Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Fan Noli brilant i Nasho Jorgaqit
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kryesore > Fan Noli brilant i Nasho Jorgaqit
KryesoreKulture

Fan Noli brilant i Nasho Jorgaqit

Published: October 31, 2022
Shpërndaje

Më 30 tetor u mbushën 91 vjet nga lindja e shkrimtarit, poetit, studiuesit, profesorit të nderuar, Nasho Jorgaqi, i cili u nda nga jeta më 25 gusht të këtij viti.

Si homazh për kujtimin e jetës dhe veprës të tij madhore, kolegu dhe miku i vet, Ksenofon Krisafi, na dërgoi shkrimin “Nasho Jorgaqi nëpër labirintet e universit të Nolit”, të cilin e ka publikuar në librin “Kontribute në shkencë dhe diplomacinë shqiptare”, botim i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë (Kristalina-KH, Tiranë 2021). 

 

- Publicitet -

Prof. Ksenofon Krisafi

Botuar në DITA

Të flasësh për librin e Prof. Nasho Jorgaqit, Jeta e Fan S. Nolit, (Nasho Jorgaqi, Jeta e Fan S. Nolit, Toena, Tiranë, 2007) nuk është e lehtë, sepse mendimet ndërthuren dhe ecin paralel në dy drejtime; pa dyshim, në radhë të parë e mbi të gjitha në drejtim të Fan Nolit, figurë e shquar shumëdimensionale e botës shqiptare, jeta dhe veprimtaria e të cilit është objekt i librit, por edhe në drejtim të atij që ndoshta ka folur e ka shkruar më shumë e më mirë për Nolin, që jetën dhe veprën e tij, i ka sjellë për herë të parë në formën më të plotë, më të bukur e më të gjithanshme, për shkrimtarin e studiuesin, për profesorin e nderuar dhe biografin gati ekskluziv të tij, Nasho Jorgaqi.

Vepra e Nasho Jorgaqit është krijim origjinal i një stili të ri. Nëpërmjet saj ai dëshmon sërish energjitë e tij krijuese të pashtershme. Autori e udhëheq lexuesin drejt zbulimit befasues të labirinteve të pafundme të jetës së një personaliteti të rrallë të jetës shqiptare, në vite e në shekuj, në shtete e kontinente, në kërkim të fragmenteve që, në tërësinë e tyre, përbëjnë veprën e njërit prej viganëve të botës shqiptare. Me aftësinë e veçantë të vëzhguesit dhe të analistit ka ditur të gjurmojë, të zbulojë, të fokusojë dhe të restaurojë me realizëm figurën e Nolit, në të gjitha aspektet e veta, që nga ëndrrat fëmijërore dhe idetë utopike e fantastike për jetën e shoqërinë, deri në ngjizjen dhe formulimin e projekteve konkrete; nga ngazëllimet e gëzimet e natyrshme, në vështirësitë, mundimet e vuajtjet e zakonshme; nga zhgënjimet e disfatat deri në triumfet e bujshme. Ai skicon një botë të paanë në të cilin lind, zhvillohet e përsoset personaliteti i gjithanshëm i Nolit dhe, duke e ndjekur në shtigjet e jetës heroin e vet, krijon emocione të fuqishme dhe zgjon mendime të thella.

Biografi, i vetëdijshëm për rolin e letërsisë për formimin dhe kultivimin e vetëdijes kombëtare dhe të identitetit kulturor, iu përvesh një pune kolosale shumëvjeçare, përballoi shumë lodhje e mundime dhe përgatiti një vepër madhore, jo vetëm në volum, por, mbi të gjitha në përmbajtje, në kompozim dhe në ide, të cilën, veç të tjerash, e ka shkruar me një gjuhë të zgjedhur e të përpunuar deri në detaje. Përshkrimeve që ndjekin jetën e Fan Nolit nuk iu mungojnë dramat turbulluese që, siç dihet, e kanë shoqëruar atë, veçanërisht deri në vitet 40 të shekullit të kaluar. Autori i ka dhënë ato me ndërthurje mjeshtërore të detajeve dhe me një teknikë narrative të papërsëritshme.

Nasho Jorgaqi ka arritur të japë një nga portretet më të plota e më të spikatura të Fan Nolit. E pikturon atë si një personazh në kërkim të një jete tjetër, një djalosh me natyrë të vrullshme, që kërkonte hapësira dhe që s’mund ta kuptonte ekzistencën pa përpjekje dhe pa lëvizje, një njeri me temperament të gjallë, me zgjuarsi dhe inteligjencë jo të zakontë. Noli shfaqet si njeri që çudiste me qartësinë, vendosmërinë dhe guximin e mendimeve, me diturinë, me besimin e madh në vetvete, me prirjen për të dhënë gjykime të pavarura, me seriozitetin, por dhe me karakterin e veçantë dhe ndonjëherë mospërfillës.

