Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: ALBANIA NË ENCIKLOPEDINË AMERIKANE TË VITIT 1960
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Histori > ALBANIA NË ENCIKLOPEDINË AMERIKANE TË VITIT 1960
Histori

ALBANIA NË ENCIKLOPEDINË AMERIKANE TË VITIT 1960

Published: September 25, 2026
Shpërndaje

Nga Avni ELEZI

Jemi në pragun e viteve 60-të. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës del nga shtypi dhe hidhet në qarkullim edicioni i radhës i Enciklopedisë Amerikane. Kjo enciklopedi ka nisur të botohet për herë të parë në vitin e hershëm 1829, kur Shqipëria ishte ende e pakonsoliduar dhe konstituar si shtet, prej shekujsh nën ombrellën osmane të kohës, e zhytur në një prapambetje të thellë social-kulturore.

Ky botim me përmasa prestigjoze ishte një botim serioz që në lindjen e vet. Deri në vitin 1960 (viti i botimit nga ku është marrë teksti i mëposhtëm) kjo enciklopedi është përmirësuar dhe botuar plot 33 herë.

- Publicitet -

Kur më ra në dorë ky aset i rrallë dhe i çmuar, mendova ta sjell në gjuhën shqipe dhe në njëjtën kohë t’ia servir lexuesit shqiptar nëpërmjet të përditshmes shqiptare “DITA”.

Çfarë shkruhet për Shqipërinë tonë? E nisur me lavdinë e saj qysh nga antikiteti. E përshkruan si një fortesë për Evropën në epokën brilante të Skënderbeut. Mbërrin në kohën kur botohej kjo enciklopedi që përkonte me sundimin monopartiak të Enver Hoxhës.

“Albania” e Enciklopedisë Amerikane është pothuajse e saktë dhe korrekte në tërë argumentat dhe dimensionet që jepen. Aty do të gjeni gjithçka, por sigurisht në mënyrë të koncentruar. Atëherë për të mos humbur kohë dhe për të shuar kureshtjen tuaj, lexoni materialin e mëposhtëm.

SHQIPËRIA

Volumi 1 Germa A Faqet 325, 325a, 325b, 325c, 325d, 326

Shqipëria (në anglisht Albania; në shqip Shqipëri) është një republikë në bregun perëndimor të Gadishullit Ballkanik. Kufizohet me Jugosllavinë në veri dhe lindje, me Greqinë në juglindje dhe me detet Adriatik e Jon në perëndim.
Stema shtetërore (24 maj 1944).

Për lehtësinë e lexuesit, ky artikull ndahet në këto pjesë:
* Hyrje
* Popullsia
* Toka dhe burimet natyrore
* Bujqësia
* Industria
* Tregtia
* Transporti
* Feja
* Arsimi
* Historia
* Bibliografia

HYRJE

Gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipëria u shndërrua në fushëbetejë dhe rrezikoi copëtimin. Pas një periudhe paqëndrueshmërie, në vitin 1925 u shpall republikë nën presidencën e Ahmet Bej Zogut, i cili në vitin 1928 u kurorëzua Mbret Zog I. Mbretërimi i tij vazhdoi deri në pushtimin italian të vitit 1939, pas të cilit Shqipëria u shpall e bashkuar me Kurorën Italiane. Vendi mbeti nën pushtimin e Fuqive të Boshtit deri në vjeshtën e vitit 1944, kur kaloi nën kontrollin e lëvizjes partizane komuniste të udhëhequr nga Enver Hoxha. Ky i fundit u bë kryeministër i Republikës Popullore të Shqipërisë, e krijuar në vitin 1946.

Shqipëria ka një sipërfaqe prej 10.629 miljesh katrore, pak më e madhe se shteti amerikan i Vermontit. Popullsia, sipas vlerësimit të vitit 1951, ishte 1.200.000 banorë.

Qytetet kryesore, sipas regjistrimit të vitit 1948, janë:
Tirana – 62.726 banorë;
Shkodra – 30.000;
Korça – 25.000;
Elbasani – 15.000.

Rreth 92% e popullsisë janë shqiptarë, 4,7% grekë, ndërsa 3,3% u përkasin kombësive të tjera. Nuk ka fe shtetërore. Popullsia përbëhet afërsisht nga 70% myslimanë, 20% ortodoksë dhe 10% katolikë romakë.

Njësia monetare është frangu shqiptar, i ndarë në 5 lekë, ku një lek vlerësohej nominalisht me 2 centë amerikanë.

POPULLSIA

Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve të lashtë, të cilët banonin në një pjesë të madhe të territorit të Jugosllavisë së sotme. Me pushtimet sllave pas shekullit V, ata u shtynë drejt jugut, në trojet e tyre të sotme përgjatë bregdetit Adriatik.
Gjatë historisë, shqiptarët kanë përjetuar ndikime romake, bizantine, sllave dhe më vonë, turke. Këto përvoja historike kanë lënë gjurmë në gjuhën dhe traditat popullore.

Shqiptarët ndahen në dy grupe kryesore: gegët në veri dhe toskët në jug, me lumin Shkumbin që shërben si kufi ndarës. Ata flasin dialekte të ndryshme dhe kanë zhvilluar kultura të dallueshme.
Toskët konsiderohen më të zhvilluar ekonomikisht. Tokat e tyre janë më pjellore dhe shumica e qyteteve e porteve shqiptare ndodhen në krahinën e tyre. Për këtë arsye, ata merren më shumë me bujqësi dhe tregti, ndërsa gegët e veriut kanë qenë tradicionalisht blegtorë dhe janë përshkruar si më të lidhur me organizimin fisnor.

