Në 84-vjetorin e profesor Emil Lafes
Prof. Shefkije ISLAMAJ
Profesor Emil Lafe është ndër studiuesit më të shquar sot në studimet albanologjike. Veprimtaria e tij e ngjeshur dhe shumëdrejtimshe shkencore, teorike dhe praktike, në të mirë të gjuhës shqipe e të gjuhësisë shqiptare, në një rreth kohor prej afro 60 vjetësh, përmbledh në vete të arritura të qëndrueshme e të çmueshme shkencore falë punës dhe angazhimit të tij të palodhshëm, plot zell, përkushtim, dashuri e pasion për gjuhën shqipe, për të kaluarën, të sotmen e të ardhmen e saj. Ky kontribut i madh e i dalluar i profesor Emilit vështirë matet, vlerësohet e paraqitet në një shkrim të shkurtës si ky.
Kontributi i profesor Emil Lafes dhënë gjuhësisë shqiptare dhe gjuhës shqipe shkon përtej studimeve të tij të shumta, të fushave të ndryshme gjuhësore e të problematikave shumaspektore; shkon përtej pjesëmarrjes së tij aktive dhe të drejtpërdrejtë në proceset standardizuese të shqipes që nga vitet ”60 të shekullit të kaluar e deri të krijimi i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit 21; shkon edhe përtej mësimdhënies aktive të palodhshme e të frytshme, pjesëmarrjes, jo vetëm si organizues, por edhe si referues, kumtues, diskutues në shumë veprimtari arsimore, shkencore e profesionale brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ky kontribut shkon përtej sepse emri i profesor Emil Lafes lidhet pothuajse me të gjitha veprimtaritë e rëndësishme e të dobishme shkencore, arsimore dhe kulturore në të mirë të gjuhës shqipe dhe gjuhësisë shqiptare në gjithë hapësirën shqiptare dhe posaçërisht lidhet kuptimshëm me standardizimin e saj – krijimin, normëzimin, pranimin dhe rrugëtimin e saj historik deri sot.
I fatshëm në jetë pse i ka rastisur të punojë që në fillimet e tij pranë profesorëve emblematikë të gjuhësisë shqiptare si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari dhe një numri jo të vogël bashkëmoshatarësh – figura të shquara të albanologjisë, të cilëve u kishte rënë barra ta mbanin e ta zhvillonin qëndrueshëm shkencën gjuhësore shqiptare, profesor Emili e arsyetoi në mënyrën më të mirë vendin ku përket – në brezin e shquar të gjuhëtarëve shqiptarë zor të zëvendësueshëm sot e më tej.
Krijimtaria dhe veprimtaria shkencore e profesor Emil Lafes u zhvilluan në kohën kur u përvijuan kërkesa të mëdha në shkencën gjuhësore shqiptare jo vetëm të karakterit standardologjik e normues po, sidomos, të karakterit gramatikor, dialektologjik, leksikologjik, leksikografik, stilistik, terminologjik, onomastik deri te hartimi i teksteve shkollore e universitare dhe i enciklopedisë. Profesor Emilit, sikur edhe studiuesve të tjerë të krahut të tij, i ka rënë hise të merret me të gjitha këto fusha duke kryer edhe detyrën dhe misionin e profesorit universitar, prandaj jetëshkrimi shkencor i tij u ngjason edhe jetëshkrimeve shkencore të një numri studiuesish të shquar albanologë – secili nga ata është gjendur në të gjitha fushat e gjuhësisë shqiptare dhe në të gjitha veprimtaritë shkencore që kanë shoqëruar zhvillimin shkencor e arsimor shqiptar. Puna e tij shquhet me tre tregues shumë të rëndësishëm pa të cilët nuk mund të bëhet punë e frytshme dhe e suksesshme në fushën e kërkimit. E ata tregues janë: vijimësi, modesti dhe pasion, që shqiptohen në Letër-këshillën e nobelistit Pavllov drejtuar të rinjve që pretendonin të bëheshin studiues, sipas kumtesës së profesor Emilit[1] kushtuar bashkëkohanikut dhe bashkëpunëtorit të tij të gjatë profesor Xhevat Lloshit. Këtë porosi e ka realizuar profesor Xhevati, thotë profesor Emili, por e ka përmbushur qind për qind edhe profesor Emili. Dhe këtë e dëshmon edhe sot e gjithë ditën.
