kishte ato në tastierë e nuk do t’i bënte me Alt +137 etj., t’i zgjidhte nga “Symbols” apo të shkruante dubël vë për ë-në dhe cc për ç-në e pastaj t’i zëvendësojë me komandën “Replace”, të gjitha mënyra që vonojnë shtypjen, po sjellin edhe gabime. As nuk duhet shkruar pa ë-në e pa ç-në, sikundër shohim në dokumente zyrtare dhe në artikuj gazetash.
Nuk duhet të krenohemi vetëm me futbollin, me natyrën e bukur, me veshjet tradicionale apo me gatimin. Të krenohemi edhe me gjuhën, që duhet ta ruajmë të patrazuar. Sot, kur gjuha shqipe ndodhet përpara trysnisë së madhe të anglishtes, është po aq aktuale sa një shekull e ca më parë porosia e Samiut: “… çdo komp, për të ruajtur kombërin’ e gjuhën’ e ti, ka nevojë të hapnjë sytë, të ketë mendjen të mbledhurë, të shpjerë gjuhën e ti përpara…”
Secili sipas shkallës së shkollimit duhet të përpiqet të flasë thjesht shqip, duke mënjanuar fjalët “kopile”, ndërtimet e huaja sintaksore dhe, në të folur, theksimin e fjalëve si në anglishte. Sidomos të shkolluarit e përfshirë në ligjërimin publik – mësues, pedagogë, gazetarë, shkrimtarë, studiues, politikanë – mbajnë të parët përgjegjësi për ruajtjen pastër të gjuhës amtare. Pa e ulur nivelin e ligjërimit, ata duhet të mësojnë nga folësit e thjeshtë, që i shqiptojnë fjalët në përputhje me natyrën e shqipes, që i lakojnë edhe emrat e huaj dhe që nuk përdorin fjalë “kopile” e ndërtime të huaja sintaksore.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Profesor ! Respekt per ju dhe shoket e miqte tuaj qe u perkushtuat per gjuhen shqipe, por ajo nuk u duhet me nje pjese te shqiptareve sidomos atyre qe kane çelesat e propangadimit te saj: gazetareve dhe televizioneve qe jane kthyer ne bastarde te gjuhes bukur e te pa zevendesushme shqipe, nje nga gjuhet me te lashta dhe me hapsire pushtimi te çdo fjale e shprehje ne bote, nje nga gjuhet me te pasura ne fjalorin e saj, por sot po te lexosh tabelat ne qytetet shqiptare te duke se je ne nje kontinent tjeter dhe jo ne Shqiperi, se gjuha shqipe veç bastardimit ne te shkruar e folur, po eleminohet dalengadale si rudiment e i pseudoshqiptareve, njesoj si bishti majmunit antropomorf qe erdhid rejte zhdukjes. Ngjarjet ne Shqiperi tani jane bageti e bujqesi pa prodhim, por sintetike ! Respekt per Ju !
Gjuha e njesuar, apo e njehesuar Profesor?
Profesori paska mendje per tender. Tani duhet nje tender digital dhe Ai per te “korrektuar” shqipen
Po pse o mavri e hape gojen?
Cope gomari
SI puna e Ramuit, eshte mbresuar
Mos duhet thene :mbresosur
Ose pershtyposur
Dhe jo vetem, sic e thone idiotet…
Dubel vv?
Nga na doli fjala “dubel”
Ju jeni edukatore, dhe flisni shtrember.
Nuk duhet te krenohemi me futbollin thote!?
C’futboll mo?
Per ca futbolli e ke llafin?
Apo me “natyren e bukur”..
Seriozisht e ke?
Nuk gjete ndonje gje per te qene per te zene ne goje?
Naturen e ka dhjere Rama dhe banditet oligarke, nuk ka me det, nuk ka me male, se i cpoi e i shpartalloi Rilindja
Me tendera, si puna jote qe do tender per AI korrektorin
Nuk e di, ke bere vete ndonje liber apo drejtshkrim personal?
Meso shqipen njehere, pastaj fol
Merr nje tekst nga gjuha shqipe e klases se 8 se viteve 80, mesoje, pastaj na bej ca edukate te gjuhes shqipe
Ti o Aldrinp(ordha) qe pjerdh pak si shume per çdo gje, dhe qe hiqesh kompetent i gjuhes shqipe (lesh je) duhet ta dish qe ‘njësuar” eshte krejtesisht korrekte dhe vjen nga numri “një” dhe do te thote “i/e bere një”.
Ajo qe pjerdh zotrote:”njehesuar ” nuk egziston ne gjuhen shqipe. Po. egziston “njehsoj” qe do te thote “llogaris”. ose ” i njehsuar”, dmth “i llogaritur” (nuk po them i kalkuluar se mos te vriten veshet ty dhe me akuzon per armik te gjuhes shqipe). Tashti ik e pirdhu dhe mjaft kepute dengla. Sa per shqipen shko mesoje ti….
Ti Aldrinp me këtë emer të shemtuar si dhe vet fytyra që ke je sa një qime bythe e Profesorit .Do ishte më mirë që pseudonimin ta kishe hale se vetem 💩nxjerr nga goja .Dil me emrin e vertete po ke një fije burrerie o qënie e peshtirë
Mënyra si u soll politika me pushtetin e bëri këtë vend si han pa porta. Në rast lufte asnjë shqiptar nuk lufton për Shqipërinë, sepse rinia e ka parë këtë vend, si vendi që i shtypi dhe i varfëroi prindërit e tij, aty ku prindërit u poshtëruan dhe ku ato ndjehen të huaj. Ky është një fatalitet kombëtar, ku politikanët poshtëruan dëshmorët, ndërtimtarët e vendit në kohën e socializmit, intelektualin e ndershëm si dhe çdo traditë dhe vlerë kombëtare.
Ky popull po ndjehet i huaj në vendin e tij. Kjo është tragjike, por më se e vërtetë, se të rinjtë po largohen çdo ditë në paqe, po në kohë lufte?