Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Artefakte shqiptare në Key West, shtëpia e Hemingway-t dhe macet e tij
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Artefakte shqiptare në Key West, shtëpia e Hemingway-t dhe macet e tij
Kulture

Artefakte shqiptare në Key West, shtëpia e Hemingway-t dhe macet e tij

Published: February 9, 2023
Shpërndaje

Fatos TARIFA

 

Në qershor të vitit 2003, David dhe Betty Funderburk na ftuan të vizitonim një mikun e tyre të vjetër në Key West, Florida, shteti më juglindor i Shteteve të Bashkuara, i njohur ndryshe si “Sunshine State”. Miku i tyre afroamerikan quhej Bill Edwards; ai u nda nga jeta pasi Arta dhe unë u kthyem në Tiranë. Sidoqoftë, unë e kujtoj atë njeri jo sikur e kam takuar afro dy dekada më parë, por sikur jam ndarë me të javën që shkoi.

- Publicitet -

Ai udhëtim me Funderburk-ët në Key West ka qenë shumë mbresëlënës dhe sot më kujtohet në detajet më të hollësishme. Të katërt udhëtuam me avion nga Uashingtoni në Miami. Në aeroportin e atij qyteti morëm me qira një Chevrolet Cavalier dhe u nisëm për në Key West, rreth 260 km larg nga Miami.

Key West është ishulli i fundit, më jugor i një arqipelagu të përbërë nga rreth 1,700 ishuj koralë, që zgjatet nga bregu jugor i Florida-s në pjesën lindore të Gjirit të Meksikës, vetëm 169 km larg Kubës. Në fakt, Key West ndodhet shumë më pranë Havanës sesa Miami-t. Ai është një ishull i vogël, rreth 11 km2—4 km i gjatë dhe 1 km i gjerë—afërsisht 4 herë më i madh sesa ishulli i Sazanit.

I njohur për historinë e tij për klimën tropikale, për bukuritë natyrore, diversitetin kulturor (me ndikime të theksuara të trashëgimisë kubane dhe asaj bahamase), për arkitekturën e tij, për atmosferën libertine, ekzotike dhe festive, për mënyrën live-and-let-live të jetesës së banorëve të tij, një mënyrë jetese libertine, që toleron reciprokisht opinionet dhe sjelljen e njerëzve të tjerë, Key West është një ndër ishujt dhe qytetet më të veçantë e më atraktivë në Shtetet e Bashkuara. Për dy shekuj me radhë ky ishull ka pritur vizitorë nga çdo skaj i atij vendi dhe ka qenë një destinacion i preferuar për shumë shkrimtarë të njohur amerikanë, si Ernest Hemingway, Tennessee Williams etj. Key West njihet si një vend ku çdokush mund të jetë vetvetja, mund të gjejë vetveten, ose të rizbulojë vetveten. Unë i kam përjetyar në të gjitha mënyrat të gjitha këto.

Pasi u akomoduam dhe pushuam për ndonjë orë në Silver Palms Inn, Funderburk-ët dhe ne u nisëm t’u bënim vizitën e parë mikut të tij të vjetër Bill Edwards dhe familjes së tij. Për shkak se Key West është një qytet fare i vogël—një walking town—dhe David kishte qenë në atë qytet edhe më parë, ai sugjeroi që në shtëpinë e Bill-it të shkonim në këmbë. Ishte një shëtitje e shkurtër, që më krijoi një ide paraprake për atë se çfarë prisja të shihja dhe të ndodhte gjatë atyre tri ditëve që do të qëndronim në Key West. Por jo. Ato çfarë në të vërtetë pashë, mësova dhe përjetova në atë ishull ishin shumë herë më iteresante e më të bukura nga sa kisha pritur dhe imagjinuar.

 

Pak Shqipëri në Key West, Florida

Bill Edwards ishte një burrë shumë interesant. Ai duhej të kishte moshën e David-it, pra ishte dhjetë vitë më i madh se unë. Nuk dukej të ishte mirë me shëndet, por kishte një gjallëri dhe një humor shumë të këndshëm. Me mua dhe Artën ai dhe gruaja e tij u treguan qysh në fillim shumë të sjellshëm e të dashur. Vura re se kishin një respekt të veçantë për Funderburk-ët. Bill kishte qenë këshilltar politik i ambasadës amerikane në Bukuresht në të njëjtën kohë që David kishte shërbyer si ambasador në Rumani, gjatë mandatit të parë të presidentit Reagan. Një marrëdhënie pune shumë e mirë, si ajo që këta dy njerëz kishin pasur mes tyre në ambasadën e vendit të tyre në një vend komunist, ishte shndërruar më vonë—dhe mbeti deri në fund—një miqësi e qëndrueshme dhe shumë të bukur. Këtë Arta dhe unë e vumë re qysh në momentin kur hymë në shtëpinë e tyre.

