(Në kuadrin e 145 vjetorit të krijimit)
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Lidhja Shqiptare e Prizrenit pararendëse e shtetit shqiptar
Në Rilindjen Kombëtare, pika më kulmore e fuqizimit të ndjenjës kombëtare, u bë Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881). Lidhja bëri organizimin, dëndësoi veprimin politik e ushtarak për mbrojtjen e viseve shqiptare, si dhe rriti ndjenjën e bashkimit kombëtar të të katër vilajeve që gjendeshin në përbërje të Perandorisë Osmane. Veprimtaria e Lidhjes shkoi drejt Autonomisë dhe në raport me ecurinë e brendshme dhe të jashtme të ngjarjeve dhe drejt Pavarësisë së Shqipërisë. Lidhja doli në një situatë kërcënimesh e agresionesh ndaj trojeve shqiptare. Në në fillim ajo mori formën dhe përmbajtjen e një organizate politike, ekzekutive e luftarake mbarëshqiptare, me platformë e program politik kombëtar dhe me strukturë organizative të shtrirë në të gjitha viset shqiptare. Fuqitë e Mëdha dhe klientela e tyre, pra fqinjët tanë kërcënues, në kuadrin e zgjidhjeve që pritej t’i bëhej çështjes shqiptare, duke qartazi se nuk deshën të njihnin kombin shqiptar.
Atdhetarët shqiptarë u nxitën dhe nga shpërthimi i Krizës Lindore në vitet 1870, veçanërisht nga veprimet aneksioniste në favor të sllavëve e në kurriz të viseve shqiptare. Traktati i Shën Stefanit (mars 1878) i vuri vulën dhe nisën lëvizjet nga të gjithë. Ndërsa Traktati i Shën Stefanit u konsiderua në gjithë Perandorinë osmane, si një dënim me vdekje i dhënë kundër saj. Atdhetarët, duke ndjekur ecurinë e punëve, qëllimet gllabëruse, jo vetëm të shteteve shovene fqinje, por dhe të Fuqive të Mëdha, u vunë në lëvizje për të ngritur opinionin e brendshëm dhe të jashtëm në mbrojtje të interesave shqiptare. Atdhetarët shqiptarë pa pritur ende miratimin zyrtar të këtyre traktateve në Kongresin e Berlinit, edhe pse ky i fundit cungoi përfitimet që kishte Rusia e vasalët e saj nga Traktati i Shën Stefanit, filluan përgatitjen e kryerjen e një kryengritjeje të armatosur. Në Stamboll u krijua Komiteti Qendror apo Komiteti i Stambollit në krye të të cilit u zgjodh Abdyl Frashëri. Pjesëmarrësve ishin Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Sami Frashëri, Zija Prishtina, Iliaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Ahmet Korronica, Mihal Arito, Seit Toptani, Mustafa Vlora, Mane Tahiri etj. Veprimtaria e kryengritjes do të ishte jo vetëm kundër synimeve grabitqare të shteteve fqinjë, por dhe atyre antiosmane me synim fillimisht bashkimin e viseve shqiptare dhe shpalljen e autonomisë. Më tej ata do të ecnin në rrugë e sipër edhe për pavarësi të plotë nga “i sëmuri i Bosforit”, pra Perandoria Osmane. Në këtë mënyrë këto masa synonin ta kthenin çështjen shqiptare jo vetëm një çështje të të gjithë shqiptarëve, por sidomos t’a kthenin atë në kanceleritë e tavolinat dhe bisedimeve mes Fuqive të Mëdha në vetvete, por dhe me shtetet fqinje në një faktor jo thjesht diplomatik, por problem të veçantë të shtruar për zgjidhje. Ata theksonin se çështja shqiptare nuk duhej të shikohej më si “plaçkë tregu” e për të kënaqur orekset e fqinjëve, por mbi bazën e parimit themelor të asaj kohe “shetit komb”.
