Ballkani po paguan gjithnjë e më shumë për të nxitur shtimin e bebeve, por po lind gjithnjë e më pak. Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe të lindjeve në Europë, nga viti 1997, ndërsa i gjithë rajoni ka zbritur nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë. Serbia ofron deri në 27 mijë euro për fëmijën e katërt, ndërsa vendet e tjera kanë zgjeruar bonuset, shtesat mujore dhe lehtësitë për familjet. Por përballë emigracionit, plakjes dhe kostos së jetesës, pyetja mbetet: a mund të blihet e ardhmja me një bonus për beben?
Në fillim të viteve ’90, harta demografike e Ballkanit Perëndimor nuk ishte aspak uniforme. Shqipëria dhe Kosova hynin në dekadë me nivele ende të larta lindshmërie, ndërsa Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe, pjesërisht, Maqedonia e Veriut e kishin nisur shumë më herët tranzicionin drejt familjeve më të vogla.
Pra, ideja se i gjithë rajoni “lindte shumë” deri në vitet ’90 është vetëm pjesërisht e vërtetë.
Në vitin 1990, norma e fertilitetit ishte rreth 3 fëmijë për grua në Shqipëri dhe 3.67 në Kosovë, por vetëm 1.65 në Serbi, 1.79 në Bosnjë-Hercegovinë, 1.95 në Malin e Zi dhe 2.27 në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.
Në tri dekadat që pasuan, rënia e lindjeve në të gjithë Ballkanin Perëndimor ka qenë e shpejtë. Nga viti 1997, kur ka të dhëna të disponueshme për të gjitha shtetet, deri në vitin 2025, Shqipëria ka shënuar tkurrjen më të fortë të numrit të lindjeve, me 63.5%, nga 61.7 mijë në 22.5 mijë.
Pas saj vijnë Kosova, me një rënie rreth 48.6%, Maqedonia e Veriut me 46.2%, Bosnjë-Hercegovina me 45.7%, Serbia me 25.4% dhe Mali i Zi me 20.9%, bazuar në të dhënat e përpunuara nga Eurostat. Shqipëria ndodhet kështu në skajin më të fortë të një prirjeje që ka përfshirë të gjithë rajonin.

Të dhënat të tjera më të detajuara të Eurostat për gjithë Europën, të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se në periudhën 1997-2025, Shqipëria ka shënuar jo vetëm tkurrjen më të lartë të lindjeve në rajon, por në të gjithë Europën.
Në vend të dytë dhe të tretë janë shtetet e ish Bashkimit Sovjetik, Lituania (-53%) dhe Moldavia (-51%) dhe më pas stafetën e vazhdon Ballkani, me Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjë Hercegovinën.
Në të gjithë Europën, në tre dekadat e fundit vetëm tre shtete kanë arritur të rrisin lindjet: Suedia (+7.7%), Islanda (+5.7%) dhe Irlanda (+2.9%). (Për më shumë info shiko grafikun: Europa, ndryshimi i lindjeve 2025 ndaj vitit 1997)
Edhe lindjet për 1,000 banorë kanë rënë ndjeshëm
Rënia, që po përjeton rajoni bëhet edhe më e qartë kur numri i lindjeve vendoset në raport me popullsinë. Në mesin e viteve ’90, diferencat mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin shumë të mëdha.
Shqipëria regjistronte 21.7 lindje për 1,000 banorë dhe Kosova 21.4, ndërsa Serbia ishte në vetëm 10.8, Bosnjë-Hercegovina në 12 dhe Mali i Zi në 15, sipas serive kohore të publikuara nga Eurostat.
Deri në vitin 2025, këto diferenca janë ngushtuar ndjeshëm, por jo sepse vendet me lindshmëri më të ulët janë përmirësuar. Përkundrazi, pjesa më e madhe e rajonit ka konverguar drejt niveleve shumë më të ulëta.