Bashkë me Bill-in dhe të shoqen e tij, në shtëpinë e tyre na pritën edhe dy burra afroamerikanë, rreth të dyzetave, që ishin nipërit e tij. Njëri prej tyre, një burrë simpatik, syqeshur, trupmadh dhe muskuloz quhej Patrick, por e thërrisnin Patch, siç do e thërisja edhe unë ato ditë; emrin e tjetrit nuk e mësova. Këtë të dytin në Key West të gjithë e njihnin dhe e thërrisnin “Peshkatari”. Kur atë ditë ai më dha kartëvizitën e tij, për habinë time në të lexova vetëm fjalët THE FISHERMAN (në vend të emrit të tij), KEY WEST dhe një numër telefoni.

Surpriza e parë në shtëpinë e Bill Edwards ishte një flamur shqiptar, që atë ditë e pamë varur në verandën e shtëpisë së tij. Surpriza e dytë ishte një shishe konjak “Skënderbeg”, me të cilin na uruan mirëseardhjen. Bill kishte ruajtur dy a tri shishe me atë konjak që nga koha kur jetonte e punonte në Bukuresht, pra afro dy dekada më parë, dhe e shërbente atë, siç tha ai, vetëm në raste shumë të veçanta. Edhe vetë David u surprizua. Surpriza e tretë ishte një koleksion pullash shqiptare, të mbledhura e të ruajtura me shumë kujdes ndër vite. Disa prej tyre ishin të periudhës së mbretit Zog. Surpriza e katërt ishte një koleksion monedhash dhe kartmonedhash shqiptare të viteve 1930 dhe të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Surpriza e pestë ishte një koleksion spaletash të uniformave ushtarake shqiptare të periudhës së mbretërisë. Të gjitha këto ishin koleksione shumë të habitshme në shtëpinë e një diplomati afroamerikan në Key West të Florida-s. Por, surpriza më e madhe për ne ishte kurioziteti i tij për Shqipërinë, për historinë e vendit tonë dhe për kulturën e tij. Ky ishte një kuriozitet që Bill e kishte pasur qysh në moshë të re dhe që një ditë besonte se do e shuante duke vizituar Shqipërinë. Ne i thamë se do të ishim të nderuar ta prisnim atë si një mik në familjen tonë kur të ktheheshim në Tiranë.

Patrick dhe peshkatari kishin përgatitur një drekë barbecue me peshk, që mua m’u duk gjëja më e shijshme që kisha ngrënë deri atëherë. U njohëm më nga afër me të zotët e shtëpisë dhe u miqësuam shpejt me ta. Ishin njerëz të thjeshtë e të ndershëm. Respektin e tyre e ndjemë gjatë tërë atyre ditëve që qëndruam në Key West. Pas drekës u kthyem në hotel për të pushur.

Nga e majta në të djathtë Bill Edwards, autori dhe David Funerburk

Mallory Square

Në mbrëmje, kur vapa kishte rënë, Patch, i cili tërë ato ditë nuk na u nda, erdhi të na merrte për të shkuar në Mallory Square. Ky është një shesh mjaft i njohur pranë portit të qytetit, në pjesën historike të tij. Ai njihet si një atraksion turistik dhe mbledh çdo mbrëmje qindra vizitorë, pasi nga ai shesh mund të shohësh perëndimet më të bukur të diellit. Perëndimi i diellit në drejtim të Gjirit të Meksikës atë mbrëmje ishte vërtet magjepsës. Një qiell i kuq, i tëri i flakëruar kur dielli po “zhytej” përtej horizontit deri sa na humbi nga sytë. Një perëndim dielli të tillë deri atëherë e kisha parë vetëm në Waikiki, Honolulu, në fillim të viteve 1990, ndërsa më vonë do e shihja vetëm në Saipan dhe në Bali. Mallory Square atë mbrëmje ishte plot gjallëri. Patch më tha se ai shesh është çdo mbrëmje njëlloj. Çdo mbrëmje atje është, në një kuptim real të fjalës, një sunset festival dhe ai shesh, me dyqane boutique, stenda shitjeje të hapura, bare dhe restorante mbushet nga vizitorë të shumtë.

 

The Fisherman

E nesërmja ishte një ditë krejt e veçantë. The Fisherman na ftoi ne burrave—Bill, David, Patrick dhe mua—të shkonim për peshkim. Ajo ishte hera e parë në jetën time që do të peshkoja. Për më tepër, në det të hapur, shumë larg bregut, në një distancë ku valët e telefonit celular humbën krejtësisht. Pas dy a tri orësh në det të hapur, kurioz siç isha, e pyeta Peshkatarin se sa larg ndodheshim në atë moment nga brigjet e Kubës. Ai vuri buzën në gaz duke më thënë se ishim shumë larg. Ishim ende në ujrat territoriale të Shteteve të Bashkuara , pra jo më shumë sesa 12,000 milje detare, ose 22,000 km nga bregu jugor i Key West.