Profesor Emili mbaroi Universitetin e Tiranës, në Degën e Gjuhës Shqipe dhe po atë vit filloi punën po në këtë Degë, si 21 vjeçar , sigurisht jo rastësisht, prandaj emrin e profesor Emil Lafes, që në vitin 1963, asokohe në moshë 25 vjeçare, do ta gjejmë në shtypin e kohës. Shkrimi i tij i parë është një kronikë shkencore kushtuar një konference mbi gjuhësinë ballkanike, botuar në revistën “Buletin i Universitetit Shtetëror” [2] për të vazhduar në vitin vijues 1964 me shkrimin: “Elemente shqiptare në popujt e tjerë të Ballkanit”, botuar në gazetën “Bashkimi”[3] dhe me studimin mbi 40 faqesh “E folmja e Nikaj-Mërturit”, botuar në revistën “Studime “filologjike”[4], pra puna e tij shkencore filloi me antropologji e dialektologji. Një vit pas, më 1965, studiuesi Emil Lafe hyri në fushën e historisë së gjuhës dhe në terminologji: në “Studimet filologjike”[5] botoi shkrimin: “Trajtat e urdhërores te Gjon Buzuku” në “Konferenca e parë e studimeve albanologjike”[6], shkrimin “Trajtat e pjesores te Gjon Buzuku”, kurse në “Mësuesin”[7] shkrimin “Fjalorët e parë terminologjikë në gjuhën shqipe”. Gjatë këtyre dy viteve botoi edhe disa kronika për aktivitetet shkencore (konferenca dhe ekspedita).
Në vitet në vijim do të zgjerohet fusha e interesimeve shkencore e profesor Emil Lafes dhe kjo gjerësi interesimesh do të vazhdojë deri sot. Numri i studimeve, trajtesave, artikujve, vështrimeve, kritikave, recensioneve dhe shkrimeve të tjera natyrash të ndryshme është shumë i madh dhe studiuesit i duhet kohë për t’i gjurmuar e për t’i klasifikuar ato.
Cilat janë në vija të përgjithshme fushat e krijimtarisë dhe veprimtarisë shkencore të studiuesit të zellshëm, punëmbarë e me shumë fryte pune?
Ato janë:
– gjuhë standarde, kulturë gjuhësore, normë dhe drejtshkrim;
– gramatikë e dialektologji;
– histori gjuhe, histori teksti e histori kulturore;
– leksikologji, leksikografi e terminologji;
-hartim dhe redaktim i fjalorëve njëgjuhësorë, dygjuhësorë, fjalorëve tematikë, terminologjikë, enciklopedikë etj.;
-përgatitje e redaktim i veprave shkencore, leksikografike, historiko gjuhësore-letrare e fushash të tjera, përgatitje e redaktim i përmbledhjeve shkencore të shumë konferencave kombëtare e ndërkombëtare, numri i të cilave është vërtet shumë i madh, përgatitje në cilësinë e kryeredaktorit e të anëtarëve të redaksive në revistat shkencore e profesionale e shumë punë të tjera, me dije e përkushtim të pashoq;
-përgatitje kuadrosh për mësimdhënie e për studime shkencore, në cilësinë e profesorit dhe të udhëheqësit të projekteve shkencore e të tezave të disertacioneve.
