Nga Fatos Tarifa
Pse kaq shumë dhe pse argëtohemi kur i dëgjojmë dhe i themi ato?
Gjirokastra, një çudi njerëzore
Edhe pse nuk kam lindur në Gjirokastër dhe në atë qytet nuk kam jetuar më shumë se katër vite, unë ndihem dhe jam gjirokastrit në tërë qenien time. Gjirokastra është e përhershme në kujtimet e mia, në eksperiencat e mia, në mendimet e mia, në fantazitë dhe në imagjinatën time, në dëshirat e mia, në ëndrrat e mia, në planet e mia, në genet e mia—në të gjitha këto njëherësh e njëlloj.
Gjirokastra është, gjithashtu, e përhershme tek unë në dialektin që flas, në mënyrën si mendoj, në anekdotat që pëlqej të them e të dëgjoj, në ushqimin që kam marrë për dekada më radhë, gatuar mjeshtërisht nga gjyshja dhe nëna ime gjirokastrite, e para nga Palortoja, e dyta nga Varoshi, dy ndër lagjet kryesore të këtij qyeti, që mbështeten shpinë më shpinë me njëra-tjetrën.
Me pak fjalë, unë jam gjenetikisht, kulturalisht e shpirtërisht gjirokastrit dhe e di mirë se ç’them kur flas e shkruaj për Gjirokastën dhe banorët e saj. Unë jam një prej tyre dhe e kam njohur këtë qytet nga brenda e nga jashtë tij, për të pasur një mundësi e një këndvështrim që, edhe pse s’janë unikë, më kualifikojnë të dëshmoj për të e ta “shpjegoj” atë në një plan njerëzor, por edhe në një plan të përgjithshëm sociologjik e kulturor krahasues.
Kur flas për Gjirokastrën, pra, unë e di përse flas. Shumë prej qyteteve ku kam jetuar ose që i kam vizituar në të kater anët e globit janë të hatashëm, marramendës, ndonjë edhe magjepës nga relievi dhe bukuria e tyre, por asnjë prej tyre nuk ka pasur e nuk ka për mua sharmin dhe magjinë e Gjirokastrës.
Të thuash se ky qytet është unik, eksepsional, nuk ke thënë shumë. Shumë qytete në botë janë unikë. Por, të thuash se ky qytet është magjik, do të thotë ta veçosh atë e ta vësh mbi gjithë të tjerët, t’i njohësh atij disa tipare e veçori që nuk i ka asnjë qytet tjetër në botë. Këto tipare e veçori të tërheqin si me magji drejt tij, drejt kalasë madhështore, zemrës ontologjike të këtij qyteti, sokaqeve të ngushtë që aq mjeshtërisht i ka përshkruar Ismail Kadare dhe drejt Qafës së Pazarit, kësaj mrekullie urbanistike të shekullit të 19-të. Në një prej librave të mi, Fjalor i paradokseve, kam shkruar për Gjirokastrën se, “nëse ky qytet nuk do të ekzistonte realisht, mendja njerëzore nuk do të mund ta përfytyronte dot”.
Duke nisur nga fillimi i viteve 1980, kur isha ende një pedagog i ri në Universitetin e Tiranës, kam sjellë në Gjirokastër dhe i kam shoqëruar në këtë qytet dhjetra gazetarë, filozofë, sociologë, arkeologë, politikanë të huaj, nga vende të afërt e të largët, nga Suedia e Hollanda, por edhe nga Kanadaja, nga Shtetet e Bashkuara e nga Japonia.
Disa prej tyre kishin lexuar paraprakisht diçka—por fare pak—për Gjirokastrën. Kishin kuriozitet për të. Mund të kishin parë edhe fotografi të saj. Shumë prej tyre kishin lexuar një ose dy romane të Kadaresë, përfshirë edhe Kronikë në gur, roman i cili, i botuar më 1971, u përkthye dhe u botua në anglisht në mesin e viteve 1980. Sidoqoftë, askush prej tyre nuk e kish ditur dhe s’kish mundur dot ta imagjinonte se çfarë e priste kur të vinte këmbë në këtë qytet. Për ta, në vizitën e tyre të parë, Gjirokastra ka qenë jo thjesht një surprizë, jo thjesht befasuese. Gjirokastra ka qenë—dhe mbetet—një magjepsje për këdo që e zbulon.
Dhe Gjirokastra nuk është nga ata qytete që zbulohen vetëm një herë. Ky qytet zbulohet çdo herë që e viziton. Gjirokastra zbulohet çdo ditë dhe, përsëri, edhe për ata që e njohin mirë, madje edhe për vetë banorët e saj, Gjirokastra gjithnjë fsheh diçka, gjithnjë ruan diçka të pazbuluar—një mister që gjithnjë mbetet për t’u zbuluar.
Ky mister ndoshta ka të bëjë me gjenezën e këtij qyteti dhe me legjendat e mitet që thuhen për të, të cilat e mbajnë atë gjithnjë fshehur pas një mjegulle misterioze që provokon hamëndje, kureshtje dhe habi sa herë dëgjojmë ose mësojmë diçka të re për të.
Gjirokastra ka pasur e ka një fuqi magjike tek unë. Sa herë e vizitoj, unë njëjësohem me të, humbas në atë qytet dhe vetë qyteti, me njerëzit e tij, me ndërtesat, rrugët dhe sokaqet e tij, me pamjen gati surreale të kalasë, me pejzazhin e thyer të lagjeve te qytetit dhe atë që shpaloset në të dy anët e luginës së Drinos, bëhen jo thjesht një përvojë shqisore e këndshme, por edhe pjesë e staminës sime emocionale e mendore.
