Shaqir Vukaj
Duke ndjekur shkrimet e shumë historianëve, studiuesve, politikanëve etj, mbështetës e mbrojtës të Luftës Nacional Çlirimtare, në përgjigje të një interviste, dhënë në kuadrin e 5 Majit nga z.Adriatik Alimadhi, Kryetar i Ballit Kombëtar, m’u kujtua një thënie popullore: “Një budalla hedh një gurë në ujë dhe lëshohen njëqind të mençur ta nxjerrin…”. Të më falë z. Adriatik për përdorimin e kësaj thënieje popullore, sepse nuk kam qellim ta fyej… Problemi është se ai nuk është i vetmi “budalla” sepse edhe disa “budallenj” të tjerë shkruajnë e çirren kundër Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, shpifin, falsifikojnë, mashtrojnë, shajnë e nuk lenë gjë pa thënë kundër atyre që bënë luftën, që çliruan Shqipërinë, që na bënë pjesë të Koalicionit Antifashist e, madje, edhe kundër Dëshmorëve të Atdheut, atyre që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën për këtë Shqipëri që kemi sot…
Problemi është se me shkrimet e tyre këta “budallenj” tregohen tepër aktivë me shkrimet e librat e tyre (ç’është me keqja në shumë raste me paratë që u jep Qeveria) kërkojnë të çorodisin mendjen e njerëzve, e kryesorja të rinisë, që fatkeqësisht në disa raste ia arrijnë qëllimit të tyre. Kjo edhe për faktin se të “mençurit”, që në Shqipëri janë shumica, me pretekste të ndryshme, nuk denjojnë të merren me “budallallëqet’ që shkruajnë këta “budallenj” e t’u japin përgjigjen e duhur…
Mbasi lexova intervistën ne z.Alimadhi, vendosa që edhe unë të përpiqem e të hyj tek të “mençurit” dhe t’i jap një përgjigje modeste, por me qëllimin e mirë, dhe vetëm mbi bazën e disa dokumenteve e fakteve që nuk i kanë përmendur ata që i janë përgjigjur për intervistën e tij.
Nuk do të përmend të gjitha broçkullat që këput z.Alimadhi në intervistën e tij, por vetëm disa prej tyre. Ndërmjet të tjerash ai thotë se “komunistët i vranë shqiptarët një e nga një”. Besoj se ky pohim i tij nuk ka nevojë për koment, por mund të thuhet se ka qenë fat i madh që kanë shpëtuar ai dhe bashkëmendimtarët e tij…
Më poshtë ai deklaron “Lufta antifashiste ishte luftë vëllavrasëse”. Dua t’i kujtoj këtij ballisti (jo për ta fyer, sepse në Shqipëri fjala ballist përdoret në kuptimin e keq, por ai e thotë me krenari që është ballist) se problemi i Luftërave Vëllavrasëse (Civile) ka qenë dhe mbetet një problem tepër i rëndësishëm në historinë e vendeve dhe popujve, me të cilin janë marrë shumë institucione politike, ushtarake, administrative, historike dhe personalitete të shquara botërore etj. Madje në Konventën e Vjenës është përcaktuar me hollësi dhe qartë se cilat luftëra janë Luftëra Vëllavrasëse (Civile)…
Sipas këtyre institucioneve zyrtare dhe Konventës së Vjenës është përcaktuar dhe argumentuar se “në vendet e pushtuara nuk mund të ketë Luftë Civile, sepse aty luftohet kundër pushtuesit, sepse nëse aty luftohet, luftë mund të ketë vetëm kundër pushtuesit, pavarësisht zënkave, grindjeve apo edhe përleshjeve me armë që mund të zhvillohen midis fiseve apo grupimeve rivale, që shpesh herë nxiten nga pushtuesit, apo në shërbim të tij” (siç ka ndodhur fatkeqësisht në Shqipëri).
