Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Moikom Zeqo ishte si prekje e mahnitshme e dritës. E lehtë, e plleshme, drithëruese. Më shumë se njeri, ai ishte frymë; i ngjante drerëlumejve që ikin pllajave dhe, si duket, ngutja e tij për të qenë në të ardhmen, duke ikur befasisht, e bëri mitin e tij të pazakontë dhe të pakapshëm.
I lindur në vitin 551 para Krishtit, në shtetin Lu, me një inteligjencë të jashtëzakonshme, një ndër filozofët më të mëdhenj të gjitha kohërave, Konfuci, do të shkruante se, “Mendimtarët janë të lirë nga dyshimet, të virtytshmit nga lakmia, të guximshmit nga frika”.
Ndoshta, asgjë më shumë se kjo fjali tejet e lashtë nuk ka lidhje me atë çka karakterizon poetin dhe eruditin e shquar, të pakë kund shoq, Moikom Zeqon.
Ai është, edhe sot e kësaj dite, një ndër mendimtarët më të lirë të kohës sonë, i virtytshëm deri në skaj dhe i guximshëm me të gjithë atë që shfaq. Shpesh herë ai është vizioni që përplaset në shkëmbinjtë e së pamundurës.
Një ndër pararendësit e idesë në të ardhmen, dhe, oh, çfarë pararendësi i madh, njeriu në vend të religjionit do të ketë filozofinë se mendimtarët do të jenë njëjtë si shenjtorët në religjionin e krishterë.
Kryengritës i poezisë, sidomos asaj post moderniste, profet i Kryengritjes së re Poetike, eseist i një lloji të veçantë, sui generis, ai ka hapur aq shumë ujdhesa dhe pjesë kontinentale të një letërsie frymëmarrëse, sa që, nga bashkimi i tyre mund të formohet një kontinent i tërë.
Si thotë Rexhep Qosja, “Kërshëria mendore e Moikomit është e jashtëzakonshme: letërsi, mitologji, pikturë, histori, arkitekturë, arkeologji, politikë, gjuhësi. Është eseist me dhunti të gjithanshme, erudit i madh. Di shumë dhe shkruan shumë. Di shumë dhe dijen e përhap dhe gjatë bisedës dhe jo vetëm në libra”.
Jam matur shpesh herë të futem në këtë ngrehinë babilonase, por që nuk do të mund të shembet, e jam kthyer përsëri. Shkallaret e saj ishin të rrezikshme për mua dhe mund të rrëshqisja në secilin çast. Asnjë poet nuk ka besuar kaq shumë në poezinë e tij, asnjë nuk e njohu kurrë më shumë se sa Ai besimin në ëndrrat e veta; asnjë tjetër nuk mori ato përmasa jetësore në kufirin e së pamundurës dhe nuk na tronditi me gjithçka që solli.
Ai bëri, në kaq vite, një punë titanike dhe do të mbetet gjatë i pakuptueshëm se si arriti të ndërtojë një botë të tillë, se si magjia e artit të tij përputhej me vetë jetën e njeriut Moikom, se si vrulli i këtij shpirti nuk u ndal kurrë, edhe kur e dinte se sëmundja do të ishte fatale.
Ai e krijoi botën e tij fillimisht me pasion, dhe ai ishte njeri pasionant; dëshirat shpërthenin nga gjoksi i tij migjenian; e krijoi me diturinë e pashembullt, e cila nuk dihej se si mund të ishte grumbulluar në një njeri të vetëm: e brumosi me vullnetin e pazakontë, që i ishte bërë veti, shprehje, gjendje jetësore, dhe, mbi të gjitha, me talentin dhe kujtesën e tij fenomenale.
Është e çuditshme, por e vërtetë, se si një poet aq modern, thellësisht modern, të ishte në të njëjtën kohë një përpirës i tmerrshëm i urtësisë njerëzore.
I thosha vetes se denjësia është e përkorë, por mundësitë janë të pakta. Ndjehesha si një njeri i etur në shkretëtirë, por që ka droje t’i afrohet oazit. Dyshojmë se e gjitha mund të jetë një mirazh, por, edhe kur e di se gjithçka është e prekshme, atëherë përsëri qëndron në pragun e hyrjes, duke i thënë vetes, “Oh, zot, bëje ëndërr!”.
Dy herë jam ndjerë në këtë dyzim të vetvetes: në punimin e një libri për Perandorinë Kadareiane dhe diktaturën, dhe tani në një tjetër mister perandorak të botës së letrave.
*****
Një ditë, kur ende sëmundja nuk kishte filluar të merrte hapësirën e saj mizore, ndërsa po rrinim me Moikomin në kafenenë e tij të zakonshme mëngjesore dhe po matesha t’i thosha se më grish mendimi për të shkruar rreth botës që ai kishte krijuar, më pyeti befas: “Çfarë mendon për poezinë time, është e kuptueshme?”
