Futbolli shqiptar, gara në këtë edicion, mori një goditje të fortë një ditë më parë. Në mënyrë befasuese, kur të gjithë ishin në pritje që sfida Kastrioti-Bylis të startonte sipas programit, në orën 15:00, vetëm pak minuta më herët, FSHF doli me një deklaratë për shtyp, duke theksuar se kjo sfidë nuk do të luhet pasi gjyqtarët e ndeshjes ishin kërcënuar me jetë.

Jo vetëm kaq, FSHF shtoi se klasa arbitrale nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshje të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme. Akoma më i rëndë ishte pjesa që një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit.
Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla. Tahir Kastrati, kryetari i Shoqatës së Arbitrave, në një intervistë për “News24” , foli për këtë ngjarje të rëndë duke kërkuar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë, të merren masa drastike, në të kundërt do të rishqyrtojnë pozicionin e tyre, ku nuk përjashtohen as vendime drastike, deri në bojkot.
Zoti Kastrati, keni komunikuar me Juxhin Xhajën, çfarë ka ndodhur konkretisht?
Ishte mjaft i shqetësuar, jo vetëm ai, por e gjithë familja e tij, pasi disa presona nga Kruja kishin vajtur pranë familjes së tij dhe kanë bërë kërcënime deri në jetë. I ndodhur në këtë situatë, mblodhëm kryesinë e Shoqatës dhe i kërkuam FSHF-ës që ndeshja në këto kushte, në kushte të dhunës dhe presionit të jashtëzakonshëm, nuk mund të zhvillohej dhe institucioni e miratoi kërkesën tonë duke mos e zhvilluar këtë ndeshje, në mënyrë që të kemi kohë të marrim masat e duhura që jeta e qytetarëve, e aq më tepër e gjyqtarëve të jetë e sigurt, në mënyrë që të marrin vendime korrektë për ndeshje të caktuara.
Si do procedoni në vijim, sa do të ndikojë kjo ngjarje në mbarëvajtjen e garës?
Ne deri tani kemi ndjekur rrugën institucionale, duhen kërkuar masa drastike, siç janë marrë. Ne kërkojmë masa drastike, jo vetëm nga FSHF, por edhe nga Prokuroria që raste të tillë të mos përsëritët dhe të marren masa për këta vandalë që guxojnë të kërcënojnë familjen.
Çfarë do të ndodh me sfidën Kastrioti-Bylis, apo me ndeshjet e Kastriotit në vijim?
Ne jemi në pritje të marrjes së masave, nëse masat do të jenë të prekshme, të arsyeshme, brenda kërkesave, ne do të vazhdojmë, në rast se nuk merren masat ne mund të shkojmë në bojkot. Ne do të kërkojmë që ndeshjet me Krujën të mos zhvillohen.
o.j/dita
