Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Në librin “Krutja nën rrezet e diturisë”, botim i vitit 2005 i ish drejtorit të shkollës së mesme të përgjithshme të Krutjes në ish rrethin e Lushnjes, Mësuesit të Merituar Loli Davidhi, në faqen 117, mes të tjerave, shkruhet: “Tregues pozitiv i shkollës sonë ishte pjesëmarrja e suksesshme e nxënësve në konkurset letrare, në olimpiadat e matematikës, fizikës e kimisë në zonë, në rreth dhe në ato kombëtare.
Në olimpiadën kombëtare të matematikës, organizuar në Durrës më 20 mars të vitit 1987, u përfaqësuan denjësisht nxënëset Alketa Vogli dhe Ilia Toli, udhëhequr nga mësuesi i pasionuar Gjovalin Daka”.
Dhe, në ca rreshta më tej, shkrimi vazhdon: “Me të drejtë gazeta “Shkëndija” e Lushnjes nxënës të tillë, të shkëlqyer, i konsideron etalon për gjithë të tjerët në këtë shkollë dhe shumë më gjerë. Dhe me të vërtetë; Alketa Vogli u bë etalon. Sot ajo është pedagoge e matematikës në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ndërsa Ilia Toli është studiues potencial në Universitetin e Pizës në Itali”.
Le të mos merremi këtë herë me pedagogen e mirënjohur Alketa Vogli, për të ndjekur “aventurën” interesante drejt shkencës të Ilia Sotir Tolit nga Toshkëzi i rrethit të Lushnjes.
Prapa “çapkënllekut” fshihej një ëndërr që sapo kishte nisur
I lindur nga dy prindër të mrekullueshëm, Sotiri – mësues dhe Afërdita – kooperativiste, Ilia i vogël do të fillonte klasën e parë në shtatorin e vitit 1978 në shkollën e Toshkëzit të rrethit të Lushnjës.
Në klasën e tretë regjistrohet në shkollën e fshatit Delisufaj. Ndryshoi mjedis për t’iu shkëputur një shoqërie që nuk i pëlqente.
Mbas mbarimit të klasës së katërt, kur prindërit e kishin nisur plot dëshirë që të regjistrohej në shkollën e vendlindjes së tyre, pat ndodhur ajo që ata s’e kishin menduar: i vogli regjistrohej në shkollën tetëvjeçare të fshatit Allkaj.
– Përsëri lëvize nga fshati, more bir?! – i qe drejtuar i ati. – Në shkollën e Toshkëzit do të të kishim afër…
I vogli nuk i qe kthyer menjëherë, por përgjigjen e kishte pasur të gatshme:
– Do të ndihem më i qetë në shkollën e fshatit Allkaj, baba. Mos u mërzisni, se nuk e kam menduar keq.
Dhe, pas aq shumë vitesh, Ilia tregon se ndjekja e shkollës tetëvjeçare në Allkaj kish pas qenë zgjedhja më e mirë. Në këtë shkollë ai pat gjetur, në një farë mënyre, vetveten.
– Klasa e pestë shkoi ashtu si shkoi, por në klasën e gjashtë, – tregon Ilia, – rastisa të kem mësues Eqerem Cekën, një intelektual serioz e korrektë, që na frymëzonte në rrugën tonë si nxënës.
Dhe ndodhi pastaj që Ilia të ishte nxënësi më i zellshëm i shkollës, sidomos në lëndët e matematikës. Siç tregon vet, që nga kjo kohë e deri në vitin e dytë të Universitetit të Tiranës mjaft prej shokëve të vet do t’i kopjonin detyrat pikërisht prej tij.
Në shkollën e mesme të Krutjes shpërthen talenti i fjetur brenda tij
Mbas mbarimit të klasës së tetë, Ilia shkon e regjistrohet në shkollën e mesme të përgjithshme të Krutjes së Sipërme. Mbase kish dashur të shkonte gjetkë, sidomos në shkollën “Skënderbej”, ku bëhej shumë matematikë dhe ku do të mund ta mbante zgjuar ëndrrën e ndezur në fëmijërinë e hershme, por nuk iu krijua kjo mundësi.