I mbrujtur me ideale të thella kombëtare, i pajisur me profilin e atdhetarit, politikanit dhe diplomatit të shquar, personalitet i gjithanshëm i kulturës, Noli nuk mund të mos përfshihej gjallërisht në veprimtaritë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si një personazh qendror i saj. Ai përfaqësonte tipin e një politikani ndryshe që rrezatonte kulturë të konsoliduar, njeriun me horizont të gjerë, me bindje e koncepte demokratike, udhëheqësin e hapur e të sinqertë. Ai kishte shpirt dinamik, i pëlqenin sfidat, synonte drejt shtigjeve të pashkelura. Dhe kjo ndodhte brenda një natyre artistike dhe ëndërrimtare, të gatuar me shumë ndjenja dhe me vizione të bukura. Me besim në vetvete, me vendosmëri dhe guxim ai do të vihej në kërkim të një jete tjetër. Siç thotë autori, diku thellë i rrinte zgjuar mendimi se ai përgatitej për punë që s’i takonin jetës së rëndomtë, por historisë.

Noli paraqitet si protagonist i shquar në debatet e vazhdueshme me propagandën antishqiptare të fqinjëve, të cilët përpiqeshin që, nëpërmjet budallallëqeve mesjetare dhe britmave spazmatike dhe histerike, siç shprehej vetë Noli, të shtrembëronin e të falsifikonin historinë shqiptare dhe t’i shpallnin shqiptarët popull barbar, pa kulturë, të paaftë për t’u vetëqeverisur. Në këto polemika Noli ziente nga pasione të fuqishme, nga patosi patriotik dhe, duke shpalosur ide të guximshme, manifestonte logjikë të fuqishme bindëse e argumentuese të papërballueshme. Ai u përfshi në këtë duel me energji të pashtershme dhe dëshmoi jo vetëm seriozitet, por edhe oratori brilante e mjeshtëri të përkryer publicistike. Autori pohon se Fan Noli kishte hyrë kështu me triumf në polemikën që Rilindja Shqiptare zhvillonte prej vitesh me shtypin e Megali Idesë dhe kishte dalë në radhët e para, jo vetëm si një militant i Lëvizjes Kombëtare, por si një personazh qendror i saj, i cili i kishte tashmë të shprehura qartë të gjitha vlerat atdhetare e intelektuale, përkushtimin dhe aftësitë organizative. Ai kishte shpirt dinamik, i pëlqenin sfidat, synonte drejt shtigjeve të pashkelura; dhe kjo ndodhte brenda një natyre artistike dhe ëndërrimtare, të një natyre të gatuar më shumë me ndjenja dhe me vizione të bukura. Po, siç e tregonte jeta e tij, ai kish dhe shkëndija kryengritëse, momente sa racionale aq edhe irracionale. Kjo shpjegon edhe shpërthimet e nxitimin, inatet, euforinë e kokëfortësinë… Pushtohej nga vetja dhe s’e kish për zemër politikën e kompromiseve….

Autori nuk nguron ta japë Nolin me gjithë dritëhijet e personalitetit të vet, si njeri të zakonshëm, shqiptar e ballkanas. Në një nga faqet e librit ai thotë se mendja e tij e hapur, shpirti i kërkimit, etja për dituri, interesat e gjalla për jetën, vështrimi dialektik i botës e bënin të mos kënaqej me rrethin e ideve dhe të praktikave tradicionale… Ai manifestonte një natyrë të ndërlikuar, të paqetë, gjithnjë në lëvizje. Mendimet e mençura plekseshin me duf e dëshira të zjarrta, respekti për të tjerët trazohej me besimin e madh te vetja, me mbivlerësimin e forcave dhe të aftësive të tij. Atë e karakterizonte pakënaqësia e përgjithshme, fryma kritike për gjendjen ekzistuese që, herë-herë, merrte trajta të një rebelimi dhe mendimi gati nihilist.