Ndërsa po i thosha mendimin tim, që e kisha bluar gjatë në vete, sa më ishte bërë bindje, mendova nipërit e mi të ardhshëm me librat e tij dhe isha i sigurt se ata do e ndjenin edhe më të afërt se ne, do e kishin, si të thuash, më të tyrin dhe më të prekshëm.
Këto shënime nuk kanë asnjë lidhje me miqësinë tonë më shumë se 30 vjeçare. As me rëndësinë e tij në familjen tonë. Nëna ime, tash 90 vjeçare, ndoshta më shpesh se për këdo tjetër më pyet për dy njerëz, Moikomin dhe Ramushin. Njëri i letrave dhe tjetri i luftës. Dy njerëz që kur takohen i puthin duart dhe që ajo i puth si bijtë e saj.
Pra, nuk ka lidhje me këtë miqësi. Është diçka që më ka munduar dhe duke pasur këtë peng, edhe nëse nuk bëj atë që do të doja, i thashë vetes, të paktën do të lirosh shpirtin.
*****
Moikom Zeqo është një artist i madh. I paqtë si njeri dhe polemist si artist. I ndërlikuar në artin e tij; mes nesh sikur vezullon, lëviz, sjell imazhet e papërsëritura dhe të duket si një princ, në fakt është, i mendimit të lartë estetik, shpirtit të mrekullueshëm. modernizmit të jashtëzakonshëm, erudicionit ; rreth tij sillen ëndrrat si imazhe, të koncentruar në heshtje dhe, në të njëjtën kohë, në gjëmim.
Ai ka vendosur këmbët e letërsisë së tij në dy kohëra; në të sotmen dhe në të ardhmen. Sa më e fuqishme bëhet e tashmja, aq më tepër ai vjen drejt nesh, si gjërat e mrekullueshme që vijnë në fillimin e stinëve; poezia e Moikomit është si lojërat e ajrit, diellit, erës, mendimit, të ardhmes, perëndive, intimes dhe të përjetshmes.
Ai e ka jetuar shekullin e shkuar , këtë shekull dhe ka fituar të drejtën të hapë shekullin tjetër. Të jetosh mes dy shekujve dhe të përgatitësh shekullin tjetër, është veçanti e rrallë, por në fakt, sa më shumë që koha do të kalojë, aq më modern do të bëhet poezia, proza, eseistikja e tij.
Një ditë ai do të përbëjë referencën e domosdoshme për atë pjesë të botës që njihet si e Artit. Mjeshtëria e madhe e artit moikomian qëndron, se duke ngarendur pas një arti të komplikuar e njëkohësisht tejet të prekshëm, ai krijon, zbulon, duke e fshehur artin e tij. Ashtu si Moisiut që iu për shfaq Zoti në formën e një shkurreje që digjej në flakë, por nuk konsumohej dot, ashtu edhe arti i Moikomit, si një klithmë e pashoqe poetike, është i padjegshëm nga koha.
Ai ka krijuar një bibliotekë, ku janë së bashku shumë gjëra; është madhështia dhe mendimi, rrënimi dhe ringritja, fuqia dhe rënia, e vërteta dhe mashtrimi, e djeshmja dhe një kohë e pacaktuar e së ardhmes, kuptimi i gjërave dhe rrënimi, substanca dhe hija, qytetërimet e mëdha dhe boshllëku, jeta e limituar biologjike njerëzore dhe pafundësia e artit, identiteti dhe kozmopolizmi artistik, ai është pelena e lindjes së një arti të ri shqiptar dhe dhëntë Zoti, të mos jetë edhe qefini i saj.
Nuk shkrova rastësisht “është” dhe jo “ishte”, sepse… është. “Lavdia i takon Atij që s’vdes kurrë” – shkruan Borges, dhe unë e pranoj këtë.
*****
Kam pasur një jetë të trazuar. Do të thosha se shpesh herë kam qenë i lumtur dhe e kam përjetuar lumturinë si një ndijim fizik që përshkon tërë trupin.
Në rrugëtimin e çuditshëm të jetës sime kam hasur njerëz, disa nga të cilët ishin miqtë e mi më të afërt, që përcaktuan fizionominë dhe ndryshimet e mëdha të fundshekullit të shkuar, por edhe të këtyre dekadave.
Në fakt jam një njeri i mposhtur nga miqësia njerëzore. Ndër rastet më fatlume që kam përjetuar më e magjishme është ajo ditë e largët vjeshte, kur u njoha me Moikomin.
Ishte njëlloj si të njihesh me një pafundësi njerëzore, ku shpirti i butë i dijetarit të shquar ishte bërë bashkë me poetin rebel dhe të veçantë, të papërsëritshëm; ku eruditi i shquar ishte edhe luftëtari i madh, në të cilin mund të gjeje veten, po aq natyrshëm sa frymëmarrja.