Gjatë Luftës Dytë Botërore Gjermania naziste pushtoi pothuajse gjithë Europën dhe kudo gjeti bashkëpunëtorë, por në shumë vende popujt u ngritën në luftë për çlirim. Dihet për shembull që në Francë, ish Heroi i Luftës së Parë Botërore, Mareshali Peten me disa mijëra francezë u vunë në shërbim të nazistëve… Në Rezistencën Franceze, që iu kundërvu me armë nazistëve, u përfshinë që nga ushtria e De Golit, komunistë, socialistë, anarkistë, katolikë të djathtë etj, dhe në shumë raste, madje në beteja të rrepta luftarake, u përplasën me armë francezët kundër njeri tjetrit. Por askush deri më sot nuk ka thënë e nuk mund të thotë se në Francë ka patur Luftë Civile.
Dokumentet e hapura vitet e fundit tregojnë se gjatë Luftës Dytë Botërore rreth dy milionë shtetas sovjetikë kanë bashkëpunuar me nazistët dhe kanë luftuar kundër Ushtrisë së Kuqe, por askush nuk merr guximin të thotë se atje ka pasur Luftë Civile. Ose po përmend një vend të vogël, si Sllovakia. Mbas pushtimit të Çekosllovakisë, nazistët krijuan shtetin sllovak, gjoja shtet i pavarur… Në gusht të v.1944, populli sllovak u ngrit me armë në dorë dhe bëri atë që njihet në histori si Kryengritja e Sllovakisë, ku sllovakët luftuan kundër njeri-tjetrit, por askush deri më sot nuk e quan Luftë Civile.
Sipas institucioneve zyrtare që janë marrë me Luftërat Civile, në periudhën 1816 -1997 në botë janë zhvilluar 213 Luftëra Civile ku si më të përgjakshmet përmenden Lufta Civile në SHBA (1861-1865), Lufta Civile në Rusi ( 1917-1922), Lufta Civile në Kinë (1927-1950), Lufta Civile në Spanjë (1936-1939), Lufta Civile në Greqi (1946-1949), Lufta e Dytë e Sudanit (1983 -2005) etj.
Në asnjë vend e në asnjë material nuk thuhet që të ketë pasur Luftë Civile në vendet e pushtuara nga nazistët gjermanë gjatë Luftës Dytë Botërore, për më tepër në Shqipëri…
Tepër i çuditshëm duket pohimi i Z.Alimadhi se “në Shqipëri gjatë Luftës Antifashiste janë vrarë zero italianë e gjermanë”, që nuk ia vlen ta marrësh seriozisht dhe as t’i japësh përgjigje. Megjithatë dua t’i kujtoj atij se në fillim të viteve 60-të të shekullit të kaluar, një gjeneral italian erdhi në Shqipëri në krye të një grupi të madh pune dhe qëndroi muaj të tërë duke mbledhur kockat e ushtarëve italianë të vrarë gjatë asaj lufte në Shqipëri. (Mbi bazën e kësaj ngjarjeje të vërtetë shkrimtari Ismail Kadare shkroi romanin e jashtëzakonshëm “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, që e bëri menjëherë të njohur në Europë e më gjerë…) Z.Alimadhi dhe ballistët e tjerë le të hapin dokumentet zyrtare italiane dhe gjermane sepse aty janë shkruar e zeza në të bardhë jo vetëm numri i të vrarëve, por emrat, vendet ku janë vrarë etj. Do u rekomandoja atij dhe shokëve të tij ballistë (atyre që kanë ngelur) të shkojnë në kodrat e liqenit sepse aty janë edhe do varre të ushtarëve gjermanë të vrarë në Shqipëri….
Z.Alimadhi, pavarësisht se nuk merret me aktivitetin e Ballit Kombëtar, gjatë luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (sigurisht nuk ka çfarë të thotë) ai ngre në qiell rolin e tij, kur shkruan:
“Balli Kombëtar i ka pasur dhe i ka rrënjët tek ekzistenca shqiptare, tek shqiptarizma dhe patriotizma, ka lindur dhe është themeluar me idenë që të vihet plotësisht në shërbim të kombit shqiptar”.