– Në vitin e parë të shkollës së mesme, – tregon Ilia, – mësues matematike kam pasur Vladimir Gjermenin, i cili, tolerant siç ishte, të lejonte të futeshe në debat shkencor. Në tre vitet e mëpastajme mësues matematike do të kishte Gjovalin Dakën, që nuk shprehte asnjë mërzitje qoftë edhe nga bezdisjet e herëmbashershme që i bëhej nga Ilia.
Në shkollën e mesme të përgjithshme të Krutjes së Sipërme Ilia Toli do të ishte nxënësi më i dalluar, që do të mbahej mënd si i tillë edhe në brezat e tjerë të nxënësve të kësaj shkolle.
– Tre vjet rresht pata zënë vendin e parë në konkurset e matematikës, organizuar në shkallë rrethi, – tregon Ilia.
Në olimpiadat e organizuara në shkallë kombëtare, edhe pse nuk pat marrë çmime, çdoherë qe përfshirë ndër konkurrentët e denjë.
– Më ka vrarë në shpirt një artikull i një farë L. S., botuar në “Zëri i rinisë”, – tregon Ilia, – ku shkruante, se mua më paska shkëputur shkolla që në muajin shkurt nga të gjitha lëndët e tjera mësimore vetëm e vetëm që t’i kushtohesha matematikës për konkurs! Kjo nuk ka qenë aspak e vërtetë.
Dhe, vazhdon të shprehet Ilia, në po këtë faqe gazete shkruhej me superlativa për vajzën e një sekretari të Komitetit të Partisë!!!
Ndërsa kishte vënë “këmbën” në tabanin e shkencës…
Mbaroi shkollën e mesme të përgjithshme të Krutjes së Sipërme dhe djaloshit nga Toshkëzi i doli e drejta për të vazhduar matematikën, por në fakultetin me afat akademik pesëvjeçar. E filloi mbarë, por… tepër i ndjeshëm si karakter, e pati të vështirë të përballonte sjelljet e disa prej shokëve të vet! Gjithsesi, gjatë dy viteve të para ishte ndër më të mirët mes 180 studentëve.
Ndërkohë që mjaft nga shokët e vet, madje edhe disa nga miqtë e tij të hershëm i kthyen shpinën, djaloshi myzeqar nisi të brengosej shpirtërisht. Tashmë, nga studenti më i dalluar, çuditërisht, u shndërrua në më të dobtin! Nisi të vlerësohej me nota të ulta! Gjithsesi, brenda vetes ai ende vazhdonte të ruante energji të brendshme, që do ta bënin të ecte vetëm përpara.
Gjatë po kësaj kohe që kryente studimet në Universitet, ndodhi lëvizja e stuhishme studentore. Ilia pat vepruar si shumica e shokëve të vet. Në grevën e urisë ata, po aty edhe ai.
Këtu është vendi të perifrazojmë një fragment nga një shkrim i Ilias, botuar në gazetën “Tema”: “Do të kthehesha në shtëpi, në Lushnjë. E lashë që rrugën ta bëja më 5 mars së bashku me shokun tim, Nesti Qose. Edhe Nesti kishte qenë në grevën e urisë. Treni kishte ndaluar në Durrës. U kuptua që po iknin tragetet për në Itali. Isha i vendosur të ikja edhe unë me anije. Nesti më mbajti dhe po më qesëndiste për këmbënguljen time! S’ika. Kjo u bë brenga më e madhe e jetës sime. Ia kalon edhe brengës së fëmijërisë, që s’vajta dot në shkollën “Skënderbeg”, ku, sipas fantazisë sime, do të kisha mundësi të studioja matematikë sa të ngopja shpirtin. Ndoshta kjo ishte thjesht fantazi, si fantazia, se sapo të shkoja në universitet do të kisha mundësi të studioja matematikë për shtatë palë qejfe! Brenga e gjimnazit është, që s’fitova dot në olimpiadat kombëtare të matematikës; vetëm tre herë vendin e parë në Lushnjë… Nuk ma priste mendja kurrë, se gjërat në Shqipëri do të shkonin keq e më keq! S’më vjen keq për vuajtjet e mia në Shqipëri; më vjen keq vetëm për vitet e humbura komplet batall, pa mundur të bëja asgjë të dobishme në moshën time më të mirë”.