Lidhja dhe krijimi i Forcave të Armatosura
Kështu, më 10 qershor 1878, u mblodh Kuvendi Kombëtar në Prizren me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ai shpalli krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila zgjodhi organet e larta: Këshillin e Përgjithshëm me funksione legjislative dhe Komitetin Qendror me funksione ekzekutive. Komiteti Kombëtar i Lidhjes formoi tri komisione, ku komisioni me kryetar Sylejman Vokshin do të administronte buxhetin dhe do të siguronte mjete për blerjen e armëve dhe municioneve për ushtrinë dhe policinë e lidhjes. Në kushtet ekzistuese politike dhe historike Lidhja u përcaktua për autonominë e Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane, si fazë kaluese drejt pavarësisë së plotë. Më 17 qershor u miratua statuti i LSHP-së (“Kararname”) të plotësuar më 2 korrik me korrigjime e saktësime dhe “Urdhëresa” (“Talimat”).
Në statut përcaktoheshin aspekte të masave organizative, politike e ushtarake në funksion të realizimit të mbrojtjes së tërësisë territoriale të trojeve shqiptare. Akt i rëndësishëm i Lidhjes në funksion të objektivave, ishte vendimi për krijimin e Forcave të Armatosura të Lidhjes, të quajtura “Të Rojes Kombëtare”. Nëpërmjet dokumenteve dhe akteve, Lidhja kundërshtoi vendimet e trakteve të Fuqive të Mëdha, shtriu hallkat e veta organizative thuajse në të gjithë krahinat shqiptare, duke krijuar një front të gjerë atdhetar, pa dallime fetare e krahinore. Kur Lidhja pa se përpjekjet e saj pranë Fuqive të Mëdha nuk dhanë rezultate, atëhere ajo filloi nga shpejtimi i qëndrimeve për autonomi (korrik 1878) e më pas deri te Pavarësia ndaj Perandorisë Osmane. Në këto rrethana Lidhja krahas veprimeve diplomatike pranë kancelarive europiane, veproi fuqishëm dhe me Forcat e Armatosur, sikurse ishin aksioni i Gjakovës, beteja për mbrojtjen e Plavës e Gucisë gjatë dimrit (1879-1880), beteja e mbrojtjes së Hotit e Grudës (prill 1880), të Ulqinit (në vjeshtën e vitit 1880). Në fund të vitit 1880 u vendos që Komitetin Qendror të Lidhjes ta kthejë në “Kuvernë të Përdorme”.
Në përputhje me strategjinë politike dhe në funksion të qëllimit strategjik të shtruar në vendimin e Këshillit Qendror të Lidhjes me 18 qershor 1878 se “nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë hyrjen e trupave të huaja në vendin tonë”. Lidhja do të siguronte integritetin dhe tërësinë territoriale të gjithë trevave shqiptare nga agresioni serb, malazez e grek dhe më tej sigurimi i autonomisë nga vet Porta e Lartë. Lidhja, krahas formulimit të strategjisë ushtarake, shtriu veprimtarinë e vet në krijimin e Rojes Kombëtare, krahas krahut të armatosur. Detyrat kryesore që duhej të zgjidhte strategjia ushtarake e Lidhjes ishin organizimi dhe kompletimi i ushtrisë vullnetare, armatimi, hartimi i planeve mbrojtëse dhe caktimi i forcave të nevojshme për mbrojtjen e çdo drejtimi nga agresioni i mundshëm e ngado që ai të vinte, zgjidhja e problemit të drejtimit, organizimi i prapavijës etj. Bazat e organizimit të FA-ve dhe të strukturave të tyre u hodhën në Urdhëresën Ushtarake të KQ të Lidhjes.
Mbështetur në traditën luftarke popullore të së shkuarës, Lidhja për organizimin e forcës luftarake dhe mbrojtjen e vendit synoi të mobilizonte dhe të vinte në efiçiencë gjithë potencialet njerëzore, materiale e morale të shqiptarëve, duke u mbështetur në fronte organizative popullore, kryesisht vullnetare. Kriteri bazë i mobilizimit ishte parimi “një luftëtar për shtëpi”, e në krahinat kufitare që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga agresioni i ushtrive armike, ky parim u tejkalua, edhe “tre burra për shtëpi”, ose dhe më tepër. U krye regjistrimi i vullnetarëve nga mosha 15 deri 70 vjeç. Mbi këtë bazë efektivi i Rojes Kombëtare arrinte deri në 260.000 veta. Mobilizimi ishte i pjessshëm dhe rrokte kryesisht mbrojtjen e zonave kufitare dhe i përgjithshëm në vartësi të rreziqeve që paraqiteshin në njerin a në të gjitha drejtimet.