Kosova vijon të ketë normën më të lartë, me 12.8 lindje për 1,000 banorë, e ndjekur nga Mali i Zi me 11.1. Shqipëria ka zbritur në 9.6, Serbia në 9.1 dhe Maqedonia e Veriut në 8.7, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është në 7.7 lindje për 1,000 banorë, në të njëjtin nivel me mesataren e Bashkimit Europian.
Tkurrja më e fortë në raport me popullsinë është regjistruar në Shqipëri, ku norma është më shumë se përgjysmuar, nga 21.7 në 9.6 lindje për 1,000 banorë. Rënie e lartë është shënuar edhe në Kosovë, nga 21.4 në 12.8, dhe në Maqedoninë e Veriut, nga 15.8 në 8.7.
Ky tregues pasqyron jo vetëm faktin që familjet po lindin më pak fëmijë, por edhe ndryshimin e strukturës së popullsisë. Emigracioni, plakja dhe tkurrja e brezave të rinj kanë ulur numrin e grave në moshë riprodhuese, duke e përforcuar rënien e lindjeve në raport me popullsinë.
Edhe stili i jetesës ka ndryshuar dukshëm, me gratë që lindin më vonë, familje më rë vogla, duke qenë një faktor i rëndësishëm shtesë.
I gjithë Ballkani Perëndimor, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, vazhdon ende të ketë lindje për 1000 banorë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 7.7.

Në të njëjtën kohë, numri absolut i lindjeve dhe lindjet për 1,000 banorë nuk duhen lexuar të shkëputura nga fertiliteti. Një vend mund të ketë një normë relativisht më të lartë fertiliteti dhe përsëri të regjistrojë më pak foshnja, nëse brezi i grave në moshë riprodhuese është tkurrur.
Kjo është arsyeja pse përmirësimi i lehtë i fertilitetit në Serbi në vitet e fundit nuk është përkthyer domosdoshmërisht në më shumë lindje dhe pse rishikimi i popullsisë në Shqipëri e ngriti statistikisht normën e fertilitetit në vitin 2024, pa ndryshuar faktin se numri i foshnjave vazhdoi të bjerë.
Sot, i gjithë Ballkani Perëndimor ka zbritur nën nivelin e dy fëmijëve për grua. Tkurrja më e fortë krahasuar me fillimin e viteve ’90 është regjistruar në Kosovë dhe Shqipëri.
Mali i Zi ka tashmë normën më të lartë të fertilitetit në rajon, me 1.75 fëmijë për grua, ndërsa më e ulëta është në Bosnjë-Hercegovinë, me 1.49.
Megjithatë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 1.34 fëmijësh për grua, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme për vitin 2024 nga Eurostat.

Nga familja e madhe te financimi i lindjeve
Kriza e sotme ka një pikënisje të ndryshme për secilin vend, por një destinacion të përbashkët: fertilitet nën nivelin e zëvendësimit dhe breza familjesh gjithnjë e më të vogla.
Sot, qeveritë e rajonit përpiqen ta zbusin këtë kthesë me çek për të porsalindurin, pagesa mujore, kompensim page gjatë lejes prindërore, subvencione banese, kopshte dhe tekste shkollore falas.
“Monitor” ka analizuar paketat mbështetëse që po zbaton rajoni, në një artikull të përbashkët me korrespondentët e saj në rajon, në kuadër të rubrikës “Western Balkans Monitor”, që mbështetet nga Programi Rajonal i GIZ-it #SustainMedia, i financuar nga Bashkimi Europian (BE) dhe Qeveria Gjermane (BMZ).
Politikat nuk kanë të njëjtën logjikë. Disa janë universale, të tjera u takojnë vetëm familjeve me të ardhura të ulëta. Disa paguhen menjëherë pas lindjes, ndërsa të tjera shtrihen për dhjetë vjet. Në Bosnjë, e njëjta familje mund të marrë shumë më tepër, ose më pak, vetëm sepse jeton në një kanton tjetër.