Për aktivitetin e partisë së Ballit Kombëtar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si bashkëpunëtor dhe në shërbim të pushtuesve është shkruar e folur shumë herë. Me mijëra dokumente të pushtuesve e të aleatëve etj. të publikuara e të pa publikuara flasin qartë për këtë problem, por unë do i referohem vetëm deklarimeve për Ballin Kombëtar të Ministrave të Qeverive Fashiste të Tiranës në atë kohë, Ernest Koliqi e Kol Bib Mirakaj …
Më 18.7.1952, Ernest Koliqi, në letrën drejtuar Karl Gurakuqit, ndërmjet të tjerave i shkruante për ballistët: “I shpallin botës se jemi qenë fashista. Po kush e ka mohue?… Përmendin Shefqet Verlacin, pse i biri bashkëpunon me ne. Mos të qëndronte me ne do ta zgjidhshin edhe atë fajesh si Mustafa Krujën që iu përul Zogut, Hasan Dostin pse u bashkue me Ballin, si njëqind të tjerët që u kertylën në të mira në kohën e Italisë dhe e sot i bien mohit. Përpiqen kopilin e tradhtisë me na e lanë në derë të katolicizmit… Të gjithë kanë veshë devizë fashiste dhe i kanë shërbye regjimit, sot të shamë deri ne ditën e fundit. Asnjani nuk dha dorëhjekje. Patriotizmi i tyne filloi kur në Stalingrad Hitleri ngeli. Deri atë ditë na u lëvirshin e na duartrokisnin”.
Ndërsa Kol Bib Mirakaj, në vitin 1968 i shkruante Abaz Ermenjit:
“Keni kalue në anën tjetër kur Boshtit filloi t’i rrjedhë kazani e kur u pa se kazani po shterrej. Për me mujtë me e nxjerrë veten puritanë filluet ta ndani kombin në fashista e kolaboracionista me të huejtë, me okupatorin, tue e cilësue veten superpatriotë… Na queni ne kolaboracionista me të huajtë, me okupatorin, as nuk e kemi mohue e as kemi ndërmend të fshihemi siç po bajnë disa prej jush se gjoja kishin “bekimin” e Mit’hat Frashërit me bashkëpunue me fashista e me sabotue. Ne nuk e mohojmë bashkëpunimin me tonë me Italinë Fashiste, për rrjedhim me boshtin Romë-Berlin. Por asnjë prej jush mos e mohoni bashkëpunimin tuej. Edhe ju bashkëpunuet me të huej e madje jeni mburrë për atë bashkëpunim, pra kolaboracionista kemi qenë të dy palët”.
Po ky Kol Bib Mirakaj, duke analizuar luftën e Ballit kundër pushtuesve italianë, në librin e tij “Vetëvrasja e një kombi”, botuar në vitin 2013 shkruan:
“Po kanë ba edhe aksione sporadike me ndonjë grup ushtarësh italianë të mbetun të izoluem, sidomos mbas 25 korrikut 1943, kur Musolini ishte burgosë, pra kur fashizmi kishte ra edhe në Itali, dhe dalja e Italisë së shpejti nga lufta shifej si fakt i pa evitueshëm. Atëherë po, disa prej tyne kanë guximin ta quejnë veten puritanë, superpatriotë dhe ne të tjerëve tradhtarë, kapen pushkën e me pizhame e pantofla na dolën ilegalë kundër fashizmit që nuk ekzistonte ma”
Për ta konkretizue me një shembull, do përmend vetëm aktivitetin e Kryetarit të Ballit Kombëtar për Qarkun e Shkodrës, Jup Kazazi. Menjëherë mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste, që në qershor, Jup Kazazi është emëruar Federal në Vlorë, njëkohësisht Anëtar i Këshillit të Epërm Koorporativ. Më vonë Federal në Durrës etj. Në vitet 19 41-1942 ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Fashiste dhe sipas statutit të kësaj partie, Sekretari ishte Ministër-Sekretar, ishte Jerarku Suprem, Anëtar i Këshillit të Ministrave, në mungesë të Kryeministrit ai e zëvendësonte … Sipas dokumenteve italiane, deri në korrik të vitit 1943 ai ka marrë rrogë nga Italia Fashiste… Ashtu siç shkruan Kol Bib Mirakaj, kur shihej që Italia Fashiste po kapitullonte, ai, në krye të një grupi 7-8 vetësh doli në mal “me bizhama e pantofle”. Sapo forcat e para gjermane hynë në Shqipëri, ai me disa shokë të tij shkuan në Pukë për të pritur pushtuesit gjermanë… Kjo është e vërteta sipas dokumenteve të pushtuesve.
