Nga Ksenofon Krisafi
Emocione nga rikthimi në vite e ngjarje. Në 100 vjetorin e gjimnazit “Asim Zeneli” të Gjirokastrë
Diku nga tetori i vitit 2021, znj. Katjusha Latifi (Pogaçe), e cila më dhuroi librin e saj më të fundit, tha ndër të tjera se në kuadrin e 100 vjetorit të gjimnazit “Asim Zeneli”, do të ishte mirë që disa prej ish nxënësve të tij, që banojnë në Tiranë, të takoheshin për të shkëmbyer ide rreth veprimtarive që mund të ndërmerreshin me këtë rast.
Ato që do të gjykoheshin si më të dobishmet mund t’i transmetoheshin organeve të pushtetit vendor në Gjirokastër, që, eventualisht t’i përfshinin në programin zyrtar.
Propozimin e saj e diskutuam miqësisht dhe privatisht me dy grupe gjirokastritësh në Tiranë, njëri ai i 5-6 ish nxënësve të Maturës ’69 dhe tjetri, më i gjerë dhe më i përzier, të cilin, me shaka e kemi quajtur “Diaspora gjirokastrite e Tiranës”.
Idea u mirëprit dhe u organizuan tre-katër takime, ku u avancuan projekte të ndryshme. Pjesën me racionale, ia bëmë të njohura z. Flamur Golemi, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës dhe një grupi drejtuesish të saj. Na pritën me respekt dhe përzemërsi të veçantë. Nismën e vlerësoi pozitivisht.
Në mars të këtij viti dorëzuam propozimet konkrete, për të cilat sërish morëm falenderime. Një pjesë e tyre janë përfshirë në listën e veprimtarive që do të organizohen në datat 20-23 nëntor të këtij viti.
Një prej tyre ishte botimi i kujtimeve ose krijimeve të disa prej ish nxënësve ose ish mësuesve të Gjimnazit. Kanë filluar të publikohen në gazeta, portale ose mjete të tjera të informimit publik, duke sjellë atmosferën e viteve të shkollimit të autorëve dhe duke krijuar një “histori” ngjarjesh, zhvillimesh dhe informacionesh me vlerë.
Në plotësim të këtij angazhimi, vijnë edhe shënimet në vijim, ku ka qenë e vështirë të fshihen emocionet e shkaktuara nga nostalgjia e natyrshme e brezave për kohët e shkuara.
***
Kur ishim nxënës në shkollën shtatëvjeçare Naim Frashëri, fillimisht në lagjen Cfakë dhe pastaj në Manalat të Gjirokastrës, mësuesit na organizonin shpesh veprimtari jashtëshkollore. Një ndër to, ishte vizita në klasën muze, të gjimnazit, ku kishte qenë udhëheqësi i vendit, Enver Hoxha.
Për moshën e njomë që kishim si edhe për indoktrinimin e skajshëm që injektohej vazhdimisht, për cilindo prej nesh, vizita përfaqësonte diçka të veçantë. Në ato kohë, ne fëmijët e konsideronim atë si dikë që qëndronte mbi të tjerët dhe, siç merret me mend, nuk mund të dallonin te ai shënjat ose tiparet e diktatorit të ardhshëm.
Për ata që patën fatin të ndiqnim shkollimin e mëtejshëm në gjimnaz, kjo vizitë ishte prezantimi i parë me të. Ndërtesa e tij madhështore dhe impresionuese, e vendosur gati në mes të qytetit, dukej sikur iu bënte sfidë shtëpive të mrekullueshme gjirokastrite, tip chateaux –je. Tentonte, por pa sukses, “të zbehte” magjinë e shtëpive të Zekateve, Skëndulajve etj, të cilat formonin një mozaik gjigand, ku dominonte grija e mureve, çative dhe kalldrëmeve të gurta.
Mbi mermerin e korridoreve dhe të shkallëve të tij, do të hidhnim më pas hapat e parë, gjithë ndrojtje e emocione. Ecuria jonë në labirintet e jetës e pati zanafillën te shkolla e mesme e përgjithshme “Asim Zeneli”, që do të bëhej tempull magjie, bukurie, adhurimi, dashurie, pikënisje dhe pikë reference për të ardhmen, të cilën gjithësecili e ndërtoi sipas prirjeve, dëshirave dhe mundësive.