Gjirokastra është një çudi njerëzore, po aq sa është edhe një qytet mahnitës për vendodhjen gjeografike dhe për tiparet e saj fizike e urbanistike—me një fjalë, për çdo element të pejzazhit të vet natyror e, mbi të gjitha, për banorët e saj dhe kulturën e pasur që ata kanë krijuar e ruajtur ndër shekuj. Një qytet i vogël si Gjirokstra u bë vendlindja e njërës prej legjendave më të bukura në traditën e rrëfenjave epike të shqiptarëve, ajo e Princeshës Argjiro. Ky qytet e nisi shekullin e 20-të me popullsinë më të arsimuar në vend dhe i dha Shqipërisë shkrimtarin e saj më të madh të të gjitha kohërave, Kadarenë.
Një kuriozitet i hershëm për ‘kopracinë’ e gjirokastritëve dhe anekdotat për ta
Edhe pse gjithçka vura në dukje më sipër nuk mbeten pa i rënë në sy kujtdo që e viziton këtë qytet, për fat të keq, në folklorin urban vendas Gjirokastra dhe gjirokastritët përmenden më shpesh për “kopracinë” e tyre dhe anekdotat për ta. Kontrasti i madh mes asaj që gjirokastritët janë dhe anekdotave që thuhen për ta u bë motivi për të shkruar një ese sociologjie të gjatë, në formë libri, që pritet të botohet së shpejti.
Ideja për të shkruar një libër është e herëshme por, siç ndodh jo rrallë me këdo që merret me krijimtari intelektuale, shumë ide e projekte krijuese pasi ngjizen, lihen në sirtar, në studio ose në atelier, vihen në gjumë për një farë kohe, që mund të zgjasë me vite, derisa ndiejmë presionin e një shtyse të brendshme dhe kuptojmë se ka ardhur dita për t’u marrë sërish me to e për t’ua dhënë publikut.
Dikush mund të mendojë e të presë që një libër mbi anekdotat duhet patjetër të jetë i mbushur fund e krye me shembuj anekdotash, qoftë edhe për të ilustruar natyrën e humorit për të cilin bëhet fjalë. Kjo do të kish qenë një detyrë relativisht e lehtë, sepse repertori i anekdotave për “kopracinë” (e gjirokastritëve apo të popujve të tjerë) është mjaft i gjerë. Por nuk është ky qëllimi im.
Gjithnjë më ka intriguar “kopracia” e gjirokastritëve dhe kam qenë kurioz të kuptoj pse banorët e Gjirokastrës, qyteti nga është me origjinë familja ime—dhe në të cilin kam jetuar katër vite kur isha i vogël—janë “cingunë”, siç u thonë në zhargonin e tyre njerëzve kopracë në këtë qytet.
Edhe më shumë më kanë tërhequr anekdotat plot humor që tregohen për “kopracinë” e tyre thuajse nga kushdo—edhe nga ata që i njohin mirë gjirokastritët, edhe nga ata që s’i njohin fare, madje, edhe nga shumë gjirokastritë, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve dhe shumë nga shokët e mi gjirokastritë. Sigurisht, natyra simbolike e humorit mundëson që ai të përdoret e të shprehet në forma të ndryshme. Unë shkruaj vetëm për ato anekdota që kanë për subjekt “kopracinë” e gjirokastritëve.
Mund të ketë gjirokastritë (siç unë e di që ka), të cilëve anekdota të këtij lloji u duken thjesht të pavërteta, ose abuzive, keqdashëse, stigmatizuese, nënçmuese ose fyese. Një grua nga Gjirokastra, që jeton në Tiranë, kur dëgjoi nga unë se po shkruaja një libër për anekdotat mbi “kopracinë” e gjirokastritëve, reagoi ashpër në këtë mënyrë: “Shumë njerëz na quajnë ne, gjirokastritëve, kurnacë, që gjoja lidhin macen kur hamë bukë, etj., etj. Këto nuk janë veçse shpifje të ndyra dhe pa asnjë bazë. Gjirokastritët janë njerëzit më bujarë e më punëtorë dhe bukën ia japin të parit mikut. Shtëpitë e tyre kanë qenë e janë gjithnjë të hapura”.
Gjirokastritët janë vërtet siç i përshkruan kjo grua—njerëz punëtorë, veçanërisht mikpritës e shumë nikoqirë—por të tregosh anekdota për “kopracinë” e tyre nuk do të thotë se i stigmatizon ata as si individë, as si një komunitet. Për shumë njerëz, anekdotat për ta janë kryesisht—ose thjesht—argëtuese, shumë herë madje tepër argëtuese, jo vetëm për ata që i dëgjojnë, por edhe për vetë ata që i thonë, sidomos kur këta të fundit janë vetë gjirokastritë, siç është edhe autorit i këtyre radhëve.
Cilitdo nga ne mund t’i ketë qëlluar të qeshë me vete për shkak të ndonjë mendimi humoristik që na vjen dhe që, aty për aty, krijon një monolog të brendshëm te ne, por këtu nuk e kam flalën për këtë lloj të qeshure. Zakonisht, kur qeshim, ne qeshim me të tjerë, sidomos kur bashkë me ta dëgjojmë një anekdotë që provokon të qeshurën tonë. Ne qeshim edhe kur i tregojmë vetë ato. Arsyeja është se, në të dy rastet, ose në të dy rolet, si dëgjues dhe si rrëfenjës i një anekdote, ne përdorim “fjalorin e së qeshurës” si një mjet shoqëror komunikimi, duke marë nga të tjerët, ose duke u transmetuar atyre një ndjenjë afërie dhe një dëshirë për t’u argëtuar.
E qeshura, siç argumentoj në librin tim, kryen një funksion shoqëror të rëndësishëm, duke i lënë të kuptojë atij që bën humor, ose tregon një anekdotë, se ne mund të kemi përjetuar situata të ngjashme në jetën tonë, pra i përkasim së njëjtës botë jetësore, ndajmë me të një kënvështrim të përbashkët, ose të ngjashëm dhe se e pëlqejmë sensin e tij të humorit. Me fjalë të tjera, kur dëgjojmë një anekdotë që na pëlqen e qeshim me të, e qeshura jonë u thotë personit që tregon dhe të tjerëve që e dëgjojnë anekdotën e tij bashkë me ne se na pëlqen ai lloj humori.
