DR. JORGJI KOTE
Edhe sondazhet më të fundit tregojnë se zgjedhjet e datës 6 Shtator për në Parlamentin e Landit ose të shtetit në Saksoni – Anhalt mund të jenë tërmet politik për koalicionin qeveritar të Kancelarit Merz, për politikën dhe shoqërinë gjermane në përgjithësi. Po ashtu, jehona e tyre do të ndihet dhe do të ndikojë në zgjedhjet e ngjashme më 20 Shtator në Berlin dhe Meckleburg Vorpommern dhe vitin e ardhshëm në disa lande të tjera të mëdha, me gjasat shumë të mëdha që Partia e ekstremit të djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” të dali fituese, duke zgjeruar hartën e saj gjeopolitike, madje dhe të vijë në pushtet. Për pasojë, do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm të ekstremit të djathtë edhe në zgjedhjet parlamentare në Francë, Spanjë, Poloni, Itali, Greqi dhe disa vende të tjera gjatë vitit 2027.
Ca më keq akoma, fitorja e pritshme e AfD-së në Saksoni Anhalt dhe sidomos nëse do të sigurojë shumicën absolute në Parlamentin e atij shteti do të bëjë që për herë të parë ajo të ketë Kryeministrin dhe qeverinë e atij landi. Edhe pse një shtet i vogël me vetëm 2,1 milion banorë, efekti dhe sidomos dëmi politik dhe në imazh që ajo mund t’i shkaktojë koalicionit qeveritar, vetë Kancelarit Merz, CDU-ja e të cilit qeveris aktualisht edhe në Saksoni Anhalt, Gjermanisë dhe më gjerë do të jetë ndoshta 100 herë më i madh.
Themi kështu sepse në të gjitha sondazhet e muajve të fundit, AfD-ja renditet e para edhe në nivel federal me 27 për qind, ndërsa në lande të veçanta deri në 41 për qind dhe në 43 për qind në Saksoni, duke lënë shumë prapa CDU-në me 20 – 22 për qind dhe partitë e tjera. Ndërkohë që SPD-ja, të Gjelbërit dhe Liberalët renditen nën 10 për qind. AfD-ja mban vendin e parë në sondazhe edhe në Berlin dhe Mecklenburg; ndonëse në këtë të fundit SPD-ja me një Kryeministre karizmatike të mirënjohur, shpresa e vetme udhëheqëse e social-demokratëve gjermanë po e shkurton diferencën dhe tani ka vetëm 5 për qind më pak.
Nisur nga sa sipër, ardhja në pushtet në këto tri lande, duke filluar nga Saksonia dhe pak më vonë edhe në nivel federal nuk është më hipotetike, por mundësi reale; mbasi nëse dështon koalicioni i tanishëm i madh, i pesti në 20 vitet e fundit, gjasat për koalicione të ngjashme janë shumë të pakta, se gjermanëve u kanë ardhur në majë të hundës.
Ndaj edhe fitorja e AfD-së sidomos në Saksoni nuk është e papritur. Ky shtet me 2,1 milion banorë po rrudhet dhe plaket shpejt, aq sa mendohet se pas 10 vitesh popullsia e tij do të ulet nën 2 milion banorë. Varfëria është më e larta e vendit, me të ardhurat mujore për frymë vetëm 3633 Euro. Papunësia është 8,5 nga 6 për qind që është mesatarja gjermane.
Këto dhe të tjera mungesa dhe mangësi, krahas krimit dhe migrimit, po vihen në qendër të vëmendjes dhe debatit publik nga AfD-ja, dhe sidomos lideri i saj karizmatik 35 vjeçar, Ulrich Siegmund. Ndërkohë që partitë qeveritare veç sloganeve dhe zotimeve të përsëritura nuk kishin çfarë të ofronin më. Ca më tepër se për dekada ata kanë bërë lumë premtimesh, por vetëm ‘fjalë të mira dhe gurë në trastë” Ndaj, as bashkimi i tyre në një front të vetëm nuk ka gjasa të japi rezultatet e dëshiruara, sepse partitë tradicionale kanë humbur shumë nga besueshmëria e tyre politike.