Varka me motor nuk ishte fare e vogël dhe atë, në pjesën më të madhe të kohës e drejtonte Patch. Në një moment timonin e mora edhe unë, just for the fun of it, pra thjesht për kënaqësi. Një eksperiencë krejt e re. Po kështu, The Fisherman më mësoi se si të hidhja grepin—një punë jo e lehtë, por që më nxori “faqebardhë”. Kur kishin kaluar nja tri orë në det të hapur, grepi që kisha hedhur unë zuri një grouper rreth 4 kg. Ky është një peshk që e gjen rëndom në ujrat rreth Florida-s, por për mua ishte e parë herë që e dëgjoja emrin e tij. Vite më vonë kam pyetur Prof. Xhevat Lloshin, i cili sapo kishte botuar një Fjalor të emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht e latinisht-shqip, se me ç’emër njihet në shqip ai lloj peshku, por nuk e mësova kurrë emrin në shqip të të vetmit peshk që kam zënë në jetë.

Atë ditë peshkuam për rreth tetë orë. I pamësuar dhe krejt i pakujdesshëm, unë u poqa në diell. Ajo shëtitje në det të hapur dhe vetë të peshkuarit sikur më kishin hipnotizuar, aq sa nuk ua vura veshin këshillave të Bill-it dhe të Patch-it për t’u mbrojtur nga dielli duke qëndruar nën tendë. Një kapele kashte që kisha marrë me vete nuk më ndihmoi. Bill dhe Patch ishin mësuar; për ta peshkimi ishte mënyrë jetese, ndërsa për Peshkatarin, jo vetëm një profesion, por edhe një mjet jetese. Edhe pse djegien nga dielli i fortë e vuajta disa ditë me radhë, atë ditë kuptova se kushdo që e quan peshkimin një sport të mërzitshëm gabon.

Në kthim e sipër David zuri me grepin e tij një peshkaqen të vogël (baby shark), të cilin, kur e ngjitëm në varkë, e zuri me duart e tij nga bishti, pastaj e hodhi sërish në det. Kur nuk ishim shumë larg bregut, grepi im zuri një peshk shumë të madh, aq sa unë vetë nuk kisha fuqinë e duhur për ta tërhequr fillin me çikrik. Këtë e bëri Patch me krahët e tij të fuqishëm, por kur ai peshk, për të cilin më vonë ai tha se duhej të ishte rreth 150 ose 160 kg, ishte vetëm nja dhjetë metra larg varkës sonë, e këputi fillin dhe u largua. The Fisherman tha se duhej të kishte qenë ose një peshkaqen, ose një peshk Marlin, si ai që mund t’ju ketë qëlluar të shihni në një foto shumë të njohur të Ernest Hemingway-t.

Për mua, gjëja më interesante që pashë atë ditë ishte një tip kasolleje e drunjtë që qëndronte mbi disa këmbë po të drunjta dy-tri metra mbi sipërfaqen e ujit.

“Kjo ka qenë kasollja e Hemungway-t”, më tha Bill. “Hemingway vinte shpesh këtu për të peshkuar. Këtu edhe shkruante shpesh herë”.

“Këtu edhe pinte Gin”, i thashë.

“Gin pa fund”, tha Bill.

“Çka do të thotë se nën atë kasolle, nën ujë, duhet të ketë qindra shishe Gin të zbrazëta”, thashë unë me shaka.

“Shumë shishe bosh”, tha Patch.

“Do kisha dëshirë ta kisha një shishe bosh nga ato që Hemingway i ka flakur në det kur peshkonte dhe shkruante në këtë kasolle”, i thashë Patch-it.

“Ta gjej unë një”, më siguroi ai.

“Dhe ta sjell unë në Uashington”, më tha David.

“E dua t’ia bëj ‘dhuratë’ kryeministrit Nano”, i thashë David-it, “Gin është pija e tij e preferuar dhe një shishe prej atyre që e ka zbrazur Hemingway mund t’i bënte përshtypje”.

Kur disa ditë më vonë i thashë kryeministrit në telefon se miqtë e mi në Key West do të më sillnin për të një shishe Gin bosh, nga ato që pinte Hemingway kur peshkonte në ujrat e atij ishulli, përgjigjja e Nanos ishte:

“Nuk gjejnë dot një shishe plot?”.

Në mbrëmje, The Fisherman na ftoi për darkë në shtëpinë e tij, ku na u bashkuan edhe Betty dhe Arta. The Fisherman e poqi në zgarë peshkun që kisha zënë unë bashke me disa peshq të tjerë. Ishin shumëtë të shijshëm, siç ishte edhe vera që David bleu një ditë më parë në Mallory Square.

Nga e majta në të djathtë Bill Edwards, David Funderburk, autori dhe Peshkatari

Macet e Hemingway-t

Kisha dëgjuar për macet e Hemingway-t, por nuk dija shumë për to deri një ditë pas asaj aventure në det. Ishte përsëri Patch ai që erdhi të na merrte në hotel për të na shoqëruar të vizitonim shtëpinë ku ka jetuar Hemingway gjatë viteve 1930, në 907 Whitehead Street, sot një shtëpi muze.

