Nga Ilnisa Agolli
“Suksesi është aftësia për të kaluar nga një dështim në tjetrin pa e humbur entuziazmin” – nuk besoj se mund t’i rri më mirë kjo vello në kokë askujt përveç ‘Këngës së 63-të’ që na surprizoi jo pak ne dasmorëve.
Një thënie ajo lart, nga xhaxha Winston që nuk e pati riskun t’i njihte siç mua m’u tek tani të imagjinoj fytyrën e tij, duke shqyer sytë me atë që sheh nga skena masive tërbimi: shqiptarët në dasëm.
Natyrisht i ngrire, ashtu pa i lëvizur asnjë muskul në fytyrë dhe në gojë puron që refuzon ta thithë.
Megjithatë ky është një tjetër hesap.
U ula pas kaq kohësh të shkruaj sepse vendosa të bëj atë nuk munda dot të nxjerr në dritë nga Festivali i shkuar. Domethënë një opinion për këtë “nuse” që na martohet çdo vit.
Unë e dua muzikën. Mbase më shumë se i paudhi padrejtësitë. Apo krushqit thashethemet të cilat i përhapin me të njëjtin fasilitet nëpër farefis, siç në tokën e spektaklit gazetarët inatet dhe kjo është për të ardhur keq.
E nisa vitin që lamë me argumentin që kemi nevojë për vesh* të ri si drejtues sa si popull i pa zë që jemi, me një ëndërr shterpë siç kënaqësia. Dhe meqë jemi këtu, vendosa t’a botoj shkrimin pasi t’ua lexoja prindërve të mi në drekën e 1 janarit 2024.
Në rradhë isha e 8-ta. Dy netë rrjesht, i them tim eti.
Dhe tha?
Dhe i thashë, m’u duk se vetëm unë e kisha marrë seriozisht gjënë. Po ku di “Tregtari i Peqinit” se ç’është muzika? E di sa gjela ka shitur tregtari i Peqinit, me fituesit e tij sot?- vijova duke ngritur zërin. A e di? E kam fjalën për një farë drejtori apo siç e njohim në rrjete sociale “Kapterr” i cili më shumë ka bërtitur abuzimet në RTSH sa ka zgjatur gishtin, kinse për të zgjuar “Ariun e madh”.
Jo, ma ktheu.
Aq sa për të na thënë se muzika u shpik për të konfirmuar vetminë e njeriut!
Mos ke në mend t’i shkruash këto, më pyeti.
I kam shkruar, ia ktheva pa e parë në sy.
Po ç’të duhet ty moj, tha. Kush je ti? Je dhe pa punë.
Atë dhjetor në fakt, bëja plot tre muaj që më kishin pushuar. Por nuk e kisha humbur entuziazmin ende. As ftesat! As qejfin e kapeles mbi kokë, siç Churchill.
U nisa drejt Romës, me një arsye që nuk pjell më konflikte me këtë veten e re që kisha nisur të bashkëjetoja.
Pata fatin që këngën e Elsa Lila e dëgjova për herë të parë në shkallët e Ambasadës Shqiptare, aty ku isha e ftuar përgjatë një ekspozite brilante të Shoshi-t, i cili as që e dinte s’e ekzistoja. Mbaj mend vetëm që vura kufjet, që më ngeci telefonin në dorë me tekstin në notes* dhe që më dolën ca lot.
Do e këndoj në Festival, foli Elsa me ca sy të gëzuar që ia mbaj mend ende.
Natyrisht, Elsa Lila nuk fitoi dhe unë nëse do të kisha luksin e fat(keqësisë) së gazetarit teksa dikush do të më pyeste se sa e rëndësishme është muzika për mua; natyrisht do e zhbëja mjetin shprehës të profesionit dhe do lakmoja dhunën e fjalëve , njëjtë si dëshira e të lëshuarit zë dhe kënduar fort, duke e përhapur në tokën e Shqipërisë. Sa herë përfundon Festivali, mendoj për ditën e nesërme…njëjtë si për ditën e parë të vitit, ku zakonisht vëmë në kandar humbjet dhe fitoret e gjësë a gjërave që lëmë pas.
Përhapjen e së keqes apo të mirës në masa gati gjeografike sa individuale ( fjala bie) pa e konsideruar se ky fat i takon vetëm muzikës dhe ajo merret më seriozisht se burokracitë, fondet, mbledhjet në zyra, se veset, dashnoret, skuthëritë, matematika, rreziku, morali, hapësira, ekzistenca dhe besimi në Zot apo shpirti nëse na ka mbetur ende një kothere mish.
E kam fjalën se pa muzikë, jeta do të ishte një vaj i madh. Heshtje. Butafori.
Dhe ishte kjo arsyeja që shkova këtë vit prapë në dasmën e dhjetorit. Skeptike natyrisht, me teza që kisha ngritur me të drejtë duke mos besuar se ndërrohen më, siç është bërë me çmimet e para zakonisht. Një refren që e dëgjuam edhe këtë vit se ku/kush do ta fitonte.
Nuk ndodhi.
Siç edhe në tre netët që nuk kishin përsëritje në vullnetin e pastër artistik, pa u ndjerë më ajo era e kompromisit nga përfaqësues së të njëjtës epokë; pa rolin e dyfishtë së shenjtores dhe kurvës (siç një personazh francez që e përshkruan Michel Houellebecq), por një trajtim krejt tjetër. Të vinte në hundë tjetë erë, aromë.
Andaj…mendoj, se jam e parashikueshme në paragrafin e parafundit të Churchill, por jo të fundit.
“Suksesi është aftësia për të kaluar nga një dështim në tjetrin pa e humbur entuziazmin”.
Rrjedhimisht edhe dëshirën për t’u martuar prapë.