Në 110 vjetorin e lindjes së Gogo Nushit
Bashkim Koçi
Gogo Nushi, lindur në Vuno më 15.2. 1913, dhe ndarë nga jeta në Tiranë më 9.4.1970, ka qenë një nga figurat e shquara gjatë LANÇ, por dhe pas çlirimit me poste të larta shtetërore… Kur ishte 13 vjeç emigroi në Francë, ku më 1935 u anëtarësua në Partinë Komuniste Franceze. Më 1940 u kthye në Shqipëri dhe më pas u anëtarësua në PKSh. Në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kontributi i familjes së Nushajve ka qenë shumë evident. Në këtë kuadër, në 110 vjetorin e lindjes së tij, po japim pjesë nga kujtimet e Enver Hoxhës, ku tregohet me fakte e dokumente se sa i madh ka qenë kontributi i kësaj familje të madhe, me origjinë nga Vunoi, por me vendndodhje në Tiranë, kryesisht gjatë kohës së LANÇ.
Ja si shkruan Enver Hoxha për Gogo Nushin:
BARAKA E NUSHAJVE
-Material i shkëputur nga cikli me kujtime të Enver Hoxhës, kushtuar bazave dhe njerëzve të thjeshtë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare-
Buzë Lanës, në afërsi të vendit ku ndodhej ndërtesa e ekspozitës «Shqipëria sot», në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare ngrihej një barakë e vogël, e vjetër, e ndërtuar me dërrasa të brejtura nga shiu, bora dhe era. Se ç’emër kishte pasur më parë nuk e di, por ne të gjithë e thërritnim baraka e Nushajve, ngaqë aty banonte familja e thjeshtë, e dashur, militante e Gogo dhe e Kozma Nushit. Për të gjithë ne, që hynim e dilnim atje, si në shtëpinë tonë në ditët vështira të ilegalitetit, kjo barakë do të mbetet e paharruar. Ajo ishte baraka e revolucionarëve, e ilegalëve, e takimeve të paharruara me shokët e idealit, baraka ku hartoheshin plane lufte, të aksioneve të rastit e për ditët e ardhshme të lirisë. Baraka kishte vetëm një dhomë të vogël dhe një korridor të shtruar me baltë, një pjesë e të cilit ishte e ndarë me perde e që shërbente edhe si kuzhinë, edhe për të fjetur njerëz e, për këtë, të krijohej përshtypja sikur kishte dy dhoma. Çatinë e kishte të mbuluar me llamarinë dhe, kur binte shi, ndihej një si muzikë shurdhuese, i vetmi moment i dëshiruar për banuesit dhe miqtë e saj, se vetëm atëhere mund të flitej me zë të lartë. Në barakë, zakonisht flitej me zë të mbytur, pse ishte barakë konspiratorësh komunistë e antifashistë. Përpara ajo kishte një kopësht bokërimë dhe rruga që kalonte, nja pesë metra larg saj, gjarpëronte tej në mes ferrash. Nga prapa barakës kishte një bokërimë tjetër që rrëshqiste deri në buzë të Lanës. Pärpara, nga krahu i djathtë, ishin dy-tri shtëpi disi të mëdha.