Gjithnjë kam qenë kurioz dhe i interesuar të vizitoj disa nga shtëpitë ku janë lindur ose kanë jetuar shkrimtarë dhe filozofë të shquar. Në fillim të viteve 1990 vizitova shtëpinë ku lindi Theodore Dreiser në Terre Haut, Indiana. Po në atë kohë kisha parë shtëpinë ku ka jetuar Descartes në Leiden (Hollandë), ku edhe shkroi veprën e tij Meditations, që sot—por jo në kohën e tij—është vepra më e popullarizuar e tij; si dhe shtëpinë (Maison Descartes), ku filozofi i madh jetoi për një periudhë kohe në Amsterdam. Më vonë, po në Amsterdam kam parë shtëpinë ku u lind Spinoza, ndërsa në Hagë shtëpinë ku ai jetoi shtatë vitet e fundit të jetës së vet, ku edhe shkroi veprën e tij të famshme Ethica, që është magnum opus i tij dhe ku vdiq në një moshë fare të re, 44 vjeç. Në fund të viteve 1990, së bashku me Prof. Alfred Uçin dhe Rozetën, gruan e tij, vizituam shtëpinë (sot muze) ku u lind dhe jetoi për një kohë të shkurtër Karl Marksi, në Trier (Gjermani). Vite më vonë do të vizitoja shtëpinë ku ka jetuar për afro gjysmëshekulli poeti i shquar amerikan Henry Longfellow, në Cambridge  (Massachusetts). Kjo shtëpi, në kohën e Luftës Revolucionare në Amerikë kishte qenë hedquarters i Ushtrisë Kontinentale, në krye të së cilës ishte George Uashington. Kisha vizituar, gjithashtu, edhe shtëpinë muze të Longfellow-t në Minneapolis, një replica e shtëpisë së tij në Cambridge dhe, më vonë, shtëpinë e Servantes-it në Valladolid, Spanjë.

Vizita atë ditë në Shtëpinë e Hemingway-t në Key West ishte një ngjarje e veçantë dhe shumë emocionuese. Jo thjesht sepse Hemingway ka qenë dhe mbetet shkrimtari modern më i pëlqyer për mua, por edhe për gjithçka që pashë, dëgjova dhe mësova atë ditë për atë shtëpi dhe për vetë shkrimtarin e madh.

Hemingway shkeli për herë të parë në Key West me gruan e tij të dytë, Pauline, në vitin 1928, kur ai u kthye nga Parisi, pas një qëndrimi për pak kohë në Havana. Ata morën një apartament me qira dhe qëndruan në këtë ishull vetëm tri javë, kohë gjatë së cilës Hemingway përfundoi romanin e tij A Farewell to Arms (Lamtumirë armë). Si ai dhe e shoqja ranë në dashuri me atë ishull dhe tri vite më vonë, më 1931, vendosën të jetojnë në Kew West. Xhaxhai i pasur i Pauline-s u bleu një shtëpi të madhe e të bukur të stilit kolonial spanjoll, në Whitehead Street, ndërtuar në mesin e shkullit të 19-të, por të rrënuar. Ata e rinovuan dhe jetuan në atë shtëpi me dy djemtë e tyre deri në vitin 1940.

Sapo hymë në oborrin e asaj shtëpie, vura re një mace trupmadhe, që flinte nën hijen e një peme.

“Macet e Hemingway-t?”, pyeta Patch-in.

“Po”, më tha, “janë shumë. Bëj kujdes mos i shkelësh se disa nuk dëgjojnë dhe janë dembele”.

Kisha dëgjuar dhe lexuar për afeksionin që kanë pasur dhe kanë për këtë kafshë shtëpiake shumë shkrimtarë të mëdhenj: Michel de Montaigne, Charles Dickens, Victor Hugo, Alexander Dumas, Edgar Allen Poe, Anatole France, T. S. Elliot dhe shumë të tjerë. George Bernard Shaw kishte një pasion të madh për macet e tij. Mark Twain mbante 11 mace në fermën e tij në Redding, Connecticut; ai mbahet mend të ketë thënë se “për këdo që i do macet, unë jam miku i tij pa pasur nevojë të më prezantohet më tej”. Jorge Luis Borges gjithashtu ka pasur disa mace në jetën e tij, njërës prej të cilave i kishte venë emrin Beppo, emri i një personazhi në njërën prej poemave (Beppo: A Venetian Story) të Lord Byron-it, shkruar disa vite pas udhëtimeve të tij në Ballkan. Kur e dashura që kishte e përzuri macen e tij dhe i solli në shtëpi një qen në vend të saj, Charles Baudelaire u zemërua aq shumë, sa e quajti të pamundur të vazhdonte të bashkëjetonte me të; “Quelle horreur!” (çfarë tmerri!), kishte thënë ai.

Por historia e maceve te Hemingway-t është krejt tjetër dhe sot rrëfehet si një legjendë. Macen e parë Hemingway-t ia bëri dhuratë një kapiten anieje. Ata u takuan në Sloppy Joe’s, bari që Hemingway frekuentonte çdo mbrëmje në Key West dhe për të cilin shkruaj më poshtë. U dehën së bashku dhe kur do të ndaheshin kapiteni i dha Hemingway-t një mace polidaktile, me gjashtë gishtrinj, që e mbante në anijen e tij. Mace të tilla thuhet se u sillnin fat marinarëve. Nuk dihet nëse emrin Snow White (ose Snowball) asaj maceje ia vuri Hemingway, ose nëse ai e mori me këtë emër. Ajo mace la pas dhjetëra trashëgimtarë.

