Nga Prof. Fatos Tarifa
Pjesa V (vijon nga dje)
Seksologjia si sociologji
Wilhelm Reich ishte një personalitet karizmatik dhe autoritar, që jo vetëm e predikoi, por edhe praktikoi lirinë seksuale. Ai u akuzua si komunist nga kundërshtarët e tij për shkak të rëndësisë që i kushtonte ndikimit të faktorëve shoqërorë në sjelljen e individit, arsye kjo për të cilën, për një kohë të gjatë ai e konsideroi teorinë marksiste si një shpresë për të përmirësuar kushtet e jetës njerëzore.
Edhe pse në vitet 1920 Reich iu bashkua lëvizjes komuniste, qasja e tij ndaj seksualitetit ndryshonte shumë si nga ideologjizmi markist, ashtu dhe nga anarkizmi. Madje, një ndër arsyet pse Reich u përjashtua nga organizata komunisteku bënte pjesë ishte se ai futi seksologjinë në sociologji, ose në atë që quhet materializëm historik, duke e vënë theksin në implikimet që ka seksualiteti në strukturën dhe në marrëdhëniet shoqërore. Ishte për këtë arsye që, mes viteve 1934 dhe 1937, të gjitha veprat e Reich-it u ndaluan në Bashkimin Sovjetik, pasi ato ishin djegur më parë nga nazistët në Gjermani.
Vetë Reich pohonte: “Unë nuk kam qenë kurrë një komunist në kuptimin që i jepet zakonisht kësaj fjale. Unë nuk kam qenë kurrë një komunist politik. Kurrë. Ah, po. Unë kam punuar për organizatën komuniste. Unë mendoja se kapitalizmi është i keq, por sot nuk besoj se kjo gjendje e mjeruar vjen prej kapitalizmit. Mjerimi është më i vjetër sesa kapitalizmi. Unë u përpoqa shumë që t’i afroja psikologjinë, veçanërisht psikologjinë psikanalitike, me sociologjinë. Dhe ja arrita. Në Austri, unë punova me komunistët. Në Gjermani, gjithashtu, punova me grupin komunist të atjeshëm për shkak të ligjeve të reja në Rusi—ligjeve që kishin të bënin me seksin. Frojdi, gjithashtu, ishte për këtë. Ishte një prirje për të bashkuar psikologjinë me Marksizmin, ose psikanalizën me Marksizmin”.
Në parathënien e botimit të tretë të librit të tij Psikologjia masive e fashizmit, botuar më 1933, atë vit kur Hitleri mori pushtetin në Gjermani, duke shpjeguar marrëdhëniet e tij me organizata të ndryshme marksiste në Austri e në Gjermani, Reich shkruante: “Mua nuk më vjen keq për vitet kur punoja si një mjek në organizatat marksiste. Unë ia dedikoj njohuritë e mia sociologjike jo librave, por kryesisht eksperiencës praktike të luftës së masave punonjëse për një ekzistencë më të denjë e më të lirë. Për mua, si mjek, individi punonjës, me shqetësimet e tij të përditshme, ishte shumë më pranë se samund të jetë ai për politikanët e një partie. Politikani partiak shihte tek [individi punonjës] vetëm ‘klasën punëtore’, të cilën do e ushqente me ‘ndërgjegjjen klasore’. Unë shihja tek ai qenien e gjallë, njeriun që jetonte në kushtet shoqërore më të këqia, kushte që i kishte krijuar ai vetë dhe që e kishin mbërthyer atë karakterologjikisht, kushte që ai i merrte me vete dhe prej të cilave përpiqej më kot që të çlirohej. Hendeku mes koncepaionit ekonomistik dhe atij biosociologjik u bë i pakapërcyeshëm. Teoria e ‘individit klasor’ u zëvendësua nga njohuritë mbi natyrën irracionale të shoqërisë të formuar nga njeriu, si qenie natyrore. Materializmi dialektik, siç e kishte parashtruar atë Engelsi në [veprën e tij] Anti-Dyring, u zhvillua në një funksionalizëm biofizik. Ky zhvillim u bë i mundur me zbulimin e energjisë biologjike, orgonit (1936-38). Sociologjia dhe psikologjia u vunë mbi një bazë biologjike solide”.