Më ka habitur kurdoherë kultura e tij e pa matë, përmasat e së cilës më dukeshin të pakapshme për një mendje të zakonshme.
Një mbrëmje fund nëntori, pasi më kishte telefonuar një ditë më parë, erdhi në shtëpinë time në Shkodër. Ishte viti 1988 dhe kishte ardhur koha e profecive.
Në sobën e sapo ndezur vendosëm gështenja. Piqeshin ngadalë dhe Moikomi, i përshkënditur nga zjarri, më shumë bisedonte me nënën time, se sa me mua. Nuk njoh tjetër që të ketë dashur me aq zjarr dhe pasion të pakundërshtueshëm poezinë dhe prozën e Migjenit. Poeti i Veriut ishte i adhuruari i tij dhe, nëse do të kishte qenë në vendimin e tij, patjetër, ai do e kishte shpallur shenjt në të gjitha besimet.
“Metaforikisht, më tha pastaj, kur nëna u largua në dhomën e saj, në tekstet e Homerit, të Dantes të Shekspirit, por edhe të Migjenit, ka simbole dhe kumte të profecive biblike. Nganjëherë, tërë qytetërimet janë edhe nën lëkurën e një njeriut të vetëm të gjallë. Kur ai vdes, vdesin së bashku.
Vdekja e njeriut është humbje e kuptueshmërisë së ekzistencës së tij, por kjo nuk është vdekja e vërtetë. Degradimi i njeriut është vdekja e vërtetë”.
Dhe befas, atë natë fund nëntori, filloi të fliste për Biblën, Dhiatën e vjetër dhe të re, por i pasionuar ishte sidomos pergamenave të Detit të Vdekur, posaçërisht ato të Isait, si e quajnë “Ungjilli i Pestë”.
“Ky Ungjill, më thoshte shpesh herë, është një nga monumentet më të fuqishme letrare, sikur të jetë shkruar njëkohësisht, në një dorë të vetme, nga mendja e përbashkët e Eskilit, Dantes dhe Shekspirit”.
Sytë i kishin një ndriçim të thellë dhe enigmatik.
*****
Është shumë e vështirë të shkruash për Moikomin, ndoshta duket e pamundur. Përmes shumë shkaqeve, mendoj se njëri është më përcaktues: ai është njëkohësisht në një kohë tejet të shkuar, po aq sa edhe përtej kohës sonë dhe vështirë i arritshëm.
Të merresh me studimin e Korpusit moikomian është një punë sizifiane, nëpërmjet së cilës mendon disa herë se je ngjitur në majë dhe, rishtas, duhet të ia rinisësh nga fillimi.
Kjo nuk ka të bëjë me shumësinë e jashtëzakonshme të botimeve të tij, të cilat në më shumë se 110 librat e botuar përbëjnë thuajse 35 mijë faqe, por edhe nga publikimi i jashtëzakonshëm, tejet erudit i gjithçka që ka të bëjë me jetën dhe vdekjen, të mirën dhe të keqen, Orientin dhe Perëndimin, të shkuarën dhe të tashmen, Poezinë dhe Mendimin, Vizionin dhe Ëndrrën, Universialitetin abstrakt dhe Alternativat e Historisë, Njerëzoren dhe Marramendjen e Pasjetës, Iluminizmin dhe Fatalitetin, Gjuhën e sotme shqipe dhe hieroglifet e lashta, Ikonografinë dhe Postmodernen, Lëvizjet Sokratike të mendimit dhe Përceptimet Konfuçiane, Botën e Fjalëve dhe Heshtjen e domosdoshme… të cilat, po ashtu, përbëjnë një korpus tjetër të pamatë, nga të cilat do të ngrihej edhe një vargmal tjetër marramendës, në majën e të cilit e ke të vështirë, në mos të pamundur të ngjitesh.
Por, nga rrugëtimi drejt të cilit, nuk mund të shkëputesh. Mund të jesh i lodhur, mund të të ndjellë pushimin në çastin e tij, por, që do të kthehesh e rikthehesh, kjo është e sigurte.
Moikomi është një krijues i çuditshëm dhe vështirë i përsëritshëm. Ndoshta, është më i çuditshmi i letrave shqipe. Jo vetëm të kohës sonë. Në fakt, është përtej kohërave, në një botë mitike, përmes së cilës ai shfaqet si profetët e lashtë dhe shpresëdhënësit e rinj. Kalimi i tij nga njëra kohë në tjetrën nuk e bën atë më pak njerëzor, e bën të gjithë kohshëm dhe njëkohësisht shumë të prekshëm.
Ai është, pa dyshim, mistifikimi i një bote në ngjizje me të ardhmen dhe dëshmues i fuqisë së fjalës përmes së vërtetës. “Asgjë nuk është e bukur veç së vërtetës; shkruante Bualo, vetëm e vërteta është e bukur”.