Pasioni i Hemingway-t dhe i shkrimtarëve të tjerë të shquar për macet, në atë shkallë sa shumë prej tyre kanë shkruar edhe libra e poezi për to, për shumë njerëz—për mua gjithashtu—mund të duket i çuditshëm dhe i pashpjegueshëm. Por jo për këdo. Gloria Steinem, një gazetare dhe aktiviste shoqërore e njohur në Shtetet e Bashkuara, mendon se një mace është “shoqëruesi më i logjikshëm dhe më i pranueshëm për një shkrimtar”. Vetë Hemingway thoshte se, ndryshe nga qeniet njerëzore, që “për një arsye ose një tjetër mund t’i fshehin ndjenjat e tyre, një mace nuk e bën këtë; një mace është emocionalisht absolutisht e ndershme”.

Kur iu bashkuam një grupit vizitorësh, nga ciceronia që shpjegonte historinë e maceve të Hemingway-t mësova se macet që shihnim ngado rreth e rrotull ishin gjenerata e pestë dhe e gjashtë e maceve që janë lindur dhe rritur në atë shtëpi. Në fakt, tha ajo, të gjitha macet që sot ndodhen në këtë shtëpi janë lindur këtu dhe kanë një origjinë të përbashkët. Rreth gjysma e tyre trashëgojnë genin polidaktil në ADN-në e tyre, çka do të thotë se edhe ato mace që kanë katër dhe pesë gishtrinj mundet të lindin mace me gjashtë gishtrinj. Një fakt interesant ishte se çdo mace e Hemingwayt kishte një emër të vetin—emrin e një personaliteti të shquar: Marilyn Monroe, “Hairy” Truman, Billie Holiday, Carry Grant, Zane Grey etj. Emri i çdo maceje është zgjedhur me votë nga personeli që punon për mirëmbajtjen e asaj shtëpie muze sapo macja ka lindur. Për to kujdeset në mënyrë të vazhdueshme një veteriner. Cireronia na tha se kur Hemingway jetonte në atë shtëpi duhet të ketë pasur 70 ose 80 mace. Sot janë 63.

“62”, më tha Patch në vesh, si për ta korrigjuar ciceronen.

“Pse?” e pyeta unë.

Shpjegimi që më dha Patch ishte kjo histori komike. Një shoku i tij nga Michigan, kur e kishte vizituar në Key West disa muaj më parë, i kishte shprehur dëshirën që të kthehej në shtetin e vet me një qen nga ai ishull. “Pse një qen dhe jo një mace të Hemingway-t?”, i kishte thënë Patch. Shoku i tij nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për macet e shkrimtarit të madh. Kur Patch ia shpjegoi se ç’ishin ato mace, tjetrit i pëlqeu idea. Por si mund ta merrnin një mace të tillë nga ajo shtëpi-muze? Patch i tregoi se kjo nuk ishte një punë e pamundur. Blenë një kuti konservë me ushqim për macet, e vendosën atë të hapur mbi murin rrethues të asaj shtëpie, që është afro një metër i lartë, pritën ndonjë orë e ca derisa njëra prej maceve, kur ndjeu erën e ushqimit, u afrua dhe u ngjit mbi mur. Patch e mori macen në duar, e hodhi mbi sup dhe të dy bashkë u larguan qetë-qetë nga ai vend, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Një mace polidaktile iu nda atë ditë familjes së maceve të Hemingway-t për t’u shpërngulur në Michigan ku, me siguri, ka lënë pasardhësit e vet. Kjo histori sa më befasoi, madje m’u duk si një krim, aq edhe më argëtoi, sidomos me mënyrën se si ma tregoi atë Patch-i.

Macet në atë shtëpi ishin ngado—në kopësht, mbi karrike, mbi shtratin e dhomës së gjumit, nëpër shkallët e brendshme të shtëpisë, aq sa, po të mos bëje kujdes kur ecje, mund të shkelje mbi to. Ishte e pamundur t’i numëroje. Shumë prej tyre dukeshin njëlloj dhe vetëm punonjësit që e mirëmbanin atë shtëpi mund të dallonin njërën mace nga tjetra. Vizituam thuajse çdo mjedis të asaj shtëpie-muze, një ndër më të famshmet në të gjithë Amerikën, përveç njërës dhomë, që kishte qenë studioja e shkrimtarit. (Në shtëpinë-muze të Elvis Presley-t në Graceland, Memphis, e vetmja dhomë që u ndalohet vizitorëve ta shohin është dhoma e tij e gjumit në katin e dytë).