Ç’tregojnë për ne humori dhe anekdotat që themi?
Sensi ynë i humorit, shakatë që bëjmë dhe natyra e anekdotave që tregojmë, ose që na pëlqejnë të dëgjojmë e me të cilat qeshim, flasin shumë për personalitetin tonë. Kjo duhet të jetë e vërtetë më shumë nga ç’mendojmë zakonisht, si kur i pëlqejmë e qeshim me to, edhe kur na duket se u mungon humori e s’kanë asgjë për të qeshur. Gëte thoshte se “asgjë nuk e tregon karakterin e njeriut më mirë se sa ajo gjë me të cilën ai qesh”.
Susan Nicholson, një psikologe e njohur australiane, pohon se humori ynë është si një dritare, përmes së cilës të tjerët njohin personalitetin tonë. Studiues të ndryshëm në fushën e psikologjisë narrative mendojnë se anekdotat flasin shumë për identitetin e njerëzve që i tregojnë ato. Sandra Murray dhe John Holmes pohojnë se nuk jemi ne që tregojmë anekdota; anekdotat që tregojmë thonë se cilët jemi ne. Siç shprehet këta autorë, “anekdotat që tregojmë nuk dëshmojnë thjesht se si e konstruktojmë ne identitetin tonë; ato janë identiteti ynë”.
Por a ka ndonjë arsye që të shpjegojë përse femrave, përgjithësisht, u pëlqejnë më shumë ata meshkujt që kanë humor dhe tregojnë anekdota, (“Nëse e bën një grua të qeshë”, thoshte Marilyn Monroe, “ti mund ta bësh atë të bëjë çdo gjë”) dhe meshkujve u pëlqen kur femrat qeshin me anekdotat e tyre, por vetë ata nuk i pëlqejnë anekdotat që tregojnë femrat e nuk qeshin me to? Një studim i kryer kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara dëshmon se 71 për qind e femrave qeshin kur një mashkull tregon një anekdotë, ndërkohë që vetëm 39 për qind e meshkujve qeshin kur një anekdotë tregohet nga një femër. Për këtë shkruaj më poshtë.
Thuajse çdo fjalor ndër ata më të njohurit i shpjegon anekdotat si të pavërteta që thuhen për t’i bërë të tjerët të qeshin e të argëtohen edhe vetë me to. Enciklopedia Britanike, gjithashtu, e shpjegon humorin si ai lloj “komunikimi në të cilin stimuluesi prodhon argëtim”. “Në të gjitha format e tij të shumëllojshme, humori mund të përkufizohet thjesht si një lloj stimulimi që ka tendencë të shkaktojë refleksin e së qeshurës”.
Edhe pse i vërtetë, ky është një shpjegim reduksionist e semplist. Humori, anekdotat dhe e qeshura që ato shkaktojnë janë një dukuri më vete dhe, si të tilla, kërkojnë një analizë e shpjegim më të thellë, që unë as e synoj në esenë time, as jam mjaftueshëmërisht i kualifikuar ta bëj. Sido që të jetë, askush nuk e vë në dyshim se e qeshura e shkaktuar nga një ngacmim fizik refleksiv, siç është gudulisja, nuk është e njëjta e qeshur që shkakton humori i një pjese komike, ose i një anekdote. Humori i një komedie apo i një anekdote dhe e qeshura që provokon ai presupozojnë një kornizë kontekstesh referues ose shoqërues që janë reciprokisht të papajtueshëm me njëri-tjetrin, një përmbajtje intelektuale të strukturuar në një farë mënyre logjike, si dhe një dinamikë emocionale.
Pavarësisht se anekdotat që dëgjojmë e tregojmë mund të mos përmbajnë asnjë informacion të ri, disa prej tyre mund të shprehin një realitet të vërtetë. Sidoqoftë, edhe pse s’duhen marrë seriozisht—dhe, ndoshta, pikërisht për këtë arsye—anekdotat kanë aftësinë që me humorin, me ironinë dhe me groteskun e tyre, të provokojnë të qeshura e të argëtojnë.
Të tilla—argëtuese dhe shumë argëtuese—i konsideroj edhe unë pjesën më të madhe të anekdotave mbi “kopracinë” e gjirokastritëve, sidomos të atyre që kanë vërtet një humor elegant e therrës, që të shokojnë me elementin “surprizë” dhe inteligjent me të cilin mbyllen (batutta finale) dhe që—kjo është veçanërisht e rëndësishme—tregohen bukur, në një kohë të përshtatshme dhe me njerëz që i pëlqejnë ato dhe e kuptojnë kunjin e tyre.
Një “sport popullor”
Humori që përmbajnë anekdotat për “kopracinë” e gjirokastritëve dhe e qeshura që shkaktojnë ato mund të thuhet se janë bërë sot një sport popullor te ne, siç ishin dikur anekdotat sarkastike, shumë inteligjente e pikante të shkodranëve për “të mirat” e socializmit shtetëror në Shqipëri, edhe pse të krijuara në kushtet e një sistemi politik e shoqëror represiv. Brezi im i mban mend shumë mirë ato.
Ne qeshnim me to, edhe pse bënim kujdes kur i tregonim për të mos rënë në kurthin e ligjeve që e ndalonin agjitacionin dhe propagandën anti-socialiste. Megjatë, edhe pse në një mjedis politik e shoqëror krejt të papërshtatshëm e të rrezikshëm për humorin “shkodran”, ne i dëgjonim dhe i tregonim anekdotat e shkodranëve shpesh e me shumë kënaqësi. Jo sepse nuk kishim frikë nga regjimi i asaj kohe, por sepse ishim një popull i ri në moshë dhe një rini e arsimuar. Ne donim të ishim një rini e lumtur dhe e qeshura jonë dukej se ishte rruga më e shkurtër—edhe pse një rrugë iluzore—drejt lumturisë.
