Nga Vlash Laçka
Botuar në DITA
Shtysën për të formuluar problemet që do të shtroj më poshtë ma dhanë njoftimet për Shpiragun, për më tepër se si u “shkrifën” nga lartësitë e piramidës deri tek “kompetentët” e televizionit kur “zbuluan pa pritmas” madhështinë e Shpiragut.
Që është lajm i gëzuar nuk diskutohet, aq më tepër që unë e shijoj pak më tepër për lidhjen e dyfishtë që kam me të. Nëse shumica e njerëzve me Shpiragun përfytyrojnë të mirën që mund t’ju vijë më shpejtë në familjet e tyre për një ekonomi shtëpiake më të mirë, mua mu rishfaq shpresa se qeveria e ktheu më në fund kokën tek burimet natyrore.
Në mënyrë të përsëritur, edhe këto kohë, Banka Botërore vlerëson se “burimet natyrore janë kritike për proceset e prodhimit, jetesën dhe zhvillimin social. Ato përfaqësojnë një pjesë thelbësore të pasurisë së një vendi dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme për të përcaktuar zhvillimin ekonomik afatgjatë”.
Kur sheh që edhe për Shpiragun ekranet televizive mbushen me persona që duken si të abonuar, të cilët dinë për naftën një çikë më shumë se qytetarët e zakonshëm, të krijojnë përshtypjen sikur edhe media është futur në vallen për të nxjerrë jashtë loje specialistët e vërtetë e të pa numërt të kësaj fushe që mund të gjenden këtu, por edhe në kompanitë e madha të naftës në botë si drejtues punimesh në disa kontinente, të vlerësuar shumë profesionalisht.
Ka të ngjarë të hasni edhe ndonjë specialist të shkëlqyer të Institutit tonë të Naftës që mund të vijë për Dumrenë në krye të ENI-t shqiptar. Ku i dihet mund të dilni edhe kushërinj apo krushq me të.
Duke ndjekur këto ditë debatin për Shpiragun në një auditor (ekonomistësh etj) ku secili shpaloste kompetencën e tij për vlerat e larta ekonomike të këtij VB (vendburim), aq sa e “nxorrën jashtë loje” profesorin e shquar të naftës F. Shehu. Zërat u ngritën më lartë kur u shpalos si argument themelor analogjia me Val d’Agri-n, duke bërë “llogaritje të sakta” sa do nxirret dhe si do rrjedhin dollarët në “fondin sovran”.
Saktësia për të vlerësuar prodhimin, kërkon një shkallë sigurie 50 – 90 % ku duhet të operojë ekonomia, ndërsa në sipërfaqen ku është vërtetuar naftëgazmbajtja dhe fillon konturimi e vlerësimi i asaj zone ku ndodhen puset e parë – pranohet 25%, analogjia përdoret në vlerësimin e rezervave perspektive (spekulative) të naftës e gazit të një strukture të re të pa provuar dhe siguria e rezervave që mund të gjenden (të pa vërtetuara) atje, vlerësohet vetëm 0 – 10%. Eshtë profili im.
Eshtë normale që Kryeministri apo zëvendësja e tij të përdorë edhe shprehje si ato ”naftë si e Arabisë Saudite” apo “fondi sovran” që të përjetohet optimizmi që sjell ky eveniment i rëndësishëm. Natyrisht informacionin e vërtetë e di vetëm Ai (Shell-i), se “kontrata është “konfidenciale”; që sot është absolutizuar “nën sqetullat” e qeverisë.
Kontrata e licensimit me të gjithë parametrat për shfrytëzimin e vendburimit fillon kur të jetë plotësuar njohja e madhësisë së rezervuarit natyror nëntokësor, e kapacitetit naftëmbajtës e naftëdhënës të tij, dorëzohen rezervat e naftës dhe gazit dhe materializohet me Planin e Zhvillimit (PoD), që përbën dokumentin bazë për licensimin e futjes në shfrytëzim të tij (25 +5 vjet) dhe shfrytëzimin racional të rezervave.
