Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Gjatë një bisede të lirë me Ibrahim Hamzën, një nga ish drejtuesit më kryesorë të kantierit të ndërtimit të hidrocentralit të Komanit, dëgjojmë të thotë:
- Publicitet -
– A e dini ju se në kantierin e ndërtimit të hidrocentralit të Komanit kanë punuar mbi pesëdhjetëmijë punëtorë e specialistë të lartë, pa llogaritur edhe qindra e qindra kuadro të lartë e të mesëm?
Hesht një copë herë dhe vazhdon:
– Dhe të gjithë këta kishin një adresë: Shqipërinë. Sepse vinin nga Saranda e Tropoja, nga Korça e nga Durrësi, nga Dibra e nga Vlora, nga i gjithë vendi.
Dhe si për ta plotësuar mendimin, shton:
– Në kantierin e kësaj vepre gjigante kanë krijuar staturën e tyre inxhinier me profil shkencëtari, Heronj të Punës, kuadro të lartë që pak më pas drejtuan shtetin e kohës.
Këta mijëra njerëz që kishin lënë pas familje e fëmijë dhe punonin deri edhe me vite në këtë vepër që përbën mburrje edhe për ditët e sotme, ishin nxitur të vinin këtu jo thjesht për disa të ardhura modeste mujore. Ishin nxitur nga motive shumë më të larta. Më shumë se sa djersë, në këtë vepër ata derdhnin shpirtin e tyre. Nuk thonë kot: gjen më shumë gjëra në fund të një shpirti, se sa në fund të një deti.
Të gjithë qenë dhe mbetën emblema të kohës që jetuan.
Njëri, edhe përtej verbërisë së ligjit
Atë vit në Ndërmarrjen Bujqësore “29 Nëntori” në ish rrethin e Lushnjes pati prodhimtari të lartë misri. Mirëpo në kohën e korrjes së kësaj bime nisën e vazhduan reshje të pandërprera. Në këto kushte, me orientim të Komitetit të Partisë të rrethit punëtorë të shumtë nga të gjitha ndërmarrjet e rrethit u dërguan fushave të kësaj ndërmarrjeve për të vjelë prodhimin e bollshëm.
Me makina, me karroca, me qerre e deri me thasë në krah, nisur nga parcelat me misër, nën një shi që vazhdonte prodhimi dërgohej drejt e në depot e Ndërmarrjes së Grumbullimit.
– Pa u peshuar?! Pa e dijtur sasinë e prodhimit që po magazinojmë?!
Këto pyetje dëgjoheshin gjithandej.
– Ta marrim nga ngastrat, se po na kalbet nëpër gjolet e fushës, – përgjigjeshin të tjerë.
Ashtu u veprua. Mirëpo, pas ca ditësh prodhimi në depo vazhdoi të “ndizej”. Po dëmtoheshin mijëra e mijëra kuintalë misër.
– Të arrestohet drejtori i Ndërmarrjes së Grumbullimit që ka lejuar shkelje, – urdhëruan nga Dega e Punëve të Brendshme.
Dhe nuk vonuan ta thërrisnin në Prokurori drejtorin e gjorë dhe t’i kërkonin shpjegime për “krimin” që ishte kryer.
– Nuk jam unë që kam urdhëruar të veprohej kështu, – mundohej të shfajsohej drejtori.
– Ligji ju njeh ju dhe do të jeni po ju që do të përgjigjeni edhe penalisht.
Mbeti drejtori dyerve të Prokurorisë. Pritej vetëm arrestimi.
Njoftimi për përndjekjen ligjore të drejtorit të Ndërmarrjes së Grumbullimit shkoi në vesh të kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, Miti Rrapo. Me ta mësuar këtë fakt, Miti shkoi drejt e në Prokurori.
– Shoku Miti, – i qenë drejtuar, – mos u përzjeni në këtë krim të rëndë. Ne njohim përgjegjës për këtë vetëm drejtorin… Nga ju nuk shikojmë të jetë vënë firmë gjëkundi! Ne njohim vetëm firmën e tij. Do ta hajë ai!
– A, doni dokument me firmë nga ana ime?! Jua jap. Silleni ta firmos këtu.
Prokurori mbeti disi i shtangur. Para tij kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit merrte përsipër përgjegjësinë e “fajtorit”.
Miti Rrapo, një burrë zeshkan, me ato vetullat e trasha si krah harabeli, i doli ballë problemit. E mori vet përsipër, e sqaroi dhe ia mbylli letrat prokurorit.