I dëgjojmë shpesh, të njëjtat anekdota për “kopracinë” e gjirokastritëve që kemi dëgjuar më parë, në mjaft raste të modifikuara, por me të njëjtën përmbajtje e me të njëjtin përfundim, aq sa, shumë herë, kur nisim të tregojmë një anekdotë të tillë, qysh në fillim, ose nga mesi i saj, u themi atyre që na dëgjojnë: “Më thoni nëse e keni dëgjuar më parë këtë anekdotë”.
Kam dashur gjithnjë të kuptoj—dhe t’u shpjegoj të tjerëve—nëse kopracia është vërtet një tipar “gjenetikisht i trashëguar” i gjirokastritëve, pjesë e ADN-së së tyre kulturore kolektive, apo thjesht një “shpikje” pezhorative e të tjerëve për ta, më saktë, për ne, gjirokastritët. Them “për ne”, sepse, pavarësisht se me Gjirokastrën më lidh një eksperiencë jetësore e drejtpërdrejtë shumë e shkurtër dhe në një moshë shumë të re, siç vura në dukje më sipër, unë identifikohem me këtë qytet të jashtëzakonshëm dhe me banorët e tij. Madje me shumë krenari.
Gjirokastritët si hollandezët
Ka qenë, në fakt, një përsiatje intelektuale që ka zgjatur me vite e dekada të tëra për të zbuluar e kuptuar origjinën, natyrën dhe format lokale konkrete në të cilat “kopracia” është bërë pjesë e ekologjisë sociale të gjirokatritëve dhe është ruajtur e trashëguar (kush e di për sa kohë) deri më sot. Por ka qenë, gjithashtu, një përsiatje e motivuar jo thjesht nga kurioziteti, por edhe nga një nevojë intelektualisht e shoqërisht e dobishme për të kuptuar ndikimin që mund të kenë pasur Tjetri, ose të Tjerët—pra ata që s’janë gjirokastritë—në “fabrikimin” e një tipari të tillë, për t’i portretizuar, identifikuar, ose edhe stigmatizuar kolektivisht gjirokastritët si njerëz dorështrënguar, si një popull koprac.
Në fakt, për të kuptuar hiperbolën në anekdotat mbi “kopracinë” e gjirokastritëve, kjo dukuri duhet studiuar në habitatin e vet të natyrshëm, në jetën e përditshme të familjeve gjirokastrite, jo në bibliotekë, në studio apo në një kafené. Unë do të habitesha nëse një anekdotë për gjirokastritët do e dëgjoja nga dikush që s’ka qenë kurrë në Gjirokastër ose, edhe më keq, s’ka njohur kurrë një gjirokastrit. Anekdotat e treguara nga njerëz të tillë për gjirokastritët s’janë veçse përsëritje nga goja e tyre të një miti apo steriotipi, që si çdo mit dhe steriotip është i vështirë të ndryshojë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “kopracinë” e hollandezëve apo popujve të tjerë. Mbi këtë subjekt shkruaj në një kapitull të veçantë, por këtu dëshiroj të çel një parantezë për hollandezët. Unë kam jetur e punuar disa vite në Hollandë dhe e njoh mirë popullin e atij vendi dhe kulturën e tij, siç njoh mirë edhe historinë e formimit e të zhvillimit të kombit hollandez.
Shumë njerëz përpiqen ta shpjegojnë “kopracinë” e hollandezëve me ndikimin e Kalvinizmit në historinë e zhvillimit të kombit të tyre. John Calvin, siç dihet, ishte një teolog francez në shekullin e 16-të, që jetoi në Gjenevë dhe përqafoi lëvizjen për Reformimin e Kishës Katolike, të iniciuar nga Martin Luther. Ai u bë figura qendrore e një denominacioni protestant, Kalvinizmit, që gjeti përkrahje të gjerë në Europën Perëndimore, veçanërisht në Hollandë.
Nisur nga ky fakt, disa mendojnë se “kopracia” u bë pjesë e mentalitetit dhe e zakoneve të hollandezëve, siç dëshmohet në shumë prej proverbave të tyre, si: “ai që kursen, gjithnjë ka diçka”, “kujdesu për qindarkat”, apo “mbaje dorën larg portofolit”.
Origjinën e këtyre proverbave dhe përmbajtjen e tyre ata e shohim të lidhur me etikën protestante që predikonte Martin Luther dhe që u mor nga Kalvini, sipas së cilës, “një monedhë e kursyer është më mirë se sa një monedhë e fituar”. Askush nuk e ka shpjeguar zhvillimin e kapitalizmit dhe rolin e protestantizmit në të më mire se sa Max Weber. Por, përveçse në një kuptim figurativ, do të ishte e pasaktë të mendoje se “kopracia” e hollandezëve të sotëm mund të shpjegohet me “shpirtin weberian që ruhet ende i gjallë mes tyre”.
Dëshira e hollandezëve për të kursyer nuk është e lidhur domosdoshmërisht me traditën dhe karakterin e tyre kalvinist. Hollandezët janë një popull shumë punëtor, i disiplinuar, racional (jofetar), mendjehapur e libertin, që e pranojnë dhe e respektojnë tjetrin dhe Hollanda është një vend ku puna e rëndë nuk përbuzet, por çmohet, ku drejtësia vihet në vend dhe talentet përkrahen e zhvillohen.