Këshilla njerëzve të vegjël
Në librin e tij Listen, Little Man, Reich deklaronte: “Unë nuk jam as i bardhë, as i zi, as i kuq, as i verdhë. Unë nuk jam as i krishterë, as hebre, as muhamedan, as mormon. Unë nuk jam as një poligam, as homoseksual dhe as një anarkist. Unë nuk besoj se për të qenë fetar, në kuptimin më autentik të fjalës, një njeri duhet të shkatërrojë jetën e vet dashurore dhe të balsamoset trup e shpirt. Ajo që ju e quani “Zot” ekziston vërtet, por jo në atë formë që mendoni ju. Zoti është energjia e parë kozmike, dashuria në trupin tënd, integriteti tënd dhe perceptimi tënd për natyrën brenda dhe jashtë teje”.
Reich u ngrit vendosmërisht kundër hipokrizisë politike e fetare që sundonte në shoqërinë e kohës së tij, duke e stigmatizuar atë në personazhin e një “little man”, një njeriu të vogël, që “nuk do të dëgjojë të vërtetën për veten e vet”. Ai shkruante (dhe unë dëshiroj ta citoj gjatë) si më poshtë:
“Ti [njeri i vogël] i lutesh Krishtit. Krishti fëmijë u lind nga një nënë që s’ishte e martuar. Ajo për çfarë i lutesh Krishtit, i gjori ti, njeri i vogël, që vuan martesën tënde, është dëshira qëti vetë ke për liri seksuale. Ti e ke ekzaltuar Krishtin fëmijë ‘ilegjitim’, e ke quajtur atë fëmijën e Zotit, të atij Zoti që nuk e sheh asnjë fëmijë si ilegjitim…Ti lëviz me makinë mbi ura të ndërtuara në bazë të llogaritjeve të Galileit të madh, [por] a e di ti, o njeri i vogël, se Galilei i madh kishte tre fëmijë jashtë martese? Ti nuk ua thua këtë të vërtetë fëmijëve të shkollës. Dhe a nuk ishte kjo një ndër arsyet për të cilat Galilei u persekutua? Dhe a e di ti, o njeri i vogël, se kur erdhi në pushtet, Lenini i madh e anulloi martesën tënde të detyrueshme? A e di ti se vetë ai, [Lenini], bashkëjetoi me një grua pa qenë i martuar me të? Dhe këtë ti e ke mbajtur të fshehtë, apo jo, o njeri i vogël. Ti je mendërisht i gjymtuar; ti ndihesh impotent, i tensionuar, i ngurtësuar, pa jetë, bosh. Ti nuk ke një femër ose, edhe nëse ke, e do atë vetëm për seks, për të provuar se je burrë. Unë kurrë s’kam përqafuar një grua pa qenë i bindur se ajo më dëshironte mua dhe se unë gjithashtu e dëshiroja atë dhe kurrë nuk ia kam vjedhur dashurinë askujt, siç bën ti, o njeri i vogël. Unë e dua gruan time, ose atë me të cilën jetoj. Unë nuk jam si ti, që mendjen e ke të joshësh vajza të vogla pas shkurreve, ngaqë je i paaftë të duash gruan tënde, gruan tënde të mjerë, e cila merr më shumë kënaqësi nga shoferi tënd sesa nga ty, burri i saj. Ti nuk di se ç’është dashuria. Unë dua të të ndihmoj. Dua të të bëj të aftë të kesh jetën tënde seksuale natën, në mënyrë që ditën të punosh, i çliruar nga mendimet për seksin. Unë dua që gruaja tënde të ndihet e lumtur në krahët e tu, jo e dëshpëruar. Dua që fëmijët e tu të jenë faqekuq, jo të zbehtë, të dashur e jo të ashpër. Lëri fëmijët e tu të rriten siç i ka bërë natyra (ose ‘Zoti’). Ti po i torturon për vdekje natyrën tënde, dashurinë në trupin e fëmijës tënd, ëndrrën e gruas tënde për dashuri, ëndrrën tënde për jetën kur ishe 16 vjeç. Hiq dorë nga iluzionet e tua për pak të vërtetë, njeri i vogël, Mendimi tënd nuk sheh larg, nuk shkon më shumë sesa nga mëngjesi në drekë. Nga koha në kohë ti e nxjerr kokën nga balta dhe thërret: Hurrah! Edhe një bretkosë që guak në kënetë është më e gjallë sesa ti. E vërteta ime është më e fortë sesa ti. Unë dua që t’i të heqësh dorë nga frika që ke prej vetes. Dua që të jetosh më i lumtur, më mirë; dua që të ndihesh një trup i gjallë dhe jo i ngurtë, t’i duash e jo t’i urresh fëmijët e tu, ta bësh gruan tënde të lumtur e jo të nënshtruar në agoninë matrimoniale. Lëri fëmijët e tu të rriten të lumtur, duaje gruan tënde netëve. Nëse vepron kështu, me vetdije dhe vendosmërisht, nuk do të ketë më luftra”.