Studion e Hemingway-t mund ta shihje nga jashtë derës, e cila qëndronte gjithnjë e hapur. Gjithçka kishte mbetur siç kishte qenë kur shkrimtari punonte në të. Asgjë s’ishte lëvizur nga vendi, as makina e shkrimit. Ishte shumë emocionuese ta shihje atë dhomë qoftë edhe pa hyrë brenda dhe, duke parë atë makinë shkrimi, mua më kaplloi një nostalgji për një makinë shkrimi të firmës Olivetti, që gjyshi im Jano Tarifa e kishte sjellë nga Buenos Aires kur u kthye nga mërgimi në vitin 1956. Në atë kohë unë isha 2 vjeç. Unë mësova të shtyp me atë makinë kur ende nuk isha bërë 10 vjeç.

Nga e majta në të djathtë David Dunderburk, Patrick dhe autori

Pishina e shkrimtarit

Ndërsa zbrisnim shkallët e katit të dytë ku ndodhet studioja e Hemingway-t, ciceronia na ftoi të shihnim pishinën, pranë së cilës pëlqente të rrinte Marilyn Monroe (macja me këtë emër). Ajo pishinë ka një histori më vete dhe unë e ruaj ende të pashlyer në kujtesë shpjegimin që na dha atë ditë ciceronia. Idea për të pasur një pishinë në shtëpinë e tyre ishte e vetë Hemingway-t, por vendi ku u ndërtua ajo ishte zgjedhja e Pauline-s. Ajo ishte e para pishinë në Key West dhe u ndërtua në vitet 1937-1938, kur Hemingway ishte në Spanjë, nga ku raportonte mbi Luftën Civile në atë vend për gazetën North American Newspaper Alliance.

Pauline e nisi ndërtimin e asaj pishine në mungesë të të shoqit dhe pa e vënë në dijeni atë. Për shkak se vendi ku u hap gropa e asaj pishine qëlloi të ishte një masiv koral shumë i fortë, gërmimi zgjati për shumë kohë dhe kushtoi mjaft.

Por nuk ishte kjo kryesorja. Në atë vend, ku në mungesë të burrit të saj Pauline ndërtoi pishinën e shtëpisë së tyre, që donte t’ia bënte surprizë atij kur të kthehej nga Spanja, Hemingway kishte ngritur më parë një ring boksi dhe atë ring e donte shumë. Ditën që u kthye nga Spanja, e shoqja, që e priti në hyrje të shtëpisë, i kërkoi të mbyllte sytë dhe të ndiqte pas zënë për dore sepse kishte një surprizë për të.

E sigurt se i shoqi do të befasohej dhe do të gëzohej shumë kur ta shihte atë pishinë, Pauline i tha të hapte sytë. Ajo që ndodhi ishte shokuese për të. Hemingway u xhindos kur pa se ringu i boksit nuk ishte më ku e kishte lënë dhe, në zemërim e sipër, futi dorën në xhepin e pantallonave, nxori të vetmen monedhë 1 cent që gjeti dhe e përplasi atë në çimenton që rrethonte pishinën dhe që në atë kohë ishte ende e njomë. Ajo monedhë gjendet edhe sot e kësaj dite po në të njëjtin vend ku e përplasi Hemingway më 1938, mbuluar me një copë xham si një artefakt kulturor për kuriozitetin e turistëve.

Duke e dëgjuar këtë histori, Patch më pëshpëriti në vesh:

“Do you want it?” (E do?).

E kishte fjalën për atë monedhë “historike” 1 cent.

Unë vura buzën në gaz.

“Nëse e do”, më tha Patch, “e marr në mbrëmje dhe e zëvendësoj me një monedhë tjetër”.

Këtë herë nuk e mbajtja dot të qeshurën.

“You are funny, Patch, you make me laugh” (je i lezetshëm, Patch, ti më bën të qesh), i thashë dhe lëvizëm për t’u takuar me Artën dhe Funderburk-ët. Kur ua tregova atyre këtë histori, ata gjithashtu u shkrinë në gaz.

 

Sloppy Joe’s

Mbërmjen e asaj dite shëtitëm në Duval Street, rruga më e famshme në Key West, e njohur për baret, kafenetë e zbuluara, restorantet, galeritë dhe gjallërinë e saj. Ajo rrugë, që zgjatet paralel me rrugën ku ndodhet shtëpia-muze e Hemingway-t, është pak më shumë se 1 km e gjatë dhe përshkon mes për mes krejt ishullin, nga Gjiri i Meksikës në perëndim, në ujrat e Atlantikut në lindje. Në fakt, pulsi i jetës në Key West nuk ndihet askund më mirë sesa në atë rrugë.