Popullsia e vendit është relativisht homogjene; 92% janë shqiptarë si nga origjina etnike, ashtu edhe nga gjuha. Pakica më e rëndësishme janë grekët në jug. Kjo ka sjellë vazhdimisht mosmarrëveshje kufitare, pasi qeveri të ndryshme greke e kanë quajtur Shqipërinë e Jugut pjesë të Epirit të Veriut dhe kanë pretenduar sovranitet mbi atë territor.

Mbi një milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Numri më i madh, rreth 600.000, banojnë në Kosovë dhe në rajonin e Maqedonisë, atëherë pjesë e Jugosllavisë. Një grup tjetër, i njohur si çamët, jeton në krahinën greke të Epirit, ngjitur me Shqipërinë. Shumica e çamëve u dëbuan nga forcat greke gjatë viteve 1944–1945, pas tërheqjes së ushtrisë gjermane nga rajoni.

Shumë shqiptarë kanë emigruar ndër shekuj edhe në Italinë Jugore, ku janë asimiluar pjesërisht dhe nuk përbëjnë një problem politik. Gjithashtu, rreth 40.000 shqiptarë jetojnë në Shtetet e Bashkuara, shumica në shtetin e Masaçusetsit. Ata kanë ndihmuar ekonominë e vendit të origjinës me dërgesat financiare dhe ata që janë kthyer kanë ushtruar ndikim në jetën shoqërore të bashkatdhetarëve.

TOKA DHE BURIMET NATYRORE

Shqipëria është kryesisht një vend malor; pjesa më e madhe e territorit të saj shtrihet mbi 900 metra mbi nivelin e detit. Përgjatë kufirit lindor ngrihet një vargmal i ashpër, që arrin lartësinë maksimale prej 2 700 metrash. Në perëndim të këtij vargmali shtrihen katër zinxhirë malorë paralelë, të cilët formojnë lugina të gjata e të ngritura.

Ultësira bregdetare shtrihet në formë trekëndëshi nga Gjiri i Drinit deri te Kepi i Gjuhëzës, me kulmin pranë Elbasanit. Kjo zonë është pjellore, por ka mbetur krahasimisht pak e shfrytëzuar, për shkak se kënetat malarike nuk ishin tharë. Pjesa më e madhe e popullsisë jeton në luginat e brendshme malore.
Liqenet më të rëndësishme janë Liqeni i Shkodrës dhe Liqeni i Ohrit, të cilët shtrihen pjesërisht në territorin e ish-Jugosllavisë, si edhe Liqeni i Prespës, që ndodhet në pikën ku takohen kufijtë e Shqipërisë, Greqisë dhe ish-Jugosllavisë. Lumenjtë kryesorë janë Buna, Drini, Shkumbini, Semani dhe Vjosa.

Relievi i larmishëm dhe shtrirja e madhe gjeografike nga veriu në jug krijojnë një shumëllojshmëri klimash dhe vegjetacioni. Ultësira bregdetare jugore ka klimë tipike mesdhetare, me vera të nxehta e të thata dhe reshje të pakta, të përqendruara kryesisht gjatë muajve të dimrit. Në këtë zonë rriten dushqe shkurrore, bimësi gjithnjë e gjelbër që i reziston thatësirës dhe pemët karakteristike të klimës mesdhetare.

Në ultësirat qendrore dhe veriore, reshjet arrijnë deri në rreth 40 inç (afërsisht 1 000 mm) në vit dhe shpërndahen më njëtrajtshëm gjatë vitit. Kjo mundëson një bujqësi më të larmishme, ku misri për konsum vendas është kultura më e rëndësishme.

Zonat e larta malore kanë klimë alpine, me dimra të pasur me dëborë dhe reshje të shumta shiu. Në këto lartësi gjenden zakonisht shqiponja dhe shpendë të tjerë malorë, si edhe ujqër, arinj, derra të egër dhe disa lloje drerësh.

Nuk ka të dhëna të sakta për pasuritë minerare të vendit. Janë zbuluar rezerva kromi, bakri dhe nafte, por para Luftës së Dytë Botërore vetëm nafta ishte shfrytëzuar në mënyrë intensive. Po kështu, pasuritë e mëdha pyjore dhe potenciali hidroenergjetik kishin mbetur të pashfrytëzuara. Për këtë arsye, natyra dhe përmasat e sakta të burimeve natyrore të Shqipërisë mbeteshin ende të paqarta në kohën kur u botua ky tekst.

BUJQËSIA

Rreth 90 për qind e popullsisë merret me bujqësi dhe blegtori. Gjashtëdhjetë për qind e sipërfaqes së vendit mbulohet nga pyje, këneta dhe toka djerrë, ndërsa edhe 30 për qind të tjera shërbejnë si kullota. Kjo do të thotë se vetëm rreth 10 për qind e tokës është e punueshme.

Në ultësira kultivohen kryesisht kulturat tipike mesdhetare, si rrushi, ullinjtë, fiqtë, portokallet, limonët dhe shegët. Orizi prodhohet në zonat kënetore, ndërsa duhani kultivohet gjerësisht. Delet përbëjnë pjesën më të madhe të bagëtisë.

Metodat e kultivimit janë përgjithësisht primitive. Para Luftës së Dytë Botërore, tokat më të mira zotëroheshin nga një numër i vogël bejlerësh gjysmëfeudalë. Më 17 prill 1930 u miratua një ligj për reformën agrare, me synim përmirësimin e teknikave bujqësore dhe blegtorale, bonifikimin e kënetave dhe copëtimin e pronave të mëdha.