Unë mendoj se hollandezët janë bërë një popull kursimtar për shkak të rrethanave historike e mjedisore në të cila kanë jetuar e jetojnë—mjerimi i shkaktuar nga luftra të shumta në të kaluarën dhe përmbytjet e shpeshta të territorit të tyre, një e katërta e të cilit është nën nivelin e detit dhe, në kohë stuhish, gati dy të tretat e tij përmbytet nga uji. Rrethana të tilla kanë rrënjosur e përforcuar te hollandezët bindjen se ata duhet të jenë gjithnjë të përgatitur për më të keqen. Në një vend si Hollanda, ku deri më pak se një shekull më parë dhjetëra mijë njerëz vdisnin nga luftrat, uria dhe fatkeqësitë natyrore, ekstravaganca dhe shpërdorimi i parasë dhe i resurseve nuk janë subjekte për të qeshur.
Një studim i kryer disa vite më parë nga Universteti i Kardifit vjen në përfundimin se, nëse njerëzit thonë vazhvimisht anekdota që e portretizojnë një racë ose një popull në një mënyrë të caktuar, ata fillojnë ta besojnë edhe vetë këtë si të vërtetë. Analogjia me “kopracinë” e gjirokastritëve e të hollandezëve qendron. Nëse ka njerëz që vërtet besojnë se gjirokastritët apo hollandezët janë njerëz kopracë, kjo dëshmon se anekdotat që thuhen për ta (dhe për çdo komununitet tjetër) kanë aftësinë të ndikojnë në mënyrën se si ne e shohim Tjetrin dhe në qendrimet që mbajmë ndaj tij.
Dukuri kulturore universale dhe variacione lokale
Ky është një subjekt specifikisht sociologjik e antropologjik dhe, në një studim më të plotë, do i qasesha këtij subjekti pikërisht nga këndvështrimi dhe me mjetet analitike të sociologjisë së kulturës dhe të sociologjisë historike të krahasuar. Ashtu si Malinowski, unë udhëhiqem nga parimi se kultura e një shoqërie të dhënë nuk duhet parë e s’mund të kuptohet nga një perspektivë e ngushtë lokale ose rajonale, por nga një perspektivë e gjerë krahasuese me kultura të tjera.
Kopracia ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e shumë studiuesve—të filozofëve, sociologëve, antropologëve, psikologëve—dhe ka qenë e është subjekt i një humori thumbues dhe i anekdotave nga më të bukurat e më argëtueset në kulturën thuajse të çdo populli duke filluar nga kohët më të lashta. Pavarësisht vendit dhe kohës kur janë krijuar, me to qeshim edhe sot.
Duket se natyra njerëzore nuk ka ndryshuar shumë, përderisa sot qeshim me anekdota që janë krijuar kohë më parë e në kultura shumë të ndryshme nga e jona. Qeshim me to sepse shohim paralele të qarta, madje shumë ngjashmëri, në konstituimin shpirtëror të popujve dhe në qëndrimet e tyre ndaj të njëjtave dukuri shoqërore. Jim Holt sugjeron se, nëse hulumtojmë thellë, te humori dhe tek anekdotat mund të gjejmë disa “parime universale”.
Shumë anekdota mbi “kopracinë” e gjirokastritëve janë variacione lokale të një dukurie kuturore që e gjejmë jo vetëm në zona të tjera të Shqipërisë (në Korçë, fjala vjen), por edhe në shoqëri të tjera, tipikisht në anekdotat për kopracinë e hebrejve, të hollandezëve, irlandezët, skocezët, zvicerianët, amerikanët, bullgarëve, arabëve sauditë, indianëve, kinezëve, gjermanëve apo francezëve. Ishte Molieri, në fund të fundit, ai që shkroi komedinë e famshme Kopraci.
Gjermanët, fjala vjen, kanë qenë e janë shpesh subjekt i anekdotave të shumta që flasin për “kopracinë” e tyre, shumë prej të cilave mund të thuheshin edhe për popuj të tjerë. Peter Zudeick, një gazetar gjerman, shkruan: “Gjermani tipik shquhet për kursimin e parave. Ai bën kujdes që ta shtrydhë deri në fund tubin e pastës së dhëmbëve dhe, ndonjëherë, e pret atë përgjysmë me gërshërë që të sigurohet që asgjë s’vete dëm…Ai nuk i lë kurrë dritat ndezur, e mbyll rubinetin e dushit ndërsa shkumon flokët dhe gjithnjë i përdor dy herë qeset çajit që pi”.
Bullgarët kanë “Gjirokastrën” e tyre, qytetin Gabrovo në veri të vendit, i njohur botërisht për “kopracinë” e banorëve të vet dhe anektodat për ta, aq sa shumë njerëz e konsiderojnë si kryeqytetin botëror të humorit e të satirës”. Shqiptarët e Kosovës kanë Gjakovën, skocezët kanë Edingurgun (në garë me Aberdinin dhe Glasgoun); amerikanët kanë Klivlendin; gjermanët kanë Bavarinë dhe komunitetin Shvaben në jugperëndim të vendit, ndërsa hollandezët kanë Hollandën.
Si një dukuri universale, kopracia, si çdo dukuri tjetër, manifestohet dhe ilustrohet simbolikisht në traditën orale dhe në krijimtarinë letrare në formën e humorit e të anekdotave, në përshtatje me kushtet dhe veçoritë e kohës e të vendit, si dhe me karakteristikat e kulturave lokale. Në këtë vështrim, kjo dukuri e jetës së përditshme, që shpesh ndeshet e pasqyrohet estetikisht në format më groteske, nuk dallon nga dukuri të tjera të një natyre epike apo tragjike, siç është, fjala vjen, gjakmarrja, një dukuri që historikisht është ndeshur e ndeshet në shumë rajone të botës.
Kultura specifike të “traditive të vogla” (‘little tradition’ cultures), nëse përdor gjuhën e antropologut të njohur të Shkollës së Çikagos, Robert Redfield, kanë ekzistuar kudo. Ato kanë mbijetuar dhe evoluar në përputhje me mjediset e veçantë e unikë në shoqëri të caktuara, çfarë ka bërë që, në disa raste, të mbeten relativisht të pandikuara nga zhvillimi i kulturave të tjera dhe, në raste të tjerë, të ndikohen prej tyre, të japin e të marrin me to si enë komunikuese.