Në kryqëzim të Duval Street dhe Greene Street ndodhet Sloppy Joe’s, një ndër baret më të famshëm në Key West dhe në tërë Amerikën, i cili qëndron i hapur çdo ditë të vitit. Sloppy Joe’s është një ndër vendet më atraktivë—në fakt një signature—në Key West, që lidhet ngushtësisht me Hemingway-n. Ai bar u çel për herë të parë më 1933 dhe quhej Blind Pig. Pronari i parë i tij kishte qenë një shok i ngushtë i Hemingway-t, me të cilin peshkonin. Në fillim të viteve 1930, që ishin vitet e fundit të asaj periudhe që në Shtetet e Bashkuara njihet si “Prohibitation Era”, kur prodhimi, importimi, transportimi, tregtimi dhe konsumimi i pijeve alkolike u ndaluan me ligj në të gjithë territorin e atij vendi, Hemingway u bë “patroni” i atij bari, që mbante dhe shiste pije alkolike në mënyrë klandestine. Më vonë, me sugjerimin e Hemingway-t emri i atij bari u ndryshua për të marrë emrin që ka edhe sot—Sloppy Joe’s—i njëjti emër si ai i një bari të njohur në Havana, të cilin shkrimtari i madh e kishte frekuentuar shpesh.

Në njëzetëvjetorin e vdekjes së Hemingwy-t, më 2 korrik 1981, sponsorizuar nga Sloppy Joe’s në Key West, nisi një traditë shumë interesante, e quajtur Annual Ernest Hemingway Look-Alike Contest (Konkursi vjetor i njerëzve që i ngjajnë Ernest Hemingway-t). Ne nuk arritëm ta shihnim atë konkurs, sepse ai do të zhvillohej dy javë më vonë, në korrik, por Bill më tregoi atë mbrëmje se ajo ishte një festë mjaft e bukur në atë qytet. Ti mund të shihje në rrugë e në bare dhjetëra, në mos qindra burra me mjekër të bardhë dhe flokë të bardha, që dukeshin njëlloj si Ernest Hemingway, ose si vëllezër binjakë të tij (Bill përdori fjalët “duken sikur vetë shkrimtari është ngritur nga varri”). Dy vite pas asaj vizite në Kew West, më 2006, Sloppy Joe’s Bar u përfshi në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike të Shteteve të Bashkuara.

Bill Edwards dhe David donin që unë dhe Arta të takoheshim me pronarin e Sloppy Joe’s.

“Nuk mund të largoheni nga Key West pa parë se ku sillej vërdallë Hemingway kur nuk shkruante ose kur nuk peshkonte”, më tha Bill. “Ishte këtu, në Sloppy Joe’s, ku ai kalonte një pjesë të mirë të kohës me shokët e tij duke pirë gin, rum, wiskey, vodka, ose champagne”.

Pas këtyre fjalëve, Bill Edwards më prezantoi me pronarin e atij bari, një burrë i dobët, rreth të tetëdhjetave, por shumë interesant. Ai e mbante mend shumë mirë Hemingway-n.

“Unë isha i vogël, 12-13 vjeç, por më kujtohet shumë mirë se si “Papa” (“Papa” ishte emri me të cilin e thërrisnin Hemingway-n në Key West) bënte boks me babanë tim”, tha ai. Pastaj shtoi: “Ja, këtu, para këtij bari, dhe në fëmijët bënim tifo për ta”.

Sa mirë jam ndier që e dëgjoja këtë histori nga goja e një dëshmitari të gjallë. Në përfytyrimin tim, kasollja mbi det nga ku shkrimtari peshkonte, shtëpia e tij që e kisha vizituar atë paradite dhe tani Sloppy Joe’s rikrijonin të gjallë portretin e shkrimtarit të madh, vdekja tragjike e të cilit, duke vrarë veten në Sun Valley, Idaho, më 2 korrik 1961, tronditi botën.

Ndërsa shkruaja këto radhë me kujtime nga Key West, ndesha papritur këto fjalë të Hemingway-t: “Every man’s life ends the same way. It is only the details of how he lived that distinguish one man from another” (Jeta e çdo njeriu merr fund në të njëjtën mënyrë. Janë vetëm detajet mbi mënyrën se si ai ka jetuar ato që e dallojnë një njeri nga një tjetër). Çuditërisht, kur tri vite më parë, më 2019, botova librin tim Fjalor i paradokseve, pa i lexuar këto fjalë të shkrimtarit të madh më parë, por në të njëjtën frymë si ai, konceptin “Jetë” e kam përkufizuar si vijon: “Të gjithë jemi njëlloj të vdekshëm. Të gjithë bëhemi njëlloj kur s’jemi më. Bëhemi asgjë. Të ndryshëm dhe të veçantë nga njëri-tjetri bëhemi dhe jemi vetëm kur jetojmë dhe nga mënyra se si jetojmë”.

Nuk mund të largohesha nga ai vend pa blerë një suvenir prej tij—një T-shirt me portretin e Hemingway-t dhe emrin e atij bari të famshëm Sloppy Joe’s. Pas tetëmbëdhjetë vitesh që kanë kaluar nga ajo vizitë në Key West, në pushimet e verës edhe sot e kësaj dite ky T-shirt që e mbaj veshur më sjell ndërmend ato kohë të shkuara shumë të bukura.