Megjithatë, bejlerët e fuqishëm arritën t’i shmangeshin këtyre masave, ndaj vlerësohet se në prag të Luftës së Dytë Botërore rreth tre të pestat e tokës së punueshme zotëroheshin nga afro 150 pronarë të mëdhenj.

Pas luftës, regjimi i Hoxhës zbatoi një reformë agrare të tipit komunist, duke copëtuar pronat e mëdha dhe duke nisur kolektivizimin me synimin e rritjes së prodhimit. Megjithëse kolektivizimi hasi në kundërshtime, më 31 mars 1952 Kryeministri Hoxha deklaroi në Kongresin e Dytë të Partisë së Punës se bujqësia kishte mbetur prapa industrisë dhe se synimi i Partisë ishte kufizimi, e jo likuidimi i menjëhershëm i kulakëve. Ai theksoi gjithashtu se kolektivizimi do të zbatohej “gradualisht, pa nxitim”.

Në përfundim të Planit Dyvjeçar (1949–1950), qeveria deklaroi se numri i bagëtive ishte rritur me 35 për qind dhe sipërfaqja e tokës së punuar po me 35 për qind. Plani Pesëvjeçar, i cili do të përfundonte në vitin 1955, synonte rritjen e prodhimit bujqësor me 71 për qind krahasuar me vitin 1950 dhe me 2,5 herë në krahasim me periudhën para luftës.

INDUSTRIA

Para Luftës së Dytë Botërore industria shqiptare ishte pothuajse e pazhvilluar. Ajo përbëhej kryesisht nga uzina të përpunimit të ushqimeve, si birrari, mullinj bloje, fabrika djathi dhe punishte të përpunimit të ullirit.

Qeveria e Hoxhës, ashtu si regjimet e tjera komuniste të Evropës Lindore, i dha përparësi industrializimit në Planin Dyvjeçar (1949–1950) dhe në Planin Pesëvjeçar (1951–1955). Ndërprerja e marrëdhënieve me Jugosllavinë e ngadalësoi seriozisht këtë proces dhe vizita e kryeministrit Hoxha në Moskë në nëntor 1949 kishte për qëllim sigurimin e ndihmës ekonomike.

Gjatë Planit Dyvjeçar u raportua se prodhimi i përgjithshëm industrial ishte rritur me 10,5 për qind në vit. Në vitin 1952 prodhimi industrial arriti në 105,8 për qind të planit, krahasuar me vitin 1951. Prodhimi i qymyrit u rrit me rreth një herë e gjysmë, ai i bakrit pothuajse dymbëdhjetë herë, energjia elektrike me 64 për qind, ndërsa prodhimi i pëlhurave të pambukut u rrit më shumë se pesëfish.

Deri në vitin 1955, prodhimi i përgjithshëm industrial parashikohej të arrinte 3,4 herë nivelin e vitit 1950 dhe 12 herë nivelin e periudhës para luftës.

TREGTIA

Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, Shqipëria kishte një deficit të madh tregtar, i cili kompensohej kryesisht nga dërgesat monetare të emigrantëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Importet përbëheshin kryesisht nga tekstile, metale, oriz, sheqer, kafe, makineri, lëndë drusore dhe veshmbathje, të cilat vinin kryesisht nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Çekosllovakia, Jugosllavia, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara.

Eksportet kryesore ishin bagëtitë, lëkurat e papërpunuara, leshi, yndyrnat, djathi, vezët, peshku, ullinjtë dhe vaji i ullirit, të cilat shiteshin kryesisht në Itali, Shtetet e Bashkuara, Greqi dhe Jugosllavi.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria zhvilloi tregti pothuajse ekskluzivisht me vendet e Kominformit, veçanërisht me Bashkimin Sovjetik. Politika e industrializimit ndryshoi ndjeshëm strukturën e importeve.

TRANSPORTI

Komunikacioni i pazhvilluar ka qenë një nga faktorët kryesorë të prapambetjes ekonomike të Shqipërisë. Para Luftës së Dytë Botërore nuk kishte hekurudha dhe rrjeti rrugor ishte shumë i dobët. Në vitin 1949 vendi kishte dhjetë aeroporte të ndërtuara nga italianët. Në zonat malore transporti vazhdonte të kryhej kryesisht me kuaj dhe mushka. Portet kryesore ishin Durrësi, Vlora, Saranda dhe Shëngjini.

Regjimi i Hoxhës i kushtoi po aq rëndësi zhvillimit të transportit sa edhe ndërtimit të industrisë. Me ndihmën sovjetike u përmirësuan portet ekzistuese dhe deri në vitin 1951 u përfunduan një sërë veprash të rëndësishme të infrastrukturës.

FEJA

Fillimisht, të gjithë shqiptarët ishin të krishterë dhe i përkisnin Kishës së lashtë Ekumenike. Pas ndarjes ndërmjet Patriarkanës së Kostandinopojës dhe Peshkopit të Romës, shqiptarët u ndanë edhe në përkatësinë e tyre fetare. Sot, rreth 10 për qind e popullsisë, kryesisht në veri, janë katolikë romakë, ndërsa rreth 20 për qind, kryesisht në jug, janë ortodoksë. Pjesa tjetër, rreth 70 për qind, janë myslimanë, pasardhës të shqiptarëve që u konvertuan në islam gjatë shekujve të sundimit osman.

