Mungesa e ndërveprimit me të tjerët për shkak të izolimit në vitet e tyre më vendimtare të zhvillimit, i ka lënë foshnjat e lindura gjatë pandemisë me probleme në të folur dhe i ka bërë më nevrikë.
Ky është përfundimi ku kanë dalë disa studime të bëra në botë, të cilat janë reflektuar edhe në Shqipëri. Ekspertët në vend shprehen se ka pasur një tendencë ndryshimi përsa u përket fëmijëve të lindur gjatë pandemisë. Psikologe Migena Kurushi thotë për SI se pas pandemisë ka pasur rritje të rasteve klinike.
“U shtuan rastet si për ndjekje terapeutike ashtu edhe për konsulta”, thotë Kurushi.
Ajo shton se shqetësimet e prindërve kanë qenë kryesisht mbi vonesën gjuhësore, kjo dhe për shkak të mbylljes së fëmijëve në një ambient ku lojërat e tyre kanë qenë telefoni dhe teknologjia.
“Fëmijët të cilët kanë ardhur për konsulta ose terapi janë të moshës 2-3 vjeç”, thotë Kurushi.
Pra, janë fëmijë që kanë lindur në fillim të pandemisë ose pak para pandemisë.
Ndërkohë, psikologia për fëmijë, Lorela Garuli thotë për SI se një problem i asaj periudhe që ka ndikuar edhe në zhvillimin, evoluimin, komunikimin e bebeve ka qenë edhe izolimi i nënave të reja.
Raporti i tyre me mëmësinë dhe momentet e para kanë qenë të vështira për nënat që në periudhën më të bukur të tyre ishin të izoluara.
“Nënat e reja kanë pasur më shumë depresion postpartum, ankth dhe pamundësia për të takuar të afërmit, për të kërkuar ndihmë, për të ndarë pak më shumë eksperiencën e tyre mund të ketë qenë shkaku kryesor që ka nxitur dhe vështirësitë tek bebet”, thotë Garuli.
Fëmijët kanë qenë të izoluar me nëna që kanë kaluar vetë një periudhë të vështirë.
Edhe studimet tregojnë se “fëmijët e pandemisë” janë mbrapa.
Dominique Spencer, e cila drejton një qendër për fëmijët, zbuloi se shumë fëmijë tani janë më pak të avancuar nga pikëpamja sociale sesa ata që ishin para fillimit të pandemisë.
Studimet kanë zbuluar gjithashtu se fëmijët e lindur pas marsit 2020 kanë më pak gjasa të jenë në gjendje të bëjnë tingujt e parë sesa bashkëmoshatarët e tyre në këtë moshë dhe ende nuk kanë zhvilluar aftësi sociale si ndarja dhe pritja duke çuar në më shumë grindje dhe nerva.
Shkencëtarët duke përfshirë Dana Suskind, kirurge në Universitetin e Çikagos, thonë se pas ndryshimit qëndron mungesa e kontaktit social me familjen dhe të afërmit për shkak të kufizimeve.
Ndikimi afatgjatë i pandemisë tek fëmijët nuk është ende i qartë, por ekspertët kanë paralajmëruar se mbajtja e fëmijëve larg bashkëmoshatarëve të tyre për një kohë të gjatë me izolime, me siguri do të ketë dëmtuar zhvillimin e tyre.
Spencer shpjegon se normalisht foshnjat fillojnë të ecin dhe bëhen më aktivë fizikisht gjatë muajve të pranverës dhe verës.
Por që nga valët e Covid, ajo nuk e ka parë që kjo të ndodhë aq shpesh.
“Ata janë ende duke u rritur, sepse rriten gjithmonë, por është me një ritëm më të ngadaltë”, thotë ajo.
Dëshmi të mëtejshme të zhvillimit më të ngadaltë tek fëmijët më të vegjël u zbuluan edhe nga Emily Levitt, nënkryetare e një prej rrjeteve më të mëdha të mësimdhënies në Amerikë të quajtur “Sylvan Learning”.
Ajo tha se kohët e fundit janë mbytur me kërkesa për mësime nga prindërit me fëmijë nën tre vjeç.
“Shpesh na bëhet pyetja: “A është pandemia fajtore apo janë fëmijët prapa?”, shpjegoi ajo.
“Dhe arritja e përgjigjes së saktë për çdo fëmijë nuk është gjithmonë e lehtë”.
Dëshmitë shkencore për vonesa në zhvillimin e fëmijëve në kohën e Covid kanë treguar pikërisht këtë që thonë ekspertët.
Një punim i botuar në revistën kërkimore JAMA në janar të këtij viti, i cili shqyrtoi 225 fëmijë të lindur në vitin 2020, zbuloi se foshnjat kishin më pak gjasa të zvarriteshin dhe të buzëqeshnin me veten në pasqyrë brenda gjashtë muajve. Studimi gjithashtu tregoi se ata kishin reduktuar aftësitë sociale dhe të zgjidhjes së problemeve.
Edhe një anketë në Mbretërinë e Bashkuar me mësuesit, e publikuar muajin e kaluar, zbuloi se ata që mësonin fëmijët në fillimet e tyre tani po shihnin më shumë kafshime dhe goditje në klasë sesa më parë.
Organizata “Ofsted” në Britani ka treguar gjithashtu në një raport se fëmijët po luftojnë me aftësitë bazë si të shkruarit dhe të folurit në vazhdën e pandemisë.
Disa mësues madje thanë se kishin parë se të rinjve u mungonte besimi në aktivitetet në grup dhe kishin vështirësi për të ndarë dhe për të ndërruar lodrat.
*****
Pandemia “lindi ” fëmijë me nivel inteligjence të ulët
Sipas një studimi të fundit në SHBA fëmijët që kanë lindur gjatë pandemisë së Covid-19 kanë nivele më të ulëta të njohjes së përgjithshme (IQ koeficienti i inteligjencës një grup testesh të standardizuara të krijuara për të vlerësuar inteligjencën njerëzore.)
Autori i studimit Sean Deoni, profesor i pediatrisë në Universitetin Brown, SHBA tha se kufizimet dhe izolimi në shtëpi bënë që fëmijët e lindur në këtë periudhë kanë rezultate të ulëta në testet e zhvilluara për të vlerësuar inteligjencën e tyre.
Të dhënat tregojnë se rezultati mesatar i IQ në testet e standardizuara për fëmijët e moshës nga tre muaj deri në tre vjeç ishte 78 për fëmijët e lindur gjatë pandemisë, ndërkohë që më parë ka qenë 100.
Terence Stephenson, një profesor i pediatrisë në Universitetin “College” në Londër është shprehur se është shkruar shumë për ndikimin e pandemisë në edukimin e fëmijëve të vegjël, por studimi i ri tregon më shumë detaje sepse janë analizuar edhe foshnjat.
Gjetjet kanë treguar se fëmijët që patën rezultate më të ulëta ishin ata më probleme socio-ekonomike.
Ekspertët janë shprehur se arsyeja kryesore për rezultate të ulëta është mungesa e ndërveprimit dhe gjendja emocionale e prindërve.
“Këto të dhëna vijnë nga një pjesë relativisht e pasur e Shteteve të Bashkuara, kështu që frika më e madhe është se gjërat mund të jenë më keq në pjesët më të varfra të vendit dhe botës,” shtoi Deoni./The Guardian