Nga Dr. Vangjel Cici
Është rasti të përkujtojmë antifashistin e orëve të para dhe drejtuesin e përkushtuar Vasil Mici në 55 vjetorin e ndarjes nga jeta. Emrin e tij e kam dëgjuar në fëmijërinë time të hershme nga gjyshja ime për më se dy tri herë . Nuk mbaj mend se në ç’ rrethana është përmendur emri i tij, por vëreja një vlerësim, respekt dhe mall në ato biseda. Kur u rrita mësova se Vasil Mici ishte një nga organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Antifashiste në krahinën e Lunxhërisë dhe krijova bindjen se në këto rrethana është njohur gjyshja ime me të, pasi edhe ajo ishte aktiviste e lëvizjes.
Vasil Mici u lind në fshatin Këllez të Lunxhërisë në vitin 1915, vit kur babai i tij u nis si emigrant në Amerikën e largët, ashtu siç shkonin shumica e burrave të Lunxhërisë për të zbutur sadopak varfërinë dhe prej nga ku shumica nuk u kthyen kurrë. Këtë fat pati edhe babai i Vasilit, ai vdiq kur Vasili ishte akoma në djep. Kështu u rrit Vasili jetim nën kujdesin e nënës, që rropatej për të mbajtur familjen me bukë. Akoma fëmijë filloi punë duke ndihmuar nënën në punët e bujqësisë si dhe argat në familje më në gjendje. Në moshën 15 vjeçare e mori xhaxhai në Aleksandri, Egjipt për të vazhduar ndonjë shkollë si dhe për të punuar. Aty filloi mësimet në gjimnazin grek ku përveç greqishtes mësoi dhe pak frëngjisht dhe arabisht. Jeta në Egjipt ishte e vështirë, xhaxhai ishte i varfër dhe punonte kamerier në kafenera kur gjente punë. Krahas shkollës, Vasili punonte për të mbajtur veten por dhe ndonjë ndihmë për shtëpinë. Vështirësive i shtohej edhe qëndrimi përbuzës i gruas së xhaxhait që ishte një greke shoviniste, dhe pas mbarimit të gjimnazit vendosi të kthehej në Atdhe. Për punësim as bëhej fjalë, dhe në fshat u muar me punë të ndryshme bujqësore, por jeta nuk përballohej dot, sidomos dhe nga dëmet që pësuan nga lufta italo-greke. Ndërkohë familja u zgjerua, u martua dhe u bë prind dhe jeta po vështirësohej. Me ndërhyrje dashamirësish u punësua në Dibër të Madhe në nënprefekturën e Kërçovës në zyrën e Botores (ndërtime publike). Realiteti i kohës, eksperienca personale, origjina e krahinës ku u lind dhe u rrit, që është dalluar për atdhedashurinë me pushkë dhe penë bëri që shumë shpejte Vasili të fillonte aktivitetin politik kundër fashizmit me organizimin e grevave të punëtoreve si dhe agjitacionin dhe propagandën në fshatra të ndryshëm të zonës. Sipas veteranit Ymer Zenel Domi në Kërçovë në vitin 1942 kishte një numër intelektualësh dhe patriotësh, midis tyre dhe Vasil Mici nga Gjirokastra. Në gusht 1942 në mbledhjen e celulës pranohet kandidat për anëtar partie dhe ngarkohet të vazhdojë punën me punëtorinë, gjithashtu ngarkohet të drejtojë grupet edukative të punëtorëve.