Kisha Ortodokse në Shqipëri mbeti për një kohë të gjatë nën juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike Greke, edhe pasi kishat e vendeve fqinje kishin fituar pavarësinë. Shërbesat fetare zhvilloheshin në gjuhën greke dhe nacionalistët grekë këmbëngulnin se ortodoksët e Shqipërisë së Jugut ishin grekë. Në vitin 1908, Fan Noli, dijetar shqiptar dhe më vonë peshkop, nisi lëvizjen për krijimin e një kishe shqiptare të pavarur. Në vitin 1923, Patriarkana e shpalli Kishën Ortodokse Shqiptare autoqefale, duke u dhënë ortodoksëve shqiptarë të drejtën të kishin priftërinjtë e tyre dhe liturgjinë në gjuhën shqipe.

Nën regjimin e Hoxhës nuk kishte fe shtetërore. U morën masa për të vendosur kontroll mbi të dyja kishat e krishtera. Në gusht të vitit 1950, Kryepeshkopi Kristofor Kisi u shkarkua nga Sinodi i Shenjtë, organi drejtues i Kishës Ortodokse Shqiptare. Sinodi e akuzoi atë për veprimtari “në dëm të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe të interesave të popullit shqiptar” dhe në vend të tij zgjodhi Peshkopin Paisi Vodica të Korçës.

Më 26 qershor 1951, një zhvillim i ngjashëm ndodhi edhe në Kishën Katolike Romake. U mbajt një kuvend i përgjithshëm i klerit katolik, pjesa më e madhe e të cilit thuhej se ishte pro qeverisë, pasi anëtarët kundërshtarë të hierarkisë ishin arrestuar, ekzekutuar ose detyruar të mërgonin. Kuvendi miratoi një statut të ri të Kishës Katolike Shqiptare, i cili u miratua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe hyri në fuqi më 3 gusht 1951.

Ky statut parashikonte krijimin e një kishe “kombëtare”, pa lidhje organizative, politike apo ekonomike me Vatikanin. Kleri katolik duhej të betohej për besnikëri ndaj qeverisë, ndërsa priftërinjtë e rinj do të përgatiteshin në seminare të krijuara dhe të administruara nga shteti. Në këmbim, qeveria merrte përsipër të subvenciononte kishën sipas kërkesave të peshkopatës.

ARSIMI

Deri në vitin 1908, vit i Revolucionit të Xhonturqve, arsimi shqiptar kishte qenë nën një pengesë të rëndë për shkak të ndalimit të përdorimit të gjuhës shqipe. Shkollat që ekzistonin, kryesisht nën kujdesin e Kishës Ortodokse Greke, zhvillonin mësimin në gjuhën greke. Bijtë e familjeve të pasura e merrnin arsimin në Kostandinopojë, Paris, Vjenë ose Itali.

Heqja e ndalimit të gjuhës shqipe krijoi një kusht thelbësor për zhvillimin e arsimit kombëtar. Shtypi nacionalist shqiptar nxiti më tej popullin të kapërcente analfabetizmin e përgjithshëm. Shkollat u themeluan nga shqiptarë që kishin jetuar në Shtetet e Bashkuara dhe nga misionarët amerikanë; më vonë këto institucione kaluan nën administrimin e qeverisë. Studentëve shqiptarë u dhanë bursa për studime në universitetet perëndimore.
Mbreti Zog bëri përpjekje për të krijuar një sistem arsimor kombëtar dhe për të zhvilluar arsimin bujqësor. Pushtimi italian i dha fund këtyre planeve dhe italianët mbyllën edhe Liceun Francez të Korçës.

Ndërmarrja më e rëndësishme arsimore amerikane në Shqipëri ishte Instituti Shqiptaro-Amerikan në Kavajë, i administruar nga Fondacioni “Near East”. Qëllimi kryesor i tij ishte përhapja e metodave moderne të bujqësisë. Shkolla Teknike Amerikane në Tiranë përgatiti gjithashtu shumë të rinj shqiptarë për t’i shërbyer vendit të tyre. Të dyja shkollat u mbyllën gjatë pushtimit fashist dhe nuk u rihapën pas luftës për shkak të kundërshtimit të qeverisë.

Regjimi i Hoxhës pretendonte se deri në vitin 1951 rreth 125 000 të rritur analfabetë ishin mësuar të lexonin dhe të shkruanin dhe se në vend kishte 2 220 shkolla fillore, krahasuar me 667 në vitin 1938. Më 15 gusht 1951 u njoftua se sistemi arsimor do të riorganizohej sipas modelit sovjetik. U krijuan institucione të reja arsimore, si shkolla mjekësore, tregtare, bujqësore, artistike, të kulturës fizike, politeknike dhe pedagogjike.

Para luftës, Shqipëria kishte vetëm dy gazeta me një tirazh prej 8 000 kopjesh. Sipas shifrave zyrtare të vitit 1951, vendi kishte dhjetë gazeta dhe njëzet revista me një tirazh të përgjithshëm prej 85 000 kopjesh. Jeta kulturore ishte modeluar sipas asaj të Bashkimit Sovjetik. Letërsia përbëhej kryesisht nga përkthime të veprave sovjetike dhe Teatri Popullor vinte në skenë kryesisht autorë rusë dhe dramaturgë sovjetikë. Një studio filmike e ndërtuar në Tiranë pritej të realizonte filmin e parë shqiptar në vitin 1953.