Unë si specialist i fushës e shoh problemin në aspektin e inxhinierisë (specialitetet e naftës -gjeologë e teknologë) dhe të ekonomisë inxhinierike dhe prej kësaj më lind shqetësimi se ato ”kokrra” të pakta specialistësh nuk paskan qenë të aftë t’i japin kryeministrit informacionin e plotë se ky vendburim me karakteristikat e tij të dallueshme gjeologjikisht të truallit shqiptar që edhe si naftë na ngjan në radhë të parë me atë të vedburimit të madh të Cakranit, apo edhe të Delvinës që na ka mbetur “në diell” nga kompanitë e “huaja” pa identitet origjine.
Ai kati i madh naftëmbajtës prej afro 1.000 metrash është kapur edhe në Cakran madje edhe në Gorisht (i cili më 1974 prodhoi një milion e 243 mijë ton naftë / vit dhe si vend 2 milion 248 mijë). Të gjithë këto kanë vulën e specialistëve vendas.
Optimizmi që sjell prania e SHELL-it lidhet edhe me faktin se ai është një nga aksionerët kryesorë në dy vendburimet në gëlqerorë të krahinës së Bazilikatës në Italinë Jugore, (Val d’Agri me ENI-n dhe Tempa Rossa me TOTAL), pra ato i njeh mirë (Val d’Agri ka aritur të prodhojë naftë deri 5 milion ton/vit, me rezerva 68 milion ton naftë, me 38 puse të shpuar dhe 24 që prodhojnë.
VB i dytë Tempa Rossa i ka rezervat dhe prodhimin sa gjysma e Val d’Agri-t. Në 2022 të dy VB prodhuan 3milion 656 mijë tonë naftë). Prandaj edhe analogjia gjeologjike dhe naftëmbajtëse me ta për Shpiragun është më e përshtatshme që e bën më bindëse perspektivën e madhe të vendburimit tonë.
Veçse strategjia e tij për të vazhduar konturimin dhe paralel vlerësimin e vendburimit vetëm me një sondë kur shpimi i pusit zgjat deri në një vit, e lë të hapur kohën se kur do të konturohet e vlerësohet për t’u futur në shfrytëzim.
Thelbi i problemit që po ju drejtohem si ligjvenës dhe vendimmarrës qeverisës është se shtetit tonë prej 15 vitesh i ka munguar vlerësimi për zhvillimin e burimeve natyrore. Dhe nuk kujtohen se para 15 vitesh një specialist i drejtorisë shkencore të ish ministrisë socialiste të bujqësisë, sa hipi “në karrige”, i qethi institutet e profilit inxhinierik me gërshërët e deleve. U hoq profesionalizmi që të mbillej dilentantizmi për vlerësim dhe vendimmarrje.
Nuk e di nëse tani, teksa sheh trasetë e rrugëve dhjetra e qindra milionë euroshe që shëmben dhe dyfishojnë kostot e ndërtimit të tyre, i ka vajtur mendja se po të mos ishin ndërmarjet e institutit të gjeologjisë inxhinierike dhe të hidrogjeologjisë, së bashku me Institutin e Gjeologjisë, mund t’i shihte digat e hidrocentraleve të shëmbeshin dhe Shkodrën të zhytur nën ujë si Kukësi i vjetër.
Meqë ju zotërinj deputetë qendroni në majë të piramidës së pushtetit, veçanërisht ata të profilit teknik, vlerësoj se do të vini pikat mbi “i” tek roli i Inxhinierisë. Bota flet për teknologji, ndërsa ne nuk kemi inxhinieri.
Po e përdor informacionin për naftën, që e kam ndjekur në ecuri, për të argumentuar më saktë problemet që shtroj. Vetëm ju mund ta impononi ndryshimin e kërkuar. Shtetet e zhvilluara dhe ato që zhvillohen për së mbari e kanë inxhinierinë të lidhur ngushtë me microekonominë (kaloni nga Kanadaja e SHBA-ja, nëpër Europë e me radhë dhe qendroni në Japoni, të cilën bota e quan shteti inxhinierik). Tek ne mikroekonominë e kanë lënë tek “fjalori i xhepit”.