Shumë rrallë mund të ketë ndodhur që të jemi kthyer në vendlindje dhe këmbët të mos na kenë çuar vetvetiu te shkolla jonë.
Nuk do ta kishim thënë të plotë të vërtetën nëse për orientimin tonë drejt gjimnazit do linim pa përmendur meritat dhe kontributin e pafundëm të prindërve tanë. Edhe pse ndoshta në kushte të vështira ekonomike, ata nuk e vinin në diskutim që fëmijët e vet do t’i dërgonin patjetër për shkollim të mëtejshëm.
Në edukimin, kalitjen e karakterit, vlerat, qytetarinë e gjimnazistëve të “Asim Zenelit”, sikurse edhe të shokëve dhe shoqeve tona që ndiqnin shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri”, me po aq vlera cilësore, ndikonte pa dyshim edhe Gjirokastra, qyteti ynë magjiplotë, me bukuri përrallore, me arkitekturë të standardeve më të përparuara, me mirësi të pambarimtë, me kulturë dhe civilizim europian dhe botëror, që e kishte mbushur Shqipërinë, madje Perandorinë dhe Europën me djem dhe vajza të shquara në aftësitë profesionale dhe të paarritshëm në formimin kulturor.
Vazhdues i traditave arsimdashëse
Në fillimet e veta, për rreth 15 vjet, thirrej Lyceu i Gjirokastrës. Kur u rihap, pas çlirimit të vendit, më 9 prill 1945, mori emrin e heroit të popullit, partizanit trim dhe atdhetar Asim Zeneli, nga Progonati, dëshmorit të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të shqiptarëve, i cili dha jetën për lirinë e vendit. Ishte një emër që i shkon për bukuri sepse i përket një të riu të shkolluar mjaftueshëm dhe shkëlqyeshëm në institucione prestigjioze arsimore në Itali. Emrin e tij e mban edhe sot, prej rreth 80 vjetësh.
Ai u themelua mbi një traditë të spikatur arsimdashëse të Gjirokastrës, që ekzistonte e shfaqej pothuajse në të gjitha krahinat e Shqipërisë.
Nis me shkollën normale të Qestoratit në Lunxhëri, çelur në vitin 1869, ku Koto Hoxhi, iu mësonte fshehurazi nxënësve gjuhën shqipe, shkak për të cilin u burgos dhe u helmua nga grekët. Rrugën e dritës së diturisë e vazhduan Pandeli Sotiri, nga Selcka, drejtori i Mësonjëtores së Korçës, Veli Hashorva, Vangjel Koça, Hysni Babameto, Salim, Muntaz, Vesim, Qemal dhe Musine Kokalari, Eqrem Çabej, etj.
Në Gjirokastër, më 5 nëntor 1908, u krijua klubi “Drita”, anëtarët dhe pleqësia e të cilit miratuan njëzëri hapjen e shkollës së parë shqipe për fëmijët, me emrin “Liria”.
Produkt i admirueshëm i këtij mjedisi arsim dhe kulturëdashëse ishte realiteti tjetër, me pikënisje po nga Gjirokastra, Libohova, Tepelena, Saranda, nga gjithë jugu i qytetëruar i Shqipërisë. Ai kishte edhe component tjetër që zhvillohej jashtë kufijve të saj. Familjet gjirokastrite, libohovite etj, në varësi të mundësive, fëmijët e tyre i nisnin për shkollim të mëtejshëm në universitetet dhe shkollat më të mira të rajonit dhe të kontinentit. Numri i tyre arrinte nga disa dhjetra në disa qindra vetë.