Biblioteka më e madhe ishte Biblioteka Kombëtare në Tiranë, me rreth 150 000 vëllime. Gjashtëdhjetë për qind e librave të marrë prej saj gjatë vitit 1952 ishin me origjinë sovjetike. Shqipëria kishte gjithashtu disa biblioteka rajonale, 190 biblioteka fshati dhe 500 biblioteka lëvizëse. Në kryeqytet ishin hapur tre muze: Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare, Muzeu i Arkeologjisë dhe Etnografisë dhe Muzeu Botanik.

ARSIMI PROFESIONAL

Tre shkolla industriale dyvjeçare përgatisnin torno-punues, operatorë makinerish, farkëtarë, elektricistë, saldatorë dhe profesione të tjera. Gjithashtu, pranë ndërmarrjeve të mëdha, si Fabrika e Tekstileve “Stalin”, hidrocentrali “Lenin”, rafineria e sheqerit në Maliq dhe fabrika e duhanit në Shkodër, funksiononin shkolla profesionale. Gjatë Planit Pesëvjeçar ishte parashikuar që numri i punëtorëve të fabrikave dhe administratës të rritej me 79 për qind.

SKËNDERBEU (rreth 1403–1468)

Shqiptarët u bashkuan për herë të parë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, ose Skënderbeut, i cili, pasi ishte edukuar si mysliman në Kostandinopojë, u bë bej i rëndësishëm në oborrin turk. Ai e ndryshoi emrin dhe titullin e tij të përbashkët turk në Skënderbeu (Iskender [Aleksandër] Beu). Nën udhëheqjen e tij, shqiptarët i rezistuan me sukses pushtimit turk të vitit 1443, por pas vdekjes së Skënderbeut, më 1468, principata e tij iu dorëzua venedikasve dhe pas rënies së Shkodrës më 1478, shqiptarët kaluan nominalisht nën sundimin turk.

Nën turqit

Nën sundimin turk, shqiptarët vuajtën shumë, por ruajtën karakteristikat e tyre kombëtare dhe një shkallë të konsiderueshme pavarësie. Kjo u shtua edhe më shumë nga kthimi i shumicës së tyre në fenë islame gjatë shekujve XVI dhe XVII. Ndryshimi fetar shkaktoi një largim të mëtejshëm nga fqinjët e tyre — bullgarët, grekët dhe serbët — ndërsa albanofobia dhe armiqësia e shteteve fqinje të krishtera u nxitën më tej.

Megjithatë, sovraniteti osman në Shqipëri nuk u trondit nga revoltat e herëpashershme, por mbeti i vendosur. Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, pashallarët e familjes Bushati fituan disa beteja kundër turqve dhe arritën të vendosnin të drejtën e trashëgimisë në Shqipërinë veriore, por pushteti i tyre u thye më 1831.

Gjatë së njëjtës periudhë, shqiptarët e jugut, nën Ali Pashë Tepelenën e Janinës, deri në përmbysjen e tij nga turqit më 1822, patën një periudhë pavarësie. Mustafa Pasha bëri një përpjekje vendimtare për të tronditur sundimin turk, por u mund plotësisht nga Veziri i Madh Reshid Pasha në Shkodër dhe u ekzekutua më 1831.

Përfundimisht, nën sovranitetin osman, shqiptarët liridashës u ngritën në kryengritje kundër shtypësve të tyre në vitet 1833, 1836 dhe 1842. Kryengritjet në jug në vitet 1843 dhe 1847 u shtypën pamëshirshëm dhe u shkatërruan nga Omer Pasha. Ndër kryengritjet e mëvonshme ishte ajo e vitit 1872, në të cilën mirditorët u bashkuan me malazezët në rezistencën e tyre kokëfortë kundër Dervish Pashës.

Lëvizja nacionaliste shqiptare, e nisur në Prizren më 1878, nuk drejtohej kundër Turqisë, nga e cila shqiptarët kërkonin në atë kohë mbrojtje, por kundër kërcënimit gjithnjë e më të madh të zhdukjes së tyre nga shtetet e tjera ballkanike, pas Traktatit të Shën Stefanit. Nacionalistët shqiptarë në atë kohë po punonin për vite me radhë për një Shqipëri autonome brenda Perandorisë Turke. Përfundimisht, ata gjetën një bazë bashkëpunimi në programin e Turqve të Rinj, i cili premtonte lirinë e fesë, shtypit dhe tubimit, arsim falas dhe reforma parlamentare. Por, kur Turqit e Rinj patën sukses në revolucionin e vitit 1908, garancitë kushtetuese të pezulluara vitin pasues dhe revolta kundër Turqisë u bënë pjesë e politikës zyrtare të nacionalistëve shqiptarë.

Luftërat Ballkanike dhe Pavarësia Shqiptare

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, në vjeshtën e vitit 1912, ushtritë e Bullgarisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi i dëbuan turqit nga Ballkani. Ndërkohë, shqiptarët, të cilët gjatë këtij konflikti ishin kryesisht neutralë, u kërcënuan përsëri nga copëtimi midis shteteve ballkanike. Përballë këtij kërcënimi nga Austria-Hungaria dhe Italia, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, një kongres i udhëheqësve kombëtarë shpalli Shqipërinë të pavarur dhe ngriti një qeveri të përkohshme nën Ismail Qemalin.

Në Konferencën e Londrës, Fuqitë e Mëdha njohën autonominë e Shqipërisë dhe më 1913 njohën pavarësinë e saj. Me kërkesë të udhëheqësve shqiptarë, princi gjerman Wilhelm of Wied u caktua si sundimtar i vendit të ri dhe u mbështet nga një Komision Ndërkombëtar i Kontrollit, i përbërë nga gjashtë anëtarë.
Në vitin 1914, pas një revolte greke në Shqipërinë juglindore (Epiri i Veriut), Fuqitë e Mëdha njohën një regjim autonom në këtë zonë.