Krijimtaria dhe veprimtaria shkencore e profesionale e profesor Emil Lafes janë të lidhura ngushtësisht me gjuhën letrare shqipe, me zhvillimin dhe zbatimin e saj. Dijet e tij të gjera për dialektet e të folmet e saj, për veçoritë e tyre fonetike, gramatikore e leksikore, i kanë dhënë dorë atij për të trajtuar me kompetencë probleme e çështje të rëndësishme të normësisë gjuhësore. Jo rastësisht, si i ri, ai ishte në cilësinë e anëtarit në Komisionit hartues të rregullave të drejtshkrimit në krahë të prof. Androkli Kostallarit, profesor Eqrem Çabejt dhe profesor Mahir Domit (1967); ishte delegat dhe sekretar i Komisionit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe njëherësh edhe anëtar i Komisionin hartues me rastin e botimit të Fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe.
Të gjithë ata që i kanë pasur e shfrytëzuar dhe që i mbajnë në tryezat e tyre tekstet normative të gjuhës standarde shqipe, e kanë të ditur se në Komisionin hartues të rregullave të drejtshkrimit, anëtar i të cilit, pos prof. Androkli Kostallarit, prof. Mahir Domit, prof. Eqrem Çabejt që prej fillimit, d.m.th në vitet “60, ishte edhe profesor Emil Lafe. Rregullat e drejtshkrimit, siç dihet, u botuan fillimisht si maket për diskutim në vitin 1967, kurse pas miratimit të këtyre rregullave të botuara edhe si libër më 1973. Tri vjet pas, më 1976 u botua Fjalori i drejtshkrimor i gjuhës shqipe e ku e gjejmë natyrshëm prapë emrin e profesor Emil Lafes. Përkushtimi dhe puna e vazhdueshme në të mirë të gjuhës standarde, të zbatimit të normave gjuhësore e sidomos të rregullave të drejtshkrimit, që nga fillimi e deri sot, është përkushtim jetësor e mision kulturor i profesor Emil Lafes.
Emrin e profesor Emil Lafes e gjejmë pos në disa vepra bazë për gjuhën shqipe e për normësinë e saj si: Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973), Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika e gjuhës shqipe. Morfologji I (1976, 1995, 2002), edhe si bashkautor në veprat: Gjuha letrare shqipe për të gjithë (1976), Për pastërtinë e gjuhës. Fjalor (1998). Ka botuar studime e artikuj në fushën e dialektologjisë, të gramatikës historike e të sotme, të fjalëformimit, të historisë së shqipes së shkruar etj.
Profesor Emil Lafe ishte dhe është njëri nga zelltarët më aktivë në fushën e gjuhësisë për problemet e sfidat me të cilat përballet gjuha shqipe ndër vite dhe deri sot. Është autor i një numri të madh të studimeve dhe artikujve për gjuhën standarde dhe kulturën gjuhësore, por edhe studimeve nga fusha e dialektologjisë, e gramatikës historike e të sotme, e fjalëformimit, të historisë së shqipes së shkruar etj. Për vite me radhë ishte kryeredaktor i revistës gjuhësore “Gjuha jonë”, revistës që i dha dijen, mundin, fuqinë e energjinë e studiuesit të palodhshëm, sistematik, bashkëpunues e shumë këmbëngulës në realizimin e qëllimit dhe detyrave që ajo shtronte, por edhe anëtar redaksie i revistës “Gjuha shqipe” të Institutit Albanologjik të Prishtinës, gjatë disa viteve, ku përkrahja dhe ndihma profesionale e tij nuk ka munguar kurrë.