Përvoja sovjetike
Në fillim të viteve 1920 Reich u ndikua së tepërmi nga përvoja liberale e Bashkimit Sovjetik në vitet e para të pushtetit bolshevik. Një figurë qendrore në periudhën fill pas revolucionit bolshevik në atë vend u bë Alexandra Kollontai, së cilës Lenini i besoi drejtimin e organizatës bolshevike të grave, të quajtur “Zhenotdel” dhe reformimin e legjislacionit për familjen.
Kollontai besonte se e vetmja formë e moralshme martese duhej të ishte martesa me dashuri. Në pamfletin e saj “Tezambi moralin komunist në sferën e marrëdhënieve martesore”, botuar në vitin 1921, Kollontai argumentonte se seksualiteti duhej të çlirohej nga stigmatizimi shoqëror pasi: “Akti seksual duhet parë jo si diçka e turpshme apo si një mëkat, por si diçka po aq e natyrshme sa dhe nevojat e tjera të një organizmi të shëndetshëm, siç janë uria apo etja. Një gjë e tillë nuk mund të gjykohet si e moralshme ose e pamoralshme”.
Qysh në dhjetorin e vitit 1917, pra fill pas Revolucionit të Tetorit, Lenini kishte dekretuar dy ligje shumë të rëndësishëm që kishin të bënin njëri me martesën civile, fëmijët dhe regjistrimin e martesës, dhe tjetri me zgjidhjen e martesës. Të dy këta ligje e zhvishnin burrin nga roli i tij dominues në familje, duke i dhënë gruas të drejta të plota për të vendosur për çështje ekonomike e seksuale që kanë të bëjnë me jetën dhe mirëqenien e saj.
Kollontai, nga ana e vet, së bashku me një grup kuadrosh bolshevikë, juristë radikalë, u përpoq që të sfidonte bazat tradicionale të matrimonisë duke i zëvendësuar martesat në kishë me ceremoni civile, duke liberalizuar ligjet për divorcin, duke legalizuar abortin, duke e dekriminalizuar homoseksualitetin, duke u njohur të drejta të barabarta fëmijëve të lindur nga martesa dhe atyre të lindur jashtë martese etj. Edhe pse dëshirat dhe kërkesat e saj gjetën në atë kohë një përkrahje të gjerë në radhët e grave e të rinisë sovjetike, shumë prej tyre mbetën thjesht të tilla—dëshira dhe kërkesa.
Sidoqoftë, në vitin 1920 Bashkimi Sovjetik u bë i pari vend në Europë që me pëlqimin e gruas e legalizoi abortin në periudhën brenda 12 javëve të para të shtatzënisë. Wilhelm Reich e përshkruante me këto fjalë frymën emancipuese të ligjeve të tilla në shoqërinë sovjetike të asaj kohe: “Divorci u bë shumë i lehtë. Një marrëdhënie seksuale që nuk konsiderohej ‘martesë’ mund të zgjidhej po aq lehtë sa edhe ishte krijuar. I vetmi kusht ishte pëlqimi reciprok mes partnerëve. Regjistrimi i një marrëdhënieje nuk ishte i detyrueshëm. Edhe nëse një marrëdhënie ishte e regjistruar, marrëdhëniet seksuale me të tjerë nuk dënoheshin. Sidoqoftë,nëse nuk e informoje partnerin tënd në lidhje me një marrëdhënie tjetër, kjo konsiderohej diçka e gabuar. Detyrimi për të paguar për fëmijët e lindur nga një marrëdhënie pas ndarjes shihej vetëm si një ‘masë tranzitore’. Ky detyrim zgjaste vetëm për gjashtë muaj pas ndarjes dhe vetëm në ato raste kur partneri përfitues ishte i papunë, ose nuk kishte mjete të tjera jetese”.
