Nga Fatos Tarifa
Kur shtatë a tetë vite më parë vendosa t’i hyj me këmbë një deti të pamasë për të studiuar procesin historik të emancipimit erotik të shoqësisë, përmes hulumtimi të marrëdhënieve mes erosit dhe demokracisë, e dija se kjo do të ishte një sipërmarrje tepër e vështirë dhe do më merrte shumë vite punë.
Në atë kohë, shtysë për të ndërmarrë këtë projekt studimor u bënë leximet e mia në fushën e psikanalizës e të teorisë kritike, veçanërisht ideja e artikuluar mjeshtërisht nga Wilhelm Reich se “ëndrra e emancipimit erotik të njerëzimit është e lidhur me atë të emancipimit politik të tij”, si dhe Theodor Adorno me idenë e tij se, “nëse frika dhe destruktiviteti janë burimet emocionale kryesore të fashizmit, erosi i përket kryesisht demokracisë”.
***
Erosi, ose termi erotizëm, mund të kuptohen e të përdoren në shumë mënyra. Unë vetë, me këtë term i referohem një procesi përmes të cilit seksi bëhet i kuptimshëm për ne. Erosi, ose dashuria erotike nuk nënkupton dhe nuk ka të bëjë vetëm me aktin seksual. Erosi përbën një ndër tiparet tona më esenciale si qenie njerëzore.
Në greqishten e vjetër nga edhe vjen, fjala “erotik” (eros) do të thotë “dëshirë”. Grekët e lashtë përdornin dy fjalë të ndryshme për të shprehur atë që në shqip e quajmë “dashuri”: erôs (eran, si folje) dhe philia (philein, si emër). Erosi i referohej kryesisht dashurisë erotike, asaj ndjenje që e shtyn një person ta dëshirojë me pasion një person tjetër si partnerin e vet seksual. Philia nënkuptonte kryesisht miqësinë, ose atë lloj dashurie që një person ka për prindërit, për vëllezërit, për motrat ose për fëmijët e tij.
Në kultura të ndryshme, fjalët që përdorim nuk shprehin gjithnjë të njëjtin kuptim, as përcaktojnë se për çfarë lloj dashurie bëhet fjalë. Edhe kur, si në veprat e Platonit, për shembull, flitet për erosin, philia është gjithmonë e nënkuptuar, edhe nëse nuk përmendet.
Erotizmi shpreh jo vetëm një cilësi që ka aftësinë të shkaktojë dëshira dhe ndjenja seksuale, por edhe një qëndrim filozofik dhe estetik lidhur me dëshirën seksuale, me sensualitetin dhe me dashurinë romantike në përgjithësi. Kjo cilësi gjendet vetëm te njerëzit, pasi, siç vë në dukje filozofi francez Georges Bataille, vetëm njerëzit kanë mundur ta shndërrojnë aktivitetin e tyre seksual në aktivitet erotik.
Në vija të përgjithshme, shkruan ky autor, “erotizmi është ajo çka e dallon aktivitetin seksual të njerëzve nga aktiviteti seksual i kafshëve”, çka do të thotë se, edhe pse “aktiviteti seksual i njerëzve jo gjithnjë—dhe jo domosdoshmërisht—është erotik, ai është erotik kur nuk mbetet thjesht në nivelin rudimentar të aktivitetit seksual të kafshëve”. Me fjalë të tjera, “lindja e erotizmit është e lidhur me kalimin gradualisht nga seksualiteti i paturpshëm në seksualitet të turpshëm”.
Konceptet modernë mbi erosin dhe erotizmin nisën të formulohen në shekullin e 18-të, në epokën e Iluminizmit. Në tekstet dhe në fjalorët enciklopedikë të asaj periudhe erotikja përkufizohej si një tipar që ka të bëjë me dashurinë, ndërsa erotizmi shihej si “një ndërhyrje në sferën publike të diçkaje që ishte esencialisht private”. Në Enciklopedinë e famshme redaktuar nga Diderot dhe d’Alembert në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, vepra përfaqësuese kryesore e mendimit iluminist europian, erotikja përkufizohej si “një epitet që përdoret për gjithçka që ka lidhje me dashurinë mes sekseve”.
Më vonë, Honoré de Balzac do të vinte në dukje karakterin relativ të erotizmit, duke theksuar se kuptimi që i jepet këtij termi varet si nga morali seksual i individit, ashtu dhe nga kultura e shoqërisë dhe koha në të cilën ai jeton.
***
Kjo rrethanë e fundit ka një rëndësi të veçantë, pasi erosi, me fjalë të tjera seksualiteti dhe dëshirat e çdo qenieje njerëzore, janë krejt unike, njëlloj si shenjat e gishtrinjve tanë. Çdo individ ka shenja krejt të veçantë gishtrinjsh, të papërsëritshme tek individë të tjerë, madje as te dy binkakë identikë me ADN 100% të njëjtë e, po kështu, krejt të veçanta janë tek ai rrahjet e zemrës dhe seksualiteti i tij.
