Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar 6 prona dhe automjetet e një shtetaseje pasi ka dyshime se janë të të vëllait të dënuar në Angli.
Në kuadër të hetimeve, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” mbi dyshimet për shtetasen Irma Hasani, Prokuroria arriti në konkluzion se pasuritë e kësaj shtetase dhe familjarëve të saj janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
“Shtetasja në fjalë, brenda një periudhë një mujore ka përfituar në llogarinë e saj vlerën 180.000 euro cash ose nëpërmjet transfertave bankare, nga ish kunati, tezja apo njerëz të tjerë të afërt. Nga fondet e kredituara në llogari, vlera 160,000 Euro është tranferuar nga shtetesja I.H. në llogarinë e noterit me qëllim blerjen e një pasurie të llojit apartament. Ndërsa ka në pronësi edhe pesë prona të tjera të paluajtshme dhe 6 automjete. Prokuroria provoi se shtetasja Irma Hasani, e punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë, nuk e justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme”, bëri me dije Prokuroria.
Ndërkohë, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Kundër Narkotikeve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, informoi se: Departamenti për marrëdhëniet Ndërkombëtare ka njoftuar se Interpol Manchester kërkon informacion për verifikimin e shtetasit shqiptar Oltion Hasain pasi është arrestuar në Angli për veprën penale shkelje ligjit për narkotikët. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas është vëllai i shtetases Irma Hasani.
Organi i akuzës dyshon se pasuritë e krijuara nga shtetasja Irma Hasani dhe familjarët e saj janë të krijuara nga burime të paligjshme dhe nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave si dhe nuk justifikohen me të ardhurat e realizuara edhe prej aktiviteteve tregtare të regjistruara ose punësimi i tyre me periudha të pjesshme.
Për këtë arsye kërkohet caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestron Preventive” për: pasuritë e paluajtshme, në emrin e shtetases I. H. dhe familjarëve të saj;
Nr.210/27, ZK1676 , Vol 23, Faqe 185;
Nr. 166/7, ZK1676 , Vol 23, Faqe 187;
Nr. 210/29, ZK 1676, Vol 23, Faqe 147;
Nr. 110/76, ZK3215, Vol 15, Faqe 106;
Nr.23/41+2-6, ZK3266, Vol 41, Faqe 69; dhe
Nr. 114/20, ZK 16776, Vol 4, Faqe 161
Sekuestrimin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë për automtetet:
Volkswagen golf 5;
Renault Clio;
Audi Q3;
Volvo CX60;
Mercedes Benz ML350 BLUETEC; dhe
Audi SQ7.
j.l./ dita