Pas deklaratave të Sali Berishës dhe mediave pranë tij se Shtetet e Bashkuara i kanë hequr statusin “non grata”, Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar për disa media.
Në deklaratën e dërguar për Euronews dhe Pamfletin, DASH nuk flet për anulim të vendimit të vitit 2021 dhe as për heqje të shpalljes “non grata”. Në vend të kësaj, përdoret termi “waiver”, një përjashtim i posaçëm që mund të jepet për arsye që lidhen me interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
“Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime (waivers) për disa prej përcaktimeve sipas nenit 7031(c) të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi të rëndësishëm kombëtar”, tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kjo është e gjithë përgjigjja e DASH. Ajo që bie në sy është se në asnjë rresht nuk thuhet se është shfuqizuar vendimi me të cilin Sali Berisha u shpall i papërshtatshëm për hyrje në SHBA. Nuk përdoren termat “revokim”, “anulim”, “heqje” apo “shfuqizim” i përcaktimit. Por përdoret termi “waivers”.
Një “waiver” nuk do të thotë domosdoshmërisht se vendimi fillestar është anuluar. Ai do të thotë se, për arsye të caktuara (shpesh të lidhura me interesin kombëtar të SHBA-së), personi ose subjekti përfiton një përjashtim nga pasojat e atij vendimi: kufizimi i udhëtimit nuk zbatohet në një rast të caktuar, personi lejohet të hyjë në SHBA për arsye specifike, etj. Si për shembull një zyrtar i sanksionuar duhet të marrë pjesë në OKB, duhet të takohet me administratën amerikane, një figurë politike nevojitet për negociata. Atëherë jepet waiver.
Elementi tjetër është se më 19 maj 2021, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken, shpalli publikisht Sali Berishën dhe familjen e tij si persona të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes së pretenduar në korrupsion të konsiderueshëm.
Vendimi nuk preku vetëm ish-kryeministrin. Bashkë me të u shpallën të papërshtatshëm për hyrje në SHBA edhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, vajza Argita Malltezi dhe djali Shkëlzen Berisha.
Nëse do të flitej për një heqje të plotë të përcaktimit të vitit 2021, logjikisht do të duhej të kishte një sqarim edhe për statusin e familjarëve të përfshirë në të njëjtin vendim. Por përgjigjja e DASH nuk jep asnjë detaj në këtë drejtim.
Nuk sqaron nëse përjashtimi vlen vetëm për Sali Berishën, nëse përfshin familjarët e tij apo nëse bëhet fjalë për raste të tjera të sanksionuara sipas nenit 7031(c).
Ajo që konfirmohet zyrtarisht është se administrata amerikane ka lëshuar përjashtime për disa përcaktime të bëra nga administrata e mëparshme, duke argumentuar se një veprim i tillë i shërben interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Përtej kësaj, shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje.
Çfarë janë “waivers”?
Në praktikën amerikane, waiver është një përjashtim i posaçëm që i jepet një personi për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, edhe pse normalisht hyrja do t’i ishte e ndaluar. Në rastet e personave të shpallur “non grata” ose të sanksionuar sipas nenit 7031(c), kjo mund të nënkuptojë dhënien e një vize apo lejimin e hyrjes për një arsye të caktuar.
E rëndësishme është se waiver nuk do të thotë domosdoshmërisht heqje e sanksionit apo fshirje e statusit “non grata”. Ai është një përjashtim për momentin, në këtë rast i lidhur me dhënien e vizës ose lejimin e hyrjes në SHBA për një rast të caktuar.
Një raport i organizatës amerikane Human Rights First, i bazuar në të dhëna të siguruara nga vetë Departamenti i Shtetit, tregon se mekanizmi i Waiver-it është përdorur shpesh nga SHBA pa nënkuptuar domosdoshmërisht heqjen e sanksioneve.
Seksioni 7031(c) i ligjit amerikan kërkon nga Sekretari i Shtetit të ndalojë hyrjen në SHBA të zyrtarëve të huaj për të cilët ka informacion të besueshëm se kanë qenë të përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në korrupsion të rëndësishëm ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Mbi këtë bazë, në vitin 2021, ish-kryeministri Sali Berisha u shpall i papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, vetë ky mekanizëm parashikon mundësinë e përjashtimeve. Raste të tilla njihen edhe në praktikën diplomatike amerikane. Një kategori e veçantë janë zyrtarët e sanksionuar që lejohen të udhëtojnë në Nju Jork për takime të Kombeve të Bashkuara, për shkak të detyrimeve që SHBA ka nga Marrëveshja e Selisë së OKB-së. Kjo marrëveshje u jep diplomatëve të drejtën e hyrjes për aktivitetet e OKB-së, edhe kur ndaj tyre ekzistojnë kufizime.
Po ashtu, Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime për zyrtarë të Uzbekistanit, Taxhikistanit dhe Turkmenistanit, kur ka vlerësuar se kjo i shërbente një interesi të rëndësishëm kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizata Human Rights First, gjatë viteve 2020–2024 Departamenti i Shtetit përdori dhjetëra herë këtë mekanizëm, duke lëshuar 61 përjashtime, pothuajse të gjitha lidhur me individë të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, jo korrupsion
Shumica e këtyre rasteve mbeten konfidenciale, pasi raportohen Kongresit amerikan në dokumente të klasifikuara. Megjithatë, disa raste janë bërë publike.
Një prej tyre lidhet me princin Nasser të Bahreinit. Organizatat e të drejtave të njeriut kishin kërkuar vendosjen e ndalimit të vizës ndaj tij për shkak të akuzave për torturë, por udhëtimi i tij në SHBA në vitin 2024 ngriti dyshime se Departamenti i Shtetit kishte përdorur një përjashtim.
Një tjetër rast lidhet me Arabinë Saudite. Pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, SHBA vendosi kufizime ndaj një numri zyrtarësh sauditë, por në raste të caktuara ka përdorur përjashtime kur ka gjykuar se kjo i shërbente interesave strategjike amerikane.
Një kategori e veçantë janë zyrtarët e sanksionuar të cilëve u lejohet të udhëtojnë në Nju Jork për seancat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo lidhet me detyrimet që SHBA ka sipas Marrëveshjes së Selisë së OKB-së, e cila u garanton diplomatëve të drejtën e hyrjes për aktivitetet e Kombeve të Bashkuara, edhe kur ndaj tyre ka kufizime ose sanksione.
Përjashtime të ngjashme janë përdorur edhe për zyrtarë të Uzbekistanit, Taxhikistanit dhe Turkmenistanit, kur Departamenti i Shtetit ka vlerësuar se lejimi i hyrjes i shërbente një interesi të rëndësishëm kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Ekspertët theksojnë se një waiver nuk përbën heqje të sanksionit dhe as rehabilitim të personit të sanksionuar. Ai është thjesht një përjashtim praktik, i bazuar në konsiderata diplomatike, strategjike ose të sigurisë kombëtare.
Me fjalë të tjera, një person mund të mbetet i sanksionuar sipas nenit 7031(c), por njëkohësisht të përfitojë leje të posaçme për të hyrë në SHBA. Kjo do të thotë se, në rastet e sanksioneve sipas nenit 7031(c), ekziston një dallim i qartë mes heqjes së sanksionit dhe dhënies së një përjashtimi. Heqja e sanksionit do të nënkuptonte shfuqizimin e vendimit që e shpall një person të papranueshëm për hyrje në SHBA. Ndërsa waiver është vetëm një përjashtim nga zbatimi i këtij kufizimi për një rast të caktuar.