Duke qenë specifikisht kulturor, apo kulturalisht specific, humori është një ndër ata elementë kulturorë universalë (cultural universals, siç i quajmë në sociologji, apo human universals, siç quhen zakonisht në antropologji), që gjendet në të gjitha kulturat, te çdo popull e në çdo kohë. Shumë “aspekte biosociale të humorit e të së qeshurës”, rrjedhojë e evolucionit biologjik e shoqëror, kanë qenë “pjesë e repertorit të sjelljes së Homo sapiens për mijëra vite”. Në një kuptim real të fjalës, mund të thuhet se humori dhe e qeshura janë pjesë të pandara dhe esenciale të ndërveprimeve shoqërore dhe, si të tilla, pjesë e gjendjes sonë humane. Me pak fjalë, ndërsa të qeshurën e ndeshim edhe te primatët tanë protohumanë, siç bëj fjalë më poshtë, humori ka lindur në një periudhë më të vonëshme dhe ndeshet vetëm te njerëzit. “Kudo ku gjen gjurmë njeriu, gjen edhe humor”.
Të gjithë Homos sapiens kanë aftësinë të reagojnë ndaj humorit duke buzëqeshur ose duke qeshur. Studime të ndryshme dëshmonë se buzëqeshja dhe e qeshura dallohen e vlerësohen thuajse universalisht si sinjale pozitive të shprehjes emocionale, në atë masë sa mund të themi se, e qeshura është një gjuhë e përbashkët e të gjithë njerëzve.
Sidoqoftë, duhet thënë se humori dhe anekdotat e një populli apo të një kulture, me ironinë, sarkazmën dhe referencat kulturore lokale e specifike që ato përmbajnë, nuk mund t’i kuptojnë njëlloj si vendasit edhe ata që nuk e njohin atë vend, kulturën dhe gjuhën e tij.
Për shumë dukuri të jetës së përditshme, përshirë edhe kopracinë, shumë anekdota, me të njëjtën narrativë e strukturë logjike dhe me të njëjtët elementë humori, i ndeshim në popuj e në kultura të ndryshme, shumë herë gjeografikisht larg njëra-tjetrës. Në disa raste, ngjashmëritë në anekdotat që tregohen nga popuj e në vende të ndryshëm, si për çdo subjekt, edhe për kopracinë, janë kaq të forta, saqë dikush me të drejtë mund të bëjë pyetjet që gjithmonë shtrohen në antropologji: Huazim? Origjinë e përbashkët? Ngjashmëri mendimi? Ja disa shembuj:
Bullgarët kanë një anekdotë që thotë: “Pse njerëzit në Gabrovo nuk blejnë frigoriferë? Sepse ata nuk janë të sigurtë nëse drita e frigoriferit fiket kur e mbyll derën e tij.”
E njëjta anekdotë thuhet në Shqipëri për gjirokastritët dhe unë e formuloj më poshtë siç e kam dëgjuar dhe siç e tregoj vetë, pa ndryshuar asgjë nga përmbajtja e saj: “Një grua e moshuar gjirokastrite i thotë të shoqit: ‘Burrë, edhe Spirua e Fotinia e blenë frigoriferin’. Burri: ‘Le ta blejnë. Ç’punë kemi ne me ta’. Gruaja: ‘Po të tërë gjitonët kanë blerë frigorifer, vetëm ne s’kemi’. Burri: ‘E çë pastaj? Më mire pa të. I hamë të freskëta ushqimet, siç i marrim në pazar çdo ditë’. Gruaja: ‘Po pazarin e bëj unë, o burrë, jo ti dhe unë u merova. S’kam më moshë të bëj pazar çdo ditë’. I prekur nga fjalët e saj, burri i thotë: ‘Po mirë, o grua, e blejmë edhe ne një. Por më parë pyet Fotininë, a fiket drita e frigoriferit kur e mbyll derën e tij?’”.
Në Shtetet e Bashkuara ekziston një anekdotë e tillë: “‘Do të doja të kisha aq para, sa të blija një elefant’. ‘Ç’dreqin të duhet një elefant?’. ‘Nuk më duhet, më duhen vetëm paratë’”.
Një anekdotë në përmbajtje shumë e ngjashme me të tregohet në Shqipëri për gjirokastritët. “Dikush takon një mikun e tij gjirokastrit, që e gjen të menduar e të mërzitur. ‘Ç’ke?’, e pyet. ‘Ç’të kem’, i thotë gjirokastriti, ‘i martova të tre djemtë dhe dua të bëj një shtëpi’. ‘Si ke menduar ta bësh’, e pyeti shoku i tij. ‘Po ja, me 2 kate, që të kenë secili djalë me nusen e tij dhomën e tyre’. ‘Po pse s’e bën?’, e pyeti tjetri. ‘Po do lekë, mo’, ja priti hallexhiu’. “Po sa bën?’, ishte pyetja e radhës. ‘Po bën nja 50 milionë’. ‘Po ti sa para ke?’. ‘Unë s’kam asgjë’, i tha gjirokastriti. Atëherë miku i tij i dha këtë këshillë: ‘Po ti s’ke që s’ke, pse nuk e bën me 3 kate?’”.
Për hollandezët thonë këtë anekdotë: “Si mund t’i futësh 20 hollandezë në bagazhin e një makine? Hidh 10 cent në të”. Ekuivalenti i kësaj anekdote për gjirokastritët shtë ky: “Në fillim të një ndeshjeje futbolli në stadiumin e Gjirokastrës, që skuadrat të zgjidhnin portën që do të mbronin arbitri hodhi në ajër një monedhë 50 qindarkëshe. Gjysma e tifozëve u hodhën në fushë”.