Një drejtim tjetër i punës së profesor Emilit sa e vlefshme po aq e dobishme për shkencën shqiptare dhe arsimin shqip, paraqitet në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë. Emri i tij krahë kolegëve të tjerë, studiues të shquar, gjendet në ballë të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, projekt themeltar për gjuhën e gjuhësinë shqiptare, botuar më 1980 me 41 000 fjalë, ku pesha e punës dhe përkushtimi profesional edhe i prof. Emil Lafes konsiderohen e janë më se të çmueshme. Se ç’mund, punë e përkushtim do një ndërmarrje e tillë e madhe, serioze dhe tepër e rëndësishme, e tregon edhe fakti se ai fjalor përreth 40 vjetësh mbetet Fjalori kryesor i gjuhës shqipe dhe bazë për hartimin e fjalorëve të tjerë gjuhësorë e shumëgjuhësorë, të veçantë e tematikë. Edhe në Fjalorin e shqipes së sotme të 1984-së, me 34 mijë fjalë, fjalor në të cilin lënda gjuhësore e Fjalorit të 80-së u sintetizua te zbërthimet e fjalëve dhe te shpjegimet e frazeologjizmave, në të vërtetë u bë një ngjeshje e theksuar e strukturës kuptimore dhe e përkufizimeve të tij, emri i profesor Emilit gjendet në ballë të Fjalorit si recensues i cili dha “ndihmesë të veçantë me vërejtjet e sugjerimet” e tij[8].
Puna dhe mundi i profesor Emilit është derdhur pa kursim dhe në një varg fjalorësh të tjerë. Kështu emrin e tij e gjejmë edhe në një numër fjalorësh të tjerë si autor në veprat: Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë (ASHSH, 2001), Leksiku terminologjik i agronomisë në gjuhën shqipe i Vilma Prokos (1910), Fjalor norvegjisht-shqip i Rrahim Perçukut (1998) etj. Vlen të përmendet posaçërisht përgatitja dhe redaktimi i dorëshkrimit të fjalorit të persizmave të Tahir N. Dizdarit, botuar me titullin Persizmat në gjuhën shqipe dhe studimi i tyre, i cili shoqërohet edhe me dy parathënie dhe me disa studime të realizuara në dy dhjetëvjetëshat e fundit prej studiuesve shqiptarë për praninë e persizmave në gjuhën shqipe dhe për vendin dhe rolin e tyre në leksikun e shqipes, e ku shquan puna pedante dhe përkushtimi i thellë i profesor Lafes që ky fjalor shumë i rëndësishëm të dalë sa më mirë e të plotësojë kërkesat leksikografike e shkencore. Në këtë fjalor është botuar edhe studimi i profesor Emil Lafes me titullin Persizmat në kuadrin e orientalizmave të “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”.
Krahas këtij kontributi në fushën e leksikografisë, e konsideroj shumë të rëndësishme edhe punën e tij në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (2008, 2009), në tri vëllime e me rreth 4000 faqe, ku emrin e profesor Emil Lafes e gjejmë si anëtar të Këshillit botues dhe si redaktor të përgjithshëm.
Emrin e profesor Emil Lafes e gjemë jo vetëm në një numër të madh studimesh, vështrimesh, artikujsh tematikash të ndryshme gjuhësore[9], në recensione kritike e bibliografi, por edhe si redaktor të shumë veprave të tjera të historisë sonë kulturore, si fjala në veprën që u botua së fundi: Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip dhe veprimtaria e saj 1879: përmbledhje studimesh dhe artikujsh me rastin e e 140-vjetorit të themelimit 1879-2019 (“Alsar”, Tiranë, 2019, 348 faqe) si bashkëredaktor me prof. Xhevat Lloshin, por edhe si anëtar të revistave të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë, si “Perla”, “Malësia” e të tjera.