Një lëvizje për “higjenë mendore” dhe emancipim erotik
I frymëzuar nga përvoja sovjetike, në mesin e viteve 1920Reich u bë një ndër pjesëtarët më aktivë të një fushate që u quajt “lëvizja për higjenë mendore”. Kjo lëvizje ofronte në parqet e Vienës seksione informative dhe edukative mbi seksinpër femrat, meshkujt dhe fëmijët, si dhe kërkonte një reformë ligjore në fushën e familjes, kontraceptivë falas dhe të drejtën e abortit.
Më vonë, Reich do e përshkruante në këtë mënyrë përvojën e atyre viteve: “Unë dola mes njerëzve. Nga viti 1927 deri aty nga shtatori i vitit 1930 punova me njerëzit dhe bëra punë sociologjike në bazën e shoqërisë. Fillova të merresha me sociologji, e cila, në atë kohë, ishte e ndikuar nga politika, ose identifikohej me të. Këtu gjeta një tjetër gjeni, Marksin. Në vitin 1927 fillova të interesohesha pët idetë e Marksit dhe të Engelsit. Sigurisht që më duhej ta bëja këtë. Ata ishin njerëz shumë të mëdhenj dhe kishin të drejtë në ato që thonin. Prej tyre mësova një sociologji të mirë, të vërtetë”.
Kjo fushatë kulmoi me themelimin, në vitin 1931, po nga Reich, të një lëvizjeje politike radikale, e quajtur Shoqata Gjermane për Politika Proletare mbi Seksin, ose “Sex-Pol”, në të cilën u mobilizuan disa mijëra të rinj e të reja gjermanë. Në atë kohë Reich besonte se “një revolucion seksual ka filluar dhe nuk ka forcë në botë që ta ndalojë atë”.
Me ardhjen në fuqi të nazistëve, të cilët i dogjën librat e tij, ashtu si dhe librat e Frojdit e të shumë autorëve të tjerë të shquar, si Albert Einstein, H. G. Wells, Thomas Mann apoMarcel Proust, Reich u shpërngul në vendet skandinave. Por, edhe pse ai mbeti “i vetmi psikanalist që për vite me radhë e kritikoi publikisht dhe tërësisht regjimin nazist të Hitlerit”, për shkak të radikalizmit të tij Reich u përjashtua nga partiakomuniste e Austrisë, si dhe nga Shoqata Ndërkombëtare e Psikanalizës dhe më vonë u dëbua nga Danimarka.
Pas kësaj Reich u vendos në Norvegji, qeveria e së cilës, ekritikuar ashpër për deportimin e Trockit më 1929 dhe nën ndikimin e autoriteteve të tilla, si antropologu i shquar Bronisław Malinowski, filozofi Alexander S. Neill etj., u detyrua t’i ofronte strehim, por me kusht që Reich të mos e ushtronte psikanalizën në atë vend.
Në mbështetje të Reich-it, Malinowski u shkroi gazetave norvegjeze, më 1938, duke e cilësuar atë si “një mendimtar origjinal e të rëndësishëm, një personalitet të vërtetë dhe një njeri me karakter të hapur e me pikëpamje kurajoze”, ndërsa “veprat sociologjike të tij si “një kontribut të shquar e të vlefshëm në shkencë”. Neill, nga ana e tij, në një letër drejtuar shtypit norvegjez po atë vit, shkruante se “fushata kundër Reich-it është tepër e painformuar dhe e pacivilizuar dhe ngjan më shumë me fashizmin se sa me demokracinë”.
Vite më vonë Reich do e konsideronte shndërrimin e lëvizjes për “higjenë mendore” në një lëvizje politike si një ndër gabimet e tij. Lëvizjet politike, sipas tij, lindin dhe zhvillohen për shkak të varfërisë e të nevojave ekonomike, ndërsa lëvizja që ai krijoi kishte për bazë nevojat seksuale të rinisë.
