Nga Migena Aleksi
Në videon në fund të këtij shënimi, i moshuari që drejton opozitën shqiptare ka bërë thirrje për t’u “derdhur në sheshet e Shqipërisë”.
Vetëm se ngatërron pak datën.
Është lodhja prej një ligjërimi që përsëritet mekanikisht prej vitesh e dekadash.
Por ironia bëhet e mprehtë kur kjo thirrje për sheshe vjen pikërisht nga ai që, me futjen e tij në një protestë antipartiake, aty ku zëri i revoltës thërriste “burg Rama, burg Berisha”, arriti ta prishë dhe ta tjetërsojë natyrën e saj.
Ajo protestë kishte lindur pikërisht si refuzim i logjikës së vjetër politike dhe i atyre që mbajnë peng hapësirën publike.
Ndërhyrja e tij e ktheu një pakënaqësi me frymë kundër-sistemi në një terren të njohur përplasjeje, duke e zbehur pikërisht atë çfarë e bënte të dallueshme.
Sot, i njëjti personazh që kontribuoi në prishjen e atij momenti, ngrihet sërish dhe kërkon mobilizim në sheshe, sikur historia të mos ketë lënë gjurmë dhe sikur kujtesa publike të jetë një tabelë e fshirë.
Çdo thirrje e tij për sheshe përballet gjithmonë edhe me kujtesën e rëndë të asaj çfarë ka ndodhur më parë në ato sheshe. 21 Janari mbetet një nga plagët më të rënda të memories sonë. Dita kur u vra protestuesi.
Hijet e së kaluarës rëndojnë dhe bëhen matës të kredibilitetit sot që ajo e kaluar po përsëritet.
Mes gafave që po shtohen, tjetërsimit të protestave antipartiake dhe kujtesës së 21 Janarit, thirrje si kjo janë zëri mjeran i n epoke të marrë fund që përpiqet të mbijetojë vetëm për t’i shpëtuar drejtësisë së çalë njerëzore.
DITA