Në tetor 1942 pranohet anëtar partie dhe zgjidhet anëtar i Këshillit ANÇl i nënprefekturës së Kërçovës. Për guximin dhe trimërinë aktivizohej në drejtimin e aksioneve luftarake. Drejtuesi i celulës Ymer Domi shkruan se për transportin ilegal të armëve, ushqimeve dhe veshmbathjeve për partizanët maqedonas u lidha me Vasil Micin e zgjuar e guximtar dhe aksioni u realizua me sukses të plotë. Por nga aktiviteti i zgjeruar dhe i shumanshëm ra në sy të spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe ndaj tij filluan gjurmimet. Për t’i shpëtuar arrestimit të mundshëm dhe meqë edhe në Shqipëri kishte marrë hov Lëvizja Antifashiste me vendim të celulës së partisë u rekomandua të kthehej në vendlindje. Në këtë kohë Lunxhëria ishte bazë e lëvizjes për prefekturën e Gjirokastrës, në fshatra ishin ngritur Këshillat Nacionalçlirimtare si dhe çetat territoriale në çdo fshat. Ndërkohë Lunxhëria ishte gjakosur, kishin rënë trimat Misto Mame, Mihal Duri dhe Lato Braho. Vasili me eksperiencën e tij iu përvesh organizimit në një shkallë më të lartë të lëvizjes në tërë fshatrat e zonës. Çetat partizane u mbushën me djemtë e Lunxhërisë sidomos nga Këllezi, fshati i Vasilit.
Në atë kohë u ngrit dhe kënga e mëposhtme:
Vasil Mici nga Këllezi i tundi malet nga vendi.
Ngriti Këllezin të tërë, sa dëgjoi Mali i Gjërë
Doli malit për liri dhe luftoi si ai.
Këshillat NACL të mbrojtura dhe mbështetura nga djemtë e malit morën një rol të rëndësishëm në drejtimin e jetës së vendit. Sipas veteranit Tase Corri nga Stegopuli, Vasil Mici ishte në krye të djemve të malit. Megjithëse ishte baba me 2 fëmijë, me gruan e sëmurë dhe nënën plakë, Vasili nuk iu nda rrugës që kishte nisur. Zëri i Atdheut e ngarkoi me detyrën e komandantit të çetës Lato Braho, detyrë që e mbajti dhe me krijimin e Batalionit partizan “Misto Mame” në gusht 1943. Prej kësaj dite ka marrë pjesë në të gjitha aksionet luftarake duke dhënë një kontribut të madh në organizimin e tyre tani edhe në detyrën e zv/komisarit të kompanisë.
Në shënimet e tij në Ditarin e Partizanit me dhimbje përshkruan rënien heroike të bashkëfshatarëve të tij Harillaq Liti, Peço Qirko dhe Fane Koti në luftimet për çlirimin e Beratit. Frymëzuese janë fjalët e Harillaq Litit: Mos kini merak për mua, vazhdoni luftimet për të fituar lirinë. Me gjithë vështirësitë që kishte jeta e malit, një punë e madhe bëhej për ngritjen ideologjike të partizanëve, përpjekje kundër analfabetizmit si dhe aktivitete kulturore në kohën e lirë. Në ditarin e partizanit përshkruhet humanizmi i partizanëve, dashuria për njëri tjetrin, solidariteti midis tyre, vlerësohet trimëria dhe heroizmi i tyre.
Shumë lart përshkruhet trimëria dhe heroizmi i mitraljerit, partizanit italian Dino. Me dhimbje të madhe përjetohet dhe rënia heroike e tij në fushë të betejës. Fryma humane e partizanëve duket edhe në kujdesin e treguar ndaj një ballisti të plagosur, që e gjetën të vetmuar në fushën e Valaresë. Pasi i dhanë ndihmën e parë e transportuan në spital. Ndërkohë lufta kundër armikut dhe bashkëpunëtorëve të tij po ashpërsohej, po krijoheshin njësitet e mëdha luftarake; një numër i madh brigadash sulmuese. Pjekuria, përkushtimi, eksperienca dhe aftësitë drejtuese, me krijimin e Brigadës së 7- të Sulmuese e çuan Vasilin në detyrën e komisarit të batalionit. Me krijimin e Brigadës së 27-të ngarkohet me detyrën e zv/komisarit të saj. Më vonë ngarkohet me detyrën e komisarit të Brigadës së 20-të . Në këto formacione të rëndësishme të Ushtrisë NAÇL vazhdon luftimet deri në Vishegrad të Jugosllavisë duke kryer beteja heroike në kushte të vështira edhe të motit.