Ka, sigurisht, arketipe seksualë, në kuptimin jungian të fjalës, me të cilat individë të ndryshëm identifikohen por, sidoqoftë, seksualiteti i çdo individi nuk i ngjan seksualitetit të asnjë individi tjetër. Shumica e njerëzve këtë nuk e kuptojnë; ata që arrijnë ta kuptojnë e ta pranojnë seksualitetin e tyre krejt unik prima facie si një fakt real, e përjetojnë këtë si një eksperiencë çliruese.
Kjo s’do të thotë se nevojat tona biologjike dhe sjellja jonë seksuale nuk motivohen nga faktorë kulturorë. Përkundrazi, duke jetuar në shoqëri dhe në marrëdhënie me njerëz të tjerë, sjellja jonë seksuale merr edhe një kuptim shoqëror, ajo bëhet erotike. Kuptimi që i japim erosit ndikon në rolet që marrin dhe luajnë individët në çdo shoqëri dhe në raportet mes tyre.
Për këtë arsye, seksi, pra edhe erosi, nuk është thjesht, ose vetëm një atribut biologjik i organizmit tonë, por edhe një konstruksion social, një aspekt i rëndësishëm i qenies sonë shoqërore. Raporti mes tij dhe shoqërisë shpreh dualizmin e vetë natyrës njerëzore për të cilin fliste Émile Durkheim, dy principe që konfrontojnë njëri-tjetrin—shpirti dhe trupi, veprimtaria morale dhe orekset shqisore.
Ne e dimë se, pavarësisht biologjisë së njeriut, seksualiteti influencohet shumë nga ndërveprimi i faktorit biologjik me faktorë psikologjikë, socialë, ekonomikë, politikë, kulturorë, etnikë, ligjorë, fetarë dhe shpirtërorë. Si i tillë, erosi, është tepër kompleks dhe ka shumë kuptime, siç janë të shumta idetë, besimet dhe imazhet që ne kemi për seksualitetin, ndjesitë dhe dëshirat që lidhen me të, veshja, të folurit, të ecurit, të qeshurit (që i konsiderojmë feminine ose masculine), si dhe marrëdhëniet që i konsiderojmë seksuale.
Kushtet materiale dhe idetë që sundojnë në shoqëri të ndryshme ndikojnë shumë në kuptimin që njerëzit i japin erosit. Erosi dhe vetë identitet gjinorë “fabrikohen” përmes strukturave dhe institucioneve të shoqërisë; ato janë, siç themi në sociologji, “konstruksione shoqërore” (social constructions).
***
Hulumtimi i marrëdhënieve të komplikuara mes erosit dhe demokracisë më kanë sjellë deri më sot në përfundimin se lidhja mes tyre është reale, jo fiktive, pasi:
(1) Si erosi, dhe demokracia, nënkuptojnë dhe kërkojnë konsensus dhe tolerancë reciproke;
(2) Si njëri, dhe tjetra, kërkojnë e mund të zhvillohen në kushtet e lirisë për të zgjedhur;
(3) As erosi, as demokracia, nuk mund të ekzistojnë e të zhvillohen në mungesë të të drejtave të barabarta;
(4) Si erosi, dhe demokracia i refuzojnë dhunën dhe nënshtrimin;
(5) Erosi dhe demokracia janë procese që evoluojnë me kohë;
(6) Si njëri, dhe tjetri kanë ulje-ngritjet e tyre;
(7) Erosi, ashtu si demokracia, mund të ekzistojnë e të zhvillohen vetëm në kushtet e një komunikimi të lirë dhe një lirie të pakufizuar për t’u shprehur;
(8) Nëse dështojnë të zhvillohen, dështimi është njëlloj i dhimbshëm si për erosin, dhe për demokracinë;
(9) Si për njërin, dhe për tjetrën, besimi reciprok është esencial; pa të s’mund të ketë eros dhe demokraci të vërtetë;
(10) Si erosi, dhe demokracia mund të zhvillohen vetëm në kushtet kur sfera private dhe ajo publike janë të çliruara nga çdo formë represioni.
(11) Si për erosin, dhe për demokracinë, zhvillimi i identitetit personal merr një rëndësi të veçantë.
***
Këto përfundime, sigurisht, nuk janë shterruese. Sidoqoftë, përpjekjeve për të argumentuar marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë mes erosit dhe demokracisë, u kundërqendrojnë me humor këto fjalë të gazetarit të njohur amerikan George Will, fitues i çmimit Pulitzer: “A është demokracia njëlloj si seksi? Sigurisht që jo. Nëse do të ishte, njerëzit që do të votonin do të ishin më të shumtë” (Is democracy like sex? Surely not. If it were, more people would vote) 😊.