Gjatë fjalimit të tij, Biden e ka krahasuar grupin e Hamasit me presidentin rus Vladimir Putin.
“Hamasi dhe Putin përfaqësojnë kërcënime të ndryshme, por kanë një të përbashkët: të dy duan të asgjësojnë plotësisht një demokraci fqinje”.
“Unë e di që këto konflikte duken të largëta dhe është e natyrshme të pyesim, pse kjo ka rëndësi për amerikanët?” Duke siguruar që Izraeli dhe Ukraina të kenë sukses, është jetike për sigurinë kombëtare të Amerikës.
“Nëse nuk e ndalojmë oreksin e Putinit për pushtet dhe kontroll në Ukrainë, ai nuk do të kufizohet vetëm në Ukrainë”, tha Biden.
Presidenti amerikan foli edhe për rrezikun e përhapjes së luftës në Lindjen e Mesme, duke theksuar se SHBA dhe aleatët duhet të jenë të bashkuar për të ndihmuar si Ukrainën dhe Izraelin.
“Rreziku është konflikti dhe kaosi mund të përhapet në pjesë të tjera të botës, veçanërisht në Lindjen e Mesme. SHBA dhe aleatët e saj po punojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Lindjen e Mesme.”
“Historia na ka mësuar se kur terroristët nuk e paguajnë çmimin për terrorin e tyre, kur diktatorët nuk e paguajnë çmimin për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos, vdekje dhe shkatërrim”, tha Biden. “Ata nuk ndalen dhe çmimi i kërcënimit për Amerikën dhe botën vazhdon të rritet”.
Biden tha se do të dërgojë një kërkesë urgjente për financim në Kongres për të dy aleatët e SHBA-së të përfshirë në luftëra.
Para adresimit nga Zyra Ovale, Shtëpia e Bardhë tha se Biden ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ka ripërsëritur mbështetjen e Uashingtonit për Kievin i cili po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar.
Ndërkaq, Biden qëndroi në Izrael më 18 tetor për të shprehur mbështetjen e shtetit të tij, pasi militantët e Hamasit nisën sulmet e koordinuara ndaj Izraelit më 7 tetor, gjë që çoi në një kundërpërgjigje të ashpër të këtij të fundit.
Kërkesa për fonde për mbështetjen e Izraelit dhe Ukrainës – që sipas burimeve të mediave amerikane do të jenë afër 60 miliardë për Ukrainën dhe 14 miliardë për Izraelin – vjen pasi së fundi administrata Biden ka paralajmëruar se po mbaron koha për të parandaluar që Ukraina të humbë fuqinë në fushëbetejë, teksa po vazhdon kundërofensivën e saj rraskapitëse kundër forcave ruse.
Ivo Daalder, ish-ambasadori i SHBA-së në NATO, aktualisht shef ekzekutiv i Këshillit të Çikagos për Çështje Globale, i tha Radios Evropa e Lirë se me lidhjen e ndihmës për Izraelin dhe Ukrainën, Biden ia ka bërë më të vështirë Kongresit që të refuzojë pakon e ndihmës.
Kjo ndihmë, që pritet të miratohet, “minon edhe një herë llogaritë e Vladimir Putinit se Perëndimi është buzë kolapsit kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës”.
“Nëse jetoni në Rusi, ju e kuptoni se Ukraina nuk do të shkojë askund, se ata do të kenë aftësi të vazhdueshme për të luftuar”, tha ai.
Presidenti Biden tha se dështimi për të mbështetur Ukrainën dhe Izraelin, do të rrezikojë sigurinë e SHBA-së dhe statusin e saj si “një partnere që shtete e tjera do të donin të punonin me të”.
“Për të rrezikuar gjithçka, nëse ne ndërpresim mbështetjen për Ukrainën, nëse ia kthejmë shpinën Izraelit, thjesht nuk ia vlen”, tha Biden.
Ai shtoi se marrja e vendimeve gjatë kohës kur zhvillohen luftëra “kërkon që të bësh pyetje të vështira” dhe kërkon “qartësi lidhur me objektivat dhe nëse rruga në të cilën je do të çojë tek objektivat”.
j.l./ dita