Dinamika e plagosjes së deputetit Kliti Hoti sor në protestë është ende e paqartë. Në pamje shihet se si inspektori i policisë Ersild Alliu, tërhiqet një moment nga krahët nga dy kolegë të tij për ta distancuar.
Të tre janë duke u larguar, ndërsa disa protestues u janë vënë pas. Mes tyre dhe deputeti demokrat Kliti Hoti.Pikërisht në këtë moment inspektori Alliu kthehet, duke ngritur pushkën e duke qëlluar. Në çast, deputeti Hoti shihet të bjerë në tokë mes britmave të dhimbjes. Në zonën e shpatullave dallohet vrima e plumbit të gomës. Në ndihmë të tij vullnetarë të kryqit të kuq që u gjendën aty.
Policia e ka pranuar se efektivi ka qëlluar deputetin dhe ka njoftuar se ai nuk kishte marrë urdhër për këtë veprim. Pra, tashmë nuk kemi të bëjmë thjesht me një pretendim të opozitës, por me një incident të konfirmuar edhe nga vetë institucionet.
Për zhvillimet e mëtejshme, burimi më i rëndësishëm do të jetë hetimi i AMP-së dhe Prokurorisë, veçanërisht verifikimi i pamjeve filmike dhe i rrethanave të përdorimit të armës.
o.peci / dita