Kryeqyteti i Moikom Zeqos është e Vërteta. Aty ka ngritur fillimisht kasollen e tij të habitshme përmes poezive të para; pastaj tullë pas tulle, si në Babiloninë e Lashtë, ka gatitur një banesë modeste për të shkuar drejt arketipit të tij, një piramidë veprash dhe mendimi, që zor se i gjendet shoqja në truallin ballkanik e, duhet thënë, shumë përtej tij.
Armik i së zakonshmes dhe mik i të çuditshmëve, si Frederik Reshpjes dhe Lagushit, të mohuarve të mëdhenj të letrave shqipe, ai, si një e vërtetë natyrore e gjen veten në dialogun e pamohueshëm dhe njerëzor me ata që e duan të vërtetën, që e ndjejnë atë dhe nuk kanë asgjë më të shenjtë.
Me Moikomin do të ndodhë diçka e çuditshme. Brezi që do të vijë pas nesh do e njoh atë shumë më mirë se sa bashkëkohësit. Mes fjalëve të tij dhe konceptimit poetik të brezit që do të vijë nuk do të ketë asnjë ndarje; koha e sotme është e pa zonja të studiojë si duhet atë, të nxjerrë përfitimet dhe përjetimet e poetit dhe dijetarit, ashtu si ka qenë e pamundur për shumë nga artistët e mëdhenj të kohërave.
Ai bën pjesë në këtë plejadë me natyrshmërinë e artistit që nuk është thjeshtë vizionar; në rastin e Moikomit gjithçka është kaq e gjallë, moderne, e prekshme dhe enigmë njëkohësisht, ai ka arritur që në Veprën e tij shumë- shumë të gjerë, të ketë edhe unin e tij, pra, të jetë i pranishëm, i konceptueshëm, ndonëse e gjithë kjo mund të ketë qenë e pavetëdijshme.
Korpusi i tij, më shumë se 100 vepra madhore, është aq i gjerë sa që mendja e njeriut të vetëm duhet të jetë tej së zakonshmes së një gjeniu; ai do të rrokë kaq shumë tema dhe personazhe, sa që prej tyre mund të kemi një bibliotekë të pazakontë ose edhe një enciklopedi; ai e bën veten pjesë të dhimbjes duke e ndjerë atë dhe kjo, e gjitha, e bën të duket e pamundura vështirë e arritshme, por ja që është arritur.
Indianët, budistët në veçanti, besojnë në një numër të pafund lindjesh dhe jetësh të mëparshme. Pak e njoh historinë e një princi të Nepalit, i quajtur Siddhartha Gautama, i cili u bë Buddha, ose i Zgjuari, por, nëse sado pak të ishte e vërtetë kjo histori, mund të mendoja se pararendësit e Moikomit kanë qenë të shumtë, që nga Gazulli, Budi, Gjon Buzuku- më i përndritshmi mes meshtarëve të kombit, De Rada, Bogdani më shumë luftëtar e dijetar i madh se sa predikues, i varrosur si peshkop në një kishë të Prizrenit, trupi i së cilit, si mund të kishte ndodhur vetëm në lashtësi me tragjedianin e madh, Euripidin, iu shpërnda qënëve; më tej – Bardhi, Serembe, kronistët e Kastriotit, Mjeda, Migjeni… të cilëve u ka kushtuar trajtime të tëra studimesh dhe për të cilët ka krijuar panteonin e tij.
Arti i Moikomit është si të thepisurat e malit Ararat, maja e të cilit nuk u zhyt nga përmbytja e Noes. Nuk do të ketë kurrë zhytje. Do të ndodhë e kundërta. Vitet duke ikur, si ujërat që zbresin, do të dëshmojnë magjinë e fjalës dhe të një perceptimi ndryshe, shumë përtej kohës sonë dhe krejt afër me kohën që do të vijë. Ndoshta, para prirës i saj, një kasnec i çuditshëm, kurrë ëndërr thyer, me aftësinë për të parë tej larg kohës së tejdukshme, reformator i fjalës dhe dashuronjës i pashoq i meditimit.
PJESA 2
Moikomi nuk ka një sozi në kulturën shqipe. Mund të ketë shumë të tillë, por kurrë vetëm një. I shpërndarë në shumë fusha, kudo vështirë i arritshëm, i përcjellë nga tradita magjike e fjalës dhe këndvështrimi enigmatik i njeriut fisnik, i saktë në të vërtetën e tij dhe i vërtetë në të saktën që ka përcjell, i pasionuar ndaj qytetërimit njerëzor dhe gërmues i së shkuarës – atë është e vështirë ta përcaktosh se çfarë bart në vete.