Miti Rrapo mbetej njëri edhe përtej verbërisë së ligjit.
Uzina që “prodhoi” dy ministra
Erdhi një kohë që Uzina e Plastmasit në Lushnje bëri emër në shkallë vendi sidomos për prodhim linoleumi, mushama shiu, mbulesa tryeze, tekstile të veshura me PVC . Drejtoresha, Jorgjie Bello, e rrethuar nga inxhinierë të shumtë, thuajse të gjithë moshatarë të saj, punonte edhe përtej orarit në Uzinë.
Në zbatim të detyrave që i ishin shtruar nga Ministria, ajo nxiste specialistët për ta vënë prodhimin në shërbim të ekonomisë. Dhe kështu nisi e vazhdoi edhe prodhimi i tubave, që do të përdoreshin për drenazhimin e tokave.
Mes inxhinierëve aktivë do të spikasin Anastas Xheblati, Fatos Bufi, Nikolin Kurti, Zarif Dervishi e disa të tjerë.
Do të spikaste edhe shefi i Zyrës së Planit, Iljaz Mehmeti. Nuk do të vononte shumë dhe ky ekonomist i zoti do të caktohej përgjegjës i seksionit të Planit në Komitetin Ekzekutiv të KP të rrethit. Ca më pas do të merrej kuadër edhe në Ministri.
Pas vitit nëntëdhjetë, në një nga periudhat afatshkurtra midis dy zgjedhjeve elektorale, ekonomisti i shquar Iljaz Mehmeti do të caktohej ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale.
Dhe po kështu u veprua edhe me inxhinierin tjetër të Uzinës së Plastmasit, Nikolin Kurti.
Uzina e Plastmasit në Lushnje, edhe pse vet shumë jetëshkurtër, “prodhoi” dy ministra.
Deri edhe me sakrificë sublime
Atë natë janari nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Lushnjes, Agim Gjermëni, do të bënte një kontroll fushave të gjëra të Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori” për të verifikuar nëse punon traktorët edhe gjatë natës.
– Po vij edhe unë të shikoj se si punohet edhe natën në këtë dimër të ftohtë, – i drejtohem nënkryetarit, – sepse dëshirojmë ta pasqyrojmë në gazetë.
– Si të mos vish! – na e ktheu Agimi.
Dhe aty nga ora njëzetë e dy u nisëm drejt Tri Urave me mendimin që prej këtej të kalonim drejt Grabianit apo sektorit të Çermës së Sipërme.
Larg, thellë fushave të ndërmarrjes, shikoheshin dritat e disa traktorëve që vazhdonin të plugonin.
– Pa dale, – më drejtohet Agimi, – se më bëhet sikur po vjen një makinë drejt nesh.
Qëndruam një copë herë, veç kur na u gjend pranë makina që na vinte nga përballë. Zbresim nga makina, kur përpara nesh drejtori i Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori”, Andon Liko.
– Po ju, shoku Andon këtu?!…
– Dola për të parë situatën e plugimeve, – na u përgjigj.
– Po a jeni me raport mjekësor?!
– Bile doktor Çabej më këshilloi të shtrohesha në spital.
– Dhe ju dilni në këtë natë kur thërret qameti?!
– Të premten organizohet aktivi i Partisë për çështjet ekonomike, – na thotë, – si mund të raportoj atje pa e parë gjendjen në vend?!
Ndërsa e kujtoj këtë ndodhi, më duket si e pabesueshme të ketë ngjarë. Andoni sakrifikonte shëndetin e vet për interesin e përgjithshëm.
Fjalët e sinqerta nuk t’i dikton posti, por zemra
Përgjegjësi i Kuadrit i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit atë ditë kishte planifikuar të shkonte në Fabrikën e Letrës për një çështje dekorimi.
– Njoftoni të jenë në zyrën e drejtorit edhe shokët e Partisë, ata të Bashkimeve Profesionale; le të vijnë edhe nga Rinia dhe nga Gruaja e Fabrikës, – kishte lënë njoftim ai që do të vinte nga rrethi.
Në orën e caktuar përgjegjësi i seksionit të Kuadrit u gjend në zyrën e drejtorit, ku gjeti edhe ata që ishin lajmëruar.
– Po hë, – e nisi fjalën drejtori, që shquhej për humorin e tij të hollë, – përse jemi mbledhur këtu?
