Nga Orgen Peci
Në një prej shfaqjeve televizive më të realizuara në Itali nga Adriano Celentano, disa vite më parë, shkrimtari i madh Dario Fo, fitues i Çmimit Nobel në Letërsi, interpretoi një monolog të famshëm, që njihet si Beteja e mutit.
Diku rreth viti 1330 në Bolonja të Italisë, Kardinali francez, Bertrando del Poggetto vendosi ti shpjegonte popullatës se kush ishte pushteti.
Për këtë qëllim ai ndërtoi një kështjellë gjigande, me mure të larta, kulla dhe frëngji, të mbushura me ushtarë, për t’u treguar njerëzve se kush komandon dhe kush duhet të rrijë urtë. Sa më të larta muret, aq më të bindur duhet të ishin njerëzit. Dhe si shumë njerëz të pushtetit, kardinali ngatërroi frikën me respektin dhe heshtjen me nënshtrimin.
Por bolonjezët nuk u nënshtruan, përkundrazi u rebeluan kundrejt këtij sistemi. Por muret ishin të larta e të forta, ushtarët të armatosur dhe të shumtë në numër. Shpatat e gurët nuk bënin më punë dhe kardinali me arrogancë nga lartësia e pushtetit besonte se koha ishte në aën e tij.
Pas dhjetëra ditësh përpjekje të pashpresa për të rrëzuar muret dikush hodhi një ide që asnjë strateg luftë nuk e kishte menduar: nëse nuk mund t’i mposhtnin me armë, do t’i mposhtnin me atë që kishin me bollëk: me mut.
Njerëzit mbushën katapultat me mut dhe mbetje të tjera shtazore dhe nisin ti hidhnin brenda kështjellës. Një strategji që me siguri, nuk mësohej në akademitë ushtarake, por që rezultoi shumë më efektive nga sa mund ta imagjinonte kardinali.
Lajmi mori dhenë dhe aleatët nga Modena, Mantova, Reggio dhe Forli sollën mut pafund. Karrocat mbërrinin çdo ditë nga të gjitha anët dhe katapultat flaknin pafund mut brenda kështjellës.
Jashtëqitja nuk ndalej dhe situata bëhej dramatike brenda kështjellës. Ushtarët kishin armë po nuk kishin si të luftonin kundër erës së mutit. Kardinali kishte autoritet, por asnjë dekret nuk mund ta shpallte erën të paligjshme. Kështjella nuk e mbronte dot pushtetin e kardinalit.
Pas disa ditësh qëndresa ra. Të rrethuar nga muti ushtarët u dorëzuan dhe kardinali u përpoq të shpëtonte duke ngritur ostien e shenjtëruar, me shpresën se qytetarët do të ndaleshin përpara simbolit të shenjtë, por bolonjezët nuk u impresionuan. Kardinali e kishte ende kështjellën, por nuk kishte më kontrollin.
Dhe siç shkruan i madhi Dario Fo, pushtetin mund ta mbrosh me ushtarë, me frikë, me propagandë e me mure të larta, por kur njerëzit vendosin të të përgjigjen me atë që ke prodhuar vetë, asnjë kështjellë nuk të shpëton.
Ndonjëherë, për ta rrëzuar arrogancën, nuk nevojitet revolucion. Mjafton një katapultë dhe pak mut.
