Jorgo Mandili
Në 1 nëntor të 2012, doli në treg, në heshtje, pa bujë e pa reklamë gazeta Dita.
Ishte një guxim i madh intelektual e qytetar i stafit dhe botuesit të saj! Të dilje në një kohë kur jeta publike ishte marrë peng dhe shpirtërisht e pushtuar nga një “cunam” mediash të shkruara, vizive dhe sociale, që kishin kapur pothuajse tregun e lexuesve pas viteve ’90.
Nuk e dinin se do gjenin kaq shumë lexues të emocionuar për të eksploruar këtë gazetë në të gjitha rubrikat e saj dhe një auidencë të veçantë që donin të gjenin një strehë për shpirtërimin e tyre, të dërmuar nga “alkimistët e mediakuletës”
Ku qëndron sekreti i këtij suksesi ?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, po sjell në vëmendjen e lexuesit një shembull, ku përmes tij evidentohet “çelësi i suksesit” të kësaj gazete e pikërisht: në ndjeshmërinë koherente që ajo ka me “frymëmarrjen” e shoqërisë- me shqetësimet, hallet, problemet e ritmin e saj, duke u kthyer në një tribunë të mendimit të hapur në mbrojtje të vlerave qytetare, të kulturës e traditave të kombit shqiptar e në mënyrë të veçantë në mbrojtje të luftës antifashiste nacionalçlirimtare…
Sidomos për këtë të fundit, kjo gazetë përmes promovimit të dokumenteve, dëshmive të gjalla, intervistave, diskutimeve, debateve dhe opinioneve për mbrojtjen e LANÇ- it ka evokuar ndjenjat dhe vlerat e të gjithë atyre luftëtarëve,dëshmorëve,heronjve dhe viktimave të internuar apo të vrarë nga nazi-fashistë në këndvështrime të ndryshme duke i lënë hapësirë çdo lexuesi të krijojë opinionin e vet.
Dhe meritë e “veçantë” këtu është padyshim e botuesit të kësaj gazete, kryeredaktorit, stafit të saj që kanë lënë “fushë të lirë veprimi” për debate e diskutime kritike. Plus gazetarit të mirënjohur antifashist, Xhevdet Shehu.
Ku qëndron veçantia e kësaj gazete në këtë ngjarje madhore për historinë e kombit tonë që për herë të parë u bashkua si një trup i vetëm “pa dallim feje ,krahine e ideje” rreth Frontit nën udhëheqjen e PKSH në luftë kundër nazifashistëve e të rreshtuar në anën e duhur të historisë?
Në faktin e mëposhtëm: se kjo gazetë, si gjithë gazetat e tjera mund të mjaftohej vetëm me artikuj jubilarë, sepse nuk kishte ndonjë “detyrim” as shtetëror, as partiak as të platformës së saj editoriale!
Kjo mbrojtje i takonte PS, e cila vetë e mori përsipër dhe e zyrtarizoi në programin e saj, e cila jo vetëm nuk e mbrojti Luftën dhe dëshmorët e saj (fatkeqësisht është një parti pa tribunën e saj sepse e mbylli gazetën ” Zëri i Popullit”), por përkundrazi e relativizoi atë (ceremonialet e ditirambet ndaj tradhtarëve e kuislingëve) ,deri në atë “farë feje” sa ta cilësonte “Luftë Civile” e “gjakun e dëshmorëve, gjak të rremë”.
As më shumë e as më pak – nihilizëm historik e histeri neonaziste!
Mendoni sikur kjo gazetë të mos ekzistonte ose të mos prononcohej me kaq guxim intelektual e përgjegjësi qytetare çfarë do të ndodhte?
A kishin bërë zgjedhjen e duhur drejtuesit e kësaj gazete në qëndrimin ndaj kësaj ngjarjeje historike? Sigurisht që po!
Duke parë reagimet e dhjetëra njerëzve në gazetë, rrjetet sociale si dhe opinionet e gjalla të tyre kudo në rrugë, klube, mesazhe etj, përfundon se sa të drejtë kanë pasur drejtuesit e saj që morën përsipër këtë mision dhe se çfarë kontributi real ka dhënë kjo gazetë në denoncimin e demaskimin e përpjekjeve të Ballit që ka mbetur në Bisht të Kamionit të Historisë.