Njoftime nga shtypi i kohës, tregojnë se në fillimet e shekullit të kaluar, vertëm në Turqi, studionin mbi 100 vetë nga kjo zonë. Për një ide të përgjithshme po përmendim disa prej tyre. Në shkollën e lartë të shkencave politike dhe administrative – Mylkije, nga 19 studentë shqiptarë, 8 ishin nga Gjirokastra dhe Libohova, në Fakultetin e Drejtësisë – Hukuk numri i tyre ishte 18 studentë nga 38 shqiptarë, në Fakultetin e Mjekësisë ishin 23 vetë nga 39 shqiptarë, në Fakultetin e Inxhinierisë ishin 4 studentë, nga 13 shqiptarë, në bujqësi 5 vetë, nga 13 studentë nga Shqipëria, në Medrese, (Teologji) ishin 3 vetë nga 19 gjithësej, në Nyvabi, 5 vetë nga 6 gjithësej etj.
Kur kishin kaluar 15 vjet nga nëntori i 1908, jo shumë larg nga vendi ku filloi “Liria”, do të çelte dyert e dijes Lyceu, Gjimnazi i Gjirokastrës, drejtor i parë i të cilit ishte francezi Viktor Kutan. Hapja e tij u përjetua siç ishte dhe siç e meritonte, si një ngjarje me ndikime epokale në jetën e vendit.
“Çupat me çanta në duar, shkuan në lyce, shkruan në ditarin e tij demokrati patriot Jorgji Meksi – themeluan të parën lyce nacionale mikste, për gëzim të qytetarëve e për inat të miqve të pakë të errësirës medievale (mesjetare). Gjirokastra tregoi edhe një herë se është në ballë të arësimit dhe të progresit”.
Prof. Hajri Shehu, sjell një tjetër të dhënë shumë interesante. Ai citon librin e Teki Selenicës Shqipëria më 1927 (Tiranë, 1928), ku thuhet se prefektura e Gjirokastrës ka 246 veta me universitet dhe 236 vazhdojnë studimet universitare jashtë shtetit. Zinte vendin e parë në shkallë vendi, sepse të gjitha prefekturat e tjera kishin disa herë më pak.
Fjala vjen Korça kishte 82 vetë me universitet dhe 163 me studime universitare jashtë shtetit, Shkodra 18 me 88, Vlora 51 me 91, Tirana 3 me 16, Durrësi 16 me 59, Berati 13 me 45, Elbasani 6 me 34, Dibra 2 me 30, Kukësi – me 25. Pra në krye qëndronte Gjirokastra, fakt që flet shumë për atmosferën arsimdashëse.
Gjimnazi ynë
Në 100 vite të jetës së vet, gjimnazi u bë një institucion prestigjioz me emër të spikatur i arsimit shqiptar, i ideve për liri, për progres shoqëror, demokraci dhe përparim kombëtar. Historia e tij dëshmoi se kishte ardhur në kohën dhe në vendin e duhur.
Mblodhi rreth vetes mësues të përkushtuar, njerëz të ditur dhe shërbeu si qendër e fuqishme drite e diturie, kulture, shkence, arti, formimi qytetar. Ai përgatiti breza të rejash e të rinjsh, të orientuar drejt progresit, demokracisë, ruajtjes së traditave liridashëse e paqedashëse të shqiptarëve.
Nga bangat e tij kanë dalë me mijëra njerëz të ditur që bashkuan dijet dhe energjitë, mëçurinë, inteligjencën, talentin, dëshirën dhe dashurinë për vendin dhe njerëzit, për ta bërë më të mire Shqipërinë, dolën edhe personalitete të shquara pothuajse në të gjitha fushat e veprimtarisë së shoqërisë, në ekonomi, kulturë, arsim, arte e letërsi, shkencë, shëndetësi, ushtri, drejtësi, diplomaci, etj. Do të ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të përmenden të gjithë.
Ata janë gjendur e gjenden kudo në Gjirokastër, Shqipëri e jashtë saj, si emra të ndritur të origjinës së vet, si përfaqësues të denjë të qytetarisë, emancipimit, sjelljes, edukates, traditës gjirokastrite.
Si mjedis frymëzues, kontribuoi për ndërtimin e Shqipërisë, për lartësimin e emrit të saj dhe, kur ishte nevoja, edhe për mbrojtjen e kufijve dhe tërësisë territoriale.
Basho Thomai
Lista e mësuesve të gjimnazit është e gjatë dhe gjithë emra të nderuar. Ata janë përmendur nga bashkënxënësit e tjerë që kanë shkruar këto kohë. Do të ndalem vetëm te njëri prej tyre, më i vjetri dhe më i veçanti, mësuesi emblematik, Thoma Papapano ose Basho Thomai, siç e thërrisnin për shkak të moshës.