Duke i dhënë lëvizjes së tij një karakter politik, Reich zgjoi frikë, xhelozi dhe armiqësi në radhët e psikanalistëve, si dhe të partive politike të kohës. Ai pohonte: “Unë shkova shumëlarg. Lëvizja zgjoi qysh në fillim shumë entuziazëm. Por ajo nuk u zhvillua gradualisht, siç do të ishte dashur. Kjo pikërisht e vrau atë. Dhe kuptohet, unë bëra armiq psikanalistët, socialistët, komunistët, nazistët, liberalët—të gjithë këta ishin kundër asaj lëvizjeje. Të gjithë politikanët, gjithashtu, ishin kundër saj. Unë nxora një mësim: Kurrë mos e bë politikisht atë që kërkon të arrish. Bëje në mënyrë fakultative. Hap klinika, ndihmoji adoleshentët të krijojnë jetën e tyre dashurore, ndrysho ligjet. Entuziazmi që zgjohet politikisht nuk të çon shumë larg. Të çon deri diku, por vetëm si një flakë që tërheq vëmendjen”.
Ndryshe si nga anarkistët, ashtu dhe nga komunistët që u premtonin qytetarëve lumturi politikisht, “pa krijuar më parë kushtet e higjenës mendore që e bëjnë të mundur atë”, Reich e vuri theksin te rëndësia që ka shëndeti seksual për individin dhe për shoqërinë, për “lirinë seksuale” dhe për “lumturinë seksuale të rinisë”.
Fati tragjik i Reich-it në Amerikë
I zhgënjyer dhe i bindur se reformat liberale që do të çonin në një “revolucion seksual” në Bashkimin Sovjetik të viteve1930, nën drejtimin e Stalinit—i cili e quajti të zgjidhur “çështjen e gruas”—kishin dështuar, se komunizmi në atë vend ishte shndërruar në një monstër, që ai e cilësoi “fashizëm i kuq”, dhe se një revolucion seksual ishte bërë i pamundur në Europë, në vitin 1939, kur ishte 36 vjeç, vetëm pak ditë para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Reich emigroi në Shtetet e Bashkuara. Ai besonte se pikëpamjet e tij do të gjenin një mjedis më mikpritës në atë vend dhe një publik më dashamirës se sa në Europën tashmë të pushtuar nga fashizmi.
Pavarësisht puritanizmit të saj, Amerika kishte filluar në atë kohë të preokupohej për seksin, siç dëshmonin studimet që kishin nisur Alfred Kinsey dhe bashkëpunëtorët e tij një vit më parë. Megjithatë, në atë kohë, shoqëria dhe politika amerikane ende nuk ishin gati për psikanalizën—e cila, në shtypin e kohës (në revistat Harper’s dhe The New Republic), konsideroj thuajse njëlloj si astrologjia—dhe, sidomos, nuk ishin gati për reformat radikale për të cilat fliste Wilhelm Reich, ky lider i një “kulti të ri seksi dhe anarkie”, siç e cilësoi në atë kohë revista Harper’s.
Pas famës që kishte arritur në Vienë dhe në një pjesë të mirë të Europës si një psikanalist i talentuar dhe si një mendimtar i shquar dhe, më vonë, në Shtetet e Bashkuara, si një terapist dhe si zbuluesi i energjisë orgon, Reich filloi të shihej me dyshim nga një pjesë e qarqeve akademike të atij vendi, si një “skizofren” dhe si një njeri problematik, sidomos nga autoritetet amerikane.
Në fakt, menjëherë pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, më 12 dhjetor 1941, vetëm pesë ditës pas sulmit japonez në Pearl Harbor dhe të nesërmen që Amerika i shpalli luftë Gjermanisë naziste, Reich u arrestua nga FBI në Ellis Islanddhe u burgos në atë ishull për një muaj. Arrestimi i Reich-it më 1941 në Ellis Island ishte një gabim i FBI-së që e ngatërroi atë me pronarin komunist të një librarie në New York, i quajtur edhe Wilhelm Reich. FBI u detyrua ta pranojë këtë gabim vetëm dy vite më vonë, në nëntor 1943.
Edhe pasi u lirua, Reich mbeti në “listën e figurave kryesore” të Njësisë së Kontrollit të Armiqve të Jashtëm (Enemy Alien Control Unit) dhe u mbajt vazhdimisht nën survijim nga FBI. Kjo njësi ishte krijuar vetëm një javë pas sulmit në Pearl Harbor me vendim të presidentit Roosevelt për të ndjekur dhe ndaluar armiq të dyshuar potencialisht të rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara.
Për pikëpamjet e tij radikale e subversive (edhe pse ai ishte një anti-Hitlerian dhe anti-Stalinist i vendosur), sidomos përteorinë e tij mbi “orgonin”, si një formë e re energjie, ose si “energjia e jetës” (life energy), por veçanërisht për një aparat që ai e shpiku dhe e vuri në përdorim, i quajtur “akumulator iorgonit” (orgon accumulator), Reich u shpall nga autoritetet e FDA-së (Food and Drug Administration) si një “skizofren paranojak”.
