Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Qofsh e bekuar rinia e vëndit tim! Protestat dhe dy propozime racionale  
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Qofsh e bekuar rinia e vëndit tim! Protestat dhe dy propozime racionale  
Lajmi i funditopinion

Qofsh e bekuar rinia e vëndit tim! Protestat dhe dy propozime racionale  

Published: June 10, 2026
Shpërndaje

Nga Sherif BUNDO

Situata që po përjeton vëndi është e pazakontë. Zëmërimi popullor ka kapërxyer bindjet dhe kufijtë e ndasive politike. Nga këto protesta njerzit e zgjuar dhe veçanërisht institucionet nxjerrin konkluzionet për përgjegjësitë e tyre dhe kjo duhet të shoqërohet me një proces reflektimi të thellë, por edhe të shpejtë. Ndoshta është herët të konkludojmë, por unë nisem nga parimi që ashtu sikurse vonë nuk është asnjëherë, edhe reflektimi si proces arsyetimi dhe sjellje racionale nuk është herët. Këtë vendosa të bëj me këto rreshta në një shkrim publik.

Dashuria për vendin është zemra që rreh në çdo hap të kësaj proteste. “Ne duam të punojmë dhe të jetojmë në Shqipëri”, kumbon si një betim i përbashkët nga mijëra zëra të rinj që refuzojnë të heqin dorë nga e ardhmja e tyre. “Ne nuk duam të largohemi nga Shqipëria”, nuk është thjesht një slogan; është klithma e një brezi që kërkon të ndërtojë jetën e vet në tokën ku ka lindur, pranë familjeve, ëndrrave dhe rrënjëve të veta.

- Publicitet -

Vështirë të gjesh një njeri që ka ende gjak shqiptari në deje dhe të mos ndiejë krenari kur sheh këtë rini të ngrihet me kaq dinjitet, me kaq dashuri për vendin dhe me kaq besim te e nesërmja. Këta të rinj nuk po kërkojnë privilegje; ata po kërkojnë të drejtën për të jetuar, punuar dhe ëndërruar në atdheun e tyre.

Një mik i imi, tashmë në moshë pensioni, më tha me sytë që i shkëlqenin nga emocioni: “Mendoja se ky vend kishte vdekur, por qenkemi ende gjallë.” Dhe vërtet, jeta e një kombi matet me energjinë e rinisë së tij. Shpresa lind nga rinia. Guximi lind nga rinia. Ndryshimi lind nga rinia.

Në duart e saj janë fatet e vendit, ritmi i zhvillimit dhe drejtimi i jetës sonë shoqërore e ekonomike. Dhe kjo rini po dëshmon se është në lartësinë e përgjegjësisë historike që i ka rënë mbi supe. Ajo është në krye të detyrës, në krye të misionit të saj dhe, mbi të gjitha, në krye të shpresës së Shqipërisë.

Ka disa karakteristika protesta aktuale.

Së pari, është protestë me nerv të thellë dhe të fortë kombëtar. Kjo ndjenjë kombëtare është provokuar disa herë nga vendimmarrjet politike të papërgjegjshme. Me buxhetin e shtetit dhe me vendimmarrjet publike, sidomos në tenderime, leja ndërtimi dhe sjelljen ndaj territorit, zonave të nxehta, atyre turistike dhe shesheve publike në qytetet e mëdha, shohim një sjellje aq të papërgjegjshme sa të krijohet përshtypja se vendimmarrësit i trajtojnë këto vendimmarrje si copa keku të pjekur dhe servirur në sofrën private të pushtetarëve të rradhës. Mungon ndjenja e shërbimit ndaj komunitetit dhe aq më shumë përgjegjësia e dhënies së llogarisë. Mungon përulja. Te korrupsioni kupa është mbushur dhe derdhur. Ndryshimet në pronësinë e trojeve kanë prekur ndjenjën kombëtare të publikut dhe kjo nuk është e rastit. Me ndjeshmërinë ndaj prekjes dhe cënimit të territorit nuk bëhet shaka. Ka marrë kaq keq sa të gjithë thonë me vete: çfarë po ndodh kështu? Është xhindodur shteti. Të emocionon krahësimi që bëjnë protestuesit midis sjelljes politike të Abdyl Frashërit para 148 viteve dhe sjelljes së politikanëve aktualë të vëndit tonë. Ndoshta kjo meriton një analizë të veçantë të karakterit psikologjiko-ekonomiko-politik.