Ai binte në sy për trupin e plotë dhe fytyrën fisnike. Kishte qenë mik i Fan Nolit. E kishte pritur në shtëpinë e vet në gushtin e vitit 1923, kur vizitoi Gjirokastrën.
Të gjithë brezat e nxënësve e nisnin dhe e mbaronin periudhën 4-vjeçare të shkollimit te “Asim Zeneli” me tingëllimin e ziles së shkollës, të cilën në mëngjezin e çdo 1 shtatori, nuk e mbante punonjësi i shërbimit, por mësuesi Basho Thomai. Me tingëllimin e zgjatur të saj i ftonte nxënësit e klasës së parë të inaguronin ditën e parë të vitit të parë të gjimnazit.
Të njëjtin rit do ta përsëriste me ta, katër vjet më pas, në një nga ditët e fundit të qershorit, sërish në të njëtin vend, përpara të njëjtëve nxënës. Basho Thomai do t’i binte prapë ziles për t’iu uruar mbarësi e suksese në rrugëtimin e mëtejshëm. Ceremoni gjithë emocione, “privilegj” ekskluziv i tij. Si simbol i historisë së gjimnazit dhe i qytetit, ai ishte njëkohësisht pika e lidhjes së të kaluarës me ditët e shkollimit tonë gjimnazist, por edhe me banorët e Gjirokastrës.
Te portreti i mësuesit tonë flokëbardhë dhe te mësimet që na jepte, ne kuptonim se nuk ishim shumë larg nga historia, kuptonim se prej saj nuk na ndante më shumë se jetëgjatësia e një njeriu të përveçëm, ajo e mësuesit tonë. Ai na sillte pranë Vlorën e 1912, Ismail Qemalin si kryetar të Kuvendit Kombëtar që do të kryente aktin më unikal në historinë e popullit shqiptar, krijimin e shtetit modern shqiptar.
Për shkak të moshës sonë të re, ne nuk arrinim ta kuptonim në përmasat e duhura fatin e madh që na kishte rezervuar rastësia. Kishim pothuajse përditë përballë mësuesin tonë të gjuhës shqipe, që ishte një nga firmëtarët e aktit të shpalljes së pavarësisë, si për të na kujtuar se ajo, nuk ishte aq larg në kohë sa përshtypja që na jepte historia.
Basho Thomai, Kosova, minoriteti
Megjithë vitet që i rëndonin mbi shpinë, Basho Thomai vazhdonte të ishte shembulli i papërsëritshëm i korrektesës dhe njeriut të përkushtuar pas punës.
Edhe pse mësues i gjuhës shqipe, kjo nuk e pengonte që të “devijonte” ndonjëherë në aspekte të ndryshme të historisë, veçanërisht në ngjarje ku kishte qenë pjesëmarrës ose protagonist.
Si pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, veprimtar dhe firmëtar i aktit të pavarësisë, gjente rast që, me modestinë që e karakterizonte, të fliste për përjetimet e asaj ngjarjeje të madhe historike. Tregonte se Shqipëria e pavarur, e shpallur shtet më vete nga Ismail Qemali, realisht përfshinte pothuajse edhe një tjetër Shqipëri, si territor dhe popullsi. Por, thoshte ai, disa nga Fuqitë e Mëdha, u bënë bashkë me disa nga fqinjët dhe na rrëmbyen Kosovën dhe troje të tjera në Greqi, Mal të Zi, Maqedoni etj.
Nuk duhet të harroni, përsëriste, se ato janë dhe duhet të mbeten pjesë e trungut të gjymtuar shqiptar. Janë shqiptarë siç jemi edhe ne. Jetojnë në trojet e veta amtare. Le të shpresojmë dhe të punojmë që të vijnë ditë të mbara që të gjithë shqiptarët, sikundër popujt e tjerë, të jenë bashkë në shtetin e vet.
