Diabeti është një ndër shkaqet kryesore që çon në dëmtimin e funksionit të veshkave. Si rezultat i një diabeti të pamjekuar shumë pacientë përballen me sëmundjen që njihet si insuficienca e veshkave. Studimet e bëra tregojnë se në shumë vende, gjysma e të gjithë njerëzve që fillojnë dializën kanë insuficiencë të veshkave të shkaktuar nga diabeti.
Sëmundja kronike e veshkave e shkaktuar nga diabeti quhet nefropatia diabetike, (sëmundja diabetike e veshkave). Nëse keni diabet, keni nivele të larta të glukozës në gjakun tuaj. Glukoza e tepërt në gjak për një kohë të gjatë mund të dëmtojë shumë pjesë të trupit, duke përfshirë zemrën dhe veshkat. Shumë njerëz me diabet zhvillojnë gjithashtu presion të lartë të gjakut. Presioni i lartë i gjakut dhe diabeti konsiderohen si shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të veshkave. Niveli i lartë i sheqerit në gjak, kur diabeti është i pakontrolluar, dëmton enët e vogla të gjakut në veshka dhe ndryshon filtrimin nga veshkat.
Në shumicën e rasteve, sëmundja e veshkave diabetike nuk manifestohet me asnjë simptomë. Mënyra e vetme për ta diagnostikuar është kryerja e analizave (gjak dhe urinë). Shenja e parë e këtij dëmtimi është gjetja e albuminës në urinë. Nëse ka albuminë në urinë, nevojitet edhe një test gjaku për të kontrolluar funksionin e veshkave.
Mjekët thonë se në rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundjen e veshkave diabetike janë personat që: kanë diabet prej një kohë të gjatë, ata që kanë shpesh nivele shumë të larta të presionit të gjakut, kanë diabet dhe konsumojnë duhan, apo ushqime të pasura me kripë. Mjaft të rrezikuar janë edhe personat që nuk kryejnë aktivitet fizik, ata që janë mbipeshë, personat që kanë sëmundje të zemrës, si dhe rastet kur keni një histori familjare me insuficiencë të veshkave.
Për të reduktuar ndërlikimet e rënda, mjekët bëjnë me dije se ju duhet të testoheni çdo vit për sëmundje të veshkave nëse keni: diabet të tipit 2, si dhe diabet të tipit 1 për më shumë se 5 vjet.
Çfarë duhet të bëni?
Mënyra më e mirë për të ngadalësuar ose parandaluar sëmundjen e veshkave të lidhura me diabetin, është të përpiqeni të arrini vlerat e duhura të nivelit të glukozës në gjak dhe të presionit të gjakut. Një stili jete i shëndetshëm dhe marrja e rregullt e medikamenteve sipas recetës së përshkruar nga mjeku juaj specialist mund t’ju ndihmojë të arrini këto vlera dhe të përmirësoni shëndetin tuaj në përgjithësi.
Për këtë sugjerohet që të bëni një test të hemoglobinës së glukozuar në gjak për të parë nivelin tuaj mesatar të glukozës në gjak gjatë 3 muajve të fundit. Sa më e lartë të jetë vlera e saj, aq të larta kanë qenë nivelet e glukozës në gjak gjatë 3 muajve të fundit. Objektivi i vlerave të hemoglobinës së glukozuar për shumë njerëz me diabet është nën 7 për qind.
Presioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë atak në zemër, goditje në tru dhe sëmundje të veshkave. Objektivi i presionit të gjakut për shumicën e njerëzve me diabet është nën vlerat 140/90 mmHg. Medikamentet që ulin presionin e gjakut mund të ndihmojnë gjithashtu në ngadalësimin e dëmtimit të veshkave, por vetëm në rastet kur merren sipas këshillimeve të mjekut tuaj.
Mbani zakone të shëndetshme të jetesës
Mbajtja e një stili jete të shëndetshëm mund t’ju ndihmojë të arrini qëllimet tuaja të vlerave të glukozës në gjak dhe të presionit të gjakut. Ndjekja e hapave në vijim, gjithashtu do t’ju ndihmojë të mbani veshkat tuaja të shëndetshme. Këshillohet që të punoni me një dietolog për të hartuar një plan ushqimi për diabetin dhe për të kufizuar kripën dhe natriumin, ndaloni duhanin, bëjeni aktivitetin fizik pjesë të rutinës suaj, qëndroni ose arrini në një peshë të shëndetshme, flini mjaftueshëm gjumë.
Bëni kujdes me medikamentet
Për të gjitha medikamentet që merrni flisni me mjekun tuaj të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë edhe medikamentet pa recetë. Shumë medikamente pa recetë për dhimbje koke, ftohje ose temperaturë janë barna anti-inflamatore josteroidale dhe mund të jenë të dëmshme për veshkat.
Ju jeni në rrezik më të lartë të sëmundjes diabetike të veshkave nëse:
- Keni patur diabet për një kohë të gjatë
- Keni diabet dhe niveli i sheqerit në gjak është shumë i lartë
- Keni diabet dhe presioni i gjakut është shumë i lartë
- Keni diabet dhe pini duhan
- Vuani nga diabeti dhe konsumoni ushqime të pasura me kripë
- Nuk jeni fizikisht aktiv
- Jeni në mbipeshë
- Keni sëmundje të zemrës
- Keni një histori familjare me insuficiencë të veshkave
Pse duhet të mbanin nën kontroll edhe presionin e gjakut
Rreth gjysma e njerëzve që kanë presion të lartë të gjakut nuk e dinë se kanë presion të lartë të gjakut. Prandaj, duhet të kontrolloni presionin e gjakut si pjesë e kontrollit të përgjithshëm të trupit. Kjo është e rëndësishme sidomos për ata që po i afrohen moshës së mesme ose moshës më të madhe. Presioni i lartë i gjakut mund të dëmtojë veshkat tuaja. Kjo është e mundshme sidomos kur shoqërohet me faktorë të tjerë, si: diabeti, niveli i lartë i kolesterolit në gjak dhe sëmundjet kardio-vaskulare.
Rreziku mund të reduktohet me kontroll të mirë të presionit të gjakut. Tek të rriturit niveli normal i presionit të gjakut është 120/80. Hipertensioni diagnostikohet nëse, kur matet në dy ditë të ndryshme, leximet e presionit të gjakut sistolik në të dyja ditët janë ≥140 mmHg dhe/ose leximet e presionit diastolik të gjakut në të dyja ditët janë ≥90 mmHg (OBSH). Nëse presioni juaj i gjakut është vazhdimisht i ngritur mbi kufirin normal (veçanërisht nëse jeni i ri), duhet të konsultoheni me mjekun tuaj për të diskutuar rreziqet, nevojën për modifikimin e stilit të jetesës dhe trajtimin me medikamente.
p.k\dita
