Fjalimi i ambasadorit amerikan dje në SPAK, i zhveshur nga retorika e zakonshme diplomatike, është një përzierje e interesit të drejtpërdrejtë amerikan, presionit të butë por të qartë ndaj institucionit dhe një sfide të hapur ndaj atyre që mendojnë se janë jashtë rrezes së hetimit.
Bie në sy që ai e ka zhvendosur qendrën e gravitetit: nga “idealja” te interesi i llogaritshëm. Ambasadori nuk flet më si mësues demokracie, por si përfaqësues i një shteti me interesa konkrete ekonomike dhe të sigurisë kombëtare.
Sektori i energjisë, infrastrukturës, turizmit dhe teknologjisë përmenden me emër. Nënkuptimi është se Shqipëria ka potencial, por paqartësia juridike, manipulimi i tenderave dhe pabarazia para ligjit i trembin kapitalet serioze amerikane.
Formulimi “Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht” nuk është vetëm moralizim. Në kontekstin aktual shqiptar, ky kombinim, tenderat e mëdhenj, energjia, infrastruktura dhe mosprekshmëria e pushtetit, dihet ku të çon. Pa përmendur emra të përveçëm, diplomacia amerikane vizaton pikërisht atë fushë ku përqendrohen fondet më të mëdha publike dhe ku vëmendja hetimore e publikut ka në qendër figura të larta të ekzekutivit, si Belinda Ballukun, e cila drejton dy nga sektorët kyç të përmendur në fjalim.
Mesazhi analitik që del prej këtej është i qartë. Pesha politike apo funksioni i lartë shtetëror nuk mund të shërbejnë si mburojë kur vihet në pikëpyetje barazia e garës dhe e ligjit.
Edhe pse fjalimi është i kujdesshëm dhe teknokratik, ai ka disa nënkuptime të qarta në kontekstin shqiptar. I bën thirrje SPAK-ut të jetë instrument i ligjit, jo i hakmarrjes apo selektivitetit. Porosia për zbatim të barabartë, pa u ndikuar nga pozicioni, lidhjet apo rëndësia e një personi, është një mburojë ndaj presionit të brendshëm, por njëkohësisht një kujtesë se standardi i provës duhet të jetë i pakontestueshëm.
Lidhja e trafikut të kokainës në Europë me kartelet e Amerikës së Jugut, të cilat SHBA i ka shpallur organizata terroriste të huaja, e ngre punën e SPAK-ut në nivelin e sigurisë ndërkombëtare. Kur SPAK-u godet një rrjet kriminal, ul fluksin e parave dhe fuqisë së rrjeteve që ndikojnë edhe jashtë kufijve shqiptarë.
”Basti” i zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve është një nga fjalitë më domethënëse të fjalimit: “Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve…”. Këtu nënkuptohet se korrupsioni i nivelit të lartë dhe krimi i organizuar mbështeten te mosdija teknike, por edhe te ngadalësia procedurale dhe kufijtë juridiksionalë.
Mesazhi është i dyfishtë për zinxhirin e drejtësisë. Mbështetje, por edhe llogaridhënie. “Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush” vjen menjëherë pas kushtit: ndërsa i bazoni vendimet vetëm te barazia para ligjit. Mbështetja amerikane nuk është më çek i bardhë. Ajo do të lidhet me integritetin dhe kapacitetin real për të çuar deri në fund çështje komplekse.
DITA
