Një vendim i drejtësisë italiane rrezikon të trazojë themelet juridike të disa prej proceseve më të bujshme penale në Shqipëri, të ndërtuara mbi komunikimet e platformës së koduar Sky ECC.
Ajo që deri dje konsiderohej një prej armëve më të fuqishme të prokurorive evropiane kundër krimit të organizuar, sot është kthyer në objekt të një beteje të fortë juridike, ku përballen autoriteti i akuzës dhe e drejta kushtetuese e individit për një proces të rregullt gjyqësor.
Më 9 tetor 2026, në Gjykatën e Katanzaros, procesi i njohur si operacioni “Ostro” përfundoi në shkallën e parë me 34 pafajësi dhe 16 dënime. Akuza për pjesëmarrje në një organizatë mafioze nuk qëndroi, ndërsa gjykata përjashtoi nga dosja komunikimet e Sky ECC të siguruara nga autoritetet franceze.
Tashmë, sipas raportimit të gazetës italiane Corriere della Calabria, një prej ekspertëve që kontribuoi në këtë betejë juridike, Antonio Andrea Miriello, pritet të dëshmojë në një proces penal në Tiranë.
Zhvillimi mund të ketë pasoja që shkojnë shumë përtej fatit të një dosjeje të vetme penale.
Dokumenti që hap kutinë e Pandorës
Në faqen 74 të vendimit të Gjykatës së Katanzaros, në seksionin kushtuar komunikimeve të shifruara Sky ECC, gjykata përshkruan mënyrën se si autoritetet franceze arritën të siguronin mesazhet.

Dokumenti gjyqësor flet për depërtim në server, përgjim, ridrejtim të mesazheve dhe deshifrim të çelësave që mundësonin leximin e komunikimeve.
“Ato arritën të ‘depërtonin’ në server dhe, kështu, në sistemin SKYECC, duke përgjuar dhe duke kaluar mesazhet që qarkullonin në server përmes një sistemi ndërmjetësimi”, thuhet në vendim.
Ky përshkrim ka një rëndësi të veçantë juridike. Ai ngre çështjen nëse kemi të bëjmë me administrimin e dokumenteve elektronike të siguruara nga një autoritet i huaj apo me rezultatet e një operacioni përgjimi, që duhet t’u nënshtrohet garancive specifike procedurale.
Dallimi nuk është thjesht terminologjik. Ai mund të përcaktojë nëse një provë është ose jo e përdorshme në gjykatë.
Përgjime masive dhe pa dallim
Në faqet 48–49 të vendimit, mbrojtja kundërshton mënyrën se si autoritetet franceze kishin siguruar komunikimet, duke ngritur pretendime për përgjime masive, ndërhyrje në kohë reale dhe mungesë individualizimi.

Sipas argumentimit të mbrojtjes, operacioni kishte përfshirë flukse të tëra komunikimesh, pavarësisht nëse ato përmbanin ose jo elemente të veprimtarisë kriminale.
Por argumenti më i fortë juridik ishte një tjetër:
“Gjyqtarit të themelit nuk mund t’i hiqet kompetenca për të vlerësuar ligjshmërinë e provës vetëm sepse ajo është formuar nga një autoritet i huaj.”
Pikërisht këtu qëndron edhe një nga sfidat më të mëdha për drejtësinë shqiptare.
A mund të konsiderohet një provë automatikisht e ligjshme vetëm sepse vjen nga autoritetet franceze? A mund të dënohet një individ mbi bazën e materialeve elektronike, kur mbrojtja nuk ka mundësi efektive të kontrollojë mënyrën e sigurimit të tyre?
Dhe mbi të gjitha, a mund të zëvendësojë besimi institucional verifikimin gjyqësor?
Franca nuk dorëzoi dokumentacionin, gjykata italiane përjashtoi provat
Sipas materialeve të vendimit të Katanzaros, një nga momentet vendimtare të procesit ishte pamundësia e mbrojtjes për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm për kontrollin e provave të ardhura nga Franca.
Gjykata italiane arriti në përfundimin se bashkëpunimi ndërkombëtar nuk mund të prevalojë mbi respektimin e të drejtave themelore të të pandehurve.
Pasojat ishin të jashtëzakonshme.
Nga 50 të pandehur, 34 u shpallën të pafajshëm. Mes tyre edhe Cosimo Damiano Gallace dhe Cesare Antonio Arcorace, për të cilët prokuroria kishte kërkuar nga 20 vjet burg.
Akuza për pjesëmarrje në një organizatë mafioze nuk qëndroi për asnjë nga të pandehurit e gjykimit të shkurtuar. Gjykata paraqiti edhe argumente të tjera për rrëzimin e kësaj akuze, përtej përjashtimit të komunikimeve.
