Ndonëse është kanceri më i rrezikshëm i lëkurës, Melanoma mund të trajtohet nëse diagnostikimi i saj bëhet që në stadet më të hershme. E për këtë është e domosdoshme njohja e simptomave, në mënyrë që të kërkohet në kohën e duhur edhe ndihma e specializuar mjekësore. Është ky apeli që lëshuan dje në “Ditën Botërore të Melanomës”, ekspertët e shëndetit publik. Sipas tyre, zbulimi që në stadet e para të fillimit të sëmundjes, redukton riskun e përhapjes në pjesë të tjera të trupit, duke shmangur kështu edhe ndërlikimet e rënda që shkakton ky kancer.
“Melanoma është një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës. Ajo zhvillohet në qelizat ku prodhohet melanina, pigmenti që përcakton ngjyrën e lëkurës sonë. Njohja e simptomave të para të këtij lloj kanceri mundëson zbulimin dhe trajtimin e tij, përpara se sëmundja të përhapet. Melanoma mund të trajtohet suksesshëm, nëse zbulohet në kohë”, vunë në dukje specialistët e ISHP-së në Ditën Botërore të Melanomës, e cila ka si synim të rrisë ndërgjegjësimin e popullatës ndaj rrezikut që paraqet kanceri i lëkurës.
Sipas tyre është shumë e rëndësishme të bëhet ekzaminimi rutinë i lëkurës nga vetë pacienti, për të kapur në kohë ndryshimet e hershme të një nishani (në ngjyrë, përmasa, kufij të çrregullt), si dhe më pas të bëhet paraqitja sa më shpejt të mjeku dermatolog për një kontroll profesional në rastet kur vëreni shenja të caktuara dyshuese për këtë sëmundje. Autoritetet e shëndetit thonë se vetëkzaminimi mund të reduktojë në masë mortalitetin e melanomës, e kjo veçanërisht në rastin e grupeve me risk të lartë.
Shkaku i melanomës nuk është ende plotësisht i qartë. Megjithatë, mjekët thonë se ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë (UV) të diellit apo solarëve rrit shumë rrezikun e zhvillimit të këtij lloj kanceri. Ndikim në zhvillimin e kësaj sëmundjeje ka edhe gjenetika. Faktor rrezikues është edhe komponenti gjenetik, i cili luan gjithashtu një rol të rëndësishëm. Por duhet të dini se melanomat nuk janë ngjitëse, pra ju nuk mund ta merrni nga dikush tjetër.
“Melanoma mund të zhvillohet në të gjithë trupin, por më shpesh ajo zhvillohet në zonat që kanë një përqindje të lartë ekspozimi në diell si: shpina, këmbët, krahët dhe fytyra. Mund të ndodhë që ajo të zhvillohet në sipërfaqe më pak të ekspozuara ndaj diellit si: shputa e këmbës, palma e duarve, thonjtё; membranat mukoze të organeve kavitare si: goja, rektumi, vagina, etj. Kjo sëmundje mund të zhvillohet gjithashtu edhe në sy e quajtur ndryshe melanoma okulare”, bëjnë me dije mjekët. Edhe pse janë raste të rralla mund të ndodhë që melanoma të zhvillohet edhe në organet e brendshme siç mund të jenë zorrët. Këto melanoma të fshehura janë më të zakonshme në individët më lëkurë të errët.
Sikundër edhe u theksua më lart, shkaktari parësor i kancerit të lëkurës është ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë në diell. Ekspozimi i paktë dhe i kontrolluar ndaj rrezeve ultravjollcë është i dobishëm për njerëzit dhe luan një rol të domosdoshëm në prodhimin e vitaminës D.
Çdo vit diagnostikohen rreth 130 mijë melanoma malinje në gjithë rruzullin. Ekspozimi i shpeshtë dhe djegiet e shpeshta të lëkurës nga dielli në fëmijëri mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme, të cilat më pas mund të bëhen shkak për shfaqjen e kancerit të lëkurës.
Njerëzit me lëkurë të errët kanë më pak mundësi për shfaqjen e kancerit të lëkurës, por ata përsëri preken nga dëmtimet e shkaktuara nga ekspozimi në diell, kryesisht te sytë dhe sistemi imunitar.