Lufta e Parë Botërore

Sundimi i sapopërcaktuar i Shqipërisë së pavarur ishte jetëshkurtër. Më 7 mars 1914, duke mbërritur në Durrës disa muaj përpara shpërthimit të luftës evropiane, princi Wied u largua nga vendi më 3 shtator, pas dështimit të një përpjekjeje të Esat Pashës për të vendosur një qeveri ushtarake. Shqipëria u bë një grumbull qeverish lokale, megjithëse Esat Pasha pretendonte se ishte kryetari i qeverisë qendrore, dhe më pas u sundua nga një varg ushtrish ndërluftuese.

Pas luftës, një kongres shqiptar u mblodh në Lushnjë dhe më pas në Tiranë dhe shpalli kundër një mandati të Lidhjes së Kombeve, të kërkuar më 17 dhjetor 1920. Shqipëria u bë anëtare e pavarur e Lidhjes. Kufijtë e saj të vitit 1913, me ndryshime të vogla, u konfirmuan nga Konferenca e Ambasadorëve më 1921 dhe më në fund më 1926.

Në dhjetor 1921, një qeveri e re mori detyrën, me Xhafër Ypin si kryeministër, Fan Nolin si ministër të Punëve të Jashtme dhe Ahmed Bej Zogun si ministër të Brendshëm.

Në dhjetor 1922, Zogu u bë kryeministër. Në shkurt 1924, ai dha dorëheqjen nën presionin e demokratëve, të cilët e akuzonin se favorizonte klasën e pronarëve të tokave dhe pengonte reformat. Në qershor, bashkëpunëtorët e tij u detyruan të largoheshin në mërgim dhe u formua një qeveri e re nën Fan Nolin.

Presidenca dhe Monarkia e Ahmed Bej Zogut

Qeveria e Nolit bëri pak përparim përtej balancimit të buxhetit dhe u rrëzua në dhjetor 1924 nga Zogu, i cili kishte ngritur një forcë të armatosur në Jugosllavi. Më 22 janar 1925, Shqipëria u shpall zyrtarisht republikë dhe Zogu u zgjodh president.

Gjatë tre viteve që pasuan, Zogu, duke dështuar të siguronte fondet për punët publike, arsimin dhe reforma të tjera, hyri në një varg marrëveshjesh financiare me Italinë, veçanërisht Paktin e Tiranës (1926) dhe Traktatin e Aleancës (1927), i cili e bëri Shqipërinë praktikisht një protektorat italian.

Më 1 shtator 1928, një asamble kushtetuese ndryshoi kushtetutën për ta shndërruar Shqipërinë në monarki dhe Ahmed Zogu u shpall mbret si Zogu I.

Gjatë dekadës së ardhshme, ai vazhdoi programin e tij të reformave të kufizuara, ndërsa Italia fashiste kërkoi të zgjeronte kontrollin e saj mbi Shqipërinë përmes huave të mëtejshme, shfrytëzimit të burimeve të Shqipërisë dhe furnizimit me këshilltarë e instruktorë për ushtrinë dhe flotën e Mbretit Zog. Kontratat me oficerët britanikë në pension, përmes të cilëve Zogu kishte ngritur një xhandarmëri, skaduan në vitin 1938 dhe nuk u rinovuan.

Në prill 1939, Musolini, duke e konsideruar Zogun si të pakontrollueshëm, vendosi të vendoste kontroll të drejtpërdrejtë mbi Shqipërinë. Zogu dhe familja e tij u larguan jashtë vendit përballë një ushtrie pushtuese italiane.

Pushtimi italian dhe Lufta e Dytë Botërore

Pesë ditë pas pushtimit italian, Shqipëria u bë një protektorat i Italisë, nën Mbretin Viktor Emanuel III dhe Këshillin e Lartë Fashist Korporativ. Gjatë viteve 1940–1941, Shqipëria u bë një fushëbetejë kryesore në luftën greko-italiane, derisa pushtimi gjerman i Greqisë i detyroi forcat greke të tërhiqeshin gjatë pjesës së fundit të prillit 1941.

Italia e drejtoi Shqipërinë përmes një sërë qeverish të paafta, të cilat nuk mundën të kontrollonin aktivitetet guerile që u shfaqën pas pushtimit. Pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943, gjermanët pushtuan Shqipërinë dhe vendosën një regjim besnik ndaj tyre.

Megjithatë, pjesë të mëdha të vendit mbetën nën kontrollin e guerilasve, të cilët në atë kohë ishin ndarë në dy grupe rivale: Fronti Nacional (Balli Kombëtar) dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare (Partizanët). Aktivitetet e këtyre grupeve i detyruan gjermanët të forconin garnizonet e tyre. Gjatë gjysmës së parë të vitit 1944, gjermanët arritën të ruanin kontrollin e qendrave kryesore, pjesërisht përmes reprezaljeve të ashpra ndaj popullsisë civile.

Në zonat e përfshira nga luftimet, veçanërisht në jug, u shkaktuan shkatërrime të mëdha. Të dyja grupet guerile morën furnizime dhe mbështetje ushtarake nga Komanda e Lartë Aleate në Mesdhe, por Partizanët, të dominuar nga Partia Komuniste, zhvilluan luftimet më efektive. Ata pushtuan Tiranën më 18 nëntor 1944 dhe më pas zgjeruan kontrollin mbi të gjithë vendin. Kolonel Gjeneral Enver Hoxha, një ish-mësues francez që kishte udhëhequr forcat partizane, u bë kreu i qeverisë.