Mbas 24 konkursesh në Itali i njihet e drejta për t’iu futur doktoraturës
Gjatë jetës studentore në Universitet Ilia shkoi dy herë refugjat në Greqi, por nuk i pati ecur. Mbaroi pesëvjeçarin për matematikë në Tiranë më 1995 dhe u nis refugjat për në Itali.
Më 1997 pati shkuar nga San Benedetto del Tronto në Bolonjë me shpresë se do të mund t’i rikthehej studimeve, edhe pse ishte nën një stres që e mundonte aq shumë.
Tashmë ai do të niste aventurën e gjatë të konkurseve, edhe pse në një farë mënyre e pengonte disi gjuha. U fut 34 herë në konkurse për doktoraturë në matematikë! Fitoi në të 24 – tën, por nga që nuk i qe dhënë në kohë përgjigja, pat vazhduar konkurset edhe mbi të 24 – tën.
– Ky numër i jashtëzakonshëm konkursesh, – sqaron Ilia, – shpjegohet edhe me dallaveret që bëheshin në administratat e universiteteve italiane.
Dhe djaloshi nga Shqipëria tregon, se si në Modena ia kishin bërë me hile, sepse bursën që i takonte ia patën dhënë dikujt tjetër nga të vetët!
Dhe ajo për të cilën kishte punuar aq shumë, i qe bërë realitet pikërisht në Piza. Por… edhe këtu nuk ishte pa një hile të “vogël”: fitoi të drejtën për doktoraturë, por… pa bursë!!! Çdoherë doktoratura shoqërohej me bursë. Si t’ia bënte?! Kush këmbëngul, gjen, thotë një fjalë popullore.
Profesori i tij, Karlo Traverso, i dha dy vjet bursë. Një vit e gjeti vet Ilia nga universiteti i Bordosë së Francës, ndërsa një pjesë tjetër të bursës e gjeti në Tel Aviv të Izraelit. Sigurisht, ca të holla i pat siguruar edhe nga puna që kishte bërë duke korrur brokoli në San Benedetto del Tronto. Natyrisht, nuk i mungoi një ndihmë financiare edhe nga motra me banim në Amerikë.
Ja, në këto kushte tepër të vështira, përmes sakrificave të shumta mundi të mbronte temën e doktoraturës në matematikë.
I pajisur tashmë me dije bashkëkohore, nisi të kërkojë punë. Dhe rasti e solli të fillonte punë në Ecole Normale Superieure de Lyon, universiteti i dytë më i mirë në Francë. E pranuan edhe për shkak të cilësisë së doktoraturës që kishte mbrojtur në Piza.
Në Francë pati punuar në tre universitete: në atë të Bordos, të Lionit dhe të Nisës.
Në Amerikë mbron doktoraturën e dytë, në kimi kuantike
Në dhjetor të vitit 2006 Ilia Sotir Toli u gjend në Amerikë. Falë doktoraturës cilësore që kishte mbrojtur në universitetin e Pizës, caktohet profesor matematike në disa universitete.
Në periudhën gusht 2007 – maj 2008 jep mësim matematike në Oakland University, Rochester, MI. Pak më pas jep leksione në Suffolk University, Boston, MA.