Pikënisja e shtysa themelore e veprimtarisë gjuhësore të profesorit Emil Lafe, e provuar si në studimet e tij shkencore, të ndryshme përmbajtjesisht, si në shkrimet e shumta të tyre pikërisht për gjuhën, për zhvillimin e gjuhës standarde, për pasurimin e saj me elemente vetjake, për pastrimin e saj prej elementeve të huaja, si në veprimtaritë konkrete për shqipen standarde lidhet me përpjekjen që gjuha letrare shqipe të bëhet një gjuhë me aftësi të gjera komunikuese e me fuqi të lartë shprehëse, që pasurimi i mëtejshëm i gjuhës letrare të bëhet në radhë të parë me vetë mjetet e gjuhës shqipe – nga njëra anë, duke zbuluar e shfrytëzuar thesarin e saj të panjohur a pak të njohur leksikor-frazeologjik në dialektet e në të folmet e ndryshme ose në traditën shkrimore të shekujve të kaluar, dhe, nga ana tjetër, duke vënë në jetë sa më mirë mundësitë e mëdha të mënyrave e të mjeteve fjalëformuese të vetë shqipes. Vetëm duke e trajtuar kështu, sipas mendimit të profesor Emilit, ajo do të mund të sigurojë kontakt të dinjitetshëm me gjuhë e kultura të tjera. Në veprën shkencore të tij, në të vërtetë shquan synimi i qartë për ta bërë shqipen gjuhë të zhvilluar, gjuhë të kulturës e të shkencës, shquan dashuria e nderimi për gjuhën e kulturën kombëtare, shquan vetëdija mbi vlerat e padiskutueshme gjuhësore të shqipes.
Kudo që është gjendur si në redaksitë e revistave shkencore, si në këshillat organizues të konferencave, si në grupet punuese, profesor Emil Lafe, është shquar me përpikëri dhe korrektësi të rrallë ndaj punës dhe ndaj kolegëve të tij. Prania e tij kurdoherë ka imponuar dhe imponon respekt, seriozitet e afërsi, për çka gëzon nderimin e të gjithë atyre me të cilët ka punuar e bashkëpunuar. Në Institutin Albanologjik, në aktivitetet e shumta shkencore, në takimet zyrtare e jo zyrtare, prej më shumë se 40 vitesh, prania dhe autoriteti i tij dhe i kolegëve të tjerë nga Tirana, bashkëpunëtorë të profesor Emilit, kanë qenë gjithmonë shprehje e nivelit të lartë të paraqitjes, të kompetencës, të përgjegjësisë dhe të seriozitetit të dalluar. Ai ka gëzuar dhe gëzon nderimin e përhershëm të këtij institucioni dhe të studiuesve të tij edhe falë natyrës paqësore, bashkëpunuese dhe qëndrimit të tij të drejtë e parimor.
Prej kësaj që u tha shkurtas, besoj, më lejohet të shtoj se profesor Emil Lafe hyn në radhën e albanologëve më të shquar shqiptarë. Me dijet e tij, me përgatitjen shkencore e profesionale shembullore, me kompetencën teorike, me njohjen dhe zbatimin e dijeve jo vetëm gjuhësore, ai ka arritur t’i pasurojë ndjeshëm studimet albanologjike me rezultate e me cilësi të qëndrueshme nëpër kohë.
Në tetëdhjetë e katër vjetorin e jetës së profesor Emilit, aq të pasur me krijimtari shkencore e me punë të gjatë arsimore, me angazhim të madh edhe në fusha të tjera të kulturës shqiptare, kam kënaqësi të veçantë t’i uroj jetë të gjatë, shëndet dhe vepra të tjera të çmueshme albanologjike.
[1] Prof. dr. Emil Lafe, Personaliteti shkencor i Xhevat Lloshit si gjuhëtar, në ”Konferencë gjuhësore për nder të 80-vjetorit të lindjes së Prof. dr. Xhevat Lloshit”, Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare Tiranë, 2018, f. 12.
[2] Emil Lafe, Elemente shqiptare në popujt e tjerë të Ballkanit, “Buletin i Universitetit Shtetëror” 2, Seria e Shkencave Shoqërore, Tiranë, 1963, 293-295.
[3] Emil Lafe, Elemente shqiptare në popujt e tjerë të Ballkanit, “Bashkimi”, 28 janar 1964.
[4] Emil Lafe, E folmja e Nikaj-Mërturit, “Studime filologjike”, 3. Tiranë, 1964, f. 107-148.
[5] Emil Lafe, Trajtat e urdhërores te Gjon Buzuku, “Studime filologjike”, 1, Tiranë, 1965, f. 163-169.