– Më falni, por nuk jua kanë thënë? – foli ai që vinte nga komiteti.
Dhe vazhdoi, duke iu drejtuar të pranishmëve në zyrë:
– Është menduar, që t’i dërgohet nga ju Presidiumit të Kuvendit Popullor një propozim nga ju për dekorimin e shokut Lili, drejtorit të fabrikës suaj…
Pa e mbaruar mirë fjalën i ardhuri nga Komiteti, menjëherë brofën disa zëra njëherësh.
– Shumë mirë e keni menduar! E meriton…
Lili Shtrepi, që u ndje paksa i befasuar nga ajo çka thuhej, ua ndërpreu hovin atyre që flisnin:
– Mua dekoratë?! E përse?! Për fjalët e bukura që them?!
Dhe aty në çast sugjeroi:
– Të vendosim këtu së bashku, se cilët specialistë dhe cilët punëtorë të propozojmë për dekoratë. Janë këta që rrisin prodhimin, janë këta që përmirësojnë cilësinë, ndërsa unë…, unë llafet kam…
– Unë erdha për ju, shoku Lili, – u ndje të thoshte i ardhuri nga Komiteti.
– Faleminderit, por unë, dhe jo vetëm unë, sugjerojmë të dekorohen këta.
Dhe bëri me dorë nga ata që kishte në zyrë.
Lili Shtrepit fjalët që shprehte nuk ia diktonte posti, por zemra e tij e ngrohtë.
S’janë fjalët, por është puna ajo që e verifikon ndërgjegjen
Bëhej mbledhja e aktivit ekonomik të rrethit. I deleguar kishte ardhur nënkryetari i Këshillit të Ministrave, shoku Xhaferr Spahiu.
E morën fjalën disa nga drejtuesit e ndërmarrjeve ekonomike dhe disa nga kryetarët e kooperativave bujqësore.
I erdhi radha të fliste edhe drejtori i Ndërmarrjes së Ndërtimit, Skënder Hajdari.
– Na duhet të zgjidhim edhe disa detyra, të pa parashikueshme, shoku Xhaferr, detyra që na i nxjerrë terreni ku gjendemi, – nisi të flasë Skënderi, – prandaj puna na do të gjendemi aty në çdo kohë…
Ndërkaq, ndërhyri i deleguari:
– Ju mos llogarisni vetëm tetëorëshin, se me tetë orë punë ju të ekonomisë nuk do të mund të arrini gjë…
– Jo, jo, – e rimori fjalën Skënderi, – nuk e llogarisim tetëorëshin e dytë…
– Shumë keq! – ndërhyri menjëherë i nxehur shoku Xhaferr.
– Me tetë orë punë do të realizoni detyrat ju?!
– Më fal, shoku Xhaferr; këtë doja të thosha edhe unë, – sqaroi Skënderi. – . Ne nuk llogarisim tetëorëshin e dytë, sepse nuk na mjafton; na duhet të punojmë edhe në tetëorëshin e tretë.
Dhe vazhdoi:
– Pardje ishim në kooperativën bujqësore të Fier – Semanit për problemin e grazhdeve të blegtorisë. Na u desh të punonim paradite, mbasdite dhe kur në orët e vona kooperativistët u larguan për në familjet e tyre, ne, disa kuadro vendas dhe ne të rrethit na u desh të diskutonim edhe deri mbas mesnate.
Shoku Xhaferr e kuptoi që ishte nxituar. E falënderoi diskutantin dhe iu drejtua shokëve në aktiv:
– S’janë llafet, por është puna konkrete ajo që e verifikon ndërgjegjen.
Ndonjë rregulli i mungon morali
Vazhdonin të vinin letra, herë anonime, por edhe me emra konkretë, në Komitetin e Partisë të rrethit për një veprim, sipas tyre, të gabuar të Bajazit Ginës, drejtor i Fabrikës së Tullave në Lushnje.
“I ka dhënë, jashtë kompetencës së vet, një makinë me tulla një kooperativisti në Ngurrëz për të ndërtuar shtëpi” shkruhej, ndër të tjera, në ato letra.
Kishin nisur e vazhdonin zhurmshëm mbledhjet e organizatës së Partisë e të Bashkimeve Profesionale për të zbuluar përgjegjësinë e drejtorit të fabrikës, pse jo – edhe për ndonjë masë ndaj tij.