Diçka tjetër nga mësimet e vyera të Basho Thomait ishte meraku për marrëdhëniet me minoritetin grek. Me ne thoshte ai, jetojnë edhe disa mijëra motra e vëllezër me origjinë greke. Djem dhe vajza nga minoriteti i kemi këtu, në klasë e në shkollë, ulur me ju në të njëjtat banga.
Janë shtetas shqiptarë, njëlloj si ne edhe pse bëjnë pjesë në një pakicë tjetër kombëtare. Me ta kemi jetuar pa probleme dhe kështu është kultivuar natyrshëm klima e miqësisë dhe vëllazërisë me popullsinë minoritare greke.
Gjimnazi ynë, përveç se dha dije, kulturë, edukoi ndjenjën e mirësjelljes, respektit, miqësisë dhe dashurisë për motrat dhe vëllezërit minoritarë. Nuk kemi ndjerë asnjëherë dallim prej tyre, kemi qenë gjithmonë bashkë, pjesë e një të tëre, siç kanë qenë kurdoherë shqiptarët e grekët, në gëzime, festa, por edhe në halle e vështirësi.
Shoqet dhe shokët tanë minoritarë ishin të talentuar, të zellshëm e punëtorë si ne të gjithë. Këto i treguan rezultatet në mbarim të gjimnazit dhe ecuria e tyre e suksesshme në jetë. Në dy maturat e kohës sonë, prej rreth 80 vetësh, 20 ishin minoritarë. Pothuajse të gjithë mbaruan edhe shkollën e lartë me rezultate shumë të mira dhe punuan ose punojnë ende në pozicione të rëndësishme.
Nga matura A e vitit 1969 minoritarë ishin nxënësit e mëposhtëm: Andrea Xhumba, Grigor Çelemengo, Ilia Gjini, Kosta Goga, Kosta Xarxallo, Marianthi Xhelo, Panajot Zaharjadhi, Sofokli Eksarko, Sotirulla Dilu, Vasil Kareco, Vasil Papa, Violeta Papandoni. Nga matura B ishin: Elefteri Dheftu, Mihal Lolo, Petro Çerkezi, Spiro Kuruni, Vajo Kuka, Vangjel Dralo, Vasi Kuçi (me djalin e të cilit, Kritonin, jemi kolegë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë) dhe Jorgo Beqo.
Pavarësisht se pas mbarimit të studimeve të gjithë u shpërndanë nëpër Shqipëri, miqësia dhe respekti i ndërsjellë u ruajtën të paprekura.
Një vështrim i shpejtë retroaktiv në historinë tonë të Gjirokastrës dhe gjimnazit, dëshmon pa asnjë përjashtim se nuk mbahet mend që me minoritarët të ketë patur probleme ose keqkuptime. Krejt e kundërta është e vërtetë, shqiptarët i kanë konsideruar si vëllezër dhe i kanë përfshirë me kënaqësi në vëllamëri, krushqi, martesa etj. Kam bindjen se edhe ata vetë janë ndjerë të barabartë, të vlerësuar dhe realisht në shtëpinë e tyre.
Nga kjo pikëpamje nuk ka si sot të mos provosh keqardhje, kur individë të caktuar, të katapultuar në krye të formacioneve politike, ndoshta edhe nën shtysën e qarqeve antishqiptare që nuk e duan miqësinë shqiptaro-greke, krijojnë, inskenojnë ose hiperbolizojnë probleme të paqena për qëllime të mbrapshta dhe përpiqen më kot të helmojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke. Shqiptarët dhe grekët në Shqipëri, nuk kanë asgjë me njeri tjetrin. Politika duhet t’i lejë të qetë të gëzojnë dhe të shijojnë miqësinë që i bashkon prej shekujsh.
Teto Qamua, Aneja etj.
Ndjesinë e takimit të afërt me historinë e kam provuar edhe me dy personazhe të tjerë të asaj kohe. Te shtëpia e Xhikajve, ku banonim me qira në lagjen Cfakë, ne “preknim” sërish ngjarjet e bujshme patriotike me rëndësi historike të fillimshekullit. Ngjitur me shtëpinë tonë, gjëndej ajo e dy vëllezërve Teki dhe Kasëm Kuka, që dalloheshin si burra të rrallë për tradicionalizmin tipik gjirokastrit. Një e afërmja e tyre, ndoshta motra, grua rreth 70 e ca vjeçe, e quajtur Qamile (Qamo) Topulli, shihej nga ne të rinjtë si figurë e veçantë. Ishte e shoqja e Çerçiz Topullit, heroit të luftës së Mashkullorës.
