Koço Theodhosi ka qenë anëtar i byrosë politike të PPSH dhe ministër i industrisë e minierave. Ai u akuzua si sabotator në 1975 dhe u pushkatua së bashku me Abdyl Këllezin.
DITA posedon dosjen e plotë sekrete të gjyqit ndaj këtyre zyrtarëve të lartë të sistemit komunist. Vihet re se Theodhosi në fazën hetimore nuk ka pranuar se ka kryer “veprimtari armiqësore”. Por më vonë gjatë gjyqit, ai pranon gjithçka që thotë prokurori dhe dëshmitarët, deri edhe pohime që duken absurde.
Por pranimi i gjithçkaje nuk e shpëtoi nga vendimi fatal. Në një nga dokumentet e gjyqit ai flet për përpjekjet e atëhershme të shtetit komunist për të gjetur naftë në det.
Më poshtë, fjala e tij në gjyq lidhur me këtë temë që mbetet aktuale dhe sot:
“Vitet e fundit të 5 vjeçarit të katërt, Ministrisë së Industrisë e Minierave iu vu detyrë nga KQ i Partisë dhe Qeveria që t’i shtrinte kërkimet për naftë e gaz edhe në dete. Unë, që në ato kohë, për realizimin e kësaj detyre, kisha një mbresë pasigurie, pasi në ato kohë sipas meje nuk ishin mundësitë teknike dhe shkencore për kryerjen e saj.
Me gjithë këtë, unë nuk i thashë as KQ të Partisë dhe as Qeverisë për këtë mosbesim që kisha, por urdhërova Institutin e Studimeve Gjeologo-Gjeofizike që të fillonin nga puna për të bërë studimet gjeofizike dhe vendin se ku duhej ngritur struktura.
Instituti kishte vendosur që studimet dhe goditja të kryheshin në Bishtin e Pallës. Unë aprovova këtë propozim të tyre dhe në fakt Beqir Alia me disa specialistë të tjerë kryen një studim i cili mbështetej vetëm në disa të dhëna gjeologjike sipërfaqësore (dalje flluskash gazi në det) dhe me të dhënat e disa çpimeve strukturale në bregdet.
Aty nga viti 1970, jemi thirrur nga Zv.Kryetari i Këshillit të Ministrave Spiro Koleka, për të raportuar e marrë masa unë, Abdyl Këllezi, Ramiz Xhabia e përfaqësues nga Ministria e Ndërtimit dhe ajo e tregtisë.
Aty u vendos që pusi të çpohej duke montuar një sondë për çpim të thellë deri në 3000 m, e cila do të vendosej mbi disa konstruksione metalike, në brendësi të detit rreth 800 m dhe thellësi rreth 20 m. Konstruksionet metalike do t’i projektonte Ministria e Ndërtimit, materialet dhe paisjet do t’i importonte Ministria e Tregtisë mbi bazën e një fondi që do t’i jepte Komisioni i Planit të Shtetit. Për këto çështje, mbaj mend se doli edhe një vendim i Kryesisë së Këshillit të Ministrave.
Në vijim, meqënëse materialet e kërkuara nga importi nuk kishin ardhur të gjitha, nga çpuesit e pusit u kërkua një mjet detar, por edhe ky mjet nuk u dha as nga Ministria e Komunikacionit dhe as nga Komisioni i Planit, megjithëse kërkesën ia kishim paraqitur në kohën e planifikimit vjetor.
Në realizimin e kësaj detyre, specialistët tanë nuk kishin eksperiencë pasi edhe në Kinë, çpimet në dete bëheshin në vende ku thellësia e ujit arrinte në 7 m, kurse tek ne ajo ishte rreth 20 m. Gjithashtu, për të përcaktuar drejt strukturën duheshin bërë studime sizmike me aparatura speciale të cilat kinezët na thanë se nuk i kishin, ndërsa në vende të tjera kishte, por kushtonin shumë shtrenjtë.
Së fundi, Drejtoria e naftës, Instituti dhe çpuesit më propozuan që të fillonim nga puna për bërjen e një pusi të inklinuar, i cili të fillonte që nga buzë detit dhe do t’i afrohej strukturës së supozuar rreth 500 m. Unë e aprovova kryerjen e kësaj pune, por edhe ajo nuk filloi nën pretekstin se na mungonte eksperienca për të kryer një punë të tillë dhe mbeti për të marrë eksperiencë nga ndonjë shtet tjetër për të çpuar një pus me devijim të tillë të drejtuar. Kështu mbeti deri në fund kjo detyrë e vënë nga Partia e Qeveria e pa realizuar.
Në sabotimin e një vepre të tillë, përveç Beqir Alisë dhe Lipe Nashit me specialistët e tyre, kam edhe unë fajet e mia të rënda të cilat qëndrojnë në faktin se unë i kam lejuar ata që për këtë vepër të mos bënin studime të plota siç e kërkojnë normat e Partisë e të Qeverisë dhe që kanë ndryshuar disa herë variantet e realizimit të kësaj vepre në pretekstet e mungesës së eksperiencës apo të teknikës. Gjithashtu, për vitet 1973-1974, unë kam përgjegjësi të rëndë që nuk informova KQ të Partisë dhe Qeverinë për gjendjen e kësaj vepre, por lejova Beqir Alinë e Lipe Nashin të kryenin sabotimin e saj. Këto faje i kam kryer sepse edhe unë isha në veprimtari të përbashkët armiqësore me ta, kisha edhe unë pikëpamjet e mia anti-parti socialiste për sektorin e industrisë së naftës, të cilat i kam shpjeguar në proceset e mëparshme hetimore.