Në programin ushtarak të Lidhjes, duke mbajtur në vëmendje gjithë forcat që gjykonte se kishte mundësi të mobilizonte, përllogariste se në përbërje të “Rojes Kombëtare” të organizoheshin e hapeshin gjithsej 480 batalione, ku secili batalion të kishte 500 vullnetarë (secili me katër kompani këmbësorie e një kalorësie me 50-60 kafshë) të organizuara në regjimente me përbërie deri 2.000 luftëtarë (me 4 batalione), brigada (me nga dy regjimente, deri 4.000 luftëtarë vullnetarë) të përfshira në pesë korpuse (me përbërje jo të njësuar sasiore me brigada). Në raste të veçanta efektivi i reparteve e njësive mund të ishte më i kufizuar: batalioni deri 300 veta, regjimenti 1.200 veta dhe brigada 2.500 veta. Forcën kryesore të “Rojes Kombëtare” do t’a përbënte këmbësoria. Por, në raste e drejtime të veçanta, reparte e njësitë e këmbësorisë pajiseshin dhe me artileri, mjete lundrimi, mjete të ndërlidhjes ushtarake, shërbim të zbulimit, reparte shetitëse dhe reparte mbrojtëse të kështjellave e kalave. Për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë, Lidhja në urdhëresën ushtarake të 18 qershorit 1878, parashikonte “…ndarje pune për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë prej veriut deri në jug, ndihmën ushtarake të shoqishoqme” dhe realizimin e mbrojtjes me drejtime strategjike të përcaktuara. Drejtimet më të rëndësishme strategjike ishin: kundër Malit të Zi dhe kundër Serbisë dhe pas tyre, ai i Greqisë. Në raport të drejtë me rreziqet që paraqiteshin sipas drejtimeve, u parashikua që në Shqipërinë e Veriut të përqëndroheshin edhe forcat e mjetet kryesore, pra 4 korpuse (380 batalione) dhe në atë të Jugut një korpus ose 1/5 e gjithë forcave (rreth 100 batalione).
Dukuri të mendimit dhe të praktikës luftarake
Lidhja nuk kishte mundësi të mbante forca të shumta të gatshme. Ndaj vendosi një sistem gadishmëri të përshkallëzuar të Rojes Kombëtare për përballimin e agresioneve të pritshme. Në vartësi të detyrave, që do të zgjidhnin në raport me vendvendosjen e veprimin e armikut të pritshëm sistemi i gadishmërisë e organizimit parashikohej në tre radhë. Forcat e radhës së parë, një numër i vogël vullnetarësh që dilnin nga popullsia e rajoneve kufitare, kryesisht të ruajtjes dhe të zbulimit e lajmërimit; Forcat e radhës së dytë, nga rajone më në brendësi të viseve shqiptare, prej 1000-2000 vullnetarë për secilin sektor të mbrojtjes, ku me afrimin e rrezikut për agresion këto forca 2-3 fishoheshin dhe organizonin mbrojtjen për të përballuar mësymjen fillestare të armikut; Forcat e radhës së tretë, përgjithsisht luanin rolin e rezervave strategjike. Të tilla ishin forcat që pritej të kompletoheshin në Shqipërinë e Mesme (Mat, Krujë, Tiranë, Durrës, Elbasan) që llogariteshin rreth 30.000 luftëtarë dhe do të përforconin njësitë e Shkodrës gjatë mbrojtes kundër Malit të Zi së bashku me ta do të kalonin edhe në kundërmësymje për çlirimin e viseve që mund të pushtoheshin.