Ky është vetëm një shembull, që tregon se si përforcohet reputacioni i një gazete (dhe e çdo institucioni) kur gjen “çelësin e suksesit” – kur pulsi i gazetës rreh me të njëjtën frekuencë me atë të shoqërisë
Dhe pastaj duke u prononcuar me guxim intelektual e shqetësim qytetar në mbrojtjen e shtresave të të varfërve e të pambrojturve ka denoncuar me forcë e argumentet, marrëzitë e marrëzive të politikanëve dhe pushtetarëve, që kërkojnë t’i “dehin” me “eliksirin e demokratik” (guri filozofal i alkimistëve) të shpikur nga vetë ata, për t’i hedhur njerëzit e varfër e të pandriçuar në “detin e lumturisë” – në kufijtë e mbijetesës të shpresës” për t’i dhënë kuptim vuajtjeve të tyre. Dhe në pritshmëri të “ditëve më të mira”, ikin në atë botë duke vdekur nga pak çdo ditë e më tepër … Duke mos i konsideruar qenie njerëzore me arsye e ndjeshmëri, por thjesht numra, që u bën thirrje për votime çdo 4 vjet për të vulosur me “dëshirë” skllavërimin e tyre .
Dhe këtu gazeta Dita ka denoncuar me forcë e argumentet bindëse farsën “demokratike” të politikës shqiptare, duke hedhur dritë në anën e errët të politikës mashtruese e manipuluese të “demokracisë” neoliberale, e cila po “atomizon” shoqërinë dhe … individëve u “zhvoksh” të menduarit, duke i transformuar në qenie irracionale e pasive thjesht – në konsumatorë e spektatorë !
Dhe pas kësaj pune fisnike qëndrojnë gazetarë, opinionistë, analistë, moderatorë e publicistë me identitet individual dhe mendor, me integritet moral, mendje inteligjente, analitike dhe objektive, që nuk nisen nga qëndrime emocionale, subjektive, instiktive apo personale në evidentimin e problemit, duke bërë kujdes ta servirë atë si “opinion publik” para njerëzve, qartë dhe me fjalë të thjeshta.
Gjithmonë qartë, thjesht dhe direkt, sepse nuk duan që t’u shpëlajnë mendjen njerëzve. Por nuk duan as t’i bindin me lloj-lloj marifetesh dogmatike. Janë të vetëdijshëm se edhe mund të gabojnë. Ata me gjuhën e vet kërkojnë ta shkundin tjetrin nga dremitja dogmatike, ta provokojnë për të formuar mendimin e lirë, të cilin e respektojnë edhe atëherë kur e konsiderojnë krejt të gabuar. Ata “provokojnë” shpesh diskutimin kritik si gurëthemeli i mendimit të lirë të individit, sikurse ka thënë edhe Karl Popperi: “Se diskutimi kritik mund të na ndihmojë për ta parë një problem apo çështje nga më shumë e më shumë anë dhe për ta vlerësuar drejt atë” (nuk po përmend emra se mund të tregohem i padrejtë ndaj ndonjërit.Lexuesi është sovrani).
Prandaj edhe lexuesit e saj janë të kënaqur me aksesin e besueshëm e të qartë që u ofron kjo gazetë me njohuritë e ekspertëve më të mirë të të gjitha fushave e kohëve …duke iu dhënë atyre (lexuesve) luksin për ta zhytur veten në ide që kërkon kohë.
Për të qenë të besueshëm, gjithçka që publikon kjo gazetë është e kontrolluar me kujdes dhe e bazuar në fakte e dokumente dhe jo e kufizuar në një rreth të “zgjedhurish”, por e hapur për një sërë zërash depërtues dhe të ndryshëm të kudondodhur .
Për të mbajtur një përvojë gjithëpërfshirëse leximi në faqet e kësaj gazete në internet është e dizajnuar dhe e përditësuar vazhdimisht.
Për të siguruar që artikujt të kuptohen lehtësisht, nga leximi kupton se redaktorët janë thellësisht të aftë në transformimin e ideve të ekspertëve në prozë të lexueshme.