Arkeolog, studiues i nën ujërave, biograf, poet, meditues, historian, shkrimtar, përkthyes, gërmues i arkivave, i gjithëdijshëm, të gjitha së bashku në një njeri janë si shumë, por edhe kjo nuk është e mjaftueshme.
Ai është ndër njerëzit e paktë, specie në zhdukje, që bart mendimin e shumë shekujve, dhe këtë do ia përcjell edhe brezave të tjerë. I pangjashëm nga të tjerë, në një mjedis të vetmisë së pashpjegueshme, ai, edhe pa qenë në një luftë të ditur, është luftëtari që ekziston. Armik i varfërimit mendor të shtetit në vetvete – ai shpall kredon e tij, lirinë e të menduarit dhe dijen si mundësi ekzistence; shkencën si domosdoshmëri dhe poezinë si arti më i lartë i së mundshmes.
*****
Është e habitshme se sa lehtësisht Moikom Zeqo e ka trajtuar vdekjen në poezinë e tij. Si diçka flurore, e pakapshme, njomëz dhe ëndërr. Në fakt, e ka shpërdoruar vdekjen, sa që e ka bërë të pabesueshme. Si një tempull të braktisur, të cilin të gjithë e dinë se ku është, faktologji jonjerëzore, i pavetëdijshëm, por i pafund.
E ka trajtuar vdekjen si thërrime drite dhe në të njëjtën kohë si fosile harrese.
“Nuk mbyllem dot në shtegun e Humbjes – kjo do të thotë të shtrihem dhe të tërheq mbi vete kapakun e arkivolit”, ka shkruar ai.
Humbja e ka shqetësuar, vdekja, jo. Si një endacak i pafund dhe shtegtar i madh, ai ka lëvizur përmes jetës dhe vdekjes njëjtë si lëngu i drurëve; e ka refuzuar, duke e pranuar; e ka quajtur paradoks , duke e kundërshtuar në atë marra mendjen e tij thellësisht homeriane; e ka quajtur surealitet oqeanik, por ka shkelur mbi të me përbuzjen e Njeriut që sfidon Fatin; i është nënshtruar pushtetit të Fjalës dhe ka krye ngritur ndaj Harresës.
Për Moikomin, Poetët e lenë Fantazinë e tyre, pas vdekjes – nën kujdestarinë e Yjeve. Vetëm për kaq i shërben ajo, për asgjë tjetër.
Si një lloj Testamenti , për të ndriçuar sado pak dhe zbehtë terrin e dhimbshëm. Si çdo lumë, ai kërkon të rikthehet në det!
Dhe e di pse është i bindur se nën tokë do të takohet befas me martirët e mëdhenj dhe të harruar.
Në bjeshkët e stërpikura me hënë, përtej vdekjes, të cilën e bën shuk si letrën e fundit, ai bisedon lehtësisht me vdekjen, si me të dashurën e tij më të re.
Nuk e di se si mund të përballojë njeriu vdekjen më lehtësisht dhe në paqe, se sa ai. Edhe kur e kuptoi se fundi do të ishte jo i largët dhe, ndoshta, i befasishëm.
I gjej punë, patjetër, vetvetes,
Edhe i vdekur.
Se mund t’i jap lajme
Të gjallëve kuriozë,
që nga vdekja memece.
Duke qenë poet, dhe poetët si Ai, si duket, nuk i takojnë kësaj bote, ai e dinte se udhët, – të gjitha udhët – sado të ndryshme, çojnë, të gjitha, veç në Vdekje, por, në të njëjtën kohë, ishte i gatshëm që, “dhe njëqind jetët e mia të dikurshme, i fal për një ditë mrekullish! Për një ditë , – të Vetmisë, që urtëson Stuhitë”!
Një herë, ndërsa rrinim në tavernën e vjetër, ku takohej gjithnjë me miqtë e tij, e ku ende mungon shënimi që, “ këtu, për shumë vite , ishte vendtakimi i Moikomit”, ai, pasi kishim folur gjatë për enigmën e Jetës dhe të Pas jetës, nxori nga xhepi një fletëz të vogël dhe, duke lexuar ngadalë , më tha vargjet :
Vdekja më thotë me mirësjellje:
“Si dëshironi të vdisni?
Zgjidhni,
Por ama duhet patjetër
Të paguash
Për këtë”.
*****
Moikomi e ka trajtuar atdheun më shumë se një akt besimi, përkushtimi dhe malli. Ai e ka ndjerë vendin e tij në çdo qosh, në të gjithë përbërësit e tij dhe në të gjitha këndvështrimet. I zakontë apo i pazakontë të ketë qenë një vend; e zakontë apo e pazakontë koha e tij, kjo nuk ka qenë e rëndësishme.