Më 1954 FDA kërkoi që Reich t’i mbronte pikëpamjet e tij në gjyq, por ai refuzoi, duke u shprehur se “pretendimet mbi të vërteta shkencore provohen përmes ekseprimentit dhe jo në gjyq”. Tre vite më vonë, më 1957, u dënua me dy vite burg. Vdiq në burg po atë vit, në moshën 60 vjeç, vetëm pak ditë para se të lirohej. Fundi tragjik i Reich-it është konsideruar si “rasti më i njohur i persekutimit shkencor në Amerikë”, përmes të cilit ai vend “e ndërpreu utopinë e këtij mendimtari për çlirimin seksual të njerëzimit.
Për vdekjen e tij nuk u shkrua asnjë fjalë prej asnjërës prej revistave shkencore të njohura në fushën e psikanalizës, përveç disa gazetave anarkiste. Vetëm revista Time botoi një paragraf si obituary për të, në të cilin thuhej: “Vdiq. Wilhelm Reich, 60 vjeç, dikur një psikanalist i famshëm, bashkëpunëtor dhe pasues i Sigmund Frojdit, themelues i Fondacionit Wilhelm Reich, kohët e fundit i njohur më mirë për teoritë e tij joortodokse mbi seksin dhe energjinë; [vdiq] nga një atak në zemër, në burgun federal Lewisburg [Pennsylvania], ku po kryente dy vite dënim për shpërndarjen e shpikjes së tij,‘akumulator i energjisë orgon (në shkelje të Ligjit për Ushqimin dhe Drogën), një pajisje me përmasat e një kabinetelefonike që gjoja akumulon energji nga atmosfera dhe mund të shërojë, nëse pacienti ulet brenda saj, ftohje të zakonshme, kancerin dhe impotencën”.
Psikologjia masive e fashizmit
Ishte vetëm pas Luftës së Dytë Botërore që ideja e çlirimit seksual u përhap dhe u bë sunduese në kulturën amerikane dhekudo në Perëndim. Wilhelm Reich, më shumë se kushdo tjetër, ishte ai që “e shpiku revolucionin seksual”.
Në librin e tij Funksioni i orgazmës, botuar fillimisht në gjermanisht, më 1942, dhe përkthyer e botuar në botën anglofone pas vdekjes së tij, Reich argumentoi se shprehja seksuale (kryesisht orgazma) është një gjendje e natyrshme, dhe se kontrolli shoqëror mbi energjitë seksuale të individit (përmes familjes, moralitetit të institucionalizuar seksual dhe shtetit) është shkatërrues.
Reich shkruante: “Moraliteti funksionon si një detyrim. Ai është i papajutueshëm me nevojën e natyrshme për të kënaqur instinktet. Vetërregullimi ndjek ligjet natyrore të kënaqësisë dhe jo vetëm është në përputhje me instinktet e natyrshme, por edhe është, në fakt, fuksionalisht i njëjtë me to. Duke alternuar rregullisht tensionin dhe relaksimin, ai është në përshtatje me të gjitha funksionet natyrore. Individi me një strukturë të shëndetshme, të vetërregulluar, nuk i përshtatet pjesës irracionale të botës; ai instiston në plotësimin e të drejtave të tij natyrore”.
Reich argumentoi se, përmes shtypjes së energjisë seksuale, që është burimi i çdo energjie, shoqëria përpiqet që t’i detyrojë individët t’u binden nevojave të saj dhe, për këtë, ajo përdor instrumente të tillë, si familja, morali etj. Por, sipas tij, ndrydhja dhe shtypja seksuale e shtrembërojnë zhvillimin psikologjik të individit dhe çojnë në sjellje autoritariste. Kjo narrativë u përdor nga Reich për të shpjeguar shkaqet e lindjes së nazizmit në Gjermani.