Valideja, nëna e ilegalëve…
Baraka mund të rrethohej kollaj, por atë e ruante syri vigjilent i Validesë. Sa veta jetonin në atë barakë? As dihej ekzaktësisht, por, veç banuesve të përhershëm: Validesë, djemve të saj, Kozmait, Gogos, vajzës së saj, Lilos, vinin edhe të tjerë. Kështu, gjatë kohës që unë shkoja atje, erdhi e qëndroi për disa muaj vëllai plak i Validesë, Milo Andoni; hynin e dilnin si në shtëpinä e tyre djemtë e barba Milos dhe pjesëtarë të tjerë nga «bylyku» i gjerë i tij; më pas qëndroi në barakë një a dy muaj edhe vajza e madhe e Validesë, Shana, kur u kthye bashkë me burrin e saj, Thoma Kokushtën, nga Franca. Por këta ishin, si të thuash, vetëm banorët «zyrtarë» të barakës, sepse atje, përveç tyre, vinin, ditën e natën, plot të tjerë, ilegalë si unë, korrierë partizanë dhe shokë të ndryshëm të organizatës së Partisë të Tiranës. Dikush vinte e rrinte gjatë gjithë ditës, një tjetër e zinte në mbrëmje shtetrrethimi e mbetej aty edhe natën. Baraka, si një koshere bletësh, prodhonte në heshtje «mjaltë» për Partinë, por jashtë njerëzit e saj sulmonin si grerëza fashistët e tradhtarët. Në barakë sundonte si revolucionare nënë Athinaja, «Valideja». Këtë emër ia kishin vënë shokët e Lionit, kur ajo jetonte në Francë, dhe ne të gjithë vazhduam ta thërritnim kështu edhe këtu, derisa ajo vdiq shumë vjet pas Çlirimit. Valideja ishte një plakë shumë e dashur, shumë e zgjuar, kurrë nuk e ngrinte zërin dhe çdo frazë e mbaronte me fjalën «jeto», duke e zgjatur o-në, si e flasin zakonisht banorët e Bregut. Te gjithë ishim për të bijtë e saj, ishim jeta e saj. Në barakë nuk kishte Kozma e Gogo, të gjithë i kishte njësoj, bile ne të tjerët na përkëdhelte ca më shumë. “Xhan, o Taras”, më thoshte shpesh, ruhu, se janë kohëra të këqija. Mos lëviz shpesh ditën, se mbushur janë rrugët me spiunë. Ty duan të të vrasin qenat këmishëzinj”. “Po ruhem, Valide, shih, kam vënë edhe syze, kam lënë edhe mustaqet!”. Ajo, duke më treguar nga dritarja e vogël e dhomës, mbuluar me një perde të hollë, më thoshte: Gjithë sa rrinë në ato shtëpi, unë i njoh, pse e do puna. Kur kam kohë vete u bëj nga një vizitë plakave. Hiqem si fshatare injorante, u flas atyre për Bregun e Detit, për kishën e Vunoit, për ikonat, (në qoftë se janë të krishterë) dhe shikoj kështu, çfarë grash janë dhe ku punojnë burrat e tyre. Nga kjo anë, që shikoj unë, gratë janë të mira, kurse për burrat hetojnë djemtë dhe ata më kanë thënë se njëri prej tyre është i rrezikshëm.
-Ja, shiko atje në katin e dytë, tek ato penxheretë, atje rri një gjirokastrit.
-Si e thonë, moj Valide?- e pyes.
-Njazi Bimi, jeto.
-E njoh, i them, ne shkollën fillore, në Gjirokastër, kemi qenë bashkënxënës, po ai u bë oficer i Zogut dhe tani është oficer i poshtër fashist. Është i rrezikshëm, duhet të ruhemi që të mos i bjerë në sy baraka. Disa herë i thosha Gogos e të ndaloheshin hyrjet dhe daljet e shumta, qoftë të shokëve, qoftë të kushërinjve dhe Gogoja më përgjigjej:
-Shokët i vëmë në rregull, o Enver, por hajde të vësh në rregull kushërinj dhe të afërmit e Validesë dhe të dajos. Duhet të gjesh mënyrën edhe për këta, se është e domosdoshme t’i rrallojnë vizitat e tyre të kota këtu, në barakë. “Do t’u them”, më përgjigjej Gogoja. Dhe u thoshin ai e Kozmai, por lëvizjet nuk ndërpriteshin. Baraka e Nushajve ishte një botë e çuditshme, një botë e revolucionarëve. Nga jashtë ajo ishte mizerabël, po brenda kurdoherë rrinte e pastër, e fshirë dhe e larë. Atje flitej për plane lufte, për aksione, për atentate kundër fashistëve. Asnjëri nuk habitej, asnjëri nuk bëhej kurioz, të gjithë ishin gjakftohtë. Valideja bënte roje jashtë duke larë enët, ose si të qëllonte: arnonte çorapet e grisura, ose bënte ndonjë punë tjetër. Kur mbaronte -ajo, dilte barba Miloja, hidhte një sy rreth e rrotull, duke bërë sikur do të kryente ndonjë punë, kurse Gogoja, që qysh në fillim punonte me Rininë Komuniste, në një cep tjetër lexonte në frëngjisht «Des principes du leninisme» . Gati e gjithë baraka e dinte frëngjishten. Duke pritur Gogon unë merrja në gjunjë Lilon e vogël dhe i thosha detaje nga libri «Mbi bazat e leninizmit», etj. Kështu dhe harroja për një moment hallet e mëdha të luftës. Sa të madhe e kishte zemrën baraka jonë! Sa herë kam fjetur aty, në dhomë apo edhe në korridorin e vogël, ku nënë Valideja na shtronte të flinim në një dyshek me Gogon. Po duke qenë me i gjatë se Gogoja, mua më dilnin këmbët jashtë dhe kjo gjë bëhej objekt humori, që krahas shqetësimeve që kishim, nuk shterrte kurrë.