Më 18 mars të çdo viti, ne nxënësit e gjimnazit do të marshonim në këmbë disa kilometra për të shkuar te rrapi i Mashkullorës, për homazhe. Aty dikush na fliste për vrasjen e bimbashit, që u bë shkak për betejën e çetës së Çerçizit kundër turqve. E pranishme ishte ndonjëherë edhe teto Qamua, që fliste për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe çetës që udhëhiqte.
Për të tjerët teto Qamua dukej si figurë mitike sepse kishte folur, qëndruar, ngrënë bukë e fjetur me heroin Çerçiz Topulli. Me naivitetin e moshes, shokët dhe shoqet tona, përpiqeshin të gjenim te portreti dhe shtati i saj, gjurmët e madhështisë dhe të lavdisë së heroit të Mashkullorës.
Kurse ne, që e shihnim pothuajse përditë, te sofaja e shtëpisë së Kukajve, te mejdani (sheshi përpara shtëpisë) ose te çezma pak metra më tutje, na dukej më shumë se e zakonshme, njëlloj si nënat ose gjyshet tona, sepse na përkëdhelte, na lëvdonte, na qortonte, na hiqte edhe ndonjë shpullë kur e gabonim.
Te porta e madhe me hark guri të punuar, e shtëpisë ku banonim, ishte vendosur një pllakë përkujtimore, ku thuhej pak a shumë: Në këtë shtëpi ka banuar patrioti Hasan Xhiku, i cili më 4 dhjetor 1912, ngriti flamurin e pavarësisë në Kalanë e Gjirokastrës. Pas vdekjes, shtëpinë e administronte gruaja e tij Kate (Shefikat) Xhiku, ose Aneja, (nëna nga turqishtja) siç e thërrisnim ne, e cila ishte një grua e gjatë, e thatë, e mënçur, kurajoze, shumë e zonja, që rezatonte mirësi dhe embëlsi njerëzore pa kufi. Jetonte në katin e përdhes, poshtë nesh. Ishim si të thuash pjesë e një familjeje, sepse, e vetme, ajo më të shumtën e kohës e kalonte me ne.
Edhe tek ky personazh historik, tek e thjeshta deri në pafundësi, Aneja, ne “preknim” historinë, lavdinë, të kaluarën e Shqipërisë sonë. Ishte e shoqja e atij që kishte ngritur flamurin e pavarësisë në Gjirokastër, që kishte luftuar kundër turqve dhe shovistëve grekë.
Individë të tillë, si Basho Thomai, teto Qamua, Aneja etj, që personifikonin pjesë të historisë, na e relativizonin hapësirën kohore, mistifikimin dhe magjinë e saj. Kuptonim se prej saj na ndanin ose na bashkonin njerëz të zakonshëm, të cilët bartnin mbi vete historinë e vendit.
Për këto arsye ishte e vështirë që dikush prej nesh të mos e dinte e të mos e njihte në hollësi betejën e Mashkullorës, Kuvendin e Vlorës, shpalljen e pavarësisë, ngritjen e flamurit në kalanë e Gjirokastrës, çeljen e liceut në nëntorin e 1923 etj. Edhe po të mos i mësonim nëpër libra, nuk na linin teto Qamua, Basho Thomai, Aneja, ose gjyshërit dhe prindërit, luftëtarë kundër turqve, partizanë kundër fashistëve dhe nazistëve italo-gjermanë. Mua më lidhte me Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare, im atë, partizan në njësitet e rregullta që nga gjysma e dytë e vitit 1942.