Fotografitë e gazetës bien në sy se merren nga burime të besueshme dhe ilustrimet e saj (sidomos të kopertinës) janë të porositura…
E gjithë kjo procedurë, që rrallë mund ta bëjnë gazetat e tjera, kërkon kohë e shpenzime… për të financuar këtë nivel kujdesi dhe vëmendjeje, stafi dhe botuesi mund të kishin ngritur një “mur të pagesës” , por kjo do të minonte angazhimin demokratik për të mbetur lirisht të disponueshëm për të gjithë.
Kjo është një veçanti tjetër e kësaj gazete, që auidenca e saj shtohet dita ditës duke lundruar në botën komplekse të ideve e informacionit që ndan me të.
Për të mos u kthyer shpinën asnjërit prej lexuesve të tyre : si të atyre që lundrojnë se çfarë do të thotë të jesh qytetar edhe të atyre që luftojnë me ndjenjën e tyre të identitetit individual e mendor, si të atyre që nxiten thjesht nga dashuria për të mësuar dhe të atyre që nxiten nga dëshira për ta ndarë atë me të tjerët.
Është kjo arsyeja që gazetarët profesionistë të Ditës, gazetarinë nuk e përfytyrojnë thjesht si profesion, por edhe si mision intelektual dhe qytetar dhe pa frikë mund t’i cilësojmë sipas shprehjes së Fichtes si “priftërinj të së vërtetës” në aspektin e fanatizmit të tyre për të përcjellë të vërtetën pa aberracione !
Sa mjeranë përkundrejt sfondit të diturisë dhe modestisë,mençurisë dhe objektivitetit të “priftërinjve të së vërtetës”, duken “alkimistët mediatikë të kuletës”!
Dhe më e keqja për këta të fundit është se ende nuk e kuptojnë mjerimin e tyre, pavarësisht se ka kaluar mbi një çerek shekulli. Dhe kështu do të vazhdojnë derisa emocionet, ndjenjat dhe interesat do t’u shtrembërojnë gjykimin, përderisa emocionet, ndjenjat dhe pragmatizmi do të qartësohet nën udhëheqjen e arsyes.
Vetëm atëherë mund t’i menaxhojnë mendimet, qëndrimet dhe veprimet e tyre në mënyrë racionale dhe objektive .
Por deri atëherë këta do mbeten të pabesë para popullit të tyre, sepse: “Rruga më e pabesë për të dëmtuar një kauzë është ta mbrosh atë me argumentet e gabuara në mënyrë të qëllimshme “- këshillonte Nietzsche.
Çdo njeri me nivel mesatar intelektual pasi lexon këtë sentencë të Nietches e kupton se pse ka sukses gazeta Dita. Lexuesi popull di të seleksionojë. Çdo ditë e më tepër ai bëhet “më i mendshëm”, më i kualifikuar në analizimin e mendimeve dhe qëndrimeve të tij për veten e familjen, që përcaktojnë në një masë të madhe jetën e tij, se sa të shefave të partive, politikanëve adoleshentë apo pushtetarëve të korruptuar e arrogantë. (përjashto këtu ata të cilët ende nuk kanë dalë nga “Shpella e Platonit”, që jetojnë me iluzione). Tashmë shumica e njerëzve me arsye e ka të qartë, se ta kuptosh këtë do të thotë t’i japësh kuptim dhe qëllim jetës tënde, sepse siç thoshte edhe i urti Sokrat: “Pa u thelluar, jeta nuk ja vlen të jetohet”!
Përmes këtij mesazhi të Sokratit gazeta Dita kërkon t’u ndriçojë mendjen njerëzve dhe t’i frymëzojë që të luftojnë për mirëqenie e drejtësi .
E, në të gjithë këtë mision vetëkuptohet që merita i takon botuesit, stafit dhe drejtuesit të tij, që i qëndrojnë besnikë misionit të gazetarisë për të propaganduar të vërtetën dhe nëpërmjet një strategjie të qartë përcaktojnë prioritetet e projektet që do të ndërmerren, krijojnë një sinergji pozitive për mobilizimin e stafit, për nxitjen e potencialeve njerëzore, përdorimin e elementeve të shumtë motivues duke e bërë çdo gazetar e ekspert të përjetojë ndjenjën e përkatësisë ndaj kësaj gazete duke e përfshirë secilin në marrjen e mendimeve duke iu dhënë mundësinë të shpalosë idetë, vizionet e përpjekjet e tij modeste apo krijuese për zgjidhjen e situatave të ndryshme. Në këtë mënyrë drejtuesi i mundëson gjithë stafit shanse të shumta, u krijon hapësira të ndjehen të lirë , të provojnë idetë e tyre të eksperimentojnë forma të reja pune, pa u ndrojtur edhe pse mund të gabojnë. Madje më tepër t’i konsiderojnë gabimet si shanse të vlefshme për përmirësimin e punës dhe zhvillimin e tyre profesional.