Për të ndërtuar këtë vepër të mrekullueshme, Nasho Jorgaqi ka ndjekur metodën e rikthimit mbrapsht në histori. Nisur nga disa fakte e të dhëna të treguara nga vetë Noli në Autobiografinë e vet, nga rrëfime të bashkëkohësve, nga informacione të mbledhura në shtypin e kohës, në dokumente të pafundme arkivore, ka hyrë në hapësira zbrazëtie e në periudha terri apo të mjegullta. I pajisur me vullnet të pashembullt, ka vazhduar rrugëtimin e gjatë, të lodhshëm e të mundimshëm në gjurmim të jetës, veprimtarisë dhe kontributeve të Nolit. Në këtë mision madhor e fisnik i është dashur të përshkojë fshatra, qytete, krahina, shtete, të kapërcejë dete e oqeane, të zbresë në thellësitë e historisë, të trokasë në dhjetëra dyer bashkëkohësish e të njohurish të tij apo të Nolit, të rrëmojë në arkiva e biblioteka, të shfletojë e të studiojë mijëra faqe, të rendë deri edhe nëpër varre njerëzish, për të hulumtuar të dhëna me interes për misionin e tij, dhe ta rikrijojë të plotë, të gjallë historinë e jetës së Fan Nolit. Nasho Jorgaqi, me një stil tërheqës e të zhdërvjellët, me një gjuhë gati poetike, në një mënyrë mahnitëse udhëheq në itinerarin brilant polivalent të Nolit në jetë dhe e shpërfaq atë si politikan, diplomat, filozof, sociolog, publicist, gazetar, gojëtar, ligjërues, krijues, letrar, poet, kompozitor, muzikolog, shqipërues, studiues, historian, enciklopedist poliedrik dhe erudit të klasit të parë, klerik dhe predikues etj. Inkursioni i Nasho Jorgaqit në historinë e jetës së Fan Nolit dhe në ngjarjet që e shoqërojnë atë si sfond a si aktor, ka dhënë njëkohësisht një version interesant, mjaft tërheqës, të një lloji të veçantë të historisë së Shqipërisë, të periudhës që mbulon jetën e Nolit nga fillimet e deri në shuarjen e tij.

Me këmbëngulje shembullore, me patos e përkushtim të rrallë atdhetar, me aftësi të veçanta të një dijetari erudit me një talent të admirueshëm, ai ka dhënë një vepër madhore letrare, të kompozuar e të mbështetur në kritere shkencore historike, ndofta një nga biografitë më të bukura, më të mira, më të plota e më të përsosura që i ka ardhur deri më sot letërsisë shqipe. Universi Nolian, i zbërthyer dhe i paraqitur me hollësi e bukuri mahnitëse nga autori është i paanë e i pafund.

Është pretendim i madh dhe detyrë e vështirë ta përkufizosh Fan Nolin në kuadrin e një shkrimi. Prandaj, duke u nisur nga libri i jashtëzakonshëm i prof. Nasho Jorgaqit, e gjykova të udhës të ndalesha e të cekja diçka nga veprimtaria diplomatike, duke u fokusuar kryesisht në profilin e tij si diplomat.

Nasho Jorgaqi ka arritur ta portretizojë Nolin si një diplomat të formatit ndërkombëtar, si një figurë të kompletuar edhe në mjeshtërinë e vështirë e delikate të diplomacisë.

I përfshirë në këtë fushë nga rrethanat e veçanta të kohës, nga nevojat imperative për t’iu shërbyer idealeve të çështjes kombëtare shqiptare, por edhe nga dëshira, pasioni dhe prirja e tij e gjithanshme, Noli zuri një vend nderi, plotësisht të merituar në corpusin diplomatik shqiptar të të gjitha kohërave dhe u bë personazh i ndritur fjalimesh, ndërhyrjesh, debatesh, polemikash, intervistash, shkrimesh etj. Edhe ndonjë mangësi të papërfillshme, pasojë e mungesës së formimit specifik profesional apo e karakterit të tij të veçantë, ai e plotësonte më së miri me horizontin e mahnitshëm kulturor, me njohuritë e thella në histori, filozofi, letërsi, art etj., me njohjen perfekte të shumë gjuhëve të huaja, me zhdërvjelltësinë, spontanitetin dhe elegancën e mendimit, me logjikën e shëndoshë, me forcën bindëse të argumentit apo të arsyetimit, me këmbënguljen dhe dashurinë e pakufishme që demonstronte në mbrojtje të kauzës së shenjtë në dobi të atdheut të vet. Të gjitha këto e evidentuan Nolin në vitet 1920-1924 si protagonist, aktor e negociator të shkëlqyer dhe personazh të faqeve të para të kronikave diplomatike të kohës. Gazeta angleze Manchester Guardian e datës 27 qershor 1924, thoshte ndër të tjera:

Në Gjenevë, në mbledhjet e Lidhjes së Kombeve, Imzot Noli ishte një nga delegatët më popullorë dhe më të respektueshëm… Imzot Noli është njeri që do të ishte i shquar në çdo vend… Liberal që në krye gjer në fund, aq liberal në teologji sa edhe në politikë, dhe si liberal i vërtetë është krejt tolerant dhe aspak fanatik…. Anglezi Swire e përkufizonte si një nga delegatët më popullorë e më të respektuar përgjithësisht… një diplomat i përkryer, me dijeni të gjera mbi botën dhe politikën ndërkombëtare, një negociator i gatshëm dhe i shquar…

Nasho Jorgaqi e zbulon Nolin në rolin e diplomatit që në muajt e fundit të vitit 1912 dhe në fillimin e vitit 1913. Në ato kohë, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli shtetin e pavarur shqiptar dhe Konferenca e Ambasadorëve e mbledhur në Londër, në dhjetorin e vitit 1912, do të shqyrtonte ndër të tjera statusin dhe kufijtë e Shqipërisë. Noli shpejtoi dhe i shkroi Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ismail Qemalit, se ishte gati të nisej në Londër për të dhënë kontributet e tij në të mirë të çështjes shqiptare. Pa marrë ende përgjigje ai mbërriti në kryeqytetin anglez dhe filloi menjëherë nga përçapjet me ndërhyrje, takime e biseda me politikanë, diplomatë, gazetarë e personalitete të afirmuara të qarqeve influente ndërkombëtare.

Në vigjilje të fundit të Luftës së Parë Botërore, Noli do të ndërhynte deri te Presidenti i ShBA-së Woudrow Wilson, duke iu lutur që të kujdesej për fatin e Shqipërisë në diskutimet që do të bëheshin në Konferencën e Paqes në Paris.

Roli dhe aftësitë diplomatike të Nolit do të dëshmoheshin më së miri në Lidhjen e Kombeve. Talenti i tij i jashtëzakonshëm, njohuritë e gjera në shumë fusha të dijes, përkushtimi dhe patosi patriotik spikatën dukshëm si gjatë përpjekjeve për pranimin e Shqipërisë në organizatën ndërkombëtare universale ashtu edhe në mbrojtje të kufijve të saj nga pretendimet shoviniste të fqinjëve serbo-kroato-sllovenë në veri e verilindje dhe atyre grekë në jug e juglindje. Dialogu dhe debati bindës e këmbëngulës, që hera-herës morën trajtat e kacafytjeve të ashpra diplomatike me Spalajkoviçin, Jovanoviçin, Aleksandropulon, Politisin etj., përfaqësues të shteteve të mësipërme, të cilët autori i ka sjellë në veprën e tij, përfaqësojnë modele të shkëlqyera të sjelljeve të përkora, por edhe të ndërhyrjeve të vendosura dhe kurajoze diplomatike.

Çështjen delikate dhe veçanërisht të rëndësishme të kufijve Noli e trajtoi dhe mbrojti në Lidhjen e Kombeve me nivel të lartë argumentesh, me pjekuri e gjakftohtësi, por edhe me takt diplomatik, duke i mundur – siç do të shkruante shtypi i kohës – kundërshtarët e Ballkanit në një mënyrë mjeshtërore dhe kurdoherë me buzëqeshje të mbaruar.

Një pjesë e rëndësishme e librit është ajo që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe veprimtarinë e Nolit si deputet në Parlamentin shqiptar të kohës, si kryetar i opozitës, si ministër i Punëve të Jashtme dhe si Kryeministër, në qershor-dhjetor 1924. Përmendet një nga fjalimet më panegjirike dhe më elokuente të Nolit, mbajtur në seancën e 11 shkurtit 1924 të Parlamentit shqiptar. Ai ishte homazh për vdekjen e Presidentit amerikan Uillson, me të cilin, siç thotë N. Jorgaqi, ndjente njëfarë ngjashmërie, sepse të dy qenë idealistë e ëndërrimtarë, humanë e patriotë të devotshëm. Ai shprehet më tej se, duke e cilësuar Presidentin e ndjerë si amerikan të madh, idealist, kalorës të paqes, të vëllazërimit dhe të mirëdashjes ndërkombëtare, luan e titan, ai tha se do të mjaftonte vetëm epiteti amerikan që t’u ngjallte shqiptarëve respekt e t’u kujtonte se emri i tij ishte i lidhur me shtetin që i kish sjellë aq të mira dhe dobi Shqipërisë.