Në muajin shkurt të vitit 1945 me porosi të udhëheqjes urdhërohet të kthehet në Tiranë. Me këtë rast Vasili në ditarin e tij shkruan se ndjen keqardhje për largimin nga lufta dhe nga shokët, por sidoqoftë nëpërmjet Mali të Zi kthehet në Atdhe. Ngarkohet me detyrën e Komisarit te Regjimentit në Korçë dhe më vonë po me këtë detyrë në Regjimentin e Gjirokastrës. Në vitin 1949 punon në aparatin e Komitetit Qendror dhe në vitin 1951 ngarkohet me riorganizimin e Partisë në rrethin e Kukësit ku kryen edhe detyrën e Sekretarit të Parë të Partisë. Në vitin 1953 rikthehet në Tiranë ku punon për një farë kohe si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. Në vitin 1954 kalon në detyrën e Sekretarit Organizativ të Komitetit të Partisë për Tiranën.
Pas riorganizimit të partisë si pasojë e Konferencës së famshme të Partisë së Tiranës, në vitin1956 ngarkohet me detyrën e Kryetarit te Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Krujës ku punoi për 12 vjet. Këtu spikaten në mënyrë të dukshme cilësitë e tij si organizator dhe drejtues i aftë në punët e shumta që kishte kjo detyrë. I thjeshtë, i palodhur, komunikues me popullin dhe me kuadrot, bashkëpunues, i pakorruptueshëm dhe vizionar. Në ato vite Kruja u zgjerua dhe rindërtua, u krijuan dy qytete te reja Laçi dhe Fushë Kruja. U ndërtuan një sërë veprash të mëdha si Kombinati Kimiko-metalurgjik që kishte disa uzina. Po ashtu u ngrit Parku i Madh i Transportit. Mori një zhvillim të madh arsimi dhe shëndetësia, po ashtu jeta kulturore si në qytete dhe në fshatra mori një hov të paparë. Në ato vite u bë kolektivizimi i bujqësisë dhe u arritën realizime të mëdha të prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Një karakteristikë dalluese e tij ishte respektimi dhe dëgjimi i zërit të kuadrove dhe specialistëve.
Mësuesi veteran Stefan Bulo që në ato vite jetonte dhe punonte në Krujë kujton punën e madhe që është bërë ato vite në sistemin arsimor dhe më gjërë. Ai thotë se Vasili ishte i papërtuar dhe i vendosur për ecjen përpara me mendimet e tij të vlefshme dhe inkurajuese për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të rrethit. Prof. Dr. Thanas Piu në ato vite ka punuar zooveteriner në ekonomitë bujqësore të rrethit dhe më vonë kryespecialist i rrethit ruan konsideratat më të larta për Vasil Micin si një drejtues i aftë me një autoritet të merituar, me horizont të gjerë, mendjehapur, kërkues llogarie deri në detaje kur duhej, por i drejtë. Ishte njeri i thjeshtë, në çdo takim apo vizitë që bënte në kooperativat bujqësore takonte sa më shumë njerëz, pyeste për hallet dhe problemet e tyre si dhe linte porosi për zgjidhjen sa më të mirë të tyre. Interesohej për kushtet e jetesës dhe të banimit sidomos për kuadrot e ardhur nga rrethet e tjera. Kontrollonte në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e detyrave.
Një tipar tjetër i tij ishte humanizmi në trajtimin e të internuarve politikë, që në atë kohë ishin të shumtë në rrethin e Krujës. Kujdesi i tij ishte në drejtim të integrimit të tyre dhe sidomos të brezit të ri duke bërë të mundur arsimimin e tyre. Ishte një familjar dhe prind shembullor. E donte shumë fshatin e lindjes dhe bashkëfshatarët dhe gjithmonë shprehej se kur të dilte në pension do të kthehej në fshat për të ndihmuar në zhvillimin e tij. Në të gjitha arritjet e Krujës është edhe puna, djersa dhe mendimi i Vasil Micit. Por në kulmin e moshës më produktive, vetëm 53 vjeç, në fund prillin e vitit 1968 pas një sëmundjeje të rëndë pushoi së rrahuri zemra e këtij njeriu të madh duke lënë në hidhërim të thellë familjen, të afërmit, shokët dhe bashkëpunëtorët, popullin e rrethit të Krujës dhe bashkëfshatarët që i donte dhe e donin aq shumë, që në këngën kushtuar kësaj ikje të parakohshme përveç dhimbjes shprehin betimin :
Ne s’të harrojmë për jetë!