Me këtë vizion modern të një politike menaxherale dhe editoriale kjo gazetë me dinjitete profesionalizëm kjo gazetë e ka të garantuar suksesin në misionin e vet edhe për të ardhmen
Lexuesi i arsyeshëm di të zgjedhë dhe për këtë arsye, shumica e arsyeshme zgjedh gazetën “Dita”!
Gëzuar 10 vjetorin Dita!
Suksese në misionin tuaj qytetar dhe fisnik!
Një shënim i vogël
Mos e fajësoni Profesor Rexhepin!
Xhevdet Shehu
Nisur nga shkrimi i Profesor Rexhep Qosjes me rastin e 10-vjetorit të gazetës Dita të botuar dje, ka patur reagime të pafundme me urimet më të mira që ne të stafit të gazetës na inkurajojnë për të vazhduar vendosmërisht në këtë rrugë.
Po e bëj këtë shënim të vogël për të sqaruar disa që shkruanin pse Profesor Qosja nuk ka përmendur këtë dhe atë. Po u përgjigjemi: Jo vetëm profesor Qosja, por edhe ne që punojmë në këtë gazetë e kemi thuajse të pamundur t’i përmendim dhe t’u shprehim mirënjohje të gjithë atyre që me shkrimet e botuara dhe pa asnjë shpërblim kanë lënë gjurmë në historinë e kësaj gazete. Ne i jemi shumë mirënjohës Profesor Rexhep Qosjes për shkrimin që bëri dhe mos e fajësoni padrejtësisht për emrat që nuk u përmenden në shkrimin e tij.
Në emrat që ne si gazetë mund të përmendnim janë dhjetëra e dhjetëra. Do të përmendnim me doemos edhe Hamit Boriçin, Geri Kokalarin, Jorgo Mandilin, Agim Vincën, Bardhosh Gaçen, Enver Kushin, Hakif Bajramin, Dilaver Goxhajn, Erion Habilajn, Ymer Çirakun, Bashkim Kuçukun, Spiro Deden, Gjikë Kurtiqin, Ilmi Qazimin, Dhimitër Shtëmbarin, Petrit Brokajn, Bashkim Koçin, e sa e sa miq të gazetës anekënd Shqipërisë, Kosovës e Çamërisë. Ja, edhe mua mund të më fajësoni se mund të kem “harruar” ca emra të tjerë shumë të respektuar! Më falni!
Të gjithë këta janë pjesë e kontributit dhe historisë së kësaj gazete. Ne u jemi mirënjohës për gjithçka kanë bërë dhe do të bëjnë në të ardhmen.
Unë, si Xhevdet, do të kisha përmendur pa m’u dridhur dora edhe Nexhmije Hoxhën, Vito Kapon, Xhelil Gjonin, Liri Belishovën, Isuf Kalon, Rustem Peçin, Gjergji Velon, Odhise Porodinin, Mark Dodanin, Bujar Hoxhën, Qani Durajn, Ahmet Kamberin, Piro Milkanin, Nasi Lerën, Luftar Pajën, Themije Thomain, Muharrem Xhafën, Sefer Pashen, Kastriot Kotonin, Nuri Plakun, e sa e sa të tjerë që kanë folur për gazetën DITA, duke mbrojtur vlerat e Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe vlerat që janë krijuar në sistemin e kaluar.
Miq të gazetës! Mos e keqkuptoni Profesor Rexhep Qosen pse nuk u përmendën disa emra në shkrimin e tij! Jeni të gjithë jeni të mirë dhe ju duam e respektojmë pa masë.
Dje dhe sot keni mbyllur gazeten,,E keni bllokuar me veze.