Replikë! Shumë shpejt, shpifjet, të pavërtetat e veprimet keqdashëse ndaj Organizatës së Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, do t’u kthehen në boomerang!
Me gjithe zbardhjen dhe publikimin e fakteve të dokumentuara, shpalljen e vendimeve gjyqësore në mbrojtje të së vërtetetës për zhvillimet në krye të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, uzurpatorët vazhdojnë të shkatërrojnë arritjet shumëvjeçare!
Këto përfundime na i përforcon edhe Anila Gjokoreci “një prurje e re” në ekipin drejtues të Organizatës, në krah të uzurpatorëve, në shkrimin, me titull: “Jemi tribuna e njerëzve vullnetarë dhe jo e karrieristëve të sëmurë”. Edhe pse ka trajtim të njëanshëm, keqdashës e jo bashkëpunues, gazeta “Kushtrim Brezash” e radhiti menjëherë në faqet e saj si një xhevahir “në mbrojtje të “idealistëve” kundër “karrieristëve të sëmurë”.
Ndërkohë, në linjën e orientimeve për të spastruar shkrimet e kësaj gazete nga mendimi i shëndoshë, u hoq deklarata e 27 të zgjedhurve legjitimë në organizatë si edhe e perfaqesuesve të 28 komiteteve të veteranëve në nivel bashkie dhe u urdhërua pezullimi i k/redaktorit.
Edhe sikur të kërkonim të gjenim kuptimin e “tribunës”, shkrimi nuk na e sjell! Edhe kur përmenden “karrieristët” nuk arrijmë të gjejmë konkretisht shfaqjen dhe efektet e rrezikut ndaj Organizatës!
Shpesh në komunikimet tona e kemi shpjeguar që kërkesë padia nuk është kundër organizates, por kundër shkeljeve, deformimeve statutore, proceduriale nga të tillë autorë që nuk janë produkte të historisë së lavdishme të Organizatës dhe nuk mund të jenë në krye pa merita!
E ritheksojmë, jo vetëm për Anilën, se sot në “krye të organizatës ka uzurpatorë”! Si z.Hulusi ashtu edhe z.Veli nuk janë përfaqësues legjitimë as në strukturat e Organizatës, as në marrdhëniet me antarësinë e as në marrdhëniet me të tretët! Besojmë ta dijë mirë Anila që Hulusi Hako u refuzua të regjistrohej si kryetar i Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar me Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, më 30.06.23 jo pse mori vetëm 41% të votave të antarëve të pranishëm, por edhe për shkak të shkeljeve proceduriale e dokumenteve të pavërteta e të falsifiuara që u depozituan në gjykatë.
Pavarësisht këtij vendimi, z. Hulusi është ankuar në Apel se pse i është refuzuar ajo kerkesë, edhe pse nuk ka fakte e prova që të jetë i mbrojtur e nuk ka shpresë, që të “fitojë”, por, çuditërisht, sillet sikur të jetë kryetar! Anila nuk i hyn fare analizës se pse ai dhe Veliu kërkojnë me insistim role që nuk i meritojnë edhe pse nuk i kanë fituar? Anila nuk shqetësohet që këto sjellje, që po marrin zvarrë organizatën, po e mbajnë atë peng. Ata “nuk vuajnë nga karriera” ndaj duan të “privatizojnë” çdo vlerë e trashëgimi historike morale, njerëzore, materiale, financiare të Organizatës!
Kemi të drejtë të pohojmë që “tribuna e njerëzve vullnetarë” është “vullnetare” në praninimin/mospraninin, respektimin/refuzimin e vendimeve gjyqësore, në deformimin e të vërtetave, apo edhe për disinformim të lexuesve, të antaresisë e kë të mundin. Tribuna shkel me vullnet rregullat, procedurat statutore të organizimit e funksionimit të organizatës. Ndërsa “karrieristët e sëmurë” (sipas etiketimeve të Anilës), ndryshe nga ç’mendon e shkruan autorja, janë kundër veprimeve të paligjshme të uzurpatorëve dhe nuk udhëhiqen nga interesa apo ambicje për karierë personale.
Nëse Anila si pjesë e “tribunës së njerëzve vullnetarë” do të hidhte dritë mbi të vërtetën, do të shpjegonte se pse Hulusi Hako “si kryetar” nuk ka akses në numrin e llogarisë bankare të organizatës.
Do të insistonte të bënin publik urdhërin e ministrit të financave për çdëmtimin e shkeljeve që konstatoi auditi i Ministrisë së Financave në Organizatën e Veteranëve. Do të nxiste të publikoheshin rezultatet e shkeljeve financiare që konstatoi kontrolli i brendshëm financiar.