Komiteti Qendror i Lidhjes i kushtonte rëndësi dhe zgjedhjes e vendosjes së kuadrit komandues. Komandanti, majori dhe oficerët e tjerë të ushtrisë që do të nxirrnin në mënyrë të rregullt, sipas regjistrimit në çdo vend, theksohej në Urdhëresën parkatëse, do të caktohen me pëlqimin e popullsisë së atyre vendeve. Në tërësi si kuadri i lartë ashtu dhe ai i ulët zgjidheshin nga njerëzit që kishin aftësi, përvojë, trimëri dhe autoritet. Gjatë operacioneve ushtarake të Lidhjes u formuan shtabet ushtarake “qendrat e operacioneve”, “Këshillat e oficerëve të divizioneve” etj., të cilat merreshin me çështjet e organizimit e të drejtimit të luftimeve, me sigurimin material të trupave dhe sigurimin e rregullt të disiplinës në forcat e Lidhjes. Në Urdhëresë përcaktoheshin qartë edhe hierarkia ushtarake që nga kompania deri në brigadë me funksion e grada sipas rangut…
Objekte të strategjisë ushtarake ishin dhe problemet e përhapjes së forcave të Rojes Kombëtare. Për shkak të terrenit malor të thyer që përqarkonte viset kufitare shqiptare, për të ruajtur dëndësinë e nevojshme, mbrojtja nuk zihej me forca gjatë të gjithë gjërësisë së frontit. Për këtë sektorët që do të ziheshin ose do të mbuloheshin nga forcat e Lidhjes, u parashikuan kryesisht në terrene të kalueshme, luginave e sidomos rrugëve që lidhnin territoret e shteteve fqinje me zonat e mbrojtjes së korpuseve. Kështu këto sektorë të frontit në drejtim të Malit të Zi do të ishte rreth 50-60 km, po kaq në drejtim të Serbisë dhe akoma më e vogël në drejtim të Greqisë. Veprimet luftarake të forcave të Lidhjes do të fillonin me veprime mbrojtëse pozicionale, por të shoqëruar me aktivitet të lartë të saj me kundërsulme e kundërgoditje apo edhe me kundërmësymje. Në këtë të fundit parashikohej të merrnin pjesë deri 40.000 forca duke dhënë goditje koncentrike e nga disa drejtime tre korpuse së toku. Vëmëndje i kushtohej edhe organizimit të bashkëveprimit mes njësive sidomos në veprimet e tyre mësymëse, manovrimit të forcave të mëdha (të korpuseve) nga njeri drejtim në tjetrin, sidomos në Shqipërinë e Veriut në vartësi të rrezikshmërisë që mund të paraqitej nga njeri a tjetri agresor (Mali i Zi, Serbia).
Me mjaft interes paraqitet studimi i taktikave të ndjekura nga forcat e lidhjes në luftimet e betejat e shumta që ajo kreu kundër forcave serbe, malazeze, greke e forcave turke. Në këto më të rëndësishme janë ato të Plavës e Gucisë, të Hotit e Grudës, të Ulqinit dhe të Zhvivovës, Shtimjes e Carrelevës. Veprimet luftarake në tërësi u karakterizuan nga vrulli, nisma dhe shpirti sulmues, nga vendosmëria e morali i lartë, nga heroizmi masiv etj. Luftimet e betejat e ndryshme fillimisht kishin karakter mbrojtës pozicional aktiv; rendimi i luftimi ishte zakonisht në dy skalione e me rezerva; në luftimet mbrojtës shfrytëzohej në maksimum terreni duke ndërtuar një sistem “pikëmbështetjesh” e rajonesh mbrojtjeje me efektiv nga disa qindra deri 2.000 veta. Në Plavë e Guci u krijuan 5-6 të tilla, në Hot e Grudë 7-9, kurse në Ulqin 3-4. Në aktivitetin e mbrojtjes mbahej parasysh që kundërsulmet e kundërgoditjet të jepeshin të shpejta, të befasishme, nga lartë-poshtë e në krah të grupimit armik. Kështu në betejën e Plavës dhe të Gucisë të 4 dhjetorit 1879 dhe të janarit 1880 gjatë zhvillimit të kundërsulmeve morën pjesë të gjitha forcat të cilat në janar arritën mbi 8000 veta. Në Slivovë e Shtimilje në njërin kundërsulm morën pjesë rreth 3000 veta, ose 50% e gjithë forcave të mbrojtjes.