Ja pse rreziku për partitë më të mëdha tradicioale gjermane është i jashtëzakonshëm, mbasi AfD-ja e krijuar në vitin 2013 ka një orientim të qartë pro-rus, anti-europian, anti-imigracion dhe anti-Ukrainë.
Krahas dështimeve të politikës dhe qeverisë gjermane në mbajtjen e premtimeve, rënies së treguesve ekonomikë dhe socialë dhe rritjes së ndjenjës së pasigurisë në vend, AfD-ja ka shfrytëzuar dhe ka luajtur politikisht me frikën e njerëzve nga shtimi i kriminalitetit dhe i imigrimit si burim i tij; ajo e ka shtuar vazhdimisht pjesën e saj në peisazhin politik gjerman. AfD-ja u rrit ndjeshëm pas krizës madhore të azilit në vitin 2015, kur Kancelarja Merkel hapi portat me fjalinë sa epike aq edhe problematike “ Wir schaffen dass”.
Kështu, nga vetëm 5 për qind që fitoi në zgjedhjet parlamentare federale të vitit 2017, në zgjedhjet e vitit 2021 AfD-ja siguroi 12 për qind dhe në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2025 AfD-ja siguroi gati dy herë më shumë vota ose 22 për qind. Për rrjedhojë, ajo është partia e dytë më e madhe në Bundestag me 151 deputetë, duke lënë prapa SPD-në tradicionale dhe partitë e tjera të njohura, dhe vetëm me 3 për qind më pak se CDU-ja e Kancelarit Friedrich Merz.
Edhe në nivel vendor, AfD-ja është e pranishme me grupe të mëdha deputetësh në 14 nga 16 parlamentet e landeve, duke u renditur ndër tre partitë e para.
Për të kuptuar më mirë popullaritetin në rritje për këtë parti, më poshtë po japim fare shkurt një tabllo me 10 çështjet më të nxehta dhe më të rëndësishme, për të cilat AfD-ja nuk kërkon thjesht arnime dhe riparime, por “rimont kapital“ ose më mirë të themi një revolucion të vërtetë, edhe pse ai tingëllon sa grotesk aq edhe radikal. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ide dhe teza, por për zbatimin në rastin e ardhjes në pushtet e vetme të 187 projekt-ligjeve që Grupi i saj Parlamentar i ka propozuar në dy vitet e fundit Parlamentit në Saksoni Anhalt, por që nuk janë miratuar, për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme.
Dihet se AfD-ja është parti shumë pro-ruse me kontakte në rritje midis tyre.
Format e këtij bashkëpunimi të hapur kanë konsistuar në takime, vizita dypalëshe, praninë e përfaqësuesve të AfD-së në forume të rëndësishme në Rusi, etj. Kështu, në fund të muajit maj disa përfaqësues të AfD-së ishin në Forumin e Parë Ndërkombëtar të Sigurisë të mbajtur në Moskë. Po ashtu, më 3 – 5 Qershor ata ishin të ftuar dhe të pranishëm në Forumin Ekonomik të Saint Petersburgut ose Davosi rus siç njihet.
Bashkëpunimi rus me AfD-në është shtuar ndjeshëm dhe javët e fundit, megjithë përplasjet dhe tensionimin e madh të marrëdhënieve midis dy vendeve që kulmuan ditët e fundit për shkak të autorësisë ruse të dronëve të zbuluar më 5 Gusht në Aeroportin e Laipcigut dhe sulmeve të tjera hibride ruse kundër Gjermanisë. Madje edhe këto ditët e fundit, liderët e AD-së janë shprehur kundër sanksioneve gjermane dhe në favor të bashkëpunimit me Moskën.
Për treguar sa të afërt janë me Rusinë liderët AfD-së, javë e kaluar mediat gjermane treguan një foto të zv.Kryetarit të saj për Saksoninë, Tillschneider, i cili është piketuar si ministër i ardhshëm i Arsimit. Ai mbante në zyrën e vet zgjedhore dhe qeraste të ftuarit me një tas të madh kafeje, me emblemën dhe emrin e Ushtrisë Ruse, duke e justifikuar se e kishte dhuratë. Ndërsa vitin e kaluar ai ishte në Ambasadën ruse në Berlin për të festuar ditëlindjen e Putinit. Po ashtu, në shkurt 2022, Tillschneider mbrojti agresionin rus kundër Ukrainës si një e drejtë e Putinit.