Referimi tek e vërteta do ta ndihmonin zonjën Anila të pozicionohej pozitivisht në dobi të mbrojtjes së unitetit, përbashkimit e bashkepunimit në organizatë.
Ku mbetet të jenë të suksesshëm vullnetarët? Mbase në ekskursionet në bazë! Por e vërteta e veprimtarive përkujtimore në kuadrin e 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut ishte meritë e kontribut dinjitoz i organizimit dhe zhvillimit nga Komitetet e Veteranēve e Pasardhësve të LANÇ në bazë në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore dhe institucionet social kulturore nëpër njesitë administrative dhe nuk mund t’i atribuohet “drejtuesve të qendrës”! Merita e qendrës mbeti ekskursioni!
Mbase janë të suksesshëm për nismat për bashkimin(punimin) me OBVL. Apo kjo tribunë e këta njerëz zgjedhin vullnetarisht të kenë kontakte me Autoritetin e Dosjeve apo dhe me Institutin kundër Krimeve të Komunizmit? Mbase kjo tribunë e konsideron kontribut vullnetar shkeljen e programit e statutit të Organizatës, deformimin e identitetit dhe misionit e objektit të veprimtarise së saj që ka kufij historikë, politikë dhe gjeografikë.
Kësaj radhe do të përcjellim edhe vendimin e gjykatës për Veli Myftarin.
Z. Veli Myftari ka pasë “fituar” të drejtën për të përfaqësuar organizatën e Veteranëve me vendimin e gjykatës së datës 02.02.2023, por, mbi bazën e dokumenteve të pasakta, firmave të falsifikuara, mbledhjeve të pazhvilluara, vendimeve që nuk janë marrë, shkeljeve proceduriale. Sipas “mbrojtjes” me gojën e tij në gjykatë, Veliu pohoi se e pati marrë detyrën dhe e ka ushtruar (dmth e ka zaptuar) pergjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm që në fillim të shkurtit 2022, kur, sipas dokumenteve (te falsifikuara po prej tij) këtë të drejtë e “kish fituar në tetor 2022”. (Shih vendimin)
Gjithsesi, gazeta “Kushtrim Brezash”, që në datën 10.02.23 e ka pasë publikuar këtë vendim të “fitores”, fiks një javë mbassi u shpall, ndërsa vendimin e shpallur më 10.10.2024 nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, që e prish me nënvizim atë vendim, nuk e ka publikuar ende. Dhe z.Veli “vazhdon të jetë sekretar i pergjithshëm”!!!!! Servilët e pranojnë si të tillë dhe bëjnë sikur nuk është i vërtetë vendimi (si tek përralla e rrobave të reja të mbretit).
Gjithashtu duket që “tribuna e njerëzve vulletarë”, me shumë zell dhe me të drejtën e vullnetarizmit shpif duke përdorur me bollëk etiketime e akuza pa fakte, pa prova, pa argumente, pa dokumente, për shoqet e shoket idealistë, të zgjedhur nga forumet e organizatës si antarë të struturave organizative, si psh “grupi i vetëquajtur me mendim ndryshe”, “karrieristë të sëmurë”, “njerës pa identitet kombëtar”, “përçarës”, “grup armiqësor”, “grup që po inicion krijimin e një organizate fantazmë”, “grup që po kërkon “bashkim/punim” me OBVL, etj.
A mund të marrin të drejtë qytetarie shpifjet në vend të të vërtetave?
Kush mban përgjegjësi për përçarjen në Organizatën e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ? Shqetësimi qytetar atdhetar i kapërcen kufijtë e antarësisë së saj! Edhe pse po replikojmë, edhe pse jemi kundër qendrimeve të tilla që po i sjellin dëm strukturave dhe organizatës, shprehemi optimistë e të sigurt se shumë shpejt organizata do të rifitojë identitetin dhe integritetin e saj! Besimi ynë bazohet tek epërsia e të vërtetës mbi të gënjeshtrën, e shumicës mbi pakicën, demokracisë mbi diktatin nga uni subjektiv, apo edhe nga anarkia, e së drejtës mbi abuzimin me ‘të.
Gjithashtu vetë uzurpatorët me qendrimet, urdhërat, veprimet intensive të pajustifikuara nga statuti dhe ligji po ua kthejnë pasojat mbrapsh. Veprimet e tyre antiligjore po u kthehen në boomerang. Megjithatë Anila përpiqet t’u shërbejë duke u pozicionuar gabim!