Republika Popullore — Ngjarjet e brendshme

Një Asamble Kushtetuese u zgjodh më 2 dhjetor 1945. Më 11 janar 1946, ajo shpalli Shqipërinë Republikë Popullore. Më 14 mars 1946 u miratua një kushtetutë e modeluar sipas kushtetutave të Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik. Kushtetuta shpallte se “të gjitha pushtetet burojnë nga dhe i përkasin popullit” dhe parashikonte një legjislaturë njëdhomëshe (Asamblenë Popullore), një presidium dhe një Këshill Ministror. Ajo ishte konceptuar shprehimisht për të siguruar bazën e një lloji “demokracie popullore”, me një formë diktature proletare “në një periudhë kalimtare” drejt socializmit.

U morën masa të ndryshme për të shtypur opozitën e brendshme. Në fillim, goditja u drejtua kundër “kriminelëve të luftës” dhe “bashkëpunëtorëve”. Mbi 500 persona u gjykuan dhe u dënuan, mes tyre rreth 40 ish-ministra dhe bashkëpunëtorë të rëndësishëm.

Me zhvillimin e Luftës së Ftohtë midis Bashkimit Sovjetik dhe Fuqive Perëndimore, si dhe me ndarjen midis fuqive jugosllave dhe atyre të Kominformit (qershor 1948), qeveria shqiptare e drejtoi fushatën e saj kundër “titistëve dhe agjentëve perëndimorë”. Komunistët shqiptarë u dëbuan dhe u gjykuan me akuzën se ishin fajtorë për herezinë titiste.

Shumica e tyre iu nënshtruan gjyqit dhe ekzekutimit në maj 1949. Një prej proceseve më spektakolare ishte ai i Koçi Xoxes, ministër i Brendshëm dhe shef i policisë sekrete. Një seri procesesh të tjera pretendohej se kishin zbuluar “lidhjen e ngushtë midis shërbimeve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë titiste”.

Kryeministri Hoxha përsëriste vazhdimisht akuzën se “imperialistët anglo-amerikanë” po përpiqeshin “të skllavëronin popullin shqiptar”.
Më 1953, grupet shqiptare antikomuniste në mërgim pohonin se këto procese pasqyronin dobësinë e regjimit të Hoxhës.

Më 6 janar 1952, një Komitet Kombëtar për një Shqipëri të Lirë deklaroi se Hoxha po nxiste “urrejtje nacionaliste” kundër vendeve fqinje, në përpjekje për të gjetur një lidhje të përbashkët me të cilën të bashkonte një vend plotësisht të zhgënjyer. Komiteti i kërkoi Italisë, Greqisë dhe qeverive jugosllave të lëshonin një deklaratë të përbashkët, duke siguruar se nuk kishin synime ndaj territorit shqiptar dhe se do të respektonin kufijtë e Shqipërisë. (New York Times, 7 janar 1952.)

Marrëdhëniet e jashtme të Republikës Popullore

Në janar 1945, qeveria shqiptare mori njohjen nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik. Dy të parët dërguan misione ushtarake për të hetuar kushtet, por njohja diplomatike nuk pasoi për shkak të tensionimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Fuqive Perëndimore.

Më në fund, Britania dhe Shtetet e Bashkuara i tërhoqën misionet e tyre, përkatësisht më 5 dhe 15 prill 1946.
Pika kulmore e marrëdhënieve shqiptaro-perëndimore u arrit më 22 tetor 1946, kur dy anije luftarake britanike u goditën me mina midis Korfuzit dhe Shqipërisë, duke shkaktuar vdekjen e 44 marinarëve dhe plagosjen e 42 të tjerëve. Pas shumë diskutimesh në Kombet e Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi më 9 prill 1949 se Shqipëria duhej të paguante dëmshpërblim Britanisë, por se veprimi britanik në pastrimin e minave nga Kanali i Korfuzit kishte shkelur sovranitetin e Shqipërisë.

Gjatë periudhës së menjëhershme pasluftës, Shqipëria mbajti marrëdhëniet më të ngushta me Jugosllavinë. Shqiptarët dhe jugosllavët kishin bashkëpunuar gjatë periudhës së rezistencës dhe Jugosllavia udhëhoqi në njohjen e Shqipërisë më 28 prill 1945.
Gjatë viteve të mëvonshme, Jugosllavia mbështeti Shqipërinë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare dhe dy vendet përfunduan marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë, bashkëpunim detar dhe bashkëpunim ekonomik.

Kishte një mundësi të dukshme që Shqipëria t’i bashkohej Federatës Jugosllave. Por, kur Jugosllavia u përjashtua nga Kominformi në qershor 1948, Hoxha u rreshtua me Stalinin kundër Titos. Një muaj më vonë, Shqipëria anuloi të gjitha marrëveshjet me Jugosllavinë. Marrëdhëniet diplomatike u ndërprenë praktikisht dhe tregtia midis dy vendeve pushoi. Jugosllavia, së bashku me Fuqitë Perëndimore, u bë një objektiv i preferuar i propagandës dhe proceseve të spiunazhit në Shqipëri.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë gjithashtu kanë qenë të tensionuara gjatë periudhës së pasluftës. Një arsye ishte këmbëngulja e vazhdueshme e grupeve nacionaliste greke dhe e disa zyrtarëve për çështjen e Shqipërisë së Jugut. Një tjetër arsye ishte ndihma që Shqipëria u dha guerilasve grekë gjatë shpërthimit të luftës civile në Greqi më 1946.