Më tej, si parti anti-BE, AfD-ja nuk synon daljen por ribërjen e BE-së, jo si demokraci liberale, por sipas praktikave të njohura të ekstremizmit të djathtë.
Ndërkohë, si parti me tone të theksuara kundër çdo lloj migrimi, edhe atij të ligjshëm, ajo është kategorikisht kundër çdo personi të ardhur nga jashtë. AfD-ja në Saksoni shquhet për zellin e saj për dëbimin e të gjithë të huajve nga Gjermania dhe nga Europa, duke e kthyer këtë të fundit në ” kështjellë” të mbyllur ndaj tyre.
AfD-ja kërkon masa shumë më forta kundër kriminalitetit. Këtu mjafton të përmendim një ndër masat e drejta që ajo synon të ndërmarrë, botimin e adresave të pedofilëve të dënuar për krime seksuale, me emër dhe foto. Edhe kur dalin nga burgu, fqinjët duhet t’i njohin me emër dhe mbiemër, që të jenë në gjendje të mbrohen. Ky dhe propozime te tjera te ngjashme në këtë fushë do thene se ”ngjit” te një masë madhe, për shkak të shumë incidenteve të dhimbëshme me pedofilët.
Në një plan më teknik, jetik dhe konkret, si infrastruktura, nisur nga dështimi i ndërtimit të dy autostradave për mungesë fondesh, në propozimin e titulluar “Austostrada në vend të Ukrainës“ në shtator 2025 kërkohet “vazhdimi i ndërtimit dhe jo para për botën“. Kështu, ato duan që ndihmat për Ukrainën të ndalen dhe të përdoren për ndërtimin e autstradave. Po ashtu ata kërkojnë të hiqen ndihmat për zhvillim që Gjermania jep prej dekadash dhe të përdoren për austradat.
Sa i takon ndërtimeve dhe arkitekturës, AfD-ja kërkon “Klasicizëm në vend të eksperimentimeve me traditat“ Për këtë qëllim, në muajin Shkurt 2025 ajo ka paraqitur propozimin me masa konkrete për arkitekturën sipas motos “Të ndërtojmë bukur“ duke u mbështetur mbi traditën dhe historinë e klasicizmit prusian. AfD-ja kërkon t’i jepet fund prishjes së traditës dhe eksperimenteve jashtë saj. Për të, arkitektura duhet t’i shërbejë imazhit të duhur të Gjermanisë nga ana historike dhe monumentale, e lirë nga zhvillimet e gabuara “. Si shembull në këtë fushë ata japin stilin e ndërtimeve të Presidentit Trump.
Në fushën e mendimit, slogani i ri i këtij landi do të jetë “Të mendojmë gjermanisht“ Secili land ka sloganin e vet, Saksonia deri tani e ka ” Mendimi modern”. Mirëpo AfD-ja e ka “ halë në sy” logon “ Të mendojmë në mënyrë moderne”. Ndaj, në propozimin e tij në muajin Maj 2025, Grupi i tij Parlamentar kërkoi zëvendësimin e asaj logoje me“ Të mendojmë gjermanisht”.
Synimi këtu është që të ketë një “foto të identitetit të vet të ri politik dhe të luajë “rol drejtues periudhat e ndryshimeve epokale politike dhe kulturore”.
Në këtë kuadër, në të gjitha fushat ajo çka mendohet është promovimi i Gjermanisë, duke përfshirë edhe një “pasaportë krenare”, me një vulë të posaçme, që gjermanët të kenë më shumë lehtësi dhe favore udhëtimi.
Në fushën e arsimit kërkohet ”Luftë kundër indokrimimit në shkolla“
Në shtator 2025 AfD-ja i ka propozuar Parlamentit të landit synimin që në shkolla të mësohet historia “e duhur“. Këtë doktrinë ajo e ka titulluar ”Dije në vend të opinioneve“ duke nënkuptuar asnjanjësinë politike. Mësuesit dhe metodat e mësimdhënies sipas AfD-së nuk duhet të ushtrojnë ndikim politik mbi nxënësit. Apo, siç thuhet në propozimin e tyre “shkollat të jenë vende mësimi dhe jo indokrinimi“
Për këtë qëllim, ata kanë bërë dy propozime, nga njera anë asnjanjësi dhe më shumë mësime mbi historinë e vendlindjes, traditës dhe “të mirës së popullit” në lëndët mësimore.
