Në 20 vjetorin e largimit nga jeta
Nga Albert Shala
1.
Me përkthyesin e njohur Robert Shvarc kam punuar tetë vjet në Radio Tirana. Kam pasur marrëdhënie shume të mira me të.
Për këtë, besoj që ndikonte edhe fakti që familja e tij ka jetuar në Shkodër. Edhe ai, i ardhur në Shqipëri, siç më ka thënë kur ka qene diku te mosha 14 vjeç, për fare pak kohë ka banuar në Shkodër, qytet të cilin e ka dashur përgjatë një jete.
Kujtoj që në një bisedë të gjatë te lokali i njohur me emrin “Breshka” në Plazhin e Durrësit, mëse 50 vjet të shkuara, ndërsa ishim me pushime të dy, ai më ka treguar gjerë e gjatë historinë e familjes së tij, dhe po aq edhe për Shkodrën sa e njihte e përse e donte. Interesant është se në atë bisedë, bash te Breshka që përdorej si ndër të paktet hotele të Plazhit aso kohe, ndërsa pinim nga një gote raki, ai me tha se ka banuar familja e tij për pak kohë pasi kishte ardhur nga jashtë.
Po në atë bisedë kujtoj që më tha se dikur, vite përpara, kishte nisur të shkruante një roman me temë nga Shkodra, që e kishte lënë në mes thuajse pa e filluar.
2.
Por me emrin e Bertit si përkthyes jam njohur së pari, nëse nuk gabohem, përmes librit të mrekullueshëm, “Tre shokët” te E. M. Remarkut, kur kam qenë gjimnazist. Ajo ka qenë një vepër që, si shumë të tjerëve të brezit tim, më ka lënë mbresa të paharrueshme. Prandaj edhe sot pas mëse 60 vjetëve kujtoj biseda e situata të pafundme nga ai libër, personazhet nga Roberti te Pati, deri edhe emrin e pastrueses dhe të makinës së famshme Karli, siç kujtoj kalvadosin e famshëm qe pihej thuajse në çdo faqe te atij libri, dhe ne nuk e dinim mirë- gjë që e mësuam më vonë-, që ajo pije shumë e pëlqyeshme siç e gjykonim nga larg ishte ku e ku me e fortë se konjaku ynë “Skënderbeu”.
3.
Mbaj mend që në fillim të viteve 70-të, kur punoja së bashku me Bertin në Radio Tirana, ai përktheu veprën e E.M Remarkut me titullin “Harku i triumfit”, që konsiderohej si më e rëndësishmja e tij. Por ai libër për shumë vjet nuk iu botua. Përse?
Siç thuhej atëherë “për mangësi ideologjike”, mangësi që mua si lexues, si shumë të tjerëve të etur për t’u njohur me vepra plot jehonë nga autorë të huaj, natyrshëm ia shtonin kureshtjen për të ditur se ç’kishte thënë shkrimtari i madh në veprën e tij.
Berti, kujtoj, ma dha këtë përkthim ta lexoj, me porosinë që t’ia ktheja shpejt. Mund të shtonte që mos t’ia tregoja askujt, por nuk më tha gjë tjetër. “Harku i Truimfit”, ishte në disa fletë të mëdha të daktilografuara, të lidhura, dhe natyrisht që e kam përpirë. Nuk më ka shpjeguar, ose nuk mbaj mend të me ketë thënë se përse ishte ndaluar të botohej libri, por për mua në atë kohë e rëndësishme ishte që ai haptazi shprehte besim, përderisa më jepte për lexim një libër me “mëkate”. Më pas kam mësuar, si paradoks i kohës, që sidomos prania në libër e një personazhi, ish biollogardistit, Boris, dhe pacifizmi që përshkonte romanin, kanë qenë ndër shkaqet e mbajtjes për disa kohë të librit në redaksinë e shtëpisë botuese. Ja çfarë ka shkruar Bert Shvarc-i per mosbotimin e përkthimit nga ana e tij të këtij libri të famshëm.