Çfarë mund të bëjmë:
Një ndër këshillat më të rëndësishme që duhet të zbatojmë për të reduktuar riskun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje, është që të minimizojmë kohën e ekspozimit ndaj rrezeve të dëmshme të diellit. Kur duhet të dalim, rekomandohet të merren masa mbrojtëse, si për shembull pantallona të gjata, këmisha me mëngë të gjata dhe kapele të mëdha, me strehë të gjerë, etj.
Mjaft i rëndësishëm është përdorimi i kremit me faktor të lartë mbrojtës ndaj rrezeve ultraviolet (SPF mbi 50). Përbërësit kryesorë të këtyre kremrave përmbajnë zink dhe titanium që janë elemente kimikë të cilët pengojnë pikërisht rrezatimin ultraviolet.
Rëndësi ka edhe orari i ekspozimit. Shmangni sa të mundni ekspozimin veçanërisht midos orëve 11:00-16:00. Përdorni sa më shumë lëngje dhe ujë për të ruajtur hidratimin e lëkurës.
Pothuajse të gjitha melanomat fillojnë duke ndryshuar ngjyrën dhe pamjen që kanë pasur më parë. Kanceri i lëkurës rrallë është i dhimbshëm por në shumicën e rasteve është i dallueshëm që në fazat e hershme të tij. Prandaj kontrolloni vazhdimisht lëkurën tuaj dhe jo vetëm në zonat e ekspozuara ndaj Diellit. Nëse vini re diçka të pazakontë, përfshirë çdo ndryshim në ngjyrë, formë apo madhësi, mos hezitoni të paraqiteni tek mjeku juaj. Është e vërtetë që melanomat shfaqen më shpesh në zonat e ekspozuara ndaj diellit, por ato mund të shfaqen edhe në ato zona që nuk kanë qenë kurrë të ekspozuara.
Pasi janë diagnostikuar dhe trajtuar, rekomandohen kontrolle të rregullta dhe këshillime pasi ekziston rreziku që të zhvillohen përsëri. Sa më herët të ekzaminohen dhe të trajtohen aq më e mirë është edhe prognoza. Prognoza nuk është shumë e favorshme sidomos kur melanoma metastazon në kocka, mëlçi apo edhe në pjesë të tjera të trupit.
Si ndikon ngjyra e lëkurës
Personat më të rrezikuar janë ata që kanë lëkurë të bardhë. Të kesh më pak pigment melanine në lëkurë do të thotë të kesh më pak mbrojtje ndaj rrezeve UV. Nëse keni flokë biondë apo të kuq, quka apo digjeni shpejt nën rrezet e diellit, ju keni më tepër mundësi të zhvilloni melanoma.
Si ndikon djegia nga dielli
Një apo më shumë episode të djegies së lëkurës nga rrezet e diellit në fëmijërinë tuaj mund të rrisin rrezikun e melanomës në moshën adulte. Ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit, rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të lëkurës.
A mund të jenë të rrezikshme nishanet
Nishane të shumta apo nishane të pazakonta në pjesë të ndryshme të trupit mund të jenë një faktor risku. Të paturit më shumë se 50 nishane të zakonshme në trup tregon një rrezik të lartë për të zhvilluar melanomë. Gjithashtu, edhe ekzistenca e nishaneve të pazakonta tregon për një tendencë ndaj mundësisë së zhvillimeve malinje në lëkurë.
Histori familjare të melanomës
Nëse një i afërm, prind, fëmijë apo vëlla ka patur melanomë, individi ka një mundësi më të madhe për ta zhvilluar atë.
Sistem imunitar të dobësuar
Në këtë kategori futen të gjithë pacientët me HIV/AIDS dhe ata që i janë nënshtruar një transplanti.
Parandalimi dhe zbulimi i hershëm
- Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet ultravjollcë
- Duhet të shmanget me çdo kusht djegia nga dielli.
- Gjatë ditëve të nxehta, duhet të qëndrohet në hije në orën 11:00-16:00, atëherë kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe.
- Rekomandohet të mbahen kapele, syze dielli dhe veshje të përshtatshme.
- Të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës.
- Të mos ekspozohen kurrë drejtpërdrejt në diell, foshnjat deri në moshën njëvjeçare.
- Veçanërisht fëmijët është mirë të mbrohen nga dielli.
p.k\dita