Në atë prag, ku projektohej Liria…
Unë hyja e dilja nga baraka i vetëm veshur herë si bojaxhi, herë si hidraulik, herë si elektricist, aq sa i vura në pozitë të vështirë Nushajt dhe kusherinjtë e tyre. i Validese, Miloja, i cili nuk linte fjalë të mira pa thënë në adresën time, si një njeri që di tërë ato zanate dhe isha aq i zoti sa ç’të më shihte syri ma zinte dora, rrinte dhe shante djemtë dhe nipërit e tij që ishin aq të ngathët e të tisur, sa nuk po mësonin një zanat për të qenë! Kozmai punonte në ngarkim-shkarkim, kurse Gogoja, fatorino, ose i ndërronin zanatet, sipas nevojës së Partisë, gjersa iu kushtuan tërësisht punës ilegale. Edhe Cenoja, që në atë kohë duhej të ishte rreth 15 vjeç, qe rregulluar me punë në një ofiçinë. Në kopshtin para barakës rriteshin disa pemë. Mbaj mend se në verën e vitit 1942, kur shtrëngoi vapa, brenda në barakë ishte e pamundur të rrinim gjithë ata njerëz, prandaj ngritëm edhe një tendë në mes të pemëve. Atje Valideja e barba Miloja shpesh prisnin e përcillnin vizitorët e shumtë të familjes dhe kjo jo vetëm na lehtësoi disi ne se ishim të detyruar të rrinim e të punonim vetëm brenda, por na u krijua edhe mundësia që në mbrëmje vonë, kur binte errësira, të dilnim disa te te tenda e të merrnim pak ajër të pastër. Qëllonte të kisha shumë punë, duhej të takohesha e të bisedoja me shokë ose shkruaja artikuj apo udhëzime të ndryshme dhe, për këtë, nuk lëvizja nga baraka edhe me ditë. Barba Milos nuk i pëlqente që unë nuk shkoja në punë, e në vend të ndreqja ndonjë çezmë apo të lyeja ndonjë shtëpi, për të zënë ndonjë lek, «bëja muhabete me shokë, kokë me kokë» ose shkruaja. Sigurisht që kishte filluar të dyshonte tek unë, se unë nuk duhej të isha aq zanatçi i zoti sa hiqesha. Një ditë i thotë Validesë: “Moj Thine, sikur nuk më ngjan si usta ky shoku i djemve”. Valideja, qe ishte nje konspiratore e lindur, iu përgjigj: -Usta është, usta, po ti mos e vri shumë mendjen. “Çudi!”, habitej plaku i urtë, u bëra kaq dhe nuk më ka zënë syri një. Marangoz që të ngasë kalemin, si nget zdrukthin në dërrasë. “S’duhet e jetë usta, jo. Hiqe këtë mejtim nga koka”, i tha Valideja, Ai ca shkollë e ka, por meqë nuk ka gjetur punë është bërë usta, na i mëson edhe djemtë tanë. Që t’i flisje mirë bën, tha plaku, por… Mirë, mirë, e ndërpreu tërë autoritet Valideja me vëllanë, neve nuk ka ç’na duhet se ç’janë e ç’bëjnë ai dhe djemtë tanë, mjafton që i kemi të mirë.
