Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Fjalor anglicizmash në shqipe
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > Fjalor anglicizmash në shqipe
AnalizaKulture

Fjalor anglicizmash në shqipe

Published: April 14, 2026
Shpërndaje

Nga akademike Kristina Jorgaqi

Në panoramën gjuhësore globale anglishtja konsiderohet sot si gjuha me ndikimin më të madh të ushtruar ndonjëherë mbi gjuhët e tjera. Në më pak se një shekull ajo ka arritur të depërtojë shumë më gjerë se latinishtja e frëngjishtja dikur, duke lënë gjurmë të ndjeshme në leksikun e qindra gjuhëve të botës.

Ndikimit të anglishtes – që deri aty nga mesi i shekullit të kaluar vinte prej Britanisë së Madhe – iu shtua shumëfish edhe ai prej SHBA. Pushteti politik e veçanërisht arritjet ekonomike, teknologjike e shkencore të këtyre të fundit çuan në rritjen e jashtëzakonshme të prestigjit të anglishtes dhe, për rrjedhojë, në njohjen dhe përhapjen e saj.

- Publicitet -

Në këtë proces ka ndikuar gjithashtu fenomeni i globalizimit, që ka thyer shumë barriera gjeografike dhe politike duke mundësuar lëvizjen e madhe të njerëzve për punë, turizëm, arsimim etj. dhe komunikimin ndërmjet tyre përmes anglishtes.

Është rritur njohja dhe përdorimi i anglishtes, pasi politikat gjuhësore në arsim të shumë shteteve të botës janë të tilla që e kanë vendosur këtë gjuhë në vendin e parë ndër gjuhët e huaja që mësohen në shkollë. Sidoqoftë, faktori që po ndikon më shumë në përhapjen e anglishtes dhe veprimin e saj mbi leksikun e gjuhëve të mbarë botës është komunikimi masiv i njerëzve të thuajse të gjitha shtresave shoqërore përmes internetit dhe mediave sociale.

Anglishtja është bërë pikërisht lingua franca e internetit, si dhe gjuha bazë e profesionistëve të shumë fushave, veçanërisht atyre të teknologjisë së informacionit.

Ndikimit të anglishtes natyrisht që nuk i ka shpëtuar as shqipja, ndonëse kjo nuk ka ndonjë histori të hershme e të pasur kontaktesh me të, sikurse kanë patur gjuhë të tjera europiane, si frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, spanjishtja etj. Kontaktet e drejtpërdrejta mes shqipes e anglishtes kanë qenë sporadike e të kufizuara në kohë, konkretisht aty nga vitet 20-30 të shekullit XX me hapjen e tri shkollave amerikane në Tiranë e Kavajë, për të vijuar më pas vetëm si kontakte me gjuhën e shkruar përmes përkthimeve.

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe radhitjen e Shqipërisë në “bllokun lindor” shqipja mundi t’i shpëtonte valës së “anglicizimit”, e cila përfshiu gjuhët e shumë shteteve evropiano-perëndimore. Izolimi i skajshëm politik, ekonomik dhe kulturor i shtetit shqiptar në periudhën 1945-1990 nuk la shteg për kontakte mes shqipes dhe anglishtes, përveç rasteve të ballafaqimit të këtyre gjuhëve në përkthimin e një vargu veprash letrare prej autorësh klasikë anglezë dhe amerikanë.

Disa dhjetëra fjalë të konsideruara si anglicizma në leksikun e shqipes qenë, pas gjasash, rezultat edhe i ndërmjetësimit të gjuhëve të tjera, si italishtja, frëngjishtja dhe rusishtja.

Përmbysja e komunizmit dhe rënia e “Perdes së hekurt” në fillim të dekadës së fundit të shek. XX shënoi një pikë kthese edhe sa i takon ndikimit të anglishtes mbi shqipen, sikurse mbi të gjitha gjuhët e vendeve ish-socialiste të mbetura për arsye politike në periferi të këtij ndikimi. Shqipja u ekspozua e u hap duke u vënë në kontakt të gjerë e të drejtpërdrejtë me anglishten jo vetëm për ato motive që janë të përbashkëta për shumë gjuhë të botës, por edhe për motive të tjetra.

Kështu, hapja politike dhe ekonomike e Shqipërisë bëri që të vërshonin në vend organizata, shoqata, kompani etj. prej vendesh anglishtfolëse, por dhe joanglishtfolëse, që anglishten e kanë gjuhë komunikimi.

Me mijëra shqiptarë emigruan në SHBA dhe Britaninë e Madhe, ndër të cilët një pjesë e madhe mban lidhje të afërta e të rregullta me vendin e origjinës. Janë me mijëra shqiptarët e rinj, nga të ashtuquajturit “brezi i mijëvjeçarit”, që janë shkolluar jashtë Shqipërisë në vende anglishtfolëse ose universitete, që e kanë anglishten si gjuhë arsimimi, një pjesë e mirë e të cilëve janë rikthyer në Shqipëri.

Synimi dhe angazhimi i shtetit shqiptar për t’u bërë pjesë e një organizmi mbikombëtar si Bashkimi Europian i ka vënë përballë në shumë sfera shqipen dhe anglishten në ndërmarrjen jo të lehtë të njësimit të legjislacionit, praktikave e modeleve të ndryshme komunitare.

Të gjitha këto, por edhe një politikë gjuhësore liberale e ndjekur prej shtetit shqiptar në tri dekadat e fundit, kanë favorizuar një përdorim të madh të anglishtes, shpesh edhe me funksione që normalisht duhet t’i kryejë shqipja, gjuha zyrtare e vendit, duke sjellë kështu një fluks të pandeshur më parë të anglicizmave.

Gjuha shqipe dhe paraardhësja e saj, për shkak të rrethanave historike në të cilat kanë jetuar shqiptarët dhe paraardhësit e tyre, rezulton një gjuhë, leksiku i së cilës është ndikuar jo pak prej gjuhësh të tjera. Latinishtja, greqishtja e vjetër