Një tjetër anekdotë për hollandezët: “Fjalia e parë në një libër gatimi në Hollandë është kjo: ‘Shko te fqinji dhe merri një vezë borxh’”.
Shumë e ngjashme me këtë anekdotë, por shumë më e bukur se ajo, është kjo anekdotë që kam dëgjuar (dhe mua më pëlqen ta them edhe vetë shpesh): “Një burrë në Gjirokastër i thotë djalit të vet: ‘Shko te gjitoni dhe merri pak çekanin’. Djali vete dhe i thotë fqinjit të tyre: ‘Më tha babi ma jep pak çekanin se i duhet’. ‘Nuk ta jap se me hahet’, i tha frinji pa u menduar shumë. Djali kthehet në shtëpi dhe i ati e pyet: ‘Hë mo, e solle?’. ‘Jo, nuk ma dha’ i thotë djali. ‘Pse mo? Ç’të tha?’, e pyet babai. ‘Nuk ta jap se më hahet, më tha’, i thotë djali. Pas këtyre fjalëve babai i thotë djalit: ‘U pa puna, shko merr çekanin tonë’”.
Dhe një tjetër anekdotë po për hollandezët: “Hans i thotë gruas së tij: ‘Johanna, shtoi në litër ujë supës se na kanë ardhur miq’”. Morali i një anekdote të tillë u vihet në gojë gjirokastritëve në shumë variante. Dy më të njohurit janë këta:
Varianti i parë: “Pasi kishte kaluar rreth një orë nga koha kur u ulën në tryezë për të ngrënë darkë me miqtë që u kishin ardhur, gruaja gjirokastrite i thotë burrit: ‘Vangjel, ta sjell pulën?’. ‘Jo’, i thotë burri, ‘sille në fund’. Darka mbaroi dhe miqtë u ngritën. Pas kësaj, gruaja sjell pulën që të hante thërrimet e mbetura mbi tryezë”.
Varianti i dytë: “Pasi qendroi rreth dy orë për vizitë në një shtëpi gjirokastrite, mysafiri u ngrit të ikte. Duke e përcjellë tek dera, e zonja e shtëpisë i thotë: ‘Po ikën pa të bërë një kafe’ (njëri variant), ose, ‘Të të bëj një kafe, apo ç’e deshe?’”.
Në Angli thonë një anekdotë të tillë për skocezët: “Një anglez, një irlandez dhe një skocez planifikojnë të mblidhen për darkë bashkë. Anglezi thotë: ‘Unë do të sjell me vete gjashtë shishe birrë biter’. ‘Unë do të sjell gjashtë shishe birrë Guinness’, thotë irlandezi. ‘Ndërsa unë do të sjell me vete gjashtë shokë’, thotë skocezi”.
Varianti shqip i kësaj anekdote për gjirokastritët është ky: “Tre shokë që kishin bërë ushtrinë bashkë, një tepelenas, një skraparlli dhe një gjirokastrit takohen pas shumë vitesh dhe vendosin të hanë darkë bashkë. Tepelenasi thotë: ‘Më prisni të vete të marr në shtëpi ca mish të freskët se ma kanë sjellë mbrëmë nga fshati’. Skraparlliu thotë: ‘Unë po vete të marr nja dy shishe raki të mirë se ma ka sjellë vëllai’. ‘Më prisni dhe mua, se nuk vonohem’, thotë gjirokastriti. ‘Po t’i ç’do marësh’, e pyesin dy të tjerët. ‘Do marr vëllanë’, thotë gjirokastriti”.
Ka edhe anekdota që tregohen absolutisht njëlloj në popuj e vende të ndryshëm, duke ndryshuar veç kombësinë e personazheve të tyre. Një anekdotë e tillë, ndër sa e sa të tjera, është kjo: “Si u shpik teli i bakrit? Nga dy hollandezë që ziheshin për një monedhë”. E njëjta anekdotë tregohet për skocezët dhe për Shvabianët në Gjermani, të cilëve shpesh u referohen si “skocezët gjermanë”.
Dallimet dhe nuancat lokale të dukurive shoqërore, përfshirë edhe anekdotat që thuhen në vende e popuj të ndryshëm, janë me rëndësi të vihen në dukje e të studiohen. Por, nga pozitat e relativizmit kulturor, të cilit i përmbahem, unë besoj se, duke studiuar variacionet dhe shprehjet lokale të dukurive universale, ne mund të kuptojmë më mirë zhvillimin historik e kulturor të një shoqërie të dhënë, si dhe ta integrojmë më mirë e në mënyrë holistike studimin e saj në përgjithësime krahasuese ndërkulturore.
Çfarë kam mësuar nga nëna dhe dy gjyshet e mia gjirokastrite
Unë e di farë mirë, nga prindërit e të afërmit e mi, si dhe nga cilido gjirokastrit që kam njohur deri më sot, se kuptimi i vërtetë i “kopracisë” së gjirokastritëve është nikorqillëku i tyre. Nëna ime dhe dy gjyshet e mia gjirokastrite, si shumë nëna dhe gjyshe të tjera gjirokastrite, kanë qenë e mbeten modele jo vetëm të një higjene jetese shëmbullore por, me resurse të kufizuara dhe në kushte ekonomike të vështira—e jo rrallë shumë të vështira—edhe ekzemplarë të një ndjenje të fortë përgjegjësie e të racionalitetit ekonomik.
