Vetëm një javë pasi shkarkoi Erion Veliajn nga drejtimi politik i PS-së në Tiranë, Edi Rama mblodhi Asamblenë e socialistëve të kryeqytetit për të nisur riorganizimin e partisë për zgjedhjet e 9 majit. Për herë të parë, Rama iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave që Veliaj ka bërë nga qelia. Duke folur për një “burg imagjinar politik”, kryeministri tha se Veliaj është në gabim në raport me të dhe me Partinë Socialiste.
“S’e gjykoj dot Erionin për çfarë thotë e çfarë ai bën. Uroj me gjithë zemër të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS-në”, tha Rama.
Për të shpjeguar se ku ndahet me Veliajn, Rama u ndal te largimi i drejtueses së Policisë Bashkiake, Erjona Lalaj. Ai akuzoi Veliajn dhe njerëzit e tij se po godasin punonjësit e Bashkisë dhe theksoi se largimi i njerëzve nga puna nuk do të harrohet.
“Si mund të largohet një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?”
Një koment e pati edhe për avokatin e tij Plarent Ndreca, tashmë i përjashtuar nga PS.
“I adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, theksoi Rama.
Paralajmërimin Rama ua drejtoi atyre që zbatojnë porositë e Veliajt në bashki. Ai tha se PS-ja do të gjykojë “me ashpërsinë më të madhe politike” këdo që ndjek këtë “kuturisje qorre” kundër punonjësve.
“Ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë , qofshin qytetarë, apo si Erjona Lalaj (Kreu i policisë bashkiake ), apo demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës”, vijoi Rama.
Duke e quajtur sërish një absurd të drejtësisë, faktin që Bashkia e Tiranës ndodhet prej 2 vitesh pa kokë, kryesocialisti tha se këtë ngërç do ta zgjidhin vetëm me fitoren e 9 majit. Ervin Demo dhe Albana Koçiu janë caktuar në drejtimin organizativ të socialistëve të Tiranës.