Ndërsa Carl Jung u përpoq t’i shpjegonte lindjen e nazizmit dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore me “rolin e së pandërgjegjshmes” apo me “arketipin Wotan”, i kuptuar si një arketip psikologjik kolektiv i gjermanëve; Erich Fromm e kërkoi shpjegimin te dëshira për kontroll dhe te nekrofilizmi i Hitlerit; Elias Canetti e shpjegoi lindjen e nazizmit me inflacionin e viteve 1920 në Gjermani, ndërsa George Steiner ipa lindjen e nazizmit dhe holokaustin si një reagim ndaj monoteizmit të hebrenjve dhe mesianizmit marksist, Wilhelm Reich e vuri theksin te ndrydhja dhe shtypja e seksualitetit.
Këtë pikëpamje Reich e zhvilloi gjerësisht në veprën e tij Psikologjia masive e fashizmit. Vetë Reich pohonte më vonë se pyetja që kërkonte përgjigje nga ana e sociologjisë, dhe të cilën ai e vetë e kishte shtruar qysh në vitin 1927, ishte se “si duhet shpjeguar që një Hitler i vetëm, ose një Dzhugashvil i vetëm (Iosif Vissarionovich Dzhugashvili ishte emri i vërtetë i Stalinit), mund të kontrollojnë tetëqind milionë njerëz. Si është e mundur që tetëqind milionë njerëz të rritur, punëtorë, të mirë, t’i nënshtrohen një monstre të vetme”?
Duhet venë në dukje se me këtë vepër, Reich iu largua psikologjisë individuale për t’i përqendruar interesat dhe vëmendjen e tij te psikologjia e masave, duke u bërë në këtë mënyrë një pionier i psikanalizës si një shkencë sociale para se në këtë fushë të aderonin disa prej personaliteteve më të shquar të Shkollës së Frankfurtit, si Herbert Marcuse, Erich Fromm, Theodor Adorno apo Max Horkheimer.
Rezultatet e praktikës së tij klinike dhe studimet e tij mbi seksualitetin human dhe mbi shumë patologji sociale e çuan Reich-in në zhvillimin e asaj që njihet si “sociologji e së pandërgjegjshmes”, ose e “seksualitetit antisocial”. Bindja e tij se çlirimi seksual përbënte një faktor të rëndësishëm për t’i rezistuar fashizmit, që në vitet 1930 po përhapej kudo në Europë, bëri për vete një masë të madhe njerëzish edhe në Shtetet e Bashkuara. Më vonë, pikëpamja e tij se seksi i mirë është rruga drejt një shoqërie të mirë dhe se një seksualitet vibrant është një parakusht për një demokraci vibrante, fitoi momentum në atë vend.
“Profet” dhe frymëzues i entuziazmit erotik
Edhe pse sot nuk flitet shumë për këtë, në periudhën para dhe pas Luftës së Dytë Botërore Reich shkaktoi vërtet një tronditje sizmike në moralitetin dhe në politikën amerikane të kohës dhe reagime të ashpra në radhët qarqeve politike dhe atyre fetare. Dhe jo vetëm në Amerikë, por kudo në botën perëndimore.
Pothuajse në të njëjtën kohë që Wilhelm Reich publikonte pikëpamjet e tij radikale, një antropolog anglez, J. D. Unwin, botoi dy libra të rëndësishëm, Rregullat seksuale dhe sjellja njerëzore (1933) dhe Seksi dhe kultura (1934), në të cilët mbronte pikëpamjet tradicionale mbi seksin, martesën dhe familjen. Unwin argumentonte se “energjia sociale” e çdo shoqërie është rezultat i kufizimeve në sjelljen seksuale të anëtarëve të saj.
Me fjalë të tjera, sa më të shumta kufizimet mbi individin, aq më të mëdha arritjet kulturore të shoqërisë. Sipas tij, sjellja kulturore e një shoqërie varet sa nga vetë natyra e organizimit njerëzor, aq edhe nga “gjendja e energjisë në të cilën ka arritur shoqëria si rezultat i rregullave kufizuese që ajo ka vendosur mbi sjelljen seksuale të anëtarëve të saj”. Kufizimin e mundësive për kënaqësi seksuale ky autor e shihte si shkakun e progresit kulturor të çdo shoqërie.
Nëse marim parasysh frymën e asaj kohe, kur Frojdi dhe psikanaliza ishin bërë një “Kishë e re” për miliona njerëz në Shtetet e Bashkuara, pa asnjë ekzagjerim mund të thuhet se idetë e Reich-it kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në radhët e rinisë e të intelektualëve amerikanë në vitet 1950 dhe 1960, si edhe në kulturën amerikane të asaj periudhe.
