Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për 10 persona të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
Sipas hetimeve, grupi kishte organizuar importimin nga Republika Dominikane të dy ngarkesave të deklaruara si “lëkurë gjedhësh”, brenda të cilave u sekuestruan rreth 90 kilogramë kokainë. Vlera e lëndës narkotike në treg përllogaritet në rreth 3.6 milionë euro.
SPAK ka kërkuar dënime të ndryshme për të pandehurit, në varësi të rolit dhe përgjegjësisë së secilit në aktivitetin e dyshuar kriminal.
Pretenca e SPAK për 10 të pandehurit:
Artion Çaushllari – 15 vite burg, me gjykim të shkurtuar 10 vite;
Geis Sejfullai – 14 vite burg, me gjykim të shkurtuar 9 vite e 4 muaj;
Ismail Abdurahmani – 14 vite burg, me gjykim të shkurtuar 9 vite e 4 muaj;
Jose Ramon Zakarias Vasquez – 14 vite burg, me gjykim të shkurtuar 9 vite e 4 muaj;
Samuel Alfonso Serano – 14 vite burg, me gjykim të shkurtuar 9 vite e 4 muaj;
K. Birce – 13 vite burg, me gjykim të shkurtuar 8 vite e 8 muaj;
Hiwlen Ledezma Narvaez – 13 vite burg, me gjykim të shkurtuar 8 vite e 8 muaj;
Endi Sejdini – 12 vite burg, me gjykim të shkurtuar 8 vite;
Aldi Zonja – 14 vite burg, me gjykim të shkurtuar 9 vite e 4 muaj;
Baki Huqi – 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj.
Në total, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 133 vite burg për të pandehurit, ndërsa me aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimet e kërkuara reduktohen në 88 vite e 8 muaj.
Këto janë dënimet e kërkuara nga Prokuroria e Posaçme në pretencë, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga gjykata.
Zbulimi i laboratorit të kokainës në Fushë-Krujë
Grupi i dyshuar kriminal u godit gjatë operacionit të 15 tetorit, të udhëhequr nga SPAK, ku u ekzekutuan të 10 urdhërarrestet e lëshuara nga Gjykata e Posaçme. Në pranga përfunduan shtatë shtetas shqiptarë dhe tre të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian.
Të arrestuarit ishin Geis Fejsullai, Klajd Birçe, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurrahmani dhe Baki Huqi, si dhe shtetasit e huaj Hiwlen Ledezma Narvaez, Joze Ramon Zacarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 6.1 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, 36,270 euro, 357,046 lekë dhe 57 milionë peso kolumbiane, me vlerë rreth 12,200 euro.
Gjithashtu, u sekuestruan 89.5 kilogramë përzierës të ngurtë, 50 kilogramë solucion të lëngshëm dhe 48 lëkura bagëtish, të cilat, sipas hetimeve, përdoreshin për transportimin e kokainës së papërpunuar nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
Brenda laboratorit u zbuluan pajisje dhe preparate kimike që dyshohet se shërbenin për përpunimin dhe paketimin e lëndës narkotike. Autoritetet sekuestruan gjithashtu 22 telefona celularë, dy laptopë, shtatë karta bankare, 17 karta SIM, tre automjete dhe dokumente me interes për hetimin.
j.l./ dita