Në vazhdën e sulmeve kundër “kriminelëve” që bënë luftën e çliruan Shqipërinë, z.Alimadhi vazhdon me fyerje edhe më të rënda kundër atyre që shkruajnë, që japin intervista, që mbrojnë e i dalin zot Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, atyre që luftuan e atyre që dhanë jetën për çlirim, Dëshmorëve të Atdheut. Duken të pa besueshme epitetet që ai përdor kundër Kristo Frashërit, Xhelal Xheçovit, Paskal Milos, Ksenofon Kristafit, Pellumb Xhufit, Fatos Tarifes, Xhevdet Shehut, Spartak Brahos, Muharrem Xhafes, Petro Koçit, Bernard Zotaj, Maranglen Kasmit e qindra të tjerëve që i quan “të pa ditur, të mjerë, të pabesë, të pa lexuar, njerëz të pashpirt” dhe arrin deri aty sa i quan kriminelë… Ai harron ose bën sikur nuk e di që janë me qindra mijëra ata që nderojnë, respektojnë e mbrojnë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, sepse ata 70 mijë partizanë që çliruan Shqipërinë, kanë sot të paktën qindra mijëra pasardhës, bij e bija, nipa e mbesa… apo ata 28 mijë të rënë gjatë kësaj lufte, kanë dhjetëra e dhjetëra mijëra bij e bija, nipa e mbesa anëtarë të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, që sigurisht nuk e harrojnë ç’kanë bërë paraardhësit e tyre për Shqipërinë. Populli thotë “Gjaku ujë nuk bëhet”…
Pavarësisht se me z.Alimadhi nuk njihem, kam një këshillë miqësore, sigurisht në qoftë se e pranon. Të heqë dorë nga kjo gjuhë, sepse një gjuhë e tillë nuk i shërben askujt, për më tepër Partisë Balli Kombëtar, sepse kjo gjuhë e përdorur prej tij dhe disa të tjerëve, ka sjellë si pasojë që kjo Parti të rrudhet, aq sa jo vetëm që nuk përfaqësohet në Kuvend, por të struket në gjirin e ndonjë partie tjetër, dhe nuk marrim vesh në se ka ndonjë këshilltar të dalë nga zgjedhjet e fundit…
Z.Alimadhi dhe bashkëmendimtarët e tij, duhet të marrin shembull nga shumë parti europiane, që nga e kaluara kanë trashëguar shumë faje e krime kundër vendit e popullit të vet, sot kanë ndryshuar qëndrim e programe, kanë hequr dorë nga e kaluara e fajet e paraardhësve, madje në disa raste i kanë dënuar, ose më e pakta nuk i përmendin. Këtë do ja uroja edhe Ballit Kombëtar, që të bëhet një parti, ashtu siç duan anëtarët e saj, por duke shmangur e duke mos i dalë zot veprimeve të Ballit Kombëtar gjatë Luftës Dytë Botërore.