Gjimnazi vatër talentesh
Shkolla ishte jo vetëm vatër e arsimimit, por edhe e aktiviteteve artistike, kulturore, sportive jashtëshkollore. Ato gjallëronin ndjeshëm jetën e shkollës, si dhe të qytetit, madje edhe fshatrave. E kishin shndërruar gjimnazin në një mjedis, ku u linden dhe u formuan krijues me talent. Midis tyre spikasin ata nga fusha e letërsisë, që nis nga emrat e mëdhenj, Ismail Kadare dhe Dritero Agolli, të cilëve iu janë shtuar edhe talente të rrallë si Agim Shehu, Jorgo Bllaci dhe shumë të tjerë të brezave të mëvonshëm, si Foto Malo, Halil Laze, Petro Çerkezi, Thanas Dino, Odise Kote, Vllasova Musta, Valentina Mosko, Katjusha Latifi (Pogaçe) dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët nuk është e lehtë t’i sjellësh ndërmend dhe t’i përfshish në një shkrim, i cili ka tjetër qëllim.
Në këtë listë vitet e fundit janë shtuar edhe disa emra të shfaqur disi me vonesë si psh vëllezërit Ibrahim e Shpëtim Emiri.
Në krijimin dhe mbajtjen gjallë të atmosferës kulturore, artistike, meritë të veçantë kishte mësuesi ynë i dashur i letërsisë, poeti Agim Shehu. Ai kishte krijuar “rrethin letrar” ku bashkoheshin të gjithë nxënësit që shfaqnin prirje në poezi, prozë, kritikë letrare etj. Kishte institucionalizuar një rit, sipas të cilit, kohë pas kohe, sillte nga Tirana Ismail Kadarenë dhe/ose Dritero Agolli, me të cilët organizoheshin diskutime të gjera në kuadrin e “rrethit letrar” ose me ndonjë grup më të madh nxënësish e pedagogësh.
Bekim që përcaktoi rrugën e jetës
Gjimnazi “Asim Zeneli” i Gjirokastrës, për mijëra ish nxënësit e vet ka mbetur monument vlerash, kontributesh dhe emocionesh të fuqishme, sepse atje hodhën hapat e parë, u formuan, nisën rrugëtimin e gjatë, të bukur e të vështirë të jetës.
Pata privilegjin të isha një prej tyre. Shpirtërisht ndjej detyrimin të pohoj se në rrugën e gjatë dhe interesante që kisha në jetë, gjimnazi ka meritat e veta të pakontestueshme. Na pajisi me një kulturë të përgjithshme të gjithanshme, të plotë, të thellë, të konsoliduar dhe me një edukatë qytetare të paqortueshme. Aty mësova edhe gjuhën frënge. Zotërimi i saj do të më shërbente si një ndër avantazhet në hapat e karrierës së mëvonshme, në profilin, artin dhe mjeshtërinë e bukur e të vështirë të diplomacisë.
100 vjetori na jep mundësinë për të reflektuar dhe për të kujtuar se si e nisëm rrugën e formimit arsimor e kulturor, ku arritëm dhe ç’sollëm për vete, për familjet dhe vendin.
Pas mbarimit të studimeve universitare në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit të Tiranës, punova për një vit e gjysmë në në prokurorinë e Durrësit dhe u riktheva sërish në Fakultet, tashmë si pedagog. Lënda E drejta ndërkombëtare që m’u caktua, falë mbështetjes së tre pedagogëve të mi shumë të respektuar, Luan Omari, Arben Puto dhe Grigor Gjika, do të bëhej shansi i jetës sime. Ajo më krijoi mundësinë e përfshirjes në shërbimin diplomatik të vendit dhe, në ushtrim të detyrës me të cilën isha ngarkuar, të lëvizja në shumë vende të botës.
Gjeografia e lëvizjeve ka përfshirë kontinente, shtete, qytete, fshatra, lumenj, delta gjigande, kratere vullkanesh, katarakte, dete e oqeane, hapësira ajrore mbi gjithë rruzullin, në të cilën jam zhvendosur në bordin e disa qindra avionëve të tipave, madhësive e kompanive të ndryshme, seli shtetërore, qeveritare, zyrtare, rezidenca personalitetesh, funksionarësh, qendra organizatash ndërkombëtare, universitete, akademi, institute kërkimore e shkencore, biblioteka dhe arkiva historike, qendra biznesi, qytete modernë, karakteristikë të vjetër, muze historikë, kështjella e shtëpi ose galeri artesh, institucione artistike e kulturore, teatro e opera, stadiume, parqe kombëtare e lokale, restorante, bare dhe hotele nga më të zakonshmit e deri te më luksozët, kisha, katedrale, xhami dhe institucione te tjera fetare, ndërtesa, aeroporte, porte, autostrada, komplekse turistike etj.