Së dyti, në thelb protesta po shpreh pakënaqësi dhe mosbesim ndaj institucioneve. Ky është mosbesim ndaj shtetit. Është e rrezikshme, por e vërtetë. Edhe pse është model si protestë paqësore, mbresëlënëse, të prek qytetaria e pjesmarrësve, dhe me fjalor etik, me mirësjellje, protestuesit nuk pranojnë tu bashkohen partitë politike, që sipas kushtetutës janë subjekte që përpunojnë opinionin publik. Protestuesit janë kundër të majtës dhe të djathtës. Janë përtej të majtës dhe të djathtës. Një analizë fine tregon se protestuesit po përdorin të njëjtin fjalor që ka përdorur vetë Rama dhe establishmenti i tij kur kërkonin dhe protestonin kundër PD. Veçoria e kësaj proteste është se protestuesit janë kundër edhe të majtës në pushtet, edhe të djathtës në opozitë. Ky rebelim ka të bëjë me lodhjen, ka të bëjë me shpirtin e raskspitur të publikut, me një akumulim aq të madh të pakënaqësisë sa që vetëm një i verbër nuk e sheh. Çertifikatat e paqarta të pronësisë dhe qëndrimi arrogant i qeverisë me statuset e posaçme te investitoreve janë vetëm shkrepsja që e ndezi gazin e presuar të pakënaqësisë së akumuluar.

Së treti, protesta është e rinisë. Kujdes kur revoltohet dhe shpërthen shpirti i revoltuar i të rinjve. Kush nuk kupton rininë, kush nuk lexon ëndrrat e saj dhe kush nuk respekton energjinë dhe entuziazmin e rinisë ndëshkohet rëndë. Të mos duket çudi që protestuesit të kalojnë në kërkesa më të artikuluara, në kërkesa politike. Kjo është e drejtë e tyre që të jenë të pakënaqur me mënyrën se si qeveriset vëndi, si përdoren paratë që paguajmë të gjithë ne. Rinia ka vrarë frikën. Kur rinia vret frikën, ajo përmbys malet. E ardhmja i përket rinisë. Temat delikate të lidhura me investimet strategjike, me pronësinë mbi tokën, me përdorimin e bregdetit, me ruajtjen e florës dhe të faunës, me mjedisin dhe paprekshmërinë e trojeve, janë të lidhura me jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Ç’farë kërkojnë protestuesit? Transparencë, janë kundër korrupsionit, padrejtësive, kundër përdorimit politik të administratës, punë, mirëqënie dhe dinjitet njerëzor. Ku ka më bukur! Ata vetë duhet ta marrin në dorë të ardhmen e tyre. Kjo është shënjë ndërgjegjësimi dhe shënjë pjekurie e rinisë. Kjo duhet të na gëzojë. Kjo rini që proteston në bulevardet e Tiranës ka djegur kartat e kujtdo që ka aluduar për nxitje të protestave nga jashtë. Protesta nuk ka lidhje as me konkurencën tregëtare apo xhelozitë dhe luftën për tregje.

Së katërti, protesta ka marrë dy dimensione të pahasura nga protestat e derisotme. Ajo po shtrihet në të gjitha qytetet e mëdha të vëndit dhe në kryeqytetet e Europës. Nga këto dimensione, mund të nxjerrim një konkluzion tjetër të rëndësishëm: publiku dhe rinia e sotme shqiptare nuk është më si ajo e para 35 vjetëve. Rinia dhe protestuesit e sotëm e shohin integrimin si qyterërim, si përgjegjësi për ta ndierë veten njëlloj si gjithë qytetarët europianë që e shohin qytetin, lagjen, rrugën dhe vëndin si shtëpinë e tyre. Ç’kuptim ka termi atdhe, po qe se vëndi menaxhohet në mënyrë të papërgjegjshme dhe interesat kombëtare cënohen kaq lehtë dhe kaq hapur?!

Para 35 viteve ishim më të varfër, ishim pa bukë, pa strehim, të mbyllur, pa shpresë. Situatën e ndryshoi vetëm ëndrra e studentëve dhe e rinisë. Revolta jonë e asaj kohe ishte edhe e imponuar prej vështirësive të jetës. Sot, për hatër të të vërtetës kushtet materiale janë ndryshe, sigurisht më të mira, por kjo nuk mjafton. Sot njerzit janë të zhgënjyer dhe zhgënjimi është dëshpërimi më i madh nerëzor. Protesta po tregon një të vërtetë të madhe: dëshpërimi dhe zhgënjimi ka vite që akumulohet, është kthyer në stres të të jetuarit, në pasiguri. Njeriu jeton dhe përshtatet edhe me vështirësitë por me kushtin që ka një fije shprese. Durimi është sosur, shpresa është vrarë, integriteti është nëpërkëmbur. Disa zona dhe krahina janë braktisur në menyrë të frikshme. Unë bukurinë e kësaj proteste e shoh pikërisht te ky fakt, që rinia e sotme nuk e lidh jetën vetëm me kushte materiale por ajo kërkon dinjitet më shumë, kërkon liri më shumë dhe është e lidhur shumë fort me vëndin. Kësaj rinie duhet ti jemi mirënjohës. Mua më emocionojnë shprehje apo parrulla që hidhen sot nga protestuesit si: ne jemi opozita e vërtetë, atdheu është yni, ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, Shqipëria e re, pse na keni zhytur kaq thellë, Shqipëria e shiptarëve, etj.  Sa e bukur shprehja e protestuesve: “refuzojmë të largohemi nga Shqipëria”! Qofsh e bekuar rinia e vëndit tim!

Së pesti, protesta tregon njëherësh konfliktin midis sjelljes autoritare, sipas modelit konservator, apo sipas modelit tradicional pa njohur dhe pa marrë mirë në kondideratë progresin teknollogjik, mungesën e transparencës, shpejtësinë e komunikimit. Disa e vrasin mëndjen dhe e lodhin trurin pas teorive konspirative për ndërhyrje nga jashtë, për nxitje nga forca të errëta, etjera. Unë mendoj se rebelimi i shpirtrave të zhgënjyer nuk mund të qetësohet me demagogji si ajo e para 30 viteve. Ka një kontradiktë të thellë midis pritshmërive dhe realitetit, premtimit dhe të përditshmes. Është krijuar një hendek i madh midis dy ekstremeve, të pasurve dhe të varfërve. Shtresa e mesme e trëmbur, e terrorizuar, pa liri, e kërcënuar, veçanërisht ajo pjesë e lidhur me administratën publike. Ajo që mund të bëhej garanci për një ekulibër, është bërë shtojcë e një mekanizmi korruptues. Nuk është pak ky zhgënjim.

Çfarë duhet bërë në këto kushte?

Intuitivisht kupton që ka dy sjellje: ka një opinion që buron nga kapja fort pas interesave materiale, që protestën e lexon me inatin e pakënaqësisë së prishjes së rehatisë, të prishjes së komoditetit të pushtetit. Për ta protesta është pa vlerë, protestuesit nuk kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqje të qeverisë, sepse pushtetin qeveria e ka fituar me votë. Për këtë pjesë të shoqërisë kam këtë pyetje: a ka kuptim pushteti dhe qeverisja kur nuk të binden të qeverisurit, apo kur nuk të pranojnë të qeverisurit? Është cënuar diçka thelbësore që ka provokuar një protestë dhe rebelim kaq masiv. Çfarë kuptimi ka koncepti i numrit të deputetëve kur gjithë rinia ka shpërthyer në protesta? Në se ka ndonjë që nuk beson te fjala “gjithë rinia” le të hedhë një sy nga auditoret. Ka një opinion tjetër që shprehet prej protestuesve: të tërhiqet qeveria. Protestuesit e kanë identifikuar qeverinë me të keqen. Atëherë duhet reaguar sa nuk është vonë. Por, si duhet reaguar? Këtu dëshiroj të shpreh dy tre sugjerime që në këndvështrimin e analizave të mia i gjykoj si sjellje racionale.

Së pari, Kuvendi dhe forcat politike që kanë përfaqësuesit e tyre në kuvend, të reflektojnë. Të lexojnë mesazhet e protestës, të ngrihen në nivelin që e kërkon mandati që mbajnë dhe të miratojnë në parim: kufizimin e mandateve të një kryeministri, apo edhe të një ministri. Të shfuqizojnë ligjin për investimet strategjike që bën trajtim klientelist për një shtresë biznesmenësh oligarkë, vëndas apo të huaj. Të krijojnë një qeveri kujdestare, që ta çojë vëndin në zgjedhje të reja per 5-6 muaj apo nje vit. Sigurisht, duhet të ketë edhe disa masa të tjera me karakter politik dhe institucional. Është njollosur rëndë emri, besimi dhe imazhi i pushtetarëve. Është njollosur kaq shumë emri dhe imazhi i deputetit, sa të të thonë deputet, duket sikur të ofendojnë. Për ta kuptuar këtë ndjesi duhet të jesh me këmbë në tokë, duhet të jetosh mes njerëzve të thjeshtë.

Së dyti, vëndi ynë duhet të reflektojë thellë ndaj pronësisë mbi tokën. Jemi vënd me sipërfaqe të kufizuar të tokës. Atë pak tokë që kemi e kemi keqpërdorur me ndërtime pa lejë, me copëzime dhe ndarje, me mosmirëmbajtje dhe me ndotje plastike. Në disa zona turistike, sidomos në bregdetin e jugut, janë kryer kaq shumë ndërtime sa që ato zona për pak vite nuk kanë më kurrëfarë vlere të quhen turistike. Durrësi, Plazhi i Durrësit, Shëmbi i Kavajës, Golemi dhe dalëngadalë edhe Mali i Robit nuk janë më zona turistike, por zona urbane të keqmenaxhuara. Kjo epidemi ka kontaminuar edhe Shëngjinin, madje edhe Velipojën. Nuk po bëj inventarin e zonave turistike se këtë ndjesi ka kushtdo. Atëherë në raport me pronësinë mbi tokën duhet të sillemi ndryshe. Unë mendoj se nuk duhet ta trajtojmë tokën si mall.

Ka modele juridike dhe ekonomike ku toka nuk trajtohet si mall i zakonshëm për t’u blerë e shitur, ose ku pronësia mbi ndërtesën nuk nënkupton automatikisht pronësinë mbi tokën. Këto modele janë përdorur në periudha dhe vende të ndryshme pikërisht për të kufizuar spekulimin me tokën dhe për ta konsideruar atë si një pasuri kolektive. Ka disa shembuj të pronësisë shtetërore të tokës me të drejtë përdorimi afatgjatë. Në Kinë, toka urbane është në pronësi të shtetit, ndërsa toka rurale zakonisht është në pronësi kolektive të komuniteteve. Individët dhe kompanitë mund të blejnë ose transferojnë të drejta përdorimi për periudha të gjata (përshembull 70 vjet për banesa), por jo vetë tokën. Në këtë sistem: mund të jesh pronar i apartamentit ose ndërtesës, nuk je pronar absolut i tokës nën të. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar funksionon një sistem i tillë. Një person mund të zotërojë banesën, por jo tokën ku ajo ndodhet. Sisteme të tilla ka edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Zelandën e re, në disa vënde të Afrikës, etj. Koncepti është ky: Ne nuk e zotërojmë tokën; ne jemi kujdestarë të saj për brezat që do të vijnë. Toka është një pasuri e krijuar nga natyra dhe nuk duhet apo nuk mund të jetë objekt i spekullimeve private sikurse ndodh me mallrat e tjerë. Nuk mund të këtë arbitrazhizëm me tokën, ndryshe tregëti me tokën. Ky është një propozim i fortë që provokon debate të jashtëzakonshme. Debatet për këtë temë kërkojnë reflektim të thellë, njohje të thellë të ekonomisë, përgjegjësi maksimale për brezat që vijnë dhe mbi të gjitha sjellje sociale dhe racionale. Ka të tjerë që mendojnë se toka mund të ruhet dhe të pasurohet vetëm duke qënë pronë private.

Prandaj shumica e shteteve moderne kanë zgjedhur një rrugë të ndërmjetme: lejojnë pronësinë private, por vendosin kufizime përmes planifikimit urban, zonave të mbrojtura, parqeve kombëtare, tokave bujqësore të mbrojtura dhe taksave. Çfarë kuptimi ka zotërimi privat i tokave në bregdet? Çfarë kuptimi ka zotërimi privat i burimeve, pyjeve, kullotave, maleve, fushave pjellore, lumenjve, rërës, plazheve, ishujve, liqeneve, etj? Po kështu, pronari i tokës bujqësore që nuk përdoret për një periudhë 25 apo 30 vjeçare e humbet të drejtën e pronësisë. Një pronar që për një gjeneratë nuk e përdor tokën, nuk ka pse të konsiderohet akoma pronar.

Pyetja që ngrejmë në fakt është më e thellë se sa një çështje juridike. Ajo lidhet me një dilemë filozofike: a duhet toka të jetë një e drejtë pronësie, apo një trashëgimi që çdo brez e merr në ruajtje dhe ia kalon brezit tjetër? Kjo mbetet një nga debatet më të rëndësishme mbi drejtësinë, ekonominë dhe marrëdhënien e njeriut me natyrën.

Më në fund dy fjalë për rolin dhe qëndrimin ndaj protestes te intelektualëve ne vendin tone. Jo çdo njeri i artikuluar është dhe meriton të quhet intelektual. Ai që nuk sakrifikon nga komoditeti i tij për interesa të mëdha, nuk meriton të quhet dhe të trajtohet si intelektual. Shumica e intelektualëve kanë kryer detyrën e ruajtjes së moralit dhe vlerave universale, si drejtësia, e vërteta dhe arsyeja përballë interesave dhe egoizmit të kësaj bote. Ata kanë qëndruar jashtë dhe shpesh kundër pasioneve politike dhe interesave materiale të turmave. NJe gjenerate e mire intelektualesh nga me te miret, sakrifikuan dhe dhane contribute te çmuara per gati dy dekada. Tradhëtia moderne e intelektualëve ka ndodhur kur këta njerëz të mendimit, kjo elitë e ndërgjegjes, dezertoi moralisht, ju nënështua pushtetit dhe tradhëtoi misionin e saj të shënjtë. Ajo nuk u mjaftua dhe nuk u frymëzua më duke kritikuar pasionet e shfrenuara politike, por i përqafoi, i zbukuroi, i racionalizoi dhe i ngriti në parim. Sigurisht me këtë qëndrim nuk mund të jem dakord.

Botuar në DITA

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Qofsh e bekuar rinia e vëndit tim! Protestat dhe dy propozime racionale  
  • “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  • E rëndë në Gjirokastër, mbytet në pishinë një 15-vjeçar, shoqërohen disa persona
  • Si po e ndryshon protesta ekonominë e mbrëmjes në Tiranë, të rinjtë heqin dorë edhe nga koncertet
  • “Protestat masive në Tiranë, përtej çështjes së mjedisit”, Radio France: Mobilizimi i parë i madh dhe i pavarur kundër qeverisë

Komentet e Fundit

  1. MH on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  2. demo on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  3. Ethem Lalaj on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  4. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  5. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?