Komiteti Special i Kombeve të Bashkuara për Ballkanin (U.N.S.C.O.B.) raportoi vazhdimisht se guerilasit grekë merrnin furnizime nga Shqipëria. Tensioni vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës civile greke në tetor 1949.

Më 10 janar 1951, stacionet radiofonike komuniste të U.N.S.C.O.B.-it denoncuan propagandën antishqiptare, duke pretenduar se ajo po krijonte “një atmosferë që çonte në armiqësi”. Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare po zhvillonte procese të ndryshme gjyqësore, duke ekspozuar rolin e pretenduar të Greqisë në dërgimin e grupeve të spiunëve dhe sabotatorëve përtej kufirit.

Që prej ndarjes Tito–Kominform, regjimi i Hoxhës mund të mbështetej vetëm te Bashkimi Sovjetik për ndihmë. Moska e njohu qeverinë shqiptare më 10 nëntor 1945. Moska gjithashtu mbështeti Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, kundërshtoi pretendimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut dhe mbështeti kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Pas prishjes sovjeto-jugosllave në qershor 1948, Bashkimi Sovjetik mori një pozitë të privilegjuar në jetën politike dhe ekonomike shqiptare. Plani ekonomik shqiptar i bazuar në ndihmën jugosllave u braktis në favor të një Plani Dyvjeçar dhe më pas të një Plani Pesëvjeçar, të dyja të mbështetura në ndihmën sovjetike.

Shqipëria ishte e rëndësishme për Bashkimin Sovjetik sepse i ofronte një bazë strategjike në Mesdhe dhe në Adriatik. Për këtë arsye, rridhnin në Shqipëri materiale industriale dhe ushtarake sovjetike, si dhe vinin teknikë sovjetikë që mbikëqyrnin zhvillimin e porteve shqiptare, fushave naftëmbajtëse dhe objekteve të tjera me rëndësi strategjike.

Megjithatë, është domethënëse se qeveria sovjetike nuk ishte angazhuar në mënyrë të pakthyeshme ndaj Shqipërisë, ashtu siç nuk kishte pranuar Shqipërinë në Kominform dhe as nuk kishte përfunduar me të një traktat ndihme të ndërsjellë.

Nënshkrimi i Paktit Tripalësh Greqi–Turqi–Jugosllavi më 28 shkurt 1953 e thelloi izolimin e Shqipërisë në Ballkan. Gazetat shqiptare pretenduan se nënshkruesit e paktit kishin plane kundër integritetit dhe pavarësisë së Shqipërisë. Qarqet diplomatike në Athinë deklaruan se Greqia do të vazhdonte të kundërshtonte përdorimin e forcës dhe do të kërkonte zgjidhjen e çështjes së Epirit të Veriut me mjete paqësore.

Pas vdekjes së kryeministrit Stalin, qarkulluan në Shqipëri zëra për trazira dhe revolta të gjera. Riorganizimi qeveritar i 23 korrikut 1953, i cili uli numrin e ministrive të kabinetit nga 19 në 10 dhe i hoqi Hoxhës portofolet e mbrojtjes dhe të punëve të jashtme, duke e lejuar të ruante postin e kryeministrit, dukej se i mbështeste këto zëra.

Bibliografi

Çekrezi, C. A., Albania Past and Present (New York, 1919); Stickney, E. P., Southern Albania or Northern Epirus in European International Affairs (Stanford, 1926); Durham, M. E., Some Tribal Origins, Laws, and Customs of the Balkans (London, 1928); Swire, J., Albania: The Rise of a Kingdom (London, 1929); Federal Writers’ Project of Massachusetts, The Albanian Struggle in the Old World and New (New York, 1939); Robinson, V., Albania’s Road to Freedom (New York, 1942); Zavalani, T., Albania under Nazi Oppression (London, 1943); Amery, L. S., A Survey of the Eagle’s Nest: A Study in Guerrilla War (New York, 1949); Vujevich, W. S., Communism Gains in Albania, Current History, Oct. and Dec., 1951; Davies, Brigadier, British Military Mission to the True Story of the Enemy Occupied Albania, 1943–4 (London, 1952). L. S. Stavrianos, Associate Professor of History, University.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • ALBANIA NË ENCIKLOPEDINË AMERIKANE TË VITIT 1960
  • Zbardhen prapaskenat e darkës Trump-Xi në Shtëpinë e Bardhë, emrat që u ulën në të njëjtën tryezë
  • VIDEO: Shefi i Komisariatit të Fushë-Krujës rrihet me shpulla në mes të rrugës
  • Kreu i Gjykatës së Lartë: Do ulemi në tryezë me Ramën, por Kushtetuta nuk negociohet
  • Vodhi 700 mijë euro, Gjykata liron nga qelia drejtoreshën e Postës së Durrësit

Komentet e Fundit

  1. roni prej betoni on VIDEO: Bledi Çuçi dhe bashkëshortja përplasen me protestuesit, iu nxjerr gishtin e mesit
  2. Mara emigrante ne Itali on Rama qëllohet me vezë në SHBA: “E gjithë Shqipëria të urren…”
  3. Vl on Rama qëllohet me vezë në SHBA: “E gjithë Shqipëria të urren…”
  4. Dashi on Është filmuar edhe Niko Peleshi? “Je nën shantazh…” si përgjigjet kreu i Parlamentit
  5. Ballkanik on Është filmuar edhe Niko Peleshi? “Je nën shantazh…” si përgjigjet kreu i Parlamentit

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?