Një prej këtyre stacioneve, më i rëndësishmi, do të bëhej Gjeneva. Për herë të parë u ndodha atje vitin 1980, si pjesë e delegacionit shqiptar në punimet e sesionit te 35 të Komisionit Ekonomik për Europën. Shpesh, kur hyja ose dilja në Hotel “Bernina”, ku isha vendosur, kaloja përbri hotelit “Excelsior”, në 34, Rue Rousseau. Emri i hotelit më çonte vetëtimthi nga liqeni i Lemanit, në breg të të cilit është ngritur Gjeneva, te lumi Drino, që rrjedh poshtë Gjirokastrës.
Në “Excelsior”, 60 vjet më parë ishte strehuar Fan Noli. Në krye të delegacionit shqiptar të cilin qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës, e kishte dërguar në Gjenevë për të ndjekur fatin e kërkesës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Lidhjen e Kombeve dhe për të lobuar me të gjitha mundësitë që do të kishin.
Hoteli ndodhej afër një godine disakatëshe, ndërtuar në vitin 1866, në këndin e Bulevard Helvétique dhe Rue du Rhône, në bregun e liqenit të Gjenevës. Sot quhet “Palais Wilson”. Ajo kishte një nga sallat më të mëdha të Gjenevës së asaj kohe. Mbante emrin Salle de la Reformation. Në hapësirat e pazakonta të saj u mbajtën mbledhjet e para të asamblesë së Lidhjes së Kombeve. Në korridoret përreth si dhe në mjediset e tjera, Noli, arkitekt dhe luftëtar i pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe shefi i të parit mision diplomatik shqiptar në atë organizatë, si dhe bashkëpunëtorët e vet, përjetonin ankthin dhe emocionet e fuqishme të dilemës së madhe “kalon apo s’kalon”, do pranohet apo jo Shqipëria në LK?! Fatmirësisht, për shkak të një vargu faktorësh ajo e zuri vendin e vet plotësisht të merituar në gjirin e organizatës botërore.
Kaloja pothuajse çdo ditë te dera e “Excelsiorit”, nga ku ndonjëherë më dukej se do të dilte Noli, për veprimtarinë e të cilit në Gjenevë, kisha mësuar fillimisht nga libri “Ligjëron Fan Noli”. Autor i tij ishte mësuesi ynë i nderuar i frengjishtes në gjimnaz, Lefter Dilo.
Në Gjenevë do rikthehesha shumë herë. Madje, njëra prej tyre, zgjati rreth 4 vjet (1998-2002), sepse u akreditova nga presidenti i Republikës në funksionin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, njëkohësisht shefit të Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe organitatat e tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë. Kur do të nisja këtë detyrë, nuk mund të mos më vinin ndërmend mësimet, përvoja, oratoria, përkushtimi, pasioni dhe vlerat e jashtëzakonshme të Nolit si diplomat. Ishte fat i madh ta kishe atë si mësues dhe mentorin shpirtëror.
E nisa me Gjenevën, sepse starti, jeta dhe veprimtaria ime në atë qytet kozmopolit, nga më unikalët, më të bukurit e botës, më të magjishmit, e ka zanafllën te Gjirokastra, ku u linda dhe u formova, ku shkëndijuan prirjet që do të bëheshin realitet me shumë punë e përkushtim, me jo pak përkrahje nga mësuesit e mrekullueshëm që patëm ne gjimnazistët e “Asim Zenelit”, por edhe me pak fat, që është i domosdoshëm për të ecur në jetë.
Gjimnazi mbeti përjetësisht i yni, shumë i dashur, shumë intim edhe pse koha e kaluar në klasat e tij ishte vetëm katër vjet, një periudhë e shkurtër në krahasim me pjesën tjetër të jetës, e cila për shumëkënd vazhdoi në qytete e fshatra në të gjitha skajet e vendit, madje edhe jashtë Shqipërie.