 

Duval Street

Për darkë Bill Edwards dhe e shoqja e tij kishin rezervuar në Blackfin Bistro, po në Duval Street. The Fisherman me të shoqen, si dhe vëllai i tij Patch ishin sigurisht të panishëm. Ky i fundit, siç kam vënë në dukje më sipër, kishte qenë pranë nesh pothuajse tërë kohën ato tri ditë, madje, ndërsa vizitonim shtëpinë e Hemingway-t një ditë më parë, me një naivitet shumë të sinqertë më kishte thënë se, nëse do të kisha nevojë për një bodyguard në Uashington, do të ishte kënaqësi për të që të punonte për mua. Unë kisha qeshur, duke i thënë se në Uashington, përveç ambasadorit të Israelit dhe ndonjë tjetri, asnjë ambasador nuk ruhej nga bodyguards. Kur këtë “propozim” të Patch-it ua thashë Artës dhe David-it, ata qeshën siç kisha bërë dhe unë.

“Patch njihet si më i forti në Key West”, më tha David, “por është një djalë i ndershëm dhe shumë besnik”.

Këtë përshtypje më kishte lënë mua, edhe pse historia me “rrëmbimin” e njërës prej maceve të Hemingway-t që ai vetë më tregoi dhe gadishmëria e tij për ta ndërruar monedhën 1 cent pranë pishinës së Hemingway-t me një tjetër, që të ma bënte mua dhuratë monedhën origjinale, dëshmonin më shumë sesa besnikëri.

Ajo darkë e fundit në Key West me miqtë tanë të rinj amerikanë ishte mjaft e këndshme. Një surprizë e asaj mbrëmjeje ishte ardhja e një përfaqësuesi të Bordit të Komisionerëve për Kontenë Monroe, ku bën pjesë Key West, Dixie Spehar, e cila na u bashkua për darkë. Siç arrita të kuptoj, Bill Edwards dhe David Funderburk kishin njoftuar për vizitën tonë kryetarin e Bashkisë dhe, në pamundësi që ai të vinte vetë, dërgoi znj. Spehar për t’u bërë pjesë e asaj mbrëmje, që me ardhjen e saj nuk e humbi aspak karakterin e saj informal. Znj. Spehar më bëri një surprizë të bukur atë mbrëmje. Ajo me dorëzoi diplomën me të cilën kryetari i Bashkisë së atij qytetit më nderonte me titullin “Honorary Conch and Citizen of the The Fabolous Florida Keys”.

 

Cohiba cigars

Atë mbrëmje u ndamë me miqtë tanë në një mënyrë po aq të përzemërt sa edhe ishim takuar tri ditë më parë. Të nesërmen në mëngjes do të ktheheshim në Uashington. Kur dolëm nga hoteli, para se të merrnim U.S. Highway 1 për në Miami, David, i cili ishte në timon, më kërkoi të ndalonim për pak sekonda te një i njohuri i tij. I telefonoi kur u ndalëm te porta e shtëpisë së tij dhe burri që doli nga ajo portë i dha dy kuti të mbyllura me qese plastike. Sapo u nisëm për rrugë, David ma dha njërën prej kutive mua.

“Janë puro havane”, më tha, “Cohiba cigars”, purot e preferuara të Fidel Castro-s”.

Një surprizë e papritur. Në atë kohë Castro ishte ende gjallë dhe sundonte në Kubë me grusht të hekurt. Ai ia dorëzoi pushtetin vëllait të vet Raúl Castro shtatë vite më vonë, më 2011, pesë vite para se të vdiste.

Në Uashington dhe në Pinehurst David dhe unë e kishim bërë zakon të ndiznim mbrëmjeve, pas darke, nga një puro havane, të cilën e shoqëronim me një ose dy gota Grand Marnier. Këto—purot kubane dhe Grand Marnier—ishin, siç kisha arritur të vija re edhe unë, “dobësia” e një pjese të madhe të anëtarëve të Kongresit amerikan. Unë nuk e kisha pyetur ndonjëherë se ku i gjenin kongresmenët ato puro, edhe pse e dija se Shtetet e Bashkuara vazhdonin embargon e tyre ndaj çdo produkti kuban. Një herë mendova se ato hynin në Amerikë konrabandë nga Kanadaja, por atë mëngjes, ndërsa ktheheshim në Miami për të marrë avionin për në Uashington, David më shpjegoi fare thjeshtë. Ai më tha se purot kubane hynin në Shtetet e Bashkuara kontrabandë përmes Florida-s dhe Key West, si pika më e afërt me Havanën, ishte porta e parë. Personi që ai kishte takuar atë mëngjes bënte çdo natë fshehurazi, me një gomone të shpejtë, një udhëtim deri në Havanë për t’u kthyer në Key West brenda natës me një ngarkesë me puro. Ky ishte një “biznes” që vazhdonte prej vitesh në kushtet e embargos ndaj Kubës dhe ishte pikërisht ky burimi i pureve që kisha parë të tymosnin një pjesë e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, me të cilët më ishte dhënë rasti të takohesha, ose të ulesha për darkë.

Ky po, ishte një zbulim i ri për mua dhe, nuk e fsheh, një “leksion” në politikën amerikane.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën
  • Shqipëria e bukur e sheshit
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. Emigranti on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. Vëzhgimi on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Sazan Svernica on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. Skypion on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?