[6] Emil Lafe, Trajtat e pjesores te Gjon Buzuku, “Konferenca e parë e studimeve albanologjike”, Tiranë, 1965, f. 154-160.
[7]Emil Lafe, Fjalorët e parë terminologjik në gjuhën shqipe, “Mësuesi”, 8 janar, Tiranë, 1965.
[8] Fjalor i shqipes së sotme, ASHSH, IGJL, Tiranë, 1984, f. 9.
[9] Ndër shumë studime të prof. Emil Lafe të botuara në periodikun shkencor të Shqipërisë, Kosovës dhe jashtë tyre, shquajmë: Shqipja standarde në vështrim strukturor dhe funksional, Probleme e detyra në fushën e kulturës së gjuhës, Drejtshkrimi dhe gramatika e shqipes, Disa kritere për pasurimin e gjuhës shqipe dhe për pastrimin e saj nga fjalët e huaja të panevojshme, Gjuhësia shqiptare për kulturën e gjuhës, Lufta për pastërtinë e gjuhës në kohën tonë, Njëzet e pesë vjet nga kongresi i drejtshkrimit vlerësime dhe vështrime në të ardhmen, Shqipja standarde në shekullin e ri, Veprimtaria për pastërtinë e gjuhës e komisionit të gjuhësisë në institutin shqiptar për studime e arte, Një vështrim mbi shqipen standarde, Alfabeti dhe drejtshkrimi, Njësimi i shkronjave dhe larmia e tingujve (çështje të shqiptimit letrar), Drejtshkrimi i shqipes dhe disa probleme të tij, Përpjekjet e arbëreshëve të Italisë për mësimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, Pastërtia e gjuhës shqipe nga Naum Veqilharxhi deri në ditët tona, Rreth premisave të formimit të shqipes letrare në vështrimin e albanologes A. V. Desnickaja, Dorëshkrime me vlerë për studime albanologjike, Asdreni për gjuhën dhe gjuha e Asdrenit, “Fjalor i Arbëreshëvet t’Italisë” (1963, 2000) i Papas Emanuele Giordanos – vepër me vlerë të përhershme, Fjalori “Orientalizmat në gjuhën shqipe” i Tahir Dizdarit si pasqyrim i ndikimit të kulturës islame ndër shqiptarët, Shkodra në “Fjalorin e orientalizmave në gjuhën shqipe” të Tahir N. Dizdarit, Tipare të ligjërimit letrar në veprën e Mitrush Kutelit, Letërsia dhe zhvillimet e sotme të gjuhës letrare shqipe, Naum Bredhi-Veqilharxhi – nismëtar dorëmbarë i pastrimit dhe pasurimit të gjuhës shqipe, Rëndësia e autorëve të vjetër për shqipen e sotme, Trajtat e pjesores te Gjon Buzuku, Trajtat e urdhërores te Gjon Buzuku, Një vështrim mbi leksikun e “Mesharit” të Gjon Buzukut, Leksiku dituror te Gjon Buzuku, Mbi habitoren dhe disa trajta të saj, Përsëritja si mjet gramatikor i shprehjes së aspektit dhe shkallës sipërore në gjuhën shqipe e parë edhe në krahasim me rumanishten, Gjuha e folklorit – burim gjallërimi e pasurimi për gjuhën letrare kombëtare, Zhvillimi i leksikut libror të gjuhës shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX (Ndikimi i rusishtes), Mbi disa terma të klasifikimit të fjalëve sipas përbërjes strukturore dhe sipas fjalëformimit, Njësi dhe vijimësi në formimin e etnonimeve shqiptare, Fjalët dialektore si burim për terminologjinë dhe për leksikun dituror, Roli i terminologjisë shkollore për integrimin e mëtejshëm arsimor e kulturor të gjithë trojeve shqiptare, Fillimet e formimit të terminologjisë juridike në gjuhën shqipe, E folmja e Nikaj-Mërturit e të tjera.