Këto shtete vlerësojnë se:
– Zhvillimi ekonomik i çdo vendi varet nga shfrytëzimi i burimeve, nga politikat e qeverisë, nga shkenca dhe teknologjia dhe nga ndërgjegjësimi për mjetet më të avancuara për zhvillimin ekonomik.
– Ekonomia inxhinierike është një pjesë e madhe e ekonomisë totale të vendit me aplikimin e projekteve inxhinierike.
– Inxhinierët përbëjnë thelbin e zhvillimit inovativ dhe luajnë një rol vendimtar në adoptimin e shkencës dhe teknologjisë.
– Një nga sfidat kryesore për inxhinierët është përdorimi i burimeve vendase me anë të teknologjisë së lartë në mënyrë që një shoqëri të ketë një ekonomi të ekuilibruar.
– Inxhinierët kanë përvojë praktike në terren në fusha të ndryshme duke përfshirë menaxhimin, kështu që ata duhet të bëhen pjesë e politikëbërjes publike pasi njohin më mirë faktet dhe shifrat e fushave. Inxhinierët duhet të përfshihen gjithashtu në menaxhmentin më të lartë ose në burokraci.
– Si teknokratë ata mund të përdorin fuqinë e tyre të autoritetit për të marrë vendime të bazuara në realitetet tokësore.
Për burimet natyrore të vendit tonë ka studime të mirëfillta: për perspektivën e naftës dhe gazit, të kromit, bakrit dhe qymyreve, të burimeve ujore, etj. me angazhimin e specialistëve më të shquar e me përvojë shumë të gjatë, që e rriti vlerën ekonomike në kohë të këtyre pasurive, (në gjysmën e dytë të viteve ’80 Kom. Shk & Tech. organizoi dhe menaxhoi realizimin e këtyre studimeve, që i kam ndjekur nga afër).
Nisur nga kjo them se dëmi pasuror është i madh nga menaxhimi i pa përshtatshëm për burimet natyrore të vendit tonë në sistemin e ekonomisë së tregut, në sektorin e naftës akoma më i madh, por perspektiva ekonomike e këtyre burimeve për vendin tonë mbetet përsëri e madhe. Prandaj rrugëzgjidhja mbetet rivitalizimi i kapacitetit inxhinierik të vendit dhe venia në baza të forta të ekonomisë inxhinierike.
Unë dhe kolegë të mij, të respektuar profesionalisht dhe moralisht për vlerësimin e burimeve natyrore në ekonominë e vendit kemi sugjeruar “me zë të lartë” se strategjikisht me këta burime po ecet në drejtim të kundërt dhe është kërkuar të organizohen takime ballafaquese me problematikën që sugjeronim për të rindërtuar strategjinë ekzistuese “të thatë”, që ka çeduar në një strategji diletante duke braktisur profesionalizmin. Asnjë veprim, madje as na është kthyer përgjigje për sugjerimet tona.
Shpiragu nuk është thjesht një lajm, një shpresë, një eufori. Vendburimi i Shpiragut, pavarësisht se sa i madh do rezultojë, për gjeologjinë e naftës ka një vlerë të madhe se e rrit perspektivën naftëmbajtëse të vendit nga që shton mundësinë e strukturave të reja sidomos nën mbihypjet. Dhe këto struktura perspektive duhen përgatitur nga specialistë me përvojë të kompleksit të metodave gjeologo- gjeofizike, që i kemi patur me shumicë.
Dhe është krijuar një bazë shumë e madhe me të dhënat gjeologo-gjeofizike e përftuar për gjeologjinë e naftës nga marrëveshjet e shumta të kërkim – zbulimit, cilësisht më të larta falë teknologjive të kohës, që do të çojnë në evidentimin e strukturave perspektive me shkallë sigurie më të lartë.