Serbia ka paketën më bujare të pagesave të lidhura me rendin e lindjes: rreth 4,260 euro për fëmijën e parë, 5,112 euro për të dytin, 19,427 euro për të tretin dhe 27,095 euro për të katërtin. Shqipëria jep përkatësisht 40 mijë, 80 mijë dhe 120 mijë lekë, por vetëm një herë.
Maqedonia e Veriut jep rreth 80 euro për fëmijën e parë dhe 325 euro për të dytin; mbështetja më e gjatë, rreth 150 euro në muaj për dhjetë vjet për fëmijën e tretë, kushtëzohet nga niveli i të ardhurave të familjes.
Kosova nuk e ka ndërtuar sistemin mbi një çek të madh lindjeje, por mbi shtesa mujore. Jepen 20 euro për secilin fëmijë në familjet me një ose dy fëmijë dhe 30 euro për secilin në familjet me tre ose më shumë, deri në moshën 16 vjeç. Mali i Zi jep 30 euro në muaj për çdo fëmijë deri në 18 vjeç.
Që nga mesi i vitit 2024, pagesa shtetërore në lindje është 1,112 euro për fëmijën e parë, 1,669 euro për të dytin, 2,225 euro për të tretin dhe 2,782 euro për të katërtin dhe çdo fëmijë pas tij; shumica e komunave shtojnë edhe 100 deri mbi 1,000 euro.
Bosnjë-Hercegovina nuk ka një shifër kombëtare. Në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, pagesa federale është 1,000 marka të konvertueshme, ose rreth 511 euro, për çdo të porsalindur.
Mbi të mund të shtohen pagesa kantonale dhe bashkiake.
Në Republika Srpska, familja merr 500 marka për pajisjet e bebes, plus 600 marka për fëmijën e tretë ose 450 marka për të katërtin.
Pikërisht ky shtresëzim e bën Bosnjën një laborator politikash, por edhe një shembull pabarazie territoriale.
Por politika pronataliste po hyn në garë me një proces shumë më të gjatë se një mandat qeverisës. Emigracioni largon pikërisht të rinjtë në vitet kur krijojnë familje; plakja zvogëlon bazën e popullsisë; ndërsa kostoja e banesës, kujdesit dhe karrierës ndryshon llogarinë e prindërimit.
Ballkani nuk po humbet vetëm banorë të sotëm. Po humbet edhe lindjet që do të kishin ndodhur nesër.


Nga shtatë fëmijë për grua te më pak se dy
Rënia e fertilitetit nuk ka nisur njësoj në të gjithë rajonin. Në vitin 1950, Shqipëria dhe Kosova kishin ndër nivelet më të larta, përkatësisht 6.17 dhe 6.95 fëmijë për grua.
Por Serbia ishte që atëherë nën 3, ndërsa deri në vitin 1990, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi kishin zbritur nën pragun 2.1 të zëvendësimit të brezave.
Kjo tregon se tranzicioni drejt familjeve më të vogla kishte nisur dekada përpara viteve ’90 në një pjesë të rajonit; Shqipëria dhe Kosova e përjetuan kthesën më vonë dhe më shpejt.
Krahasimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor tregon se mbështetja për familjet është zgjeruar, por modelet ndryshojnë ndjeshëm.
Disa vende mbështeten te pagesat e njëhershme në lindje, të tjera kanë ndërtuar skema mujore ose shumëvjeçare, ndërsa në disa raste, përfitimet rriten ndjeshëm për fëmijën e tretë dhe të katërt.
Ndryshime ka edhe në mënyrën e përfitimit, nga skemat universale te pagesat e kushtëzuara nga të ardhurat, vendbanimi apo statusi i punësimit.
Serbia ka zgjedhur mbështetjen më të lartë financiare dhe më afatgjatë për familjet me disa fëmijë. Mali i Zi ndërthur pagesën në lindje me shtesën mujore për fëmijët, ndërsa Kosova ka kaluar drejt mbështetjes mujore më të gjerë.
Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë sisteme më të fragmentuara, ku përfitimet varen nga kategoria sociale, numri i fëmijëve ose niveli i qeverisjes.
Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht te Bonusi i Bebes, një pagesë që përqendrohet në momentin e lindjes dhe nuk shtrihet në mënyrë universale në vitet e para të rritjes së fëmijës.
Megjithëse skemat janë zgjeruar, të dhënat demografike nuk tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes shumës së pagesave dhe rritjes së qëndrueshme të lindjeve. Vendet me përfitimet më të larta nuk kanë shmangur rënien e fertilitetit, plakjen e popullsisë dhe largimin e të rinjve.
Kjo tregon se pagesat mund të ulin kostot e familjeve dhe varfërinë e fëmijëve, por ndikimi i tyre mbi vendimin për të pasur fëmijë është më i vështirë për t’u veçuar.
Në të gjithë rajonin, lindshmëria ndikohet njëkohësisht nga të ardhurat, siguria e punësimit, kostot e banesave, mundësia për të siguruar çerdhe dhe kopshte, kohëzgjatja e lejes prindërore dhe ndarja e përgjegjësive të kujdesit.
Një faktor tjetër është emigracioni, i cili redukton drejtpërdrejt popullsinë në moshë riprodhuese. Për këtë arsye, edhe një skemë financiare relativisht bujare mund të ketë ndikim të kufizuar nëse zbatohet në një mjedis me pasiguri ekonomike dhe largim të vazhdueshëm të të rinjve.
Krahasimi rajonal nxjerr në pah edhe mungesën e vlerësimeve të plota për rezultatet e këtyre politikave. Institucionet raportojnë kryesisht numrin e përfituesve dhe fondet e shpërndara, por më rrallë analizojnë nëse skemat kanë ndikuar te lindja e fëmijës së parë, të dytë apo të tretë.
Pa të dhëna sipas të ardhurave, moshës, zonës së banimit dhe rendit të lindjes, është e vështirë të përcaktohet se cila pjesë e ndryshimit demografik lidhet me bonuset dhe cila me faktorë të tjerë.
Shqipëria: Bonusi erdhi, lindjet u tkurrën
Shqipëria e nisi Bonusin e Bebes në vitin 2019 me një formulë të thjeshtë: 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin dhe çdo fëmijë pas tij. Për binjakët, pagesa është 80 mijë lekë për secilin; për trinjakët dhe lindjet e shumëfishta mbi këtë numër, 120 mijë lekë për secilin.
Masa synon të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të para të familjes. Ajo nuk lidhet me të ardhurat dhe rritet sipas rendit të lindjes, pra ka edhe një komponent të qartë nxitës. Por rezultati demografik ka ecur në drejtim të kundërt.
Sipas INSTAT, në vitin 2025 u regjistruan 22,541 lindje, 3.3% më pak se në vitin 2024. Krahasuar me vitin 2015, kur u regjistruan 32,715 lindje, rënia arrin në 31.1%.
Edhe në raport me vitin 2019, kur nisi programi dhe u regjistruan rreth 28,600 lindje, tkurrja është mbi 20%. Kjo nuk provon se bonusi nuk ka ndihmuar asnjë familje; tregon se ai nuk ka qenë në gjendje të ndryshojë prirjen kombëtare.
Popullsia po tkurret, Kosova lind më pak dhe emigron më shumë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka parashikuar se deri në vitin 2060, vendi mund të mbetet me 1 milion banorë, çka nënkupton një rënie prej 37% të popullsisë, nga 1.6 milionë banorë që rezultuan në matjen e fundit të regjistrimit të popullsisë.
Me këtë trend, pritet që në vitin 2060, mosha mesatare e shtetasve të Kosovës të arrijë në 49 vjeç, ndërsa në vitin 2024, ajo ishte 35.3 vjeç.
Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës (UP), Ymer Havolli, tha për “Monitor” se ky trend shpjegohet kryesisht me rënien e natalitetit dhe fenomenin e emigracionit. Ndërsa, sociologu Labinot Kunushevci shton edhe faktorin e modernizimit dhe përballjen e tij me normat tradicionale.
Më shumë para, më pak foshnja: pse stimujt e Serbisë për lindjet nuk po e ndalin rënien demografike
Popullsia e Serbisë mund të bjerë në 5.2 milionë banorë deri në vitin 2052, një reduktim prej 1.5 milionë banorësh krahasuar me vitet 2020, nëse vazhdon tendenca aktuale e rënies demografike.
Pavarësisht se Serbia ofron një nga ndihmat më të larta prindërore në Europë, leje lindjeje bujare dhe fertilizim in vitro falas, numri vjetor i lindjeve vazhdon të bjerë. Përse stimujt materialë nuk kanë arritur ta përmbysin këtë tendencë dhe cilat ndryshime sociale e kulturore po ndikojnë në vendimet për të pasur fëmijë
Një vend, të drejta të ndryshme: Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paratë janë vetëm një pjesë e zgjidhjes
Nga pagesat e njëhershme deri te mbështetja afatgjatë për familjet, vendet e Ballkanit po kërkojnë një përgjigje për të njëjtin problem: si të ndalet rënia e lindjeve, plakja e popullsisë dhe largimi i të rinjve.
Përvoja e Bosnjë dhe Hercegovinës tregon se paratë mund të jenë një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes, por se ato nuk janë të mjaftueshme më vete. Rënia e popullsisë është e dukshme edhe në të dhënat e regjistrimeve: nga rreth 4.38 milionë banorë në vitin 1991, Bosnjë dhe Hercegovina zbriti në 3.53 milionë në vitin 2013.
Republika e Maqedonisë së Veriut nën “kërcënimin” e kolapsit demografik: emigrim, më pak lindje, rënie e popullsisë!
Në vitin 2025, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan gjithsej 15,850 lindje të gjalla, shifra më e ulët në historinë e vendit. “Prej katër dekadash, më shumë se 50% e komunave në vend kanë shtesë natyrore negative të popullsisë dhe, që nga viti 2019, këtë e ka edhe i gjithë vendi.
Ky është rezultat i rënies së lindshmërisë dhe rritjes së vdekshmërisë. Ka disa arsye për rënien e lindshmërisë: situata ekonomike, punësimi, arsimi, siguria sociale dhe, më e rëndësishmja, emigrimi”, thotë Donço Gerasimovski, një nga demografët më të njohur në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ky “mozaik” faktorësh tashmë e ka “shkatërruar” panoramën demografike të vendit. Popullsia po zvogëlohet.
Ora demografike e Malit të Zi po ngec, pavarësisht subvencioneve
Krahasuar me vitin 1961, panorama demografike e Malit të Zi ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Numri i foshnjave të lindura vitin e kaluar ra në nivelin më të ulët historik, në 6,925, afërsisht gjysma e shifrës së regjistruar në vitin 1961, kur vendi kishte një popullsi prej vetëm 470,000 banorësh.
Norma e fertilitetit ka mbetur prej dekadash në rreth 1.7 deri në 1.8 fëmijë për grua, shumë më poshtë nivelit të zëvendësimit të popullsisë prej 2.1. Në vitin 1961, ajo ishte 3.5.
Popullsia është gjithashtu dukshëm më e moshuar. Mosha mesatare u rrit nga 27 vjeç në vitin 1961 në 39.7 vjeç në vitin 2023. Pesha e popullsisë deri në moshën 18 vjeç ra nga 36% në rreth gjysmën e këtij niveli, ndërsa përqindja e personave 65 vjeç e lart u rrit nga 7.1% në 16.8%.
Monitor.al