Dhe nga ana tjetër, AfD-ja kërkon “Më shumë rusisht dhe më shumë dije mbi Rusinë në shkolla”
Këtë “asnjanjësi” AfD-ja e ka zbërthyer në dy propozime të tjera në Prill 2022 dhe në Maj 2023. Ajo kërkon që në të ardhmen në shkolla të mësohet më shumë gjuha ruse dhe njohuri mbi Rusinë, nëpërmjet një “ofensive për gjuhën ruse”. Po ashtu kërkohen më shumë kontakte, partneritete, binjakëzime dhe shkëmbime vizitash me shkollat ruse.
Në arsimin parashkollor ata kërkojnë më “shumë disiplinë në kopshtet e fëmijve“ në propozimin ligjor që kanë bërë në fillim të vitit 2026, duke kërkuar dhënien fund të koncepteve të hapura pedagogjike në kopshtet e fëmijve.
Ndërkohë, nisur nga shkalla e madhe e mungesave dhe lënies së shkollës, ku në 10 nxënës një e le atë pa e mbaruar AfD-ja propozon “mësimin në shtëpi në vend të detyrimit shkollor“
Këtë ajo e bëri në fund të muajit shkurt 2026 me kërkesën për ta bërë mësimin në shtëpi, siç ndodh edhe në disa shtete amerikane. Kjo do të bëjë që nxënësit të mësojnë vetë në shtëpi dhe jo në shkolla.
Ky është një ndër problemet më të debatuara dhe që ka krijuar pështjellime të mëdha mes prindërve dhe mësuesve.
Gjithashtu, AfD-ja kërkon ”forcimin e identitetit gjerman në vend të arsimit politik“
Në mesin e muajit janar 2025, AfD-ja kërkoi ta mbyllte Qendrën e landit për arsim politik, duke e konsideruar atë si të paragjykuar dhe indoktrinim ideologjik“.Në vend të saj ai propozon një ” institut për arsimin politik shtetëror dhe identitetin kulturor”. Kjo do të synojë nxitjen e identitetit kombëtar me vendlindjen, traditat, kulturën udhëheqëse dhe historinë gjermane”.
Ndër të tjera këtu ajo kërkon ” normalizim” duke mos u përqëndruar më si deri tani te historia e Holokaustit.
Për shkollat e larta ata duan heqjen e kuotave. Në shtator 2025 kërkuan të hiqen rregullat lidhur me barazinë gjinore, sidomos ato për nxitjen e grave, duke çuar në diskriminimin pa arsye të burrave
Gjithashtu ata do të propozojnë një ligj për ndalimin e barazisë gjinore në universitete. Qëllimi sipas tyre do të jetë “kualifikim në vend të kuotave“.
Së fundi, krahas pasojave të lartpërmendura brenda vendit, ardhja në pushtet e AfD-së në këto dhe në të tjera lande bart edhe pasoja negative në rastin e një sulmi rus ndaj Gjermanisë. Jo se ato do të bëhen pengesë, por do të ndikojnë në ngadalësimin e vendimeve dhe veprimeve përkatëse në nivel vendor lidhur me lëvizjen e trupave ushtarake.
Problemi tjetër i madh është qasja në burimet e informacionit të klasifikuar gjerman dhe të NATO-s, i cili rezikon të bjerë në duart ruse dhe vendeve të tjera nëpërmjet zyrtarëve qeveritarë të AfD-së. Ndaj, qeveria federale po studion rrugët dhe masat e nevojshme për të shmangur sabotime, vonesa dhe përhapje të informacioneve të fshehta.
Gjithsesi, sfida më e madhe këto ditë të mbetura, është mobilizimi i të gjithë forcave politike të moderuara gjermane, që AfD-ja të mos sigurojë dot shumicën absolute më 6 Shtator në Saksoni Anhalt, duke shmangur një tërmet të ri politik gjerman.
DITA