Ja përse Shpiragu kërkon që për naftën të ndërtohet një strategji e re e Naftës dhe Gazit me vizion të plotë për perspektivën e zhvillimit të saj.
Që të realizohet kjo duhet të njihet e pranohet çfarë strategjie është ndjekur deri tani për sektorin hidrokarbur që e çoi atë në një degradim të tillë.
Në hapësirën 30 vjeçare dallohen qartë dy linja strategjike të zhvillimit të sektorit hidrokarbur: a) ajo nga fillimet e periudhës së tranzicionit deri në vitin 2005, që u ndërtua konformë praktikave më të mira të botës; b) periudha tjetër prej saj deri tani, që u zhvillua në sense të kundërta strategjike, krahasuar me atë që ndjek bota.
Në periudhën e parë deri në vitin 2005 sektori hidroakarbur është i pari sektor në vend që futi elementet e ekonomisë së tregut qysh në vitet 1989 – 1990, me lidhjen e marrëveshjeve të para hidroakarbure me kompani prestigjioze ndërkombëtare për kërkimin e naftës në det. Madje më i avancuar edhe se ish shtetet socialiste të Europës Lindore.
U krijua me naftën modeli më i mirë i ristrukturimit, në baza gjithmonë e më të shëndosha për tranzicionin e tij në sistemin e ekonomisë së tregut të sektorëve strategjikë, model që u përzgjodh dhe u zbatua me sukses pak më vonë tek KESH-i. Këtë e bënë inxhinierët ministër, zv.ministra e drejtues teknikë të fushës.
Edhe sot duhet ti jemi mirënjohës Prof. Thomas W. Wälde (në vitin 1990 – Interregional Adviser on DTCD/United Nations; New York) – personaliteti i shquar në botë, i cili përzgjodhi marrëveshjen hidrokarbure me ndarje prodhimi (PSA) që nuk e cënonte Kushtetutën e vitit 1976, sepse prona dhe administrimi i saj ishin të shtetit.
Kjo sepse ai vlerësonte aftësinë profesionale të specialistëve tanë gjeologë, sizmikë e teknologë të vendburimeve dhe kontribuoi për kualifikimin e stafit teknik të Agjencisë Kombëtare të Hidrokarbureve. Bashkë me Institutin e Naftës u ktijua një ekip që respektohej profesionalisht nga të gjitha kompanitë e mëdha me të vërtetë të huaja.
Për periudhën nga viti 2006 gjerat u zhvilluan në drejtim të kundërt. Praktika e ndjekur në vitet 2007 – 2009 deri në gusht 2013 e në vazhdim për privatizimin e sektorit hidrokarbur ishte në sens të kundërt të thelbit strategjik.
Edhe sot e kësaj dite qeveritë e pas vitit 2005 “nuk duan” të kuptojnë se Marrëveshjet me Ndarje Prodhimi (PSA) që u miratuan kur ishte në fuqi Kushtetuta e vitit 1976, nuk janë Koncesione. Ndërkombëtarisht formulohet qartë se tek PSA – ja pronësia dhe kontrolli i burimeve (rezervave) të naftës e gazit janë të drejta të shtetit, i cili kontrollon gjithmonë menaxhimin dhe vendimmarrjen e procesit. Regjim fiskal në PSA- është sistem kontraktual, ndryshe nga sistemi koncesionar i koncesioneve.
Ministria e Energjetikës dhe Ministria e Financave nuk do t’ja dijë për këtë dhe një strukturë e shtetit, QKB – (Regjistri i shoqërive Tregtare dhe i Licencave), ka mbi 15 vjet që del mbi shtetin dhe vazhdon t’i rregjistrojë Marrëveshjet me Ndarje Prodhimi si Koncesione, madje ka disa vite që na paskan “zbuluar” se ato janë “PPP”, pra i transferon pronën kompanive.
