Bota nuk do shkatërrohet nga ata që bëjnë keq
por nga ata që shikojnë dhe nuk bëjnë asgjë
Ainshtajn
Prof. asoc. dr. Rauf Dimraj
Duke lexuar artikullin e datës 30 dhjetor 2024, botuar në DITA nga Z. Artan Xh. Duka: “Tё veҫosh mes punёs e pёrkushtimit”- Publicitet, më lindi ideja të paraqes argumenta mbi rëndësinë dhe vlerat që ofrojnë edukimi fizik, sporti si dhe ndikimin e pensionit special në cilësinë e jetës të qytetarëve.
Loja, sporti janë pasuri të mëdha që zotëron njerëzimi që ndihmojnë në zhvillimin dhe ekuilibrin e njeriut gjatë gjithë jetës. Zhvillimi i lëvizjes sportive, nga pikëpamja shkencore fiziologjike, përbën bazamentin biologjik për fuqizimin e shëndetit dhe ndikimi i tij është mrekullues për mirëqenien e njeriut.
Sportistët tanë, në të kaluarën, janë stërvitur me pasion dhe vetmohim, me ndjenja të forta patriotike, me qëllim për të ngritur lart flamurin shqiptar, pavarësisht kushteve të vështira që përballonin si mënyra e ushqyerjes, mangësi në programet shkencorë për ngarkesat stërvitore. Mungonte programimi i kohës së nevojshme për riaftësimin nga ngarkesat voluminoze, si dhe nuk njihej rëndësia e marrjes së kriperave minerale që janë të nevojshme për rikrijimin e ekuilibrit biokimik të organizmit. Edhe pse shpesh pulsacionet e zemrës kalonin kufirin 220 rrahje në minutë dhe djersitja ishte maksimale, ata vazhdonin përpara me përkushtim.
Asokohe sportistët këshilloheshin të mos pinin ujë pas stërvitjeve shumë intensive. Ajo praktikë stërvitore ndikoi që shumë nga ata sportistë të shkëlqyer të humbnin jetën para kohe, megjithëse trajnerët ishin humane e bënin kujdes e sakrifica për sportistët. Pjesa më e madhe e atyre sportistëve që mbijetuan nga ajo e kaluar stërvitore, aktualisht po vuajnë nga sëmundje të rënda si infarkti, diabeti, mbitensioni, dëmtimet e shtyllës kurrizore. Kjo panoramë fatkeqe e me shtrirje të dëmtimeve kaq të mëdha, fatmirësisht nuk është shfaqur në profesione të tjera në vendin tonë.
Fatkeqësisht, një pjesë shumë e vogël e këtyre sportistëve të traumatizuar po përfitojnë pension special. Në ndryshim me disa profesione të tjera që e kanë merituar këtë shpërblim, sportistët kanë derdhur djersë dhe gjak, duke sakrifikuar kohën e rinisë dhe duke hequr dorë nga shumë gëzime të moshës, përfshirë edhe sakrificat e familjeve të tyre.
Aktivizimi pa mbështetje i sportistit që synon të arrijë cilësi ndërkombëtare nuk garanton dhe nuk mundëson përfitimin e fuqive të mëdha që sporti përmban, pavarësisht stërvitjeve intensive. Me fjalë të tjera nuk mjafton të praktikosh sportin me çfarëdo mënyre dhe të pretendohet se kemi realizuar automatikisht objektivin shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë kombëtare.
Rezultatet ndërkombëtare mund të arrihen nga bashkësia e burimeve të ndryshme përfshirë mbështetjen financiare, aftësitë gjenetike, metodologjinë shkencore stërvitore, vullnetin dhe pasionin e sportistit, aktivizimin e mjeksisë sportive, dhe nga kontributi i pushtetit vendor dhe qendror duke përfshirë edhe pensionin special. Publiku luan një rol të rëndësishëm si protagonist, pasi ai interesohet të shikojë në gara sportive rregulla të FAIR PLAY, cilësi të lartë sportive, spektakël dhe ndjenja patriotike etj.