Shkoi edhe një nga nënkryetarët e Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit.
Në fillim fjala iu dha drejtorit të fabrikës. Foli shumë shkurt.
– Veprimin e kam kryer fare hapur. Jo fshehurazi. Urdhri për zbatim i është dhënë degës së Planit. Lekët e kooperativistët janë paguar në degën e Financës. Sa për ndonjë ryshfet të mundshëm që dyshohet se mund të kem marrë, le të flasë hapur kushdo që do të mund të ketë ndonjë të dhënë.
– Po përse e kreve një veprim të tillë, kur dihet që nuk ju lejohej ta bënit? – pyeti i deleguari i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit.
– A, po, këtë duhej ta thosha që në fillim: Kooperativisti më erdhi në zyrë, më qau hallin. Ishte vërtet keq me strehimin. Pa kishte edhe nja dy të sëmurë në familje…
Nisën e vazhduan diskutimet, disa prej të cilave me tone të larta. Sipas këtyre, ishte bërë një shkelje shumë e rëndë!
Në fund të mbledhjes e mori fjalën edhe i deleguari:
– Është një lloj shkeljeje, – tha ai. – sepse materialet e ndërtimit i dërgohen kryetarit të Këshillit Popullor të Fshatit të Bashkuar, dhe është ky, pastaj, që bën shpërndarjen e këtyre materialeve. Gjithsesi, nuk është për t’u bërë gurguleja. Në fund të fundit, vaj në lakra ka rënë…
Kaq u desh dhe disa u ngritën në këmbë dhe iu lëshuan me tërsëlllëmë edhe nënkryetarit të Komitetit.
– Më falni, më falni, se kam edhe diçka, – ngriti zërin drejtori. – Ju flisni se qenka shkelur rëndë një rregull, por unë mendoj se rregullin duhet ta shikojmë dhe ta zbatojmë duke mbajtur parasysh edhe moralin që ka brenda…
Sigurisht që nuk e pati të lehtë t’i sqaronte fanatikët e sëmurë, por Bajaziti si Bajaziti: brenda e prapa çdo rregulli shikonte vetëm njerëzit.
Nikolla Kiço kishte lindur në një ditë të bardhë
Ditët e fundit bashkia e Finiqit i dorëzoi ish drejtorit të Ndërmarrjes së Shpim – Kërkimit të Naftës, Nikolla Kiço (mbas vdekjes) titullin Qytetar Nderi i Finiqit.
Po kush është Nikolla Kiço?
E kujtoj teksa ishim së bashku te një nga puset e gazit në fshatin Gërmenj. Së pari nuk shkoi te pusi. Shkoi te mensa dhe u interesua se me çfarë gatimesh ushqeheshin naftëtarët. Shkoi te fjetorja dhe mësoi kushtet ku strehoheshin punonjësit e gazit.
Shkurt, e filloi nga të drejtat e naftëtarëve dhe jo nga detyrat e tyre.
Ka pas treguar inxhinieri i mirënjohur i Naftës, Novruz Limaj:
Na u sëmurë një nga kuadrot kryesorë të ndërmarrjes. U shtrua në sanatorium. Na mblodhi drejtori, Nikolla Kiço. “Shokë, – na u drejtua, – siç e dini, shoku ynë… është shtruar në senatorium. Familja nuk e ka të mundur t’i qëndrojë përherë pranë, prandaj a bëjmë një gjë?”
Dhe sugjeroi, që të gjithë kuadrot e administratës, sipas një grafiku të hartuar, të shkojnë një nga një në Tiranë, në senatorium, për t’iu përkujdesur te koka”.
Dhe ashtu qe vepruar jo për pak kohë, por për një periudhë që llogaritet me javë të tëra.
Minoritari Nikolla Kiço kishte lindur në një ditë të bardhë.
* * *
Le ta përfundojmë këtë shkrim me atë çka shprehu Prof. Ibrahim Hamza: Në hidrocentralin e Komanit punëtorët, specialistët dhe kuadrot më shumë se sa djersë, derdhnin shpirtin e tyre. Nuk thonë kot: gjen më shumë gjëra në fund të një shpirti, se sa në fund të një deti.
Mjaft njerëzve sot nuk iu besohet se si mund të punohej aq shumë, orar e pa orar, me një pagesë fare modeste! E, megjithatë, ashtu punonin.
Dhe mbetën emblema të kohës që jetuan.


