Që Benjamin Netanyahu dhe urdhrat e tij duhet të ndalohen, kjo nuk është më diçka e re, përkundrazi, është kthyer në një çështje emergjente, e cila po shqetëson krejt botën dhe po lëkund rajonin e Lindjes së Mesme. Dukshëm, SHBA, Britania e Madhe dhe BE janë duke dështuar në “vendosjen e rendit” dhe detyrimit që kanë ndaj jetët e civilëve të pafajshëm dhe sigurinë e Gazës, Bregut Perëndimor, Palestinës dhe rishtazi, edhe Libanit.
Tanimë, Libani mund të jetë duke u kthyer në një Gaza të dytë, pas sulmeve të shumta që ushtria izraelite ka bërë me pretekstin se ka goditur Hezbollah, grupimin të shpallur terrorist nga SHBA. Bilanci i tmerrshëm nga ministria e Shëndetësisë në Gaza tregon se më shumë se 41,000 civilë janë vrarë brenda territorit, që prej nisjes së një lufte të përgjakshme, që nisi qysh prej 7 tetorit 2023.
Me përjashtim të një armëpushimi të vogël, ushtria izraelite ka bërë sulme barbare kundrejt popullsisë së Gazës, në shkolla, institucione fetare, “zona të sigurta”, kampe etj, thuajse çdo ditë. Rishtazi, mbi 500 njerëz janë vrarë në Liban, shumë prej tyre gra e fëmijë, ndërsa një numër i konsiderueshëm njerëzish kanë lënë banesat e tyre, për t’u larguar urgjentisht nga vendi. Domosdo, lind pyetja: “Sa viktima të tjera duhet të shkruhen në regjistrat e ministrive të Shëndetësisë që Benjamin Netanyahu të lërë detyrën dhe të akuzohet për krime lufte?”.
Sipas kryeministrit izraelit, masakra e fundit, e cila lirisht mund të konsiderohet një gjenocid, është bërë për të “rikthyer balancën e sigurisë” në Izrael, por për cilën balancë po flasim? Kjo, jo vetëm që ka shtuar konfliktin në një shkallë shumë të gjerë, por Hezbollah, i mbështetur nga Irani, ka shtuar sulmet e shumta ndaj Izraelit, duke hedhur raketa dhe duke zgjeruar rrezen e veprimtarisë së këtyre raketave. Afërmendsh, dhuna prodhon dhunë dhe sigurisht, një grupim terrorist do të hakmerret për sulmet e shumta dhe vdekjeprurëse. Problemi në këtë pikë është se vetë Izraeli, një vend “demokratik”, po funksionon po ashtu si një grupim terrorist. Pra, nisur nga deklarata e tij, sulmet e shumta izraelite nuk po sjellin paqe, por po rrisin konfliktin, hakmarrjen dhe mënxyrën.
Sipas Netanyahu-t, këto sulme kanë vetëm një qëllim: Të tkurrin dhe me shpresë, të shfarrosin Hezbollahun. Sipas tij, civilët janë “ruajtur” dhe është bërë më e mira që ata të mos dëmtohen. E njëjta strategji dhe teori është përdorur edhe në Gaza, ama shifrat dhe numri i lartë i civilëve të vdekur, të cilët gjenden në varre masive dhe jo vetëm, flasin që ushtria izraelite, jo vetëm që nuk e ka në plan të ruajë sigurinë e civilëve, por po kryen akte gjenocidi ndaj tyre. Netanyahu thotë se interesohet për njerëzit në Liban në të njëtën mënyrë si për izraelitët e marrë peng nga Hamasi, por faktet tregojnë se vetë Netanyahu ka shtyrë dhe ka gjetur kleçka në një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Duket cinike, por na kujtohet ajo shprehja që thotë se disa njerëz të vdekur krijojnë një tragjedi; shumë të vdekur, krijojnë statistikë. Në qytete të ndryshme të Izraelit dhe veçanërisht në Tel Aviv, qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, i cili sipas tyre, nuk është i interesuar për familjarët e tyre, të cilët gjenden (me shumë gjasa) në tunelet e kontrolluara nga Hamasi. Mesa duket, thirrjet e tyre po shkojnë gjithnjë e më shumë në veshë të shurdhër.
Netanyahu, në vend të kësaj, sapo urdhëroi hapjen e një fronti të ri lufte, këtë herë në Liban, duke hedhur poshtë punën e vazhdueshme të dhjetëra delegatëve nga vende të ndryshme, të cilët janë përpjekur dëshpërimisht për të vendosur paqen në rajon.
Najin Mikati, kryeministri i Libanit, është shprehur se Netanyahu duhet të ndalohet! Ai thotë se dhuna e Izraelit në Liban është një luftë po merr përmasa të papërshkrueshme. Në fakt, duhet pranuar që Netanyahu “ka dalë nga binarët” dhe se tanimë, megjithëse Joe Biden, Antony Blinken etj kanë ashpërsuar tonet “por me butësi”, Netanyahu nuk po merr asgjë parasysh. Këmbanat e alarmit dëgjohen kudo! SHBA ka rritur numrin e papërcaktuar të forcave në Lindjen e Mesme, shtete të ndryshme u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen menjëherë nga Libani dhe me shumë gjasa, mund të kemi të bëjmë me një Gaza të dytë, në të njëjtin rajon!
Izraeli, por edhe Hezbollah kanë luajtur me zjarrin për shumë kohë dhe tanimë, shkëndijat mund të ndezin një zjarr të përmasave të mëdha. Nga një anë, Hezbollah ka mbajtur një qëndrim mëse të qartë: Do të ndalohen sulmet ndaj Izraelit kur ky i fundit të mos godasë më Gazën dhe të vendoset armëpushimi; as më herët, as më vonë. Netanyahu, sipas burimeve, e ka bllokuar këtë marrëveshje, duke bërë më të mirën që t’i prishë diskutimet (kujtojmë këtu vrasjen e liderit të Hamasit në Iran). Ndërkohë, ambasadori i Izraelit në Mbretërinë e Bashkuar, Tzipi Hotovely, thotë se Hamasi po bën krime terrori. Megjithëkëtë, e vërteta po e sheh dritën.
Netanyahu duhet të ndalet! Këtë e dimë të gjithë shumë mirë, por nga kush? Donald Trump është shprehur pro tij; Kamala Harris ka dhënë deklarata të përziera, pasi nuk do të rrezikojë mbështetjen e votuesve pro-Izraelit; Joe Biden thotë se ka një plan, por ky plan s’po zgjidh asgjë, përkundrazi.
Lindja e Mesme është tanimë një tenxhere me presion, e cila do të plasë nga momenti në moment. Qartazi, Netanyahu ka një strategji të qartë: Përmes dhunës të qëndrojë në pushtet! Dhe po ia del shumë mirë, pasi askush nuk po e ndal!
i.b./dita