Kontributi i Qeverisë aktuale për rritjen e kontributeve të shumëfishta të sportit bazohet në Strategjinë e Shëndetit Publik që ka në themel vlerësimin, mbështetjen, organizimin dhe implementimin, që në vitin 2014, të Platformës për Zhvillimin Shkencor të edukimit fiziko-sportiv në sistemin arsimor para-universitar shqiptar. Platforma mundësoi trajnimin teorik e praktik të mësuesve përkatës, rritjen e orëve mësimore javore të fizkulturës në shkolla në nivelin europian si dhe u punësuan 780 mësues të fushës. Me kërkesën dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama u themelua Federata Shqiptare e Sportit Shkollor, FSHSSH, e cila zbatoi “Kartelën Individuale të Nxënësit” për implementimin e shkencës në praktikën e lëvizjes nëpër shkolla. FSHSSH zhvilloi projekte të larmishme sportive në shkolla si dhe realizoi matjet e domosdoshme për vlerësimin e Përbërjes Trupore, BMI e për Cilësitë Fiziko-atletike për të 440.000 nxënësit e vendit.
FSHSSH, me angazhimin e madh dy vjeçar, për herë të parë Standardizoi në Shqipëri parametrat e Përbërjes Trupore, BMI si dhe Standardizoi parametrat e Cilësive Fiziko-atletike të 440.000 nxënësve mosha 6-18 vjeç të vendit tonë. Këto Standarde janë Risi jo vetëm për Shqipërinë dhe udhëheqin me saktësi punën e mësuesit të fizkulturës për mbrojtjen e zhvillimin e shëndetit të nxënësve. Standardet i shërbejnë edhe çdo instruktori të lëvizjes sportive.
Në këtë Strategji, gjithashtu spikat edhe pjesëmarrja e pakufishme e trajnerëve vullnetarë të cilët nxisin tek individi procese të mësimit dhe promovojnë modele të jetesës së shëndetshme të sjelljes, kulturës, moralit dhe humanizmit duke ndihmuar në frenimin e paramorfizmit dhe obezitetit në shoqërinë tonë.
Qeveria faktikisht ka bërë investime në infrastrukturën sportive në shkolla dhe në infrastrukturën e cilësisë së sportit e aktualisht po kontribuon në vleresimin dhe motivimin e sportit duke ofruar financime që tejkalojnë në mënyrë të ndjeshme shumat e dhëna gjatë 30 viteve të fundit së bashku.
Programimi dhe kontributi i sportit është një proces që mundëson realizimin e ndryshimeve metabolike, strukturore, funksionale në organizmin tonë duke u dalluar shumë me kontributet e profesioneve të tjera të njeriut, pasi:
- Udhëhiqet nga parimet e shumë shkencave: biologji, fiziologji, anatomi, psikologji, pedagogji, biomekanikë, dietologji, metodologjia e stërvitjes, etj.
- Përbën themelin për mbrojtjen, zhvillimin e shëndetit e për rritjen e jetëgjatësisë së praktikuesit, pasi prezantohet si faktori parësor, parandalues, terapeutik, bio-fiziologjik, dhe efikas, ndaj një numëri të shumtë të gjendjeve klinike të njeriut, si psh:
- Mënjanon obezitetin dhe mbipeshën dhe luan rol primar në riaftësimin e të sëmurëve, përfshirë edhe riaftësimin e tosikoindipendentëve
- Rrit masën e fuqinë muskulare, rendimentin e zemrës, mushkërive e enëve të gjakut
- Parandalimin e osteoporozës dhe rritjen e masës kockore
- Zvogëlon mbitensionin e gjakut
- Mbron nga hemorragjitë cerebrale
- Përmirëson diabetin
- Zvogëlon rrezikun nga kanceri
- Rrit me 5 vjet jetëgjatësinë, etj.
- Zhvillon dhe përhap kulturën e lëvizjes artistike trupore, humanizmin, respektin për kundërshtarin dhe mirëkuptimin reciprok midis njerëzve. Sporti ndikon që rinia të ndjehet e rëndësishme, të formojë miqësi, të rrisë bashkëpunimin dhe shkallën e vetnjohjes e të kundërshtarit, të ulë agresivitetin, si dhe favorizon marredhënie vellazërore midis njerëzve.
- Kudo sporti, organizimi i sportit dhe i spektakleve sportive sidomos ai i cilësisë së lartë, në ndryshim me shumë aspekte të tjera të jetës sonë, janë ngushtësisht të lidhur me botën shpirtërore të publikut, me identitetin kombëtar, si dhe zhvillojnë edhe Sektorin e Tretë Ekonomik që është një mënyrë shumë e mirë për të krijuar mundësi punësimi dhe rritjen e ekonominë së shoqërisë. Tashmë janë të njohura kontratat e futbollistëve europianë që arrijnë në nivelin e shpërblimit prej 400.000.000 euro.
- Sporti, referuar përmbajtjes sociale dhe psikologjike të situatës aktuale të të rinjve, u ofron atyre kontribute të dobishme duke i ndihmuar të zhvillojnë zakone, kulturë dhe mënyra të shëndetshme jetese. Ky proces për formimin e individit dhe rritjen e tij nëpërmjet lojërave argëtuese sportive, duhet të fillojë që në moshën 3 vjeçare siç është detajuar në Strategjinë e Qeverisë për Zhvillimin e Shëndetit Publik.
Këto kontribute të sportit kanë një rëndësi të madhe jo vetëm për shëndetin, kulturën, ambientin, ekonominë dhe politikën, por edhe në respektimin e më të dobtëve. Këto elementë janë pjesë integruese në kualifikimin intelektual të qytetarit e prej ku lind edhe tërheqja e madhe ndaj fushës së sportit.
Kjo gamë e gjerë kontributesh përbën një faktor stimulues shumë të rëndësishëm për mirëqenien e përditshme të shumë qytetarëve të Evropës. Organizimet e aktiviteteve sportive dallohen për numrin e lartë dhe për pjesëmarrjen masive, duke ndikuar fuqishëm në zvogëlimin e stresit të jetës së përditshme. Këto përfitime janë unike dhe nuk mund të gjenden në asnjë tjetër aktivitet të jetës sonë.
Sporti dhe cilësia e tij prezantohen si një rast privilegjues për të rinjtë, duke pasur rëndësi të madhe për egzistencën dhe interesat personale të individëve. Në këtë panoramë social-shoqërore, motivimi luan një rol thelbësor. Çdo individ e kupton mirë se sa ndikim ka motivimi apo mungesa e tij në rendimentin dhe zhvillimin e një aktiviteti të caktuar.
Bazuar sa më sipër, kuptohet se rritja e numrit të pensioneve speciale për sportistët që kanë shkëlqyer gjatë karrierës së tyre, do të ofronte një stimul të fuqishëm, jo vetëm për përmirësimin e cilësisë sportive në Shqipëri. Janë këto cilësi që e karakterizojnë sportin një fenomenin parësor dhe më të dobishmin përsa i përket mbrojtjes dhe zhvillimit të shëndetit, pasurisë më të çmuar të njeriut, por gjithashtu edhe për rritjen e ekonomisë dhe të mirëqenies së të gjithë shqiptarëve.
Platforma Shkencore për zhvillimin e edukimit fiziko-sportiv në sistemin arsimor para-universitar, është pjesë themelore e Strategjisë të Shëndetit Publik të Shqipërisë ku konkretisht FSHSSH gjatë dy muajve trajnoi teorikisht e praktikisht me lojëra me lëvizje argëtuese disa qindra edukatore kopshteve të Tiranës. Këtë trajnim Këshilli i Evropës e konsideroi një RISI të shkëlqyer dhe menjëherë filloi edhe në Evropë zbatimi i kësaj metode të mrekullueshme.
Kontributi i FSHSSH, bazuar në zbatimin e kësaj Platforme është i programuar që 1 (një) euro investim i shtetit në fushën fiziko-sportive ofron 124 euro përfitim që shoqërohet me rritjen e ekonomisë së vendit me miliarda euro në një vit.
Por për çudi përballë organizmit maksimalisht efikas të FSHSSH për zhvillimin fiziko-sportiv të shkollave mosha 3-18 vjeç, fatkeqësisht është pozicionuar në mënyrë anakronike zëvendësministri i sporteve, z. Endrit Hoxha, dhe përgjegjsja në Drejtorinë e Projekteve znj. Elvira Baze.
Kjo celulë në ministrinë e arsimit dhe sportit ka vite që krijon pengesa konceptuale, burokratike, konformiste dhe ligjore, duke frenuar e përjashtuar ritmikisht ide për progresin shkencor dhe praktik të sportit shkollor kombëtar dhe duke dëmtuar rëndë Strategjinë e Shëndetit Publik Shqiptar.