(I jepen dokumentat për të lexuar)
Vijon: Pasi i lexova dokumentat që m’u dhanë për t’u njohur, lidhur me to sqaroj se këto dokumenta i kam bërë unë dhe ja kam paraqitur Këshillit të Ministrave se për realizimin e kërkimit të gazit në det duheshin gjithë këto aparaturat që përmbajnë listat dhe që për to duheshin 20 milion rubla. Unë këto kërkesa ia kam bërë që për plotësimin e tyre të kërkohej një kredi nga Republika Popullore e Kinës për 20 milion rubla. Me sa më kujtohet, nga RP e Kinës u dha fare pak nga kjo kredi që ne kërkuam.
Pyetje: Të paraqesim për njohje urdhrin e Këshillit të Ministrave Nr. 472, dt. 2.4.1970 që titullohet “Mbi hapjen e një pusi për kërkim gazi në det afër Bisht Pallës”, ku në pikën 2, gërmat a, b dhe c, dhe në pikën 5 të tij ngarkohet direkt me detyra konkrete Ministria e Industrisë dhe Minierave. Na jep shpjegime nëse i ke zbatuar këto detyra që të ngarkon ky urdhër i Këshillit të Ministrave. (I jepet urdhri për ta lexuar)
Përgjigje: Mbasi u njoha me urdhrin e Këshillit të Ministrave, sqaroj se për këto detyra që më ngarkon, kam qenë plotësisht në dijeni, por asnjërën prej tyre nuk e kam zbatuar. Ky moszbatim nuk është vetëm i imi, por edhe i Lipe Nashit dhe Beqir Alisë dhe të gjithë ne nuk e kemi zbatuar këtë veprim si rezultat i punës armiqësore të përbashkët që kryenim në sektorin e naftës, ky ka qenë rrjedhim i pikëpamjeve anti-parti e armiqësore që unë kisha për këtë çështje. Përveç të tjerash, kjo tregon edhe shkallën e normave të Qeverisë që janë kryer nga ana ime, mospërfilljen e tyre.
Pyetje: Të paraqitet për njohje vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 108, dt. 8.7.1970, me të cilin i janë dhënë Ministrisë së Industrisë e Minierave 50 mijë dollarë nga fondi në valutë të lirë për sigurimin e disa materialeve, paisjeve e makinerive të domosdoshme për çpimin e pusit të gazit në det në afërsi të Bisht Pallës në Durrës (I jepet vendimi për ta lexuar). Na jep shpjegime i pandehur nëse janë përdorur këto fonde për qëllimin e caktuar dhe nëqoftëse jo, përse?
Përgjigje: Mbasi e lexova vendimin e Këshillit të Ministrave, lidhur me të sqaroj se, me sa më kujtohet, këto fonde nuk janë përdorur për qëllimin e dhënë, unë nuk mbaj mend të jetë përdorur kjo valutë për të blerë makineri e paisje për pusin e Bisht Pallës. Se përse është përdorur kjo valutë dhe përse me të nuk janë blerë makineritë për të cilat është dhënë ky fond, mua nuk më kujtohet. Edhe në këtë rast, ne kemi kryer një shkelje të një vendimi tjetër të Këshillit të Ministrave.
Pyetje: Të paraqitet për njohje shkresa Nr. 2191/1, dt. 20.5.1974 që ti i pandehur i ke dërguar Komisionit të Planit të Shtetit me anën e së cilës jo vetëm që vërtetohet fakti se deri në atë kohë nuk ishin filluar punimet në det, por kërkoni përsëri të zvarrisni kryerjen e kësaj detyre duke dërguar specialistë të tjerë në Republikën Popullore të Kinës (I jepet shkresa për ta lexuar). Na tregoni se ç’keni për të thënë rreth këtij dokumenti.
Përgjigje: Pasi e lexova shkresën, lidhur me të sqaroj se deri në atë kohë, kërkimet në det janë zvarritur. Meqënëse grupi i parë që u dërgua në Kinë në vitin 1972 nuk mësoi gjë për këtë problem, ne menduam të dërgonim një grup tjetër në vitin 1974 duke gjykuar që Kinezët gjatë atyre dy vjetëve do kishin arritur rezultate në këtë fushë dhe specialistët tanë do merrnin eksperiencë. Tjetër gjë nuk kam për të thënë….”
Marrë nga arkiva e gazetës DITA
Kercen prifti nga belaja.
i miri nga maskaraja.
Diktatura hengri bijte e vet. Keqardhje kam per Theodhosin, si nje njeri fisnik dhe i afte.
Ajo kohe mos ardhte kurre me.