Për të, si për krijuesit e kohës, ai, mbi të gjitha, fillimisht është ndjerë shpirtërisht i lidhur me vendin e tij, me ujërat, lumenjtë, lartësitë e maleve, me kreshtat, luginat dhe tokën; e ka ndjerë veten të shumëlindshëm njëkohësisht; shkodran, durrsak, tepelenas, sarandjot, drenicas, llapjan, dukagjinas, lab, pogradecar, mitrovicas.
Shikimi i tillë do e bëjë atë një ndër studiuesit dhe publicistët më të angazhuar në luftën për çlirimin e Kosovës, duke botuar dhjetëra e dhjetëra shkrime në mbështetje të UÇK-së, duke polemizuar dhe argumentuar luftën si shansin e fundit për kombin, dhe, të gjithë këtë, pa kërkuar asnjëherë shpërblimin sado modest.
Dhe, si për të bërë gjithçka që ishte e mundur, një ditë uashingtoniane, ai niset dhe i shkruan presidentit amerikan, Klinton, për atë që mund të ndodhë në Kosovë, si një parathënës i mahnitshëm i asaj që ndodhi. Disa ditë më pas presidenti Klinton i përgjigjet, “I dashur Moikom…”.
E njëjta gjë dhe i njëjti letërkëmbim që kishte ndodhur më herët e do të ndodhë edhe më pas, mes Ismail Kadaresë dhe disa nga figurat më të shquara politike të shekullit që shkoi.
Askush nuk u tha atyre ta bënin këtë. E bënë, sepse e ndjenë. Kur, disa muaj më parë, në një bisedë me Kadarenë, i thashë se qëndrimi i tij ndaj luftës në Kosovë kishte pasur më shumë rëndësi nga gjithë qëndrimet e shtetasve shqiptarë dhe se thënia e tij, “UÇK-ja është dalzotëse e Kosovës”, më është përgjigjur kaq shumë natyrshëm, se “kështu e kam ndjerë; askush nuk më tha”.
Moikomi si mik është një veçanti e pazakontë e së tashmes, por normale e brezit të tij. Në fakt, nga i njëjti auditor dolën edhe disa nga figurat më të njohura të letrave shqipe, gazetarë, publicistë, autorë të njohur, por edhe njerëz të sipërores së veçantë. Ai studioi me një elitë njerëzore të pashoqe, të cilët edhe sot e kësaj dite shquhen për vlerat njerëzore.
Nuk ka ngurruar kurrë të jetë kundër rrymës në miqësitë e tij dhe i habitshëm në shfaqjen e saj.
Do të ishte e mjaftueshme vetëm miqësia e tij, më shumë se gjysmë shekullore me Frederik Reshpjen, të leçiturin e madh të sistemit, dy herë të burgosurin dhe të ndaluarin e pazakontë, për të krijuar një fillesë mendimi.
Por kjo është një temë e gjerë, tek e cila mund ta ndalesh për një çast. Dhe, nëse rifillon nuk do të ndalesh më.
Perandoria e Moikomit është dy krerëshe. Nga njëra anë ajo që ai vetë ka krijuar, siu generis, e tija dhe vetëm e tija, asgjë e njëjtë me idhujt e tij si Migjeni, Mjeda, Reshpja, Poradeci, Noli, Borges, Kafka, Xhojs, Shekspir, Dante, Gëte, e përsëri e njëmendtë me krijimet e tyre.
E veçantë në perceptimin e botës, në stilin krijues, në të papriturën e vargut, në figuracionin rrëqethës, në shumëllojshmërinë e botimit, në rrokjen e hapësirës universale shqiptare, ndoshta që nga krijimi i botës dhe deri në shekujt që do të kenë shumë gjëra të përbashkëta me perandorinë e tij.
Nga ana tjetër është shumë dimensionaliteti i krijimit, ku janë të gjitha, që nga shkrimet e shenjta, agimet kumbuese dhe të arta të Babilonisë, bronxi i shpatave të Kretës dhe të Mikenës, thellësia e hierogliefeve të Egjiptit, enigma e shkronjave fonetike të fenikasve, komentarët e lashtë, tragjeditë e humbura të Eskilit, librat e panjohur të Tacidit, Marin Barletius dhe “De obsesione Scodrensis (Rrethimi i Shkodrës), vdekja e heretikut Savonarola në turrën e zjarrit, ku kishte shkuar me këmbët e tij; djegia e dorëshkrimeve të Kafkës, mungesa e krijimeve të fundme të Migjenit, mrekullia e profetit që shkroi LIBRI I JODIT, një pararendës shekspirian; më tej Niçe, Shopenhauer, Shiler, Dante, Magna Karta, Makabe Zaharia, Solomoni, madhështia e Shën Sofisë në Konstandinopojën e krishterë, Anatol Frans, Balzak…bota e Hadit dhe Askundi…Uitmani si shfaqje e shenjtërisë poetike, Jezusi, predikuesi më i njohur i botës, i cili, vetëm një herë shkroi një varg në rërë dhe e fshiu, bota e Orientit si një enigmë e mistershme dhe ndjellëse deri në sublimen e panjohur… skicat e Da Vinçit dhe miti i Dedalit dhe Ikarit, si shkëndijime poetike, sfiksi i Tebës në përballimin e të panjohurës njerëzore, bora që bie mbi një qytet të njohur, Washington D.C, që i kujton rrugët dimërore të Migjenit dhe De Radën në bardhësinë e moshës së tij…peizazhet në flakë të Salvator Dalit dhe Guernikën e Pikassos, Volterin e përkulur mbi Kandidin e tij, Makiavelin, Du Fu-në, …
Është një botë e tërë, e studiuar, e eseizuar, e rikthyer në mit, e poetizuar, e ringjallur, e përlindur, e afruar bujarisht, e bartur mbi shpinën e mendimit, e gdhendur dashurisht dhe e dyshuar njerëzisht.