Drejtësia italiane vendosi një kufi të rëndësishëm: rëndësia e luftës kundër mafies nuk e përjashton detyrimin për të respektuar ligjin.
Eksperti i Katanzaros zbarkon në Tiranë
Por lajmi që prek drejtpërdrejt Shqipërinë vjen nga Italia më 24 nëntor.
Gazeta Corriere della Calabria raporton se, pas katër vitesh kundërshtimesh procedurale, mbrojtja në një proces penal në Tiranë ka siguruar mundësinë për të paraqitur ekspertizën e specialistit italian Antonio Andrea Miriello.
Bëhet fjalë për të njëjtin ekspert të informatikës ligjore që kontribuoi në procesin “Ostro”.
Për drejtësinë shqiptare, kjo përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë. Materiali elektronik i ardhur nga Franca do të përballet me kundërshtimin e specializuar teknik të mbrojtjes.
Në qendër të debatit pritet të jenë autenticiteti, integriteti, gjurmueshmëria dhe mënyra e administrimit të komunikimeve.
Çfarë rrezikojnë dosjet e SPAK?
Prej vitesh, komunikimet e Sky ECC janë kthyer në një prej shtyllave kryesore të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Nga krimi i organizuar te korrupsioni, nga lidhjet e dyshuara të botës kriminale me politikën te infiltrimi në strukturat shtetërore, mesazhet e dekriptuara kanë shërbyer si bazë për një sërë procedimesh penale.
Por çfarë ndodh me ato dosje ku komunikimet elektronike përbëjnë provën vendimtare, ndërsa provat e tjera të pavarura mungojnë?
Çfarë ndodh nëse mbrojtja arrin të argumentojë se mënyra e sigurimit të këtyre komunikimeve nuk përmbush kriteret e legjislacionit shqiptar?
A disponon SPAK dokumentacionin e plotë teknik dhe procedural të operacionit francez, apo vetëm produktin përfundimtar të tij?
A janë verifikuar në mënyrë të pavarur identitetet e përdoruesve, integriteti i komunikimeve dhe zinxhiri i ruajtjes së provave?
Këto nuk janë më pyetje periferike. Ato prekin vetë qëndrueshmërinë juridike të akuzave.
Nëse komunikimet e Sky ECC përjashtohen në një proces të caktuar dhe prokuroria nuk disponon prova të tjera të mjaftueshme, e gjithë ndërtesa e akuzës mund të shembet.
Pikërisht ky është skenari që e bën precedentin e Katanzaros kaq të rëndësishëm për Shqipërinë.
SPAK përballë pesë pyetjeve të mëdha
· A disponon autorizimet gjyqësore origjinale mbi të cilat u zhvillua operacioni francez?
· A disponon të dhënat teknike që mundësojnë verifikimin e integritetit të komunikimeve?
· A u është garantuar të pandehurve akses i mjaftueshëm në materialet e nevojshme për kundërshtimin e provave?
· Me çfarë provash të pavarura është konfirmuar identiteti i përdoruesve të kodeve të Sky ECC?
· Sa prej akuzave të ngritura do të qëndronin nëse komunikimet e Sky ECC do të shpalleshin të papërdorshme?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve janë me interes publik dhe nuk mund të reduktohen në një debat ndërmjet avokatëve dhe prokurorëve.
Drejtësia shqiptare në udhëkryq
Vendimi i Katanzaros nuk është detyrues për gjykatat shqiptare. Por argumentet juridike që ai ngre nuk mund të injorohen.
Shqipëria është palë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ka detyrimin të garantojë të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor, barazinë e armëve dhe mundësinë efektive të kundërshtimit të provave.
Askush nuk po kërkon që krimi i organizuar të mbetet i pandëshkuar. Por lufta kundër krimit nuk mund të shndërrohet në justifikim për përjashtimin e kontrollit gjyqësor.
Drejtësia nuk matet vetëm me numrin e arrestimeve, por edhe me qëndrueshmërinë ligjore të vendimeve që prodhon.
Në Itali, Sky ECC nuk i mbijetoi kontrollit gjyqësor në procesin “Ostro”. Në Shqipëri, beteja po hyn në një fazë të re.
Dhe pyetja e madhe nuk është më vetëm se çfarë zbulojnë përgjimet e Sky ECC.
Pyetja është se sa prej akuzave të ngritura nga drejtësia shqiptare mund t’i mbijetojnë një kontrolli të plotë të ligjshmërisë së tyre./ Marrë nga Pamfleti
DOKUMENTI I PLOTE: GJYKATA E CATANZARO
