Nga Alex Raufoglu
Partneriteti i thellë i Rusisë me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut – duke krijuar një “bosht të trazirave” – përfaqëson një nga rirreshtimet më të rëndësishme gjeopolitike të nxitura nga lufta në Ukrainë.
Megjithatë, sipas Andrea Kendall-Taylor, bashkëpunëtore e lartë dhe drejtoreshë e Programit për Sigurinë Transatlantike në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane (CNAS), ta shohësh këtë grupim përmes prizmit të një aleance tradicionale ushtarake do të thotë të humbasësh pamjen e plotë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo shpjegon se çfarë përfiton Moska nga ky rrjet, i dizajnuar për të zbehur ndikimin amerikan, për të minuar sanksionet perëndimore dhe për të siguruar pozitën e Rusisë në një botë shumëpolare.
Radio Evropa e Lirë: Në terma praktikë, çfarë e bën këtë rrjet dinamik kaq të rrezikshëm për sigurinë e Perëndimit?
Andrea Kendall-Taylor: Mënyra se si e përmbledh ndikimin e këtij “boshti të trazirave” është se këto partneritete forcojnë kapacitetet ushtarake të të gjithë kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, ndërsa njëkohësisht dobësojnë efektivitetin e instrumenteve të politikës së jashtme, siç janë sanksionet, te të cilat mbështetemi për t’u përballur me ta.
Falë bashkëpunimit të tyre, këto shtete po bëhen më të afta ushtarakisht, teksa sanksionet tona dhe format e tjera të presionit po bëhen gjithnjë e më pak efektive.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë përfiton Vladimir Putini nga këto partneritete, që Rusia nuk do të mund ta arrinte e vetme?
Andrea Kendall-Taylor: Përfitimet janë bërë më të dukshme gjatë luftës në Ukrainë, e cila ka shërbyer si një katalizator i fuqishëm për thellimin e këtyre raporteve.
Kina, Irani dhe Koreja e Veriut i kanë mundësuar Rusisë ta vazhdojë luftën në mënyra që thjesht nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e tyre.
Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me sasi të mëdha municionesh. Edhe pse një pjesë e madhe e tyre ishte e cilësisë së dobët, vetë vëllimi i tyre ka qenë vendimtar në momente kyç. Po ashtu, e dimë se Koreja e Veriut ka dislokuar trupa në rajonin rus të Kurskut dhe gjetkë, duke i ofruar Rusisë një formë tjetër të rëndësishme të mbështetjes.
Në fazat e hershme të luftës, Irani e furnizoi Rusinë me dronë dhe municione të tjera. Që atëherë, Rusia ka nisur ta prodhojë vetë një pjesë të madhe të këtyre armëve dhe e ka përmirësuar teknologjinë, por mbështetja fillestare e Iranit përfaqësoi një avantazh të madh në fushëbetejë.
Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, dhe ai rus, Vladimir Putin, gjatë takimit në margjinat e Samitit të Ogranizatës për Bashkëpunim të Shangait. Kinë, shtator 2025.
Kina ka qenë partnerja më e rëndësishme, në përgjithësi. Ajo i ka mundësuar Rusisë t’i shmangë sanksionet dhe kontrollet perëndimore të eksporteve, duke i siguruar qasje në gjysmëpërçues, në komponentë dhe teknologji të tjera kritike, të nevojshme për të mbështetur industrinë ruse të mbrojtjes. Po aq e rëndësishme është se Kina ka vazhduar të blejë sasi të mëdha të naftës ruse, duke i sjellë të ardhura jetike ekonomisë ruse dhe duke e ndihmuar në financimin e luftës.
Edhe pasi të përfundojë lufta në Ukrainë, besoj se Rusia do të vazhdojë t’i vlerësojë këto raporte, sepse përballja e saj me Perëndimin – veçmas me SHBA-në – nuk do të marrë fund. Kremlini beson se është më pak i izoluar dhe më pak i cenueshëm kur vepron përkrah partnerëve që kanë të njëjtin qëndrim, gjë që e vendos Rusinë në një pozitë më të fortë për një konkurrencë strategjike afatgjatë.
Radio Evropa e Lirë: Nëse këto partneritete nxiten më shumë nga oportuniteti sesa nga ideologjia, çfarë i mban ato të bashkuara? Dhe çfarë mund t’i ndajë në të ardhmen?
Andrea Kendall-Taylor: Përgjigjja më e thjeshtë është kundërshtimi i tyre i përbashkët ndaj Shteteve të Bashkuara dhe fuqisë së tyre. Të katër vendet besojnë se sistemi aktual ndërkombëtar nuk u jep ndikimin dhe statusin që mendojnë se u takon. Duke vepruar së bashku, ato mund ta sfidojnë këtë sistem në mënyrë më efektive.
Kina, për shembull, përfiton nga paqëndrueshmëria që e shpërqendron Perëndimin. Irani përfiton duke angazhuar burimet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Së bashku, ato e kuptojnë se presioni i koordinuar mund ta mbingarkojë SHBA-në.
Gjatë viteve në vijim, e kam të vështirë të identifikoj faktorë që mund t’i ndajnë. Këto qeveri gjithnjë e më shumë e shohin mjedisin e sotëm ndërkombëtar si një rend ku fuqia përcakton se çfarë ndodh dhe shtetet më të dobëta mbeten të cenueshme. Ky perceptim e forcon apetitin për bashkëpunim.
Partneritetet e tyre ndihmojnë që secili nga ta të mbetet shtet me ndikim dhe në një pozitë më të favorshme për të konkurruar me SHBA-në, e cila, sipas mendimit të tyre, po i largon gjithnjë e më shumë aleatët e saj. Së bashku, ata janë më të fortë.
Radio Evropa e Lirë: Meqenëse ky grupim funksionon si një koalicion fleksibil dhe jo si një aleancë tradicionale e bazuar në traktate, a e bën kjo paqartësi më të vështirë për SHBA-në dhe partnerët e saj që t’i kundërvihen këtij grupimi?
Andrea Kendall-Taylor: Po. Në Uashington dhe mes qeverive aleate është zhvilluar një debat i konsiderueshëm se si duhet të karakterizohen këto raporte. Disa vënë në pikëpyetje se sa të thella dhe të qëndrueshme janë ato në të vërtetë. Të tjerë shqetësohen se përshkrimi i tyre si një bllok në formim e sipër mund të shndërrohet në një profeci, duke i shtyrë ato edhe më pranë njëra-tjetrës.
Pikërisht sepse nuk bëhet fjalë për një aleancë formale, por për një grup partneritetesh fleksibile dhe pragmatike, bëhet më e vështirë që SHBA-ja dhe aleatët e saj së pari të bien dakord për natyrën e kërcënimit dhe, më pas të hartojnë një përgjigje efektive politike. Pa ndarë një kuptim lidhur me sfidën, ndërtimi i një strategjie koherente bëhet shumë më i vështirë.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ai i Kinës, Ma Zhaoxu dhe zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, gjatë një konference për media pas takimit në Pekin më 14 mars 2025.
Radio Evropa e Lirë: Lufta në Ukrainë e ka bërë Rusinë gjithnjë e më të varur nga partnerët e saj. Çfarë po ofron Moska në këmbim?
Andrea Kendall-Taylor: Kjo është një nga pyetjet kryesore. Shumë vëmendje i është kushtuar asaj që përfiton Rusia, por është po aq e rëndësishme të kuptohet se çfarë po jep ajo në këmbim. Rusia po forcon në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet ushtarake të secilit prej partnerëve të saj.
Raporti i saj me Korenë e Veriut ka ndryshuar ndoshta më së shumti gjatë luftës. Të dy vendet tani kanë një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë dhe megjithëse një pjesë e madhe e bashkëpunimit mbetet sekret, ne e dimë se Koreja e Veriut kërkon ndihmë në teknologjinë satelitore, rritjen e saktësisë dhe rrezes së veprimit të raketave, kapacitetet e nëndetëseve dhe sisteme të tjera të avancuara ushtarake. Rusia zotëron ekspertizë në shumë prej këtyre fushave.
Rasti i Kinës është disi i ndryshëm sepse modernizimi i ushtrisë së saj ka reduktuar numrin e fushave ku Rusia mund të kontribuojë. Megjithatë, teknologjitë që lidhen me nëndetëset me energji bërthamore – veçmas ato që reduktojnë gjurmën e tyre akustike – mbeten shumë të rëndësishme. Aftësi të tilla do të kishin pasoja të drejtpërdrejta në rast të një krize sa i përket Tajvanit.
Rusia po ndan gjithashtu mësimet operacionale që ka nxjerrë nga lufta në Ukrainë. Kjo përvojë është veçanërisht e vlefshme sepse ushtrisë kineze i mungon përvoja e kohëve të fundit në luftime në shkallë të gjerë. Stërvitjet e përbashkëta dhe mësimet nga fushëbeteja e ndihmojnë Pekinin të adresojë një nga mangësitë kryesore të kapaciteteve të tij ushtarake.
Sa i përket Iranit, po shohim që bashkëpunimi po zhvillohet në kohë reale. Raportohet se Rusia i ka ofruar mbështetje me inteligjencë dhe i ka transferuar teknologji të përditësuara të dronëve, të zhvilluara mbi bazën e përvojës së fituar në fushëbetejën në Ukrainë. Këto përmirësime po i rrisin kapacitetet ushtarake të Iranit tani, e jo në ndonjë skenar hipotetik të së ardhmes.
Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht se i ofron teknologji ushtarake dhe mbështetje politike, Moska vazhdimisht ka shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë kur partnerë, sikurse Irani, përballen me kriza të sigurisë. Si shpjegohet ky frenim strategjik?
Andrea Kendall-Taylor: Irani e ilustron në mënyrë të përkryer mënyrën se si funksionon ky bosht. Bashkëpunimi është real dhe gjithnjë e më domethënës, por ai kufizohet gjithmonë nga prioritetet e secilit shtet, gatishmëria e tij për të marrë rreziqe dhe dëshira për të shmangur një përballje të drejtpërdrejtë me SHBA-në.
Për Rusinë, lufta në Ukrainë mbetet prioriteti kryesor. Gatishmëria e Putinit për të pranuar rreziqe është pothuajse tërësisht e përqendruar te ky konflikt. Ai heziton të ndërmarrë veprime në fronte të tjera që mund të përshkallëzojnë tensionet me Uashingtonin ose të dëmtojnë përpjekjen primare ushtarake të Rusisë.
Kjo vetëpërmbajtje mund të ndryshojë pas përfundimit të luftës. Me rindërtimin e forcave të saj ushtarake dhe rikthimin e besimit, Rusia mund të jetë e gatshme t’u ofrojë partnerëve të saj mbështetje dukshëm më të madhe.
Njëkohësisht, asnjëra prej këtyre qeverive nuk dëshiron një luftë të drejtpërdrejtë me SHBA-në. Objektivi i tyre është të ruajnë regjimet mike dhe të rrisin koston me të cilën përballet Uashingtoni në rajone të ndryshme.
Nga këndvështrimi i Rusisë, një konflikt i zgjatur, që përfshin Iranin, i shërben interesave të Moskës sepse angazhon burimet ushtarake amerikane, konsumon kapacitetet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së dhe e largon vëmendjen nga Ukraina. Edhe nëse luftimet intensive zbehen, Rusia do të vazhdojë ta vlerësojë aftësinë e Iranit për ta shpërqendruar SHBA-në përmes përplasjeve, në shkallë më të ulët, në mbarë Lindjen e Mesme.
Radio Evropa e Lirë: Nga pikëpamja e Moskës, a mbetet Kina partnerja e pazëvendësueshme e Rusisë apo Irani dhe Koreja e Veriut janë bërë po aq të rëndësishëm në planin afatgjatë?
Andrea Kendall-Taylor: Kina mbetet, pa asnjë dyshim, partnerja më e rëndësishme e Rusisë. Putini nuk ka marrëdhënie më të ngushtë me asnjë udhëheqës tjetër sesa me Xi Jinpingun. Kemi dëgjuar shpesh shprehjen “partneritet pa kufij” dhe, meqë sigurisht që ka kufizime, ky raport mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Rusia është bërë jashtëzakonisht e varur nga Kina në aspektin ekonomik. Shumë vëzhgues besonin se Putini do t’i rezistonte rolit të partnerit më të dobët në një marrëdhënie kaq asimetrike. Por, për shkak se ai e sheh luftën në Ukrainë – dhe konfrontimin më të gjerë me SHBA-në – si çështje ekzistenciale, ai ka qenë i gatshëm ta pranojë këtë varësi në rritje.
Në fund të fundit, Putini është një oportunist. Mendoj se ai beson se pasi të kalojë kriza aktuale, Rusia mund të arrijë të rikuperojë një pjesë të ndikimit dhe fuqisë negociuese që ka humbur që nga fillimi i luftës.
Radio Evropa e Lirë: Disa analistë argumentojnë se ky grupim është thjesht një partneritet i diktuar nga rrethanat, e jo një riorganizim i qëndrueshëm gjeopolitik. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë debat?
Andrea Kendall-Taylor: Unë besoj se këto janë partneritete të qëndrueshme. Marrëdhëniet ndërkombëtare forcohen përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm. Përvoja e përbashkët ndërton besim dhe krijon institucione e tradita bashkëpunimi që mund të zgjasin.
Rusia dhe Irani luftuan së bashku në Siri. Më pas, Irani e mbështeti Rusinë gjatë luftës në Ukrainë. Tani Rusia po e ndihmon Iranin. Edhe pse ekzistojnë kufizime reale dhe mosbesim i madh, këto ndërveprime të përsëritura po hedhin themelet e një marrëdhënieje më të qëndrueshme.
Irani është ndoshta partneri që Rusia mund ta zëvendësojë më së lehti. Kina është një gjë krejt tjetër.
Marrëdhënia mes Rusisë dhe Kinës daton me dekada para luftës në Ukrainë. Ajo është thelluar vazhdimisht që nga vitet e fundit të Luftës së Ftohtë. Lidhjet ekonomike vazhdojnë të zgjerohen, teksa bashkëpunimi po shtrihet gjithnjë e më shumë përtej nivelit të udhëheqësve kryesorë, duke përfshirë nivelet më të ulëta të qeverisjes dhe të shoqërisë. Sa më gjatë të vazhdojnë këto lidhje, aq më e fortë bëhet struktura mbi të cilën mbështetet një partneritet që mund të zgjasë për shumë vite.
Radio Evropa e Lirë: A ekziston ndonjë pikë e madhe e ndasisë mes Moskës dhe Pekinit që politikanët perëndimorë duhet të përpiqen ta shfrytëzojnë?
Andrea Kendall-Taylor: Asimetria në marrëdhënien mes tyre mbetet çështja më e rëndësishme nga pikëpamja e Rusisë.
Fakti që Rusia po bëhet gjithnjë e më e varur nga Kina – dhe rrezikon të shndërrohet në partneren më të dobët të saj – është burim shqetësimi në Moskë. Përforcimi i këtij perceptimi dhe vënia në pah e varësisë në rritje të Rusisë nga Kina mund të nxisë shqetësimet që tashmë ekzistojnë brenda elitës ruse.
Megjithatë, mendoj se shfrytëzimi i këtyre tensioneve është i vështirë. Politikanët duhet të vazhdojnë të kërkojnë mundësi për ta bërë këtë, por njëkohësisht duhet të jenë të vetëdijshëm për kufijtë e asaj që aktorët e jashtëm mund të arrijnë.
Radio Evropa e Lirë: Nëse tipari përcaktues i këtij boshti është fleksibiliteti dhe jo angazhimet formale, a kërkon kjo një qasje të ndryshme politike nga Uashingtoni?
Andrea Kendall-Taylor: Po. Unë do të shpenzoja më pak kohë duke u përpjekur të krijoja përçarje mes këtyre vendeve.
Rusia dhe Kina kanë mosmarrëveshje për Arktikun, Azinë Qendrore, Indinë dhe çështje të tjera. Ka vërtet çarje në marrëdhënien e tyre. Por, ajo që kemi parë është se vendosmëria e tyre e përbashkët për t’iu kundërvënë SHBA-së i tejkalon vazhdimisht këto dallime. Ata i mbajnë të ndara mosmarrëveshjet sepse ruajtja e partneritetit është më e rëndësishme sesa zgjidhja e çdo mosmarrëveshjeje.
SHBA-ja ka relativisht pak ndikim për t’i shfrytëzuar këto përçarje. Në vend të kësaj, Uashingtoni duhet të veprojë rreth këtij boshti, e jo të përballet drejtpërdrejt me të. Kjo nënkupton forcimin e marrëdhënieve me shtete të rëndësishme që nuk janë të rreshtuara qartë, si Turqia, Brazili, Vietnami dhe Afrika e Jugut, kufizimin e qasjes së këtij boshti në teknologji, pengimin e zgjerimit të pranisë së tij ushtarake si dhe zvogëlimin e ndikimit të tij përtej anëtarëve aktualë.
Në fund të fundit, synimi duhet të jetë frenimi i këtij rrjeti, e jo të supozohet se ai mund të shpërbëhet.
Radio Evropa e Lirë: A është ushtria amerikane e përgatitur që të frenojë një bosht që është në gjendje të krijojë në të njëjtën kohë kriza në Evropë, Lindjen e Mesme dhe rajonin Indo-Paqësor?
Andrea Kendall-Taylor: Në të vërtetë, kjo pyetje ka dy pjesë. Së pari, teksa SHBA-ja po i largon aleatët e saj, ajo po dobëson një nga përparësitë e saj më të mëdha strategjike. Ndërkohë që “boshti i trazirave” po e thellon bashkëpunimin, Uashingtoni rrezikon të minojë rrjetin e vet të aleancave, i cili mbetet një nga pikat më të forta të Amerikës.
Së dyti, nga këndvështrimi ushtarak, inkurajimi i Evropës që të marrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj është qasja e duhur.
SHBA-ja nuk është e strukturuar për të zhvilluar njëkohësisht konflikte të mëdha në Evropë dhe në rajonin Indo-Paqësor. Nëse Evropa arrin të ndërtojë një kapacitet më të fortë parandalues konvencional ndaj Rusisë, kjo i mundëson SHBA-së të përqendrojë më shumë burime në rajonin e Indo-Paqësorit në rast se atje shpërthen ndonjë krizë.
Kjo do ta vendoste Uashingtonin në një pozitë shumë më të fortë për t’i menaxhuar sfidat e shumta që ky bosht po paraqet gjithnjë e më shumë.
Radio Evropa e Lirë: Duke parë përtej konfliktit të tanishëm në Ukrainë, cilët tregues duhet të ndjekin vëzhguesit gjatë viteve të ardhshme për të vlerësuar nëse ky rrjet do ta ruajë momentumin e tij?
Andrea Kendall-Taylor: Udhëheqja është një nga faktorët më të rëndësishëm.
Nuk ka shenja të dukshme se Vladimir Putini përballet me një sfidë ndaj pushtetit të tij, por si Putini ashtu edhe Xi Jinpingun kanë qenë arkitektët kryesorë të raportit mes Rusisë dhe Kinës. Marrëdhënia e tyre e ngushtë personale ka nxitur një pjesë të madhe të bashkëpunimit nga niveli më i lartë politik.
Nëse në të ardhmen do të ndodhte një tranzicion i udhëheqjes në Rusi, do të ishte e rëndësishme të vëzhgohej se si një udhëheqës i ri do t’i qasej Kinës. Çdo qeveri e ardhshme ruse do t’i kushtojë rëndësi marrëdhënieve të qëndrueshme me Pekinin – të dyja vendet ndajnë një kufi të gjatë dhe kanë arsye të forta strategjike për ta ruajtur bashkëpunimin – por, një udhëheqës tjetër mund të ndryshojë tonin, thellësinë ose drejtimin e këtij partneriteti.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është nëse ky bosht do të zgjerohet. Unë do të vëzhgoj nëse vende të tjera –si Bjellorusia, Kuba, Venezuela apo shtete të tjera – do të integrohen më ngushtë në këtë rrjet. Nëse ky bosht arrin të zgjerojë anëtarësinë ose ndikimin e tij, kjo do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm dhe një tregues të rëndësishëm të trajektores së tij afatgjatë.