Edhe në kushtet më të vështira ekonomike të dekadës së fundit të “diktaturës së proletariatit”, nëna dhe gjyshja ime—si shumë nëna të tjera shqiptare—bënë kujdes që, në radhë të parë fëmijëve dhe mysafirëve në familjen tonë të mos u mungonte kurrë çfarë duhej për ta. Produktet ushqimore bazë—mishi e qumështi—ishin të racionuara dhe për t’i marë ato (1 kg mish në javë dhe 1 litër qumësht në ditë) duhej të prisje në radhë me orë të tëra, në mes të natës ose ende pa gdhirë dita. Por si nikoqire të mira, nëna dhe gjyshja ime gjirokastrite, e cila jetonte me ne, ishin gjithnjë të kujdesshme që këto produkte e të tjera—dhe domosdo rakia dhe glikotë për të gostisur miqtë—të mos i mungonin shtëpisë. Gjirokastritët nuk janë të vetmit, por unë mendoj se ata janë ndër njerëzit më nikoqirë të këtij vendi.
Nikoqirllëku ka një shpjegim filozofik. E gjithë historia e filozofisë, nga Sokrati, Epikuri e Lukreci, te Kanti, Schopenhauer, Thoreau e deri në ditët tona, dëshmon se shumë mendimtarë nga më të shquarit e kanë vlerësuar të shpenzuarit racional të parasë dhe një jetesë të moderuar si një virtyt, të lidhur me mençurinë, integritetin dhe lumturinë e njeriut.
Sot jetojmë në një shoqëri materialiste, mes një bollëku që asnjë shoqëri tjetër nuk e ka njohur më parë. Në këtë shoqëri, përparësi i jepet pushtetit dhe pasurisë, pra gjësë materiale, dhe jo diçkaje kaq të padukshme, si shpirti human. Çdo ditë na thuhet se ne, si njerëz, jemi ajo çka posedojmë—prona që kemi—se lumturia jonë buron nga fitimi, nga gjërat që kemi në përdorim dhe se, sa më shumë pronë të kemi, aq më të lumtur do të jemi. Ky mesazh na përcillet në mënyrë të përsëritshme, çdo ditë, me fjalë, përmes reklamave komerciale, përmes imazheve që na rrethojnë ngado, nga mëngjesi në mbrëmje, si dhe përmes rasteve të individëve që na paraqiten si shembuj suksesi.
Edhe pse idenë e një jete të thjeshtë sot është vështirë ta “shesësh”, unë besoj, ashtu si dhe shumë të tjerë, se një jetë e tjeshtë, pa eksese e shpenzime ekstravagante, mund të jetë një jetë e mirë dhe e lumtur. Unë besoj, gjithashtu, se ne të gjithë, si individë dhe si shoqëri, do të kemi një jetë më të mirë nëse nuk jepemi pas—ose heqim dorë nga—individualizmi materialist që duket se sundon në mentalitetin e shumë njerëzve.
Në veprën e tij Parimet themelore të metafizikës së moralit, Kanti thotë se nikoqirllëku, ose të kursyerit në çdo gjë, është “sjellja e arsyeshme e një njeriu të nderuar”. Me fjalë të tjera, të jesh nikoqir e kursimtar është jo vetëm diçka e mençur, por edhe e moralshme.
“Një ditë pa qeshur është një ditë e humbur”
Në çdo shoqëri e në çdo kohë janë thënë e thuhen me mijëra e mijëra anekdota. Interneti sot është i mbushur me to. Anekdota të vjetra e të reja. Ulu me shokët e tu për një kafe a një drekë dhe mund të dëgjosh gjithnjë anekdota të reja. Anekdotat, me humorin e tyre, janë pjesë e jetës sonë. Ne i duam ato sepse na pëlqen t’i dëgjojmë, argëtohemi me to—madje, si gjirokastrit që jam, them se argëtohemi edhe më shumë ngaqë anekdotat që dëgjojmë janë gratis 😊—siç edhe na pëlqen t’ua tregojmë të tjerëve.
Por, ndërsa kemi një “ditë gënjeshtrash”, 1 prillin—Fool’s Day—e cila “festohet” kudo në botë, shumë nga ne nuk e dinë se amerikanët festojnë çdo vit, në shoqëri e në familjet e tyre, më 16 gusht, “Ditën kombëtare të të thënit anekdota” (National Tell a Joke Day), duke dëshmuar rolin pozitiv që luajnë gjuha e humorit dhe anekdotat në jetën tonë. Origjina e kësaj dite humori nuk dihet. Ajo duhet të ketë nisur të “festohet” në vitet 1990, kur unë studioja në Shtetet e Bashkuara, ose në fillim të viteve 2000, kur punoja në atë vend, si një “sebep” që njerëzit të argëtohen e të relaksohen duke thënë ose dëgjuar një anekdotë.
Le të themi një gënjeshtër “pa zarar” çdo 1 prill. Edhe për to kemi nevojë. Nuk ka njeri që s’ka gënjyer njëherë, që nuk genjen, ose që s’do të gënjejë kurrë në jetën e vet. Të gënjesh është njerëzore. To lie is human. Të gjitha qeniet njerëzore gënjejnë. Diogjeni, filozofi i lashtë grek, edhe pse tërë jetën e kaloi duke kërkuar një njeri të ndershëm që të mos gënjente, vdiq pa e gjetur dot një të tillë.
Gënjeshtrat e 1 prillit, kur s’bëjnë “zarar”, janë ndoshta të vetmet gënjeshtra që tolerojmë dhe pranojmë të dëgjojmë e të themi. Por, ndërsa na “lejohet” një ditë në vit të gënjejmë, përse të mos kemi një ditë “simbolikisht” të shënjuar në kalendar për t’u argëtuar me humorin e anekdotave—dhe jo vetëm me ato që tregohen për “kopracinë” e gjirokastritëve—për më tepër kur, shumë nga ne, anekdota të tilla i dëgjojmë me kënaqësi, na pëlqejnë t’i themi e të qeshim me to. Të qeshim, pse jo. Nga Charlie Chaplin na vijnë këto fjalë: “Një ditë pa qeshur është një ditë e humbur”.
Pjesë nga libri “Humori si ekologji sociale e gjirokastritëve”, që del nga shtypi së shpejti. Botohen këtu me pëlqimin e autorit.