Meqë gazeta “Kushtrim Brezash”, nuk ka në mend ta botojë vendimin e shpallur më 10.10.24, po e bashkëngjisim në këtë replikë duke dhënë edhe një shpjegim. Si palë kërkuese për këtë padi numërohen 18 anëtarë kryesie dhe anëtarë të Komitetit Kombëtar të zgjedhur nga Konferenca 12 Kombëtare. Për 7 shoqe dhe shokë të tjerë, që ishin n/shkrues të kërkesë padisë, por që nuk u paraqitën për të firmosur prokurën e përfaqësimit në procesin gjyqësor, u pushua çështja. Përfaqësues me prokurë të 17 shoqeve e shokëve ishin Elidiana Canaj, Manthos Dardaj, Pelivan Hysi. Avokate ishte zonja Sabina Metaj.
Edhe pse gjykata e ka thënë fjalën e vet, Veliu, Hulusiu hedhin firma, japin urdhëra, pezullojnë/pushojnë nga puna këdo që i kundershton pavarësisht nga shërbimet që u ka bërë! Përzënë nga forumet këdo që i kritikon sepse ata janë “me imunitetin” e emrit të nderuar të odganizatës dhe afrojnë “besnikë” e servilë….
Nuk e dimë ç’mendim ka “tribuna” për ndërrimin e bravave! Sjellja e njerëzve vullnetarë nuk njihka limit! Besojmë Anila e di, por nuk thotë gjë! U ndërrua brava dhe u bllokua zyra ku punonin n/kryetaret e Komitetit Kombëtar. U ndërrua brava e zyrës së veteranëve per Tiranën që të hynte Vera Tarifa. U ndërrua brava e derës së kryesise qe te mos hynin te zgjedhurit legjitime, “armiq të Veliut”. U nderrua brava e zyres se n/ kryetarit të Komitetit Kombetar, Manthos Dardaj. Dhe së fundmi u ndërrua brava e deres se redaksisë se gazetës “Kushtrim Brezash” që të mos hyjnë gazetarët mbasi u urdhërua pezullimi i k/redaktorit!!!!
Kush do të jetë brava e fundit që do të ndërrohet?
Nuk duam të lemë mënj’anë “dënimin e karrierizmit” në këtë shkrim ku autorja nuk është në gjendje të shpjegojë as se si e ku shprehet karrierizmi i sëmurë i shoqeve dhe shokëve që përmenden këtu. Po i numërojmë sipas Anilës.
Përmendet institucioni i dorëheqjes së shoqes sonë! Ritheksojmë që uzurpatorët dhe strukturat e krijuara prej tyre nëpërmjet kooptimeve nuk kanë tagër ta miratojnë! Nuk ka tagër as “tribuna e njerëzve vullnetarë”!
Mantho paska mohuar të drejtën e përkatësisë kombëtare, se, bazuar në legjislacionin shqiptar, ai njihet me emër tjetër. Si e shpreh karrierizmin duke ndërruar emrin? (!) Si pranohet apo mohohet përkatësia etnike nga emri? Ç’punë i prish/apo i ndreq Anilës dhe Organizatës emri i Manthos? Me ç’kurajo e me çfarë argumente shpif kjo shoqe?! A do të mund ta mbrojë këtë shpifje mbi mohimin e identitetit etnik shqiptar dhe cënimin e personalitetit të Manthos edhe në gjykatë?
Elidiana qenka “çveshur nga çdo normë njerëzillëku”, aq sa “ka refuzuar” të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit kryetar (!). Me çfarë argumentesh i provon këto akuza zonja Anila? Mbase edhe Anila e di ashtu si edhe shoqet e shokët e tjerë që Elidiana ka munguar në atë ceremoni, (ndonëse jo në homazhe) për arsye shëndetësore. Ç’lidhje kanë shpifjet për karrierizëm të sëmurë?
Po Bernardi pse qenka karrierist apo sepse uzurpatorët dhe tribuna e njerëzve vullnetarë nuk lanë hapësirë për të votuar sipas parimit demokratik të zgjedhjeve dhe në respekt të të drejtës së antarëve të komitetit për të votuar dhe për t’u votuar?
Sipas këtij shkrimi rezulton se uzurpatorët dhe Anila e kompania e të paligjshmëve dalin më të pasur me veset e cilësimet e Anilës! Janë edhe “tribunë e njerëzve vullnetarë” edhe karrieristë të pashërueshëm! Të tillët dhe të tjerë me vese e karakteristika negative morale mbeten të jenë të papajtueshem me vlerat e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar!
Elidiana Canaj,
Bernard Zotaj,
Manthos Dardaj