Në një ese shumë të njohur, titulluar Brezi i ri i humbur, James Baldwin, i përshkruante vitet 1950 dhe 1960 në Amerikë si: “një periudhë kur njerëzit iu larguan idesë se bota mund të bëhej më e mirë përmes politikës, dhe përqafuan idenë se bota do të fillonte të bëhej më e mirë nëse njerëzit do të kujdeseshin për shëndetin e tyre psiqik e seksual.
Në fakt, “revolucioni seksual” në Shtetet e Bashkuara nisi nga njerëz që ndanin të njëjtin besim me Reich-in (edhe nëse nuk i kishin lexuar librat e tij), lidhur me ndikimin shkatërrues të represionit seksual. Sidoqoftë, Reich ishte ai që, ndoshta më shumë se çdo filozof tjetër i seksit, “i dha entusiazmit erotik të viteve 1960 një justifikim intelektual dhe hodhi bazat teorike të asaj epoke”.
Revolucioni seksual në Amerikë nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh këtë entuziazëm erotik që u përhap në masat e gjëra të rinisë. Wilhelm Reich u bë “the father” i atij revolucioni. Siç shkruan David Bennet: “Theksi që Reich vinte te seksualiteti ‘i natyrshëm’ dhe ‘i shëndetshëm’, i çliruar nga neurozat, e kishte nxjerrë tashmë seksin hapur në diellin kundërkulturor të Kalifornisë ku, për shembull, një Fredrick ‘Frits’ Perls, gjithnjë i zhveshur, i ofronte free love dhe terapi ‘gestalt’ në Institutin Esalen çdokujt që kërkonte t’i largohej kapitalizmit konsumerist duke u kthyer në natyrë”.
Në mesin e viteve 1960, revista Time e cilësoi atë një “profet”. Jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Europën Perëndimore, Wilhelm Reich dhe pikëpamjet e tij u bënë një manifest i lëvizjeve studentore dhe i “revolucionit seksual” që po përhapej ngado. Në Berlin, demonstruesit e 1968-ës i qëllonin policët me librin e Wilhelm Reich-it The Mass Psychology of Fascism; në Universitetin e Frankfurtit. Po në atë kohë, studentët kishin këtë moto: “Lexo Reich-in dhe bëj siç thotë ai”. Në Paris, studentët demonstrues shkruanin në muret e Universitetit të Sorbonës grafiti me thënie nga Reich.
Nëse flasim për fatin tragjik të Reich-it, ai mund të shpjegohet me një sërë faktorësh. Ky fat mund të thuhet se nisi shumë herët në karrierën e tij, në vitin 1926, kur Frojdi e priti shumë ftohtë dorëshkrimim e një libri që Reich e botoi në gjermanisht një vit më vonë, nën titullin Funksioni i orgazmës.
Çuditërisht, për Frojdin në atë kohë kjo vepër e nxënësit të tij më të mirë kishte “shumë seks” në përmbajtjen e vet, kur, në fakt, vetë Frojdi, në veprën e tij Tri ese në teorinë e seksualitetit, botuar dy dekada më parë, më 1905, kishte folur për orgazmën, ndërsa në esenë “Moraliteti seksual ‘i qytetëruar’ dhe sëmundja nervore moderne”, botuar më 1908, ai vetë kishte qenë—seksologjikisht dhe sociologjikisht—i orientuar thuajse nga të njëjtat ide si edhe Reich pas tij.
Në këtë ese, Freud kishte argumentuar se: “Diferencimi mes sekseve e bën të domosdoshme që të pranojmë se ekziston një standard moral i dyfishtë për to. Por, një shoqëri që e pranon këtë moral të dyfishtë është e detyruar të përpiqet ta fshehë të vërtetën, optimizmin e rremë, vetmashtrimin [duke shkaktuar] një shtim të sëmundjeve nervore moderne. Komplekse të pandërgjegjshme (të shtypuara), komplekse ideacionale kanë një përmbajtje seksuale. Ato burojnë nga nevojat seksuale të njerëzve që janë të pakënaqur. Për këtë arsye, duhet të marrim në konsideratë të gjithë ata faktorë që e dëmtojnë jetën seksuale, e shtypin veprimtarinë e saj dhe i deformojnë qëllimet e saj si të ishin faktorë patogjenë në psikoneuroza”.
(vijon nesër)