Një kabllogram i Ambasadës Amerikane në Tiranë i rrjedhur nga Wikileaks dhe i botuar në shqip nga DITA, thotë se Parlamenti shqiptar është i mbushur me persona të akuzuar për krime.
Është vetë ambasadori Uithers që bën një listë të disave prej tyre ku spikasin emra shumë të njohur nga partitë kryesore.
Më poshtë, teksti i kabllogramit publikuar nga DITA:
INFORMACION KONFIDENCIAL
SEKSIONI 01 I 02 TIRANE 000552 SIPDIS
Drejtuar Zyrës së Çështjeve të Europës Jugore dhe Qendrore në DASH
Më 08/12/2019
Kriminelët që bëjnë ligjin në Parlamentin Shqiptar
Informacion i klasifikuar nga Ambasadori John L. Withers II për shkak të pikave 1.4 (b) dhe (d).
1. (C) Pavarësisht qetësisë relative në ditën e zgjedhjeve, na kanë tërhequr vëmendjen aludimet e shumta se njerëz të lidhur me krimin e organizuar kanë qenë pjesë dhe/ose janë përfshirë në manipulimet e mundshme të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Tre partitë kryesore, Partia Demokratike (PD), Partia Socialiste (PS) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) kanë secila deputetë të lidhur me krimin e organizuar.
Ndërsa unë personalisht e kam të pamundur të jap prova ligjora për këto lidhje, arsyetimi llogjik i mbështetur me raportime të tjera, më bën të besoj se në parlamentin e ri gjenden mjaft trafikantë droge dhe pastrues parash.
Gjatë fushatës elektorale, politikani Aleks Keka, drejtues lokal i Partisë Demokristiane në veri të Shqipërisë, u vra në një atentat me bombë në makinë. Keka dyshohet se ishte i përfshirë në trafikun e armëve dhe lëndëve narkotike. (Shënim: Keka nuk ishte kandidat për deputet, ndonëse të tjerë anëtarë të partisë së tij kandidonin).
Shkelësit e ligjit u bënë ligjvënës:
2. (C) Disa nga deputetët më në zë që kanë lidhje me krimin e organizuar janë:
— Tom Doshi: Një deputet i PS-së nga Shkodra, Doshi përmendet edhe në Raportin e të Drejtave të Njeriut pasi sulmoi fizikisht një gazetar në Hotel Sheraton. Doshi ishte ndër figurat kyçe që financuan përpjekjet elektorale të PS-së. I njohur si deputeti më i pasur, me një pasuri të deklaruar mbi 15 milionë dollarë, Doshi dyshohet edhe për trafik narkotikësh. Gjatë mandatit të kaluar, Doshi ka përfaqësuar PD-në, përpara se të kalonte në PS, pak para zgjedhjeve.
— Lefter Koka: Përfaqësues i LSI-së nga Durrësi, Koka është anëtar i familjes ndoshta më famëkeqe të krimit të organizuar në Shqipëri, të cilët kanë lidhje me trafikun e drogës, atë të njerëzve, si dhe me aktivitete të tjera të paligjshme.
— Sokol Oldashi: Olldashi, është ministri aktual i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe deputet i PD-së për Fierin. Ai dyshohet për kontrabandë mallrash dhe narkotikësh. Dëshmitë rrethanore lidhin Olldashin dhe Fatmir Kajollin nga Fieri me Ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj në një skemë bashkëpunimi për lirimin e të burgosurve nga burgjet për të intimiduar votuesit.
— Lulzim Basha: Sipas një burimi brenda PS-së, Ministri i Jashtëm Basha, përfaqësues i PD-së nga Elbasani, është përfshirë në mundësimin e lirimit nga burgu të një krimineli famëkeq në Elbasan, në këmbim të mbështetjes së familjes së kriminelit në fjalë. Familjarët e kriminelit i kanë premtuar se do të “organizojnë” njerëzit në Elbasan në mbështetje të Bashës. Krimineli u la i lirë më 29 qershor, një ditë pas zgjedhjeve.
— Paulin Sterkaj: Deputeti 48-vjeçar i PD-së nga Shkodër, më parë, ka qenë mundës profesionist dhe ka pak ose aspak arsimim. Në të shkuarën, Sterkaj ka qenë në PS, ku është akuzuar nga një mik i vjetër se, disa vite më parë, kishte vrarë një politikan në Shkodër. Sterkaj pretendon se ka biznese në fushën e karburanteve, të restoranteve dhe në ndërtim, por pak dihet për aktivitetin e tij.
– Gramoz Ruci: Deputet i PS dhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie, Ruçi ka, prej kohësh, lidhje me trafikantët e drogës dhe krimin e organizuar. Ruçit, gjithashtu, i është ndaluar hyrja në SHBA që prej vitit 2005, shkak një mospërshtatmëri e përhershme për marrjen e vizës amerikane.
3. (C) Komente: Nuk e di me siguri se si do të shkojnë gjërat pas publikimit të raportit të ODIHR-it mbi zgjedhjet e mbajtura në Shqipëri, por besohet gjerësisht se shumë prej deputetëve që hiqen si “biznesmenë”, në fakt, ka dyshime të forta se kanë lidhje me krimin e organizuar.
Këta individë, tani, janë deputetë, kanë imunitet në bazë të ligjit dhe kanë përgjegjësinë për kalimin e ligjeve që do ta çojnë Shqipërinë drejt integrimit të mëtejshëm euroatlantik. Sjellja e fëlliqur, ndoshta kriminale, e shumë deputetëve të Shqipërisë është shqetësuese dhe nuk është shenjë e mirë për zhvillimin demokratik. Në mbarë Shqipërinë besohet gjerësisht se të gjitha partitë kanë deputetë që kanë lidhje me krimin e organizuar dhe marrin para prej krimit të organizuar. Ky është një fenomen shumë shqetësues që ne dhe komuniteti ndërkombëtar do të duhet ta adresojmë në të ardhmen.
Gjithsesi, një shenjë pozitive është se një numër, ndonëse i pakët, deputetësh ka filluar të kuptojë se Shqipëria nuk duhet të përfaqësohet nga të tilla personazhe në parlament. Megjithatë, se sa kohë do të duhet për t’i larguar këta horra nga pushteti është një çështje tjetër.
Në fund të fundit, paratë janë gjaku i politikës dhe në një vend të varfër pa transparencë për financimet e fushatës dhe pa donatorë të vegjël që mbështesin kandidatët e tyre të preferuar, kriminelët janë një burim i arritshëm fondesh për fushatën.
Withers
DITA