Noli u gjend nën trysninë e një politike unike izolimi, në kohën që ishte në krye të qeverisë shqiptare, në qershor-dhjetor 1924. Ai u orvat të gjente mundësitë për ta kapërcyer atë dhe për të instaluar raporte normale me Fuqitë e Mëdha të kohës dhe veçanërisht me fqinjët, të cilëve iu përsëriste dëshirën për të qenë miq të sinqertë.

Gjatë pjesëmarrjes në punimet e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, në vitin 1924, Noli u riafirmua si diplomat i zoti në mbrojtje të interesave të vendit. Në momente të caktuara nuk mungonin eksese e sjellje disi të çuditshme, siç ndodhi në fjalimet e tij për çarmatimin apo në kërkesën e akordimit të një huaje për përballimin e situatave të vështira që kalonte Shqipëria e asaj kohe. Shpresat për sigurimin e njohjes ndërkombëtare të qeverisë apo për një trajtim miqësor, nga Lidhja e Kombeve rezultuan një iluzion i hidhur. Pasoi një bojkot gati total, politik e ekonomik. Prandaj Noli, në seancën e 10 shtatorit të vitit 1924, të Sesionit V të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve, do të shpërthente me një zemërim të paparë, duke i kualifikuar të pesë vjetët e ekzistencës së saj si një llomotitje të mërzitshme për paqen. Pas toneve të theksuara sarkastike, tallëse e protestuese, në fund të fjalimit bëri një kthesë të papritur e të menjëhershme. E mbaroi me tone të zbutura duke pohuar se, Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku dhe qëllimi i saj – maja e përparimit të njerëzimit.

Më vonë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, Noli do të vihej sërish në shërbim të çështjes së drejtë të atdheut të tij. Autori tregon se në vitet e para pas çlirimit të vendit e më vonë, Noli angazhohet seriozisht dhe sinqerisht në fushatën diplomatike për njohjen e qeverisë shqiptare, për anëtarësimin e saj në OKB, për mbrojtjen e Shqipërisë nga provokacionet e shumta në kufijtë jugorë, nga akuzat për incidentin e ndodhur në Kanalin e Korfuzit etj. Noli do të bëhej pa hezitim këshilltar, shoqërues e përkthyes zyrtar i delegacioneve shqiptare në OKB dhe ShBA.

Në vazhdim, me gjithë ndonjë rezervë apo edhe pakënaqësi që mund të kishte ndaj njerëzve që përfaqësonin strukturat e qeverisë shqiptare me të cilët kishte kontakte, Noli do të përpiqej me të gjitha mundësitë, me lidhjet e miqësitë e shumta, me personalitete të politikës e të diplomacisë amerikane e ndërkombëtare, për të propaganduar një imazh të përmirësuar të atdheut të vet, si dhe për të kontribuar për afirmimin ndërkombëtar të tij.

Këtë veprimtari intensive e mjaft produktive të Nolit, studiuesi Nasho Jorgaqi e ka dhënë deri në detaje, të ilustruar me episode tërheqëse e interesante, duke e plotësuar figurën e heroit të librit të vet edhe në këtë fushë specifike, për t’i dhënë punimit vlera të pakufishme dhe duke e bërë atë realisht, siç shprehet Prof. Arben Puto, një enciklopedi të Nolit, ku mund të gjesh përgjigje për çdo aspekt të jetës së tij….

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • “E keni kokën e mbushur plot me gënjeshtra”, Rama përplaset me gazetaren nga Rumania
  • Irani i kundërpërgjigjet Ramës: Dëgjo qytetarët që thërrasin “Rama ik” dhe mos shpik armiq imagjinarë
  • Verbëri politike ndërsa Perëndimi rri e vështron
  • 34-vjeçari rezulton i zhdukur prej 6 ditësh, dyshohet për ngjarje kriminale
  • GJKKO dënon me 2 vite e 4 muaj burg bashkëpunëtorin e drejtësisë

Komentet e Fundit

  1. Leu aka k*r me zyle on Shqipëria e bukur është në shesh
  2. 1thundrak on Detaje nga dita e nëntë e protestës, mijëra qytetarë në shesh, përplasje me të rinjtë e PD; Reuters jep live protestën
  3. Qukapiku on Detaje nga dita e nëntë e protestës, mijëra qytetarë në shesh, përplasje me të rinjtë e PD; Reuters jep live protestën
  4. Thash_e_S'them-e-xhiU on Rama: Projekti i Zvërnecit nuk do ndalet, pavarësisht protestave
  5. TRENI on Shqipëria e bukur është në shesh

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?