Carlo Ancelotti ishte dukshëm i nervozuar dhe kundërshtues, duke u ndëshkuar me të verdhë për protesta. Debati me arbitrin Soares, me arbitrin e katërt Orsato kishte si qëllim ndërhyrjen e VAR, që heshti pa anuluar golin e barazimit të shënuar nga De Bruyne. Belgu vuri firmën në barazimin 1-1 mes Real Madrid e Manchester City, duke e lënë për në angli cështjen e kualifikimit në finalen e Champions.
Sipas rregullores së re, rastet shikohen në VAR, por në këtë rast goli sipas specialistëve të moviolës nuk mund të anulohej, edhe pse pamjet e treguan se sfera e tejkaloi tërësisht vijën. Shkaku ishte sepse topi ishte në lartësi e nuk dallohej mirë dhe sipas rregullores lejohet avantazhi. Por më kryesorja ishte se për vijat anësore nuk ka teknologji me “Syrin e shqiponjës”, teknologji që llogarit topin nëse e kalon vizën. Dhe kjo, sepse ndryshe nga Botërori, Champions nuk e ka një teknologji të tillë, ndaj goli u lejua me avantazh; teksa as arbitri dhe as VAR nuk mund të merrnin vendim për anulim. Ndryshe do të ishte për vijën fatale, ku kjo teknologji ekziston nëpërmjet orës. Pas këtij precedenti, do të duhet që të aktivizohet edhe për pjesët e tjera të fushës, vizat anësore pranë zonave sulmuese. E vetmja mënyrë që goli të anulohej do të ishte ngritja e flamurit nga anësori, gjë që nuk ndodhi, sepse as mund ta shihte topin në atë largësi, pasi ndodhej në krahun e kundërt. Kurse VAR-i nga ana tjetër është i specializuar vetëm për matjet robotike të pozicionit jashtë loje.
Gjithsesi në Madrid ende turfullojnë dhe me të drejtë (edhe pse Reali është skuadra më e favorizuar historikisht në Champions). “Unë nuk dua të bëj asnjë akuzë – tha Ancelotti gjatë intervistave pas ndeshjes -. Por mendoj se arbitrimi nuk ishte në nivelin e rastit dhe as cilësia e shprehur nga skuadrat në fushë. Ai më ndëshkoi, por kartonat duhet të ua jepte lojtarëve që e meritonin. Pastaj në aksionin para barazimit të tyre pati një goditje të pastër këndi që u shpëtoi dhe ndoshta topi në aksionin e golit kishte dalë edhe jashtë. Unë e pashë dhe nuk e kuptoj pse nuk ndërhyri VAR”.
Polemikat kanë shpërthyer menjëherë pas ndeshjes, me madrilenët që ndihen të vjedhur para syve të gjithë botës. Pak sekonda para se Kevin De Bryune të shënonte, Bernando Silva ka mbajtur topin në lojë, edhe pse pamjet treguan se topi kishte dalë jashtë. Në mediat spanjolle, e jo vetëm, shpërthyen pamjet që treguan këndin e kamerës që e shfaq qartë se Silva nuk arriti ta mbante topin në lojë. Por siç e shpjeguam më sipër, rregullorja parashikon avantazhin e lojës nëse arbitrat dhe anësorët nuk janë të sigurt. E për fat të keq, për këto raste nuk ndihmon dot as telnologjia.
