Edmond Hoxhaj
Përfaqësuesi i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, avokati Bujar Musta, shpjegoi, në përgjigje të interesimit të gjykatës lidhur me mospërfaqësimin e klientit të tij, se rrezikon licencën nëse thyen bojkotin e ndërmarrë ndaj rregullores së re të GJKKO-së. Por, sipas gjyqtarit kryesues Erjon Bani, kjo situatë përbën vepër penale sipas nenit 264 të Kodit Penal, “Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë”.
Seanca gjyqësore për çështjen penale në ngarkim të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, nuk u zhvillua të enjten, pasi mungonte një anëtare e trupit gjykues. Po ashtu, avokatët e të pandehurve, megjithëse ishin të pranishëm në sallë, qëndruan në vendet e rezervuara për publikun dhe nuk përfaqësuan të mbrojturit prej tyre.
Kryesuesi i trupit gjykues, Erjon Bani, pyeti përfaqësuesin ligjor të Metës, avokatin Bujar Musta, se përse nuk qëndronte në vendin e përcaktuar për avokatët dhe përse nuk e përfaqësonte klientin e tij, ndërkohë që ishte i pranishëm në sallë.
Avokati Musta shpjegoi se Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, përmes dy vendimeve, ka vendosur bojkotin pa afat të të gjitha proceseve gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Ai tha se rrezikon heqjen e licencës së avokatit nëse e thyen bojkotin.
Kryesuesi Bani i solli në vëmendje avokatit Musta se kishte qenë gjyqtar dhe se nga një rrethanë e tillë po cenohej administrimi i drejtësisë, gjë që, sipas tij, përbën vepër penale sipas nenit 264 të Kodit Penal, “Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë”.
Meta deklaroi se situata e krijuar po cenon interesat e tij për një proces gjyqësor, por, nga ana tjetër, shtoi se avokati ndodhet në këtë pozitë për shkak të licencës. Seanca u shty për më 1 tetor.
Rregullorja, e miratuar më 17 korrik dhe që hyri në fuqi më 1 shtator, vendos një sërë rregullash të reja për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e Gjykatës. Një pjesë e dispozitave prekin drejtpërdrejt aksesin dhe punën e avokatëve të të pandehurve, si dhe të gazetarëve që raportojnë mbi proceset gjyqësore.
Me argumentin se telefoni celular është një mjet pune, Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë vendosi bojkotin pa afat të të gjitha proceseve gjyqësore publike në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, deri në ndryshimin e rregullores. Por, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi gjoba ndaj avokatëve, të mërkurën Dhoma e Avokatisë njoftoi se prej të hënës së ardhshme do të bojkotohen edhe seancat për masat e sigurimit personal. Nëse kjo do të ndodhë, ekziston rreziku që personat e ndaluar me kërkesë të SPAK, nëse nuk dalin për caktimin e masës së sigurisë brenda 72 orësh për shkak të mungesës së mbrojtësit ligjor, të lirohen.
Rregullorja e GJKKO-së është kundërshtuar edhe nga gazetarët. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH, depozitoi një javë më parë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e disa pikave të kësaj rregulloreje, duke i cilësuar ato si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
SPAK e akuzon Metën për aferën CEZ-DIA, kontratën e lobimit të LSI-së në SHBA, ndikimet për llogari të biznesmenit Samir Mane dhe Adrian Shatkut në këmbim të favoreve, pamundësinë financiare për blerjen e dy apartamenteve në ish-Bllok dhe mosdeklarimin e shpenzimeve. Për disa prej akuzave është marrë e pandehur edhe Kryemadhi, e cila, së bashku me ish-bashkëshortin, i kanë cilësuar akuzat si të pabazuara dhe të inskenuara nga kundërshtarët politikë.