Ballafaquar me strategjinë e re të energjisë (e v. 2007 dhe v. 2018) si mund të konsiderohet strategji e zhvillimit të sektorit hidrokarbur kur ti nuk di sa janë rezervat e naftës e të gazit, në bilancin e shtetit nuk ke asnjë vlerë për sasinë e rezervave dhe të vlerës ekonomike (NPV) të tyre; nuk ke asnjë bilanc të strukturave perspektive naftëgazmbajtëse dhe të shkallës së përgatitjes së tyre, nuk ke asnjë informacion për përdorimin e rezervave nga kompanitë e licensuara, nuk ke specialistë të mirëfilltë për hartimin e kësaj strategjie.
Në raportin që i dërgon EITI Albania Sekretariatit ndërkombtar të EITI dërgohet çdo vit bilanci i vjetëruar (i viteve ’70), shumë larg atyre të sotëm .
Për hir të sloganit “me naftën tonë merren të huajtë, ne nuk kemi më punë”, u fye një armatë e tërë naftëtarësh në Jubileun me emër të madh “100 vjetori i Industrisë së Naftës”.
U fsheh historia e naftës tonë këto 30 vitet e fundit, ku kompanitë nuk japin asnjë informacion se çfarë kanë bërë me pronën tonë. Për ta futur në errësirë edhe historinë e para ’90-ës, u përmendën vetëm metrazhi i shpuar dhe kilometrat e profileve sizmike, ndërsa u fshi thelbi i vlerave të mëdha ekonomike të kësaj industrie, rezervat e naftës e të gazit të zbuluara e të futura në shfrytëzim, vënia në baza shkencore e zhvillimit të vendburimeve dhe eksperimentimet e panumërta të teknologjive të avancuara EOR që çuan në rritjen e nxjerrjes së rezervave të naftës e gazit, grafiku progresiv i prodhimit të naftës e gazit në vite që të kujton ngjitjen në malin e Shpiragut, etj. Jubile turpi.
Për ta lezetosur lajmin e Shpiragut u përmend Norvegjia. Jo vetëm për nga prodhimi shumë i madh, por shteti norvegjez është perfekt në menaxhimin dhe administrimin e industrisë së naftës. Çdo gjë e menaxhon dhe kontrollon shteti me specialistët ekspertë të vendit. Për 1 vit e gjysënm mobilizoi specialistët më të mirë të instituteve, universiteteve, të kompanive shtetërore dhe të administratës për naftën që formuluan Strategjinë e Naftës e gazit OG21 – sfida e shekullit.
Domosdoshmëri është ngritja e Institutit të Naftës dhe AKH, i pa tolerueshem mos zbatimi i Ligjit të ri “Për Hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi)”, ndryshuar dt. 2.2.2017 për ngritjen e tyre. Prandaj del domosdoshmëri hartimi i një Strategjie Zhvillimi të mirëfilltë të sektorit tonë të Naftës e gazit, me një vizion të plotë dhe në nivelet shkencore bashkëkohore.
—-
Autori i këtij artikulli ka aktivitet të shumtë të drejtpërdrejtë në sektorin hidrokarbur prej vitit 1964 deri në fund të 2006. Z.Laçka punoi 4 vite në Marinëz, 10 vite në Institutin e Naftës me vlerësimin e rezervave dhe zhvillimin e vendburimeve dhe 6 vite kryegjeolog i Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës. Ai ishte pjesë e gjitha grupeve të planifikimit të Naftës 1970 -1980. Për 8 vite ai punoi në Komitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Tiranë – gjeologji, naftë, miniera dhe 8 vite në Ministrinë e Energjisë si drejtues i politikave të zhvillimit të hidrokarbureve. Është bashkëautor i ristrukturimit të sektorit hidrokarbur, i legjislacionit për privatizimin e naftës dhe anëtar i këshillave mbikqyrëse të Albpetrolit, Armo-s dhe Institutit të Naftës. Ka qenë gjithashtu pedagog i jashtëm i Fakultetit të Gjeologji Minierave dhe bashkëautor i tekstit universitar të Gjeologjisë së Vendburimeve. Prej vitesh ka shkruar një numër artikujsh për sektorin e naftës në gazetën DITA.