Tashmë me më shumë përvojë si mësimdhënës, caktohet të jap mësim matematike në Northeastern University, Boston, MA. Në vazhdim, caktohet asistent profesor matematike në universitetin SUNY, Brockport, New York. Ca më vonë ngarkohet të jap leksione në matematikë në Valencia College. Por nuk mbaron këtu. Nisur nga aftësitë që kishte, caktohet asistent profesor i Department of Mathematics, SUNY Brockport, NY.
Gjatë viteve 2015 — 2019 jep mësim në disa universitete, periudhë që përkon me atë të doktoraturës së tij në kimi. Aktualisht jep mësim në dy departamente; në atë të kimisë dhe në atë të matematikës.
Kohë më parë, Ilia pat kryer edhe dy postdoktoratura, të dyja në Francë; një në universitetin e Lionit dhe tjetrin në atë të Nisës. Gjatë kohës që përgatiste doktoraturën e parë kreu dy kualifikime të tjera, të dyja nga 4 muaj, një në Bordo dhe tjetrën në Tel Aviv të Izraelit.
Shkurt, Ilia Toli përmes një këmbënguljeje të jashtëzakonshme bëhej doktor shkencash në matematikë dhe në kimi kuantike.
Për të ngritur në vazhdimësi nivelin e tij shkencor, Ilia vazhdoi studimet master edhe për inxhinieri aerospaciale, fushë ku atij ia ka ënda të kontribuojë. I prirur për studime, vazhdon vitin e katërt të fakultetit të psikologjisë.
Me vullnet të hekurt dhe me këmbëngulje pasionante Ilia arriti që në vitin 2019 të mbaronte edhe doktoraturën e dytë, por tashmë jo për matematikë, por për kimi kuantike.
***
Kohët e fundit Ilia Toli i është futur aplikimit të një pune shumë të rëndësishme shkencore, që, sipas tij, do të mund ta ndihmonte shumë ekonominë. Ka kohë që e ka pas menduar si punë shkencore, por vetëm muajt e fundit i është kushtuar plotësisht zbatimit në praktikë të kësaj ëndrre të kahershme, sa të guximshme, aq edhe të bukur.
– Mund edhe të dështoj, – shprehet Ilia, – por rruga drejt një objektivi konkret duhet përshkuar me iniciativë dhe guxim. Në qoftë se teoria ta pranon arritjen konkrete të diçkaje, nuk ka arsye pse të mos e verifikosh.
Ilia Sotir Toli, tani pesëdhjetëvjeçarë, ka ecur dhe vazhdon të ecë bindshëm dhe në mënyrë rezultative drejt ëndrrës së tij të bukur si shkencëtar.
Dhe nuk ka asnjë arsye që t’i shkëputet kësaj ëndrre.
Si përherë i dashur Dhimitër, edhe këtë shkrim ia kushtoni nje Lushnjari. Nuk është nga ata që me të lexuar emrin ,lexuesi thotë : Oh sa mirë ! E fillon të lexoi për të mësuar më shumë për jetën e figurav të njohura si Vaçe Zela ,apo Vath Korreshi e të tjerë ,të cilët JU i kini skalitur në faqen e historisë së Lushnjes ,por dhe të Shqipërisë. Këtë shkrim ia kushtoni djalit të një msuesi, e aq më tepër të një shokut tonë, Sotir Tolit. Ja pra se që të shkelqesh në shkencë, s’qënka e thënë të lindesh nga një nënë intelektuale, por edhe nga një nënë e quajtur dikur kooperativiste. Këmbëngulja për të mësuar është shëmbulli më i mirë që u tregon Ilia Toli rinisë së sotme. Sigurisht, shkëlqimi në shkencat matematike e të kimisë i djalit të shokut tonë Sotir Tolit,na bënë krenar edhe ne shkokët e babajit të tij krenar. Rrofsh epaç jetën e gjatë edhe Ju Dhimitër që shkruani edhe për djemt e njerëzve të thjeshtë.