Ai shprehej: “…Botimi i “Harkut të Triumfit” nuk u miratua. Arsyeja? Ato nuk ishte vetëm idiotisht qesharake, por dhe poshtërisht të liga. “Heroi kryesor na qenkësh nja pacifist i pandreqshëm; urrejtja e tij ndaj regjimit hitlerian u bazokërka mbi shkaqe personale dhe jo mbi interesat e proletariatit të skllavëruar gjerman; ai qenkej një anti-komunist i betuar, sepse miku i tij më i ngushtë në Parisin e emigrantëve dhe bordellove ishte një rus i bardhë; pastaj dhe ajo dehja e vazhdueshme me kalvados dhe konjak e zhytkërka lexuesin në një pesimizëm pa rrugëdalje – e të tjera këso broçkullash”.
4.
Kujtoj gjithashtu që herët kam lexuar edhe një poezi te tij, si hebre që ishte nga i ati, për gjyqin e famshëm qe u bë në fillim të viteve 60-të ndaj Ajhmanit, një krimineli nazist i kapur në Argjentinën e largët dhe i gjykuar në Izrael për veprën e tij makabre. Ai proces, si i gjithë aksioni i të famshmit S. Viezental për kapjen ku ishin e ku s’ishin të kriminelëve nazistë të fshehur nëpër botë, në atë kohë ka pasë jehonë të madhe në shtyp e media që po zgjerohej nga dita në ditë.
Me këtë fakt,- poezia qe po përmend është botuar në gazetën Drita të asaj kohe.- dua të them që Berti ka lënë veç përkthimeve të mrekullueshme të disa romaneve nga gjermanishtja në shqip, edhe disa poezi origjinale, qe i përkasin sidomos rinise se tij, ku kryetemë është dashuria në atë moshë.
5.
Shume vite më vonë, kur të dy ishim larguar nga Radio Tirana në punë të tjera, ai në një takim të rastit më falënderoi për ngushëllimet që i dërgova kur i vdiq babai, Julius. Vitin e saktë nuk e kujtoj, por duhet të ketë qenë fillimi i viteve 80-të, 82 a 83.
Ka ndikuar për këtë lidhje me të në distancë, sidomos pasi unë u transferova në Krujë, edhe fakti që një vëlla i Bertit ka qenë i martuar me një vajze të familjes Kiri, me të cilën kishim lidhje të vjetra familjare. Ndërkohë, një motër të Bertit, Renatën, e kam pasë moshatare, por nuk kisha ndonjë shoqëri me te. E di që ka qenë mjeke.
Berti ka pasë për grua motrën e një aktori të mirënjohur, do të thosha një personaliteti të teatrit kombëtar, ende të pavlerësuar siç duhet, Prokop Mimës. Ka lënë pas edhe një djalë, ish student i dhjetorit , i cili ka punuar në Presidence për shumë vite dhe u largua prej andej tani së fundi. I biri ka botuar të përkthyer librin “Eksodi”, një vepër voluminoze, që flet për këtë fenomen të njohur të kombit izraelit ndër shekuj, vepër përkthimin e të cilës e ka nisur Berti dhe e ka përfunduar i biri.
6.
Berti familjarisht është i vetmi hebre nga Shqipëria i cili pas kthesës së viteve 90-të e hapjes së vendit tonë nuk shkoi si të gjithë familjet hebreje në shtetin e Izraelit, i cili në të gjithë pikëpamjet ishte ku e ku më i zhvilluar se Shqipëria jone e drobitur nga vitet e gjata të prapambetjes shekullore e të shtypjes nën regjimin diktatorial. Me sa di kanë qenë diku më shume se 400 familje.
Qëndrimi i tij me këtë rast ka lenë mbresa shumë pozitive në mjedisin shoqëror e politik të Tiranës e më gjerë në fillimet e kthesës demokratike. Dua të them që ishte një temë diskutimi, si shprehje e personalitetit të tij të veçantë dhe e formimit kulturor të nivelit më të lartë.
Është edhe ky një motiv më shumë përse në mjediset e ndryshme në kryeqytet ai nderohej e çmohej.
7.
Megjithëse jeta na ndau, në fillim të viteve 2000 Berti nuk harroi të më ftojë te “Piramida” e kthyer ne “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës”, fatkeqësisht pa kulturë, me rastin e 70 vjetorit të tij të lindjes. Kur jam takuar atë mbrëmje me të, e gjithë qenia e tij më është dukur shumë e lodhur, fytyra sidomos tregonte, se nuk do ta kishte jetën të gjatë. Kishte sëmundje të pashërueshme.
Mbas pak kohesh ai iku nga kjo botë, duke lenë për shumëkënd që e njohu plot kujtime te mira.
8.
Me veprën e Bertit jam “takuar” përsëri thuajse mëse dhjetë vjet pas ikjes se tij nga jeta, kur gjate nje vizite ne qytetin gjerman, Osnabruk, qe ishte vendlindja e shkrimtarit E.M.Remark, vizitova muzeun kushtuar atij. Në një stendë, krejt befasisht, pashë librat e përkthyer të Remarkut në shqip, dhe me kete rast bera nje shenim ne librin e pershtypjeve te muzeut, ku s’kisha si te harroja mikun e vjeter, Robertin, që na i solli në gjuhën tonë të bukur mrekullitë e përfaqësuesit më shprehës të “brezit të humbur”. Dhe jo vetëm ato…
9.
Berti ka qenë krejt i veçantë, madje po shtoj në kuptimin më të mirë të fjalës – noksan, jo vetëm ne sytë e mi, por assesi në kuptimin negativ të kësaj fjale. Ai ishte fanatik i pandreqshëm në ruajtjen e personalitetit të tij të pacenuar, aqsa, për ta shprehur thjesht po shtoj këto fjalë: po të kishe rastin te pije një kafe me të, duke paguar plot dëshirë, nuk e teproj po të shtoj që në ditët në vazhdim të ndiqte prapa për të marrë… hakun, për të paguar ai kafetë. Borxhet materiale kthehen në borxhe morale, sikur më thoshte ky qëndrim i tij, të cilin atëherë e quanim disi ekstremist, pa arritur të kuptonim thelbin e këtij tipari shumë të bukur të karakterit te tij.
Kush e ka njohur atë ne ato vite e derisa ndërroi jetë, jam i bindur që më jep të drejtë, sepse këtë e kishte mënyrë sjelljeje me cilindo.
10.
Si për fund, ja edhe një imtësi nga njohja ime me Robert Shvarcin:
Mund të duket e çuditshme, por në vitet që ishte përkthyes në Radio Tirana, Berti shumicën e atyre viteve ka punuar ne një qoshe korridori të ndërtesës së madhe të Radios, pra jo në zyrat e gjera e komode për kohën. Arsyeja e këtij qëndrimi ka qenë disi enigmatike. Thuhej se ishte në konflikt me një përkthyese. Këtë fakt e sjell për të treguar që ai, si natyrë e ndjeshme krijuesi e jo një përkthyesi mekanik, gjë që e kishte provuar ndër vite, nuk lejonte askënd t’i hidhte mbi shpatulla as qimen e flokut, si i thonë fjalës.
E në këtë vështrim, kujtoj që Berti nuk ka qenë miqësor me çdokënd, por kujtoj gjithashtu që askujt nuk i binte në qafë në atë mjedis që mblidhte aso kohe rreth një mijë punonjës me prejardhje, formim, interesa e kulturë te niveleve nga më të ndryshme.
Besoj që Berti e shihte veten në Radio thjesht si një nëpunës, bënte çfarë i takonte për të marrë rrogën, duke e mbajtur trupin e vështrimin gjithnjë drejt, ndërsa fjalën e duhur e mendimet në përgjithësi më së shumti i ka mbajtur ndër dhëmbë, si shumëkush. Pas 90-tës raportet e tij me realitetin e ri, – qoftë e shprehur edhe në rreshtat e një poezie shumë të bukur që ka shkruar për shokun e tij të ngushte A.Kacaruho, ish i dënuar i ndërgjegjes, -. e, mbi të tjerat, vlerësimet më të merituara që i janë bërë si në Shqipëri ashtu edhe në Gjermani, na e sjellin gjithnjë këtë figurë intelektuali me taban të shëndetshëm plot mirësi e dashuri, si shembull pre t’u mbajtur në kujtesë.