“Po, po”, tha Miloja, plaku i Menos. Gjynah të qahemi, deri tani nuk u kemi dëgjuar ndonjë gjë të keqe. Dhe as që kemi për të dëgjuar, përveçse fjalë të mira!- tha Valideja dhe u largua të gatuante. Nënë Valideja ishte e tillë që edhe pa e kuptuar bëhej edhe nëna jote. Ajo u bë nëna shumë ilegalëve, e korrierëve që hynin e strehoheshin në barakën e thjeshtë, u bë nëna e atentatorëve të guximshëm të Partisë, e partizanëve të Çetës së Pezës. Ajo kishte një zemër të madhe, të ndjeshme dhe të fortë. Jeta e dhimbshme dhe plot vuajtje që kishte bërë, i kishte krijuar bindjen e thellë se bota e vjetër duhej të përmbysej patjetër. Sa herë e kam parë nënë Validenë duke përcjellë nga ajo barakë shokët që niseshin për të kryer aksione të rrezikshme. I shoqëronte deri te dera e kopshtit, rrethuar me gardh, ilegalët të veshur si hamej, elektricistë, hidraulikë, bojaxhinj, me veglat e punës në krah dhe me bombat e revolet në xhepa, shkonin mu në strofkën e armikut për të kryer detyrën që u kishte ngarkuar Partia. Ata shpërndaheshin, kurse nënë Valideja kthehej brenda, me një merak të madh në sy. “U nisën bijtë e nënës”, më thoshte dhe unë e kuptoja shqetësimin e saj të madh. Do të kthehen, i thosha për ta qetësuar, por edhe vetë isha në merak se si do të shkonte aksioni dhe mos u ndodhte gjë shokëve. Valideja vinte kazanin e madh në zjarr dhe lante rrobat tona. Herë pas here ngrinte kokën dhe shikonte nga dera, mos po ktheheshin ilegalët, apo mbante vesh mos dëgjohej ndonjë krismë arme ose plasje bombash. Kur gjithçka heshtte, ajo nuk gjente dot rehat. Shumë u vonuan! më thoshte. Bëja sikur shikoja orën dhe i përgjigjesha: Është shpejt akoma! Dhe kur shihja se ajo nuk qetësohej, shtoja: Ata nuk do te kthehen ketu, do shkojnë në një bazë tjetër. Po nuk qetësohej lehtë nëna. Vetëm kur i shihte me sytë e saj, që hynin, ndritte e tëra. Nuk dinte si ta shprehte gëzimin e saj dhe, duke i kapur për krahu, i fuste brenda për t’u dhënë për të ngrënë atë gjellën e saj të thjeshtë, por aq të shijshme.
-Hani, jeto, hani. Ju ka marrë uria! Valideja nuk të linte asnjëherë të dilje pa ngrënë, po të të zinte dreka ose darka në barakë. Një ditë punova atje që në mëngjes me disa shokë dhe, afër drekës, kur u ngrita të ikja edhe unë, ajo më tha: – Jo, do e hash ca bukë, se ta kam berë gati. E varfër është dreka, por kjo m’u gjend! “Sille, Valide, i thashë, se nuk bën kurrë gjë të keqe ti. Nuk dimë të gatuajmë ne fshatarät, si nënat tuaja qytetare, më tha Valideja. Ma hodhe një thumb, Valide, i thashë, po mirë më bën, keq s’më bën. Jo, të marça të keqen, jeto, nuk e kisha për thumb, por qëpari, kur ti punoje, edhe roje bëja rreth e rrotull, edhe të mblodha ca radhiqe, që t’i kam zier, u kam hedhur edhe uthull, të kam ruajtur dhe një copë djathë, se unë e di që ti e ha shumë, ka dhe bukë e misër si simite. Ma sill sa më parë, Valide, i thashë, se po më ulërijnë zorrët, po bëjnë revolucion! “Rroftë revolucioni!”, tha Valideja dhe shkoi matanë, më solli drekën, që e hënga me aq qejf. E tillë ishte Valideja, nëna e shtrenjte dhe shoqja e paharruar e gjithë ilegalëve, e tille ishte edhe atmosfera qe sundonte ne barakön e saj, ku unë u strehova në ato ditë të vështira dhe punoja për çështjen e Partisë duke bashkëpunuar sidomos me dy djemtë e saj militantë, Kozmanë e Gogon.