Kjo perandori letrare, ngritur mundimshëm dhe përmes studimit të njëmendshëm, e dhënë bujarisht për të tjerët, pa asnjë gardh pengues apo mohues, është e në të njëjtën kohë e lëvizshme, por e qëndrueshme.
Duke qenë një shkrimtar i madh, ai është i prekshëm si njeri, çka nuk ndodh zakonisht. Perandoria që ka ngritur e ka zmbrapsur ndërlikimin e tij, sepse ka hapur portat. Nëse ndonjëherë do të krijohet mbretëria shqiptare e letrave, Moikomi do të jetë pa dyshim princi më i njohur i bukurisë së shpirtit dhe i hulumtimit të papërsëritshëm, vezullues, lëvizës, përcjellës imazhesh dhe ëndrrash, i koncentruar dhe i heshtur, që, sa më shumë koha të kalojë, aq më modern do të bëhet.
Ai luan me kohën në atë perandori që ka krijuar, jetues i dy shekujve që përgatit veprën e tij edhe për shekuj të tjerë. Ai ka arkitekturën e veçantë të kësaj perandorie që sa është e ngjashme me perandorinë kadareiane, aq është edhe e ndryshme.
E ka ngritur këtë si një mbret dhe skllav i fjalës, por duke qenë i lirë. Ka robëruar kohën për të çliruar shpirtin. Filozof i prognozave të mëdha dhe gërmues i metamorfozës së sistemit, ai ka bërë vend për studimin e religjioneve të mëdha, dhe perandoria e tij e ka pranuar këtë, sepse është e pa matë, e lirshme dhe e hapur.
Në këtë perandori mund të futesh në një ditë apo orë të caktuar, por, si në të gjithë labirintet e mëdha, nuk e di kohën e daljes dhe as mënyrën e shkëputjes prej saj.
Moikomi si filozof, më shumë se gjithçka tjetër, është udhëtar i gjithësisë, qytetar i saj dhe dishepull njëkohësisht. Studimi i filozofisë nuk është profesioni i tij, por lëvizja e ideve, që nga para lashtësia e deri në momentet e tashme, është bërë pasioni i tij i padukshëm, si ato Urtësitë e Brendshme të filozofëve kinezë, të cilat, për vetë atë nuk kanë njohur kufi dhe nuk janë mbyllur në gardhin e një shkolle të vetme.
Ai është njëkohësisht pitagorian dhe sokratian, adhuron Platonin dhe bën deshifrimin e jetës dhe të vdekjes së tij, ndjekës i Senekës, Aristotelit dhe i Konfuçit, budist dhe i krishterë, i lidhur pas Shopenhauerit dhe Niçes, gjen ngjashmëritë mes Platonit dhe toistëve të lashtë, ndjek udhën e reformatorëve të mëdhenj të Kishës, Jan Husin dhe Luterin, e gjen këtë shenjë hyjnore tek Gjon Buzuku ynë, shkapërcen pa asnjë ngurrimi kohërat dhe rikthehet tek Koncilet e Trentit, po aq natyrshëm sa edhe në bisedat e Virgjilit me Danten në një parajsë nën qiellore; dyshues për gjithçka dhe kërkues në gjithçka, të afron mendimin e Tomas Mor-it, – ah “Utopia” e tij, një histori e përkryer që zhbën historinë banale, historia e njeriut në luftë me historinë e anti-njeriut, shpresa e projektuar dhe grishja e mendimit; dhe Erazmit të Roderdamit, njëlloj si edhe mendimin filozofik të De Radës; mendimi i tij filozofik i ngjan më tepër se gjithçka tjetër koraleve të qëndrueshme mbi shkëmb, sepse në të gjithë këto thellime, përsiatje, “kolonizime” vetjake, kapërcime kohërash për të zbuluar mendimet brahmane dhe budiste, njëjtë si shkrimet e shenjta, të lashta sa rifillesa e botës.
Buda, Solomoni, Krishti, Muhameti, Uilltman dhe Borges, si poetë mendimtarë, skllevërit zezakë që krijuan profetin e tyre të lëvizjes paqësore, Martin Luter Kingun, njëjtë si kishin krijuar mendësitë filozofike indiane tek një burrë i shkurtër, mbështjellë me çarçafë të bardhë, si përmes reve, hyjnorin e tyre, Gandin.
Për Moikomin unë do të shkruaj rishtas e rishtas. E kisha të vështirë të hapja një brazdë dhe të mbjell disa fjalë.
Më duhet ende më shumë kohë për të shkruar për artin e tij të veçantë, për poezinë dhe prozën, për të cilën Dritëroi do të shkruante se “Proza e Moikom Zeqos është një prozë e madhe, i nivelit të Umberto Eco-s”, për idhujt e tij të qëndrueshëm, bashkëbisedimet e habitshme me ata që nuk janë më dhe kredon e tij filozofike, për të veçantën e një libri shterues, për Lasgush Poradecin; kam hapur vetëm një deriçkë, perandoria e tij ka dhjetëra, e ndoshta, qindra të tilla.
“Deriçkën” time të sotme desha ta mbyll me një shënim.
Në Shkodër, me 28 nëntor të vitit që sapo shkoi, Moikomi ishte i ftuari i veçantë në ditëlindjen e 90-të të nënës sime. Së bashku me Donika dhe Ekrem Bardhën.
Të tre janë ndër njerëzit më interesantë që njoh. Donika, që në takimin e parë më është dukur se ka dalë nga vargjet e Darës apo të De Radës, diçka e tejshkuar nga mirësia dhe dinjiteti i pashoq; Ekrem Bardha ishte habia e ime për një njeri që e dija së paku nga Kukësi, pasi ishte shkrirë për Kosovën, ndërsa ishte kolonjar, dhe, Moikomi, si zotët e dikurshëm zeusianë.
Moikomi më dhuroi librin e tij “Lasgushi i panjohur”, në faqen e parë të së cilës shkroi: “Bedriut tim të dashur, për të treguar se poetët e mëdhenj janë më univers krijues se sa fëlliqësirat mediokre të politikës. Me dashuri, Moikom Z.”.
Poetët ndërtojnë një botë.
Nganjëherë ata ndërtojnë botën e tyre, krejt të veçantë. Ai krijoi botën e tij, botën moikomiane!
Bedri i dashur, te te them ” faleminderit”, me duket bosh, e kot. Mendova per nje cast se e kishe shkruar per mua dhe shoket e miqte e tjere te Moikomit, por e ke shkruar edhe per vete, per te treguar me aq mall, respekt, dashuri, madheshtine e nje njeriu,shoku dhe miku te rralle, qe na mungon aq shume. Pasi arrita ne fund te shkrimit, mora fryme thelle dhe thashe: Te faleminderit Bedri qe na e solle Tovin midis nesh, ashtu sic ishte: Nje krijues dhe intelektual I madh, nje atdhetar dhe njeri I shkelqyer…! I paharruar!
Ju falem nderit per esene tuaj, Bedri Islami! Moikomi, miku yt del kaq i madh ketu, saqe te vjen inat me veten pse nuk shkruan cdo dite dicka per ta lene pas ne jeten qe vazhdon pa permasa kohe.
U mrekullova!
Shkrim i perkryer nga nje pende e mprehte per nje njeri qe meriton respekin e gjithe intelektualeve dhe shqiptareve te ndershem dhe patriote.
Respekte per ju z. Bedri qe me shkrimet tuaja i sherbeni atdhetarizmit me shume se gjithe ata qe e quajne veten politikane.
I perjetshem kujtimi i Tokesorit dhe Qiellorit Moikom Zeqo
Lavdia i takon Bedriut qe mburret me te lavdishmin Moikom
I dashur Bedri, në këtë shkrim të përkryer ti ke hedhur farën dhe frytin; farën për ata që duan të thellohen në oqeanin e Moikomit, dhe frutin për ata që duan ta kenë të gatshëm. Shpresoj se me rritjen e njohjes nga vetë bashkëkombasit, do të gjejnë vendin e tyre edhe fqinjët, për t’u krenuar me këtë gjeni të pavdekshëm të së ardhmes.
Të faleminderit i nderuar bashkveprimtar bacs Bedri Islami me këte shkrim gjithëpërfshirës(që si thoni është veç fillimi) për njërin nga filozofët më të mëdhenje të kombit tonë autorin e mbi 100 veprave të cilit shkrimet e tij në Zërin e Kosovës i lexonim e rilexonim me një frymë…shtytje për ti gjetur e lexuar veprat e shumta që nuk na kan ra në duar….