Forcat e Rojas Kombëtare të Lidhjes kishin edhe aparatin e tyre të prapavijës me shtrirje vertikale. Në qendër kryesonte Komisoni i përbërë nga 5 veta i cili mblidhte ndihmat nga popullsia, rekuizimet e kontributet nga të pasurit për nevojat e ushtrisë dhe drejtonte grumbullimin e shpërndarjen e plaçkës së luftës. Aparati i prapavijës shtrihej edhe poshtë në bazë dhe përbëhej nga komisionet krahinore, komisionet e komitetit e mbrojtjes së degëve të lidhjes, si dhe repartet e posaçme shëndetësore, të transportit e të ruajtjes.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe veprimtaria e saj luftarake në funksion të qëllimit politik e strategjik përse ajo u krijua, e realizoi misionin e saj në histori. Në pikëpamje ushtarake ajo shënon një përvojë kulmore për kohën si në ndërtimin e Forcave të Armatosura edhe me llojet e armëve e shërbimeve më të domosdoshme por edhe të mundëshme për kohën, me hierakinë përkatëse ushtarake nga qendra në bazë, por edhe me mendim e sidomos praktikë të vyer luftarake si në shkallën strategjike ashtue dhe në atë taktike. Një pjesë të kësaj përvoje e gjejmë në disa dokumente a urdhëresa të Lidhjes dhe pjesën tjetër e nxjerrim nga studimi e analiza e veprimeve luftarake të shumta të kryera në luftime e beteja të ndryshme sidomos në ato të Plavës e Gucisë, të Hotit e Grudës, të Ulqinit dhe të Zhvivovës, Shtimjes e Carrelevës. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, funksionoi vetëm tre vjet. Në tremujorin e parë të vitit 1881, kur u pa se edhe Porta e Lartë qëndronte në krahë të Fuqive të Mëdha, forcat e Lidhjes morën nismën dhe çliruan me radhë qytete të rëndësishme si Shkupin (më 4 janar), Mitrovicën (më 15 janar) dhe Prishtinën (më 18 janar), duke dëbuar gjithë nëpunësit osman dhe vendosur pushtetin e LSHP-së. Porta e Lartë ndërmori veprime të armatosura dhe pas pushtimit të Shkupit me tradhti (25 mars 1881) dhe betejave të përgjakshme në Slivovë dhe Shtimle, hyri në Prizren dhe me pushtimin e Gjakovës rivendosi pushtetin e vet, duke i dhënë fund LSHP-së. Lëvizja Kombëtare Shqiptare, e indetifikuar në atë kohë me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, paraqiste, në formë të përmbledhur dhe programatike qëndrimet themelore të politikës së saj të jashtme. Ato përmbanin kërkesën për mbrojtjen e tërësisë territoriale, shprehnin dëshirën për afirmimin e përkatësisë evropiane të atdheut të tyre dhe dhëniev e statusit të autonomisë ose të shtetit të pavarur për Shqipërinë, që mund të indetifikohet me kërkesën për njohjen e Shqipërisë si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
Lidhja me veprimtarinë e saj atdhetare e luftarake bëri që të shfaqet për herë të parë e gjithnjë më e fuqishme diplomacia e çështjes shqiptare pranë faktorit të jashtëm. Me platformën e saj politike, me veprimet masive luftarake bënë që të ngrihej vazhdimisht e të piqej ideja e një kombësie. Të gjitha këto bënë që të fitonte vetdijen e një fati historik të veçantë, tashmë edhe nga vet Perandoria Osmane. Thënë ndryshe, Lidhja me shembullin e saj dhe e ndriçuar nga idetë iluministë të Rilindasve, po shfaqte dhe po brumoste vet perspektivën e popullit shqiptar për të dalë shtet më vete. Ky shtet u krijua me ngritjen e Flamurit kombëtar nga patrioti i flaktë Ismail Qemali, më 28 Nëntor 1912, në Vlorën e Flamurit. Merita pararendëse e Lidhjes për formatimin e shtetit të ri shqiptar ishte dhe mbetet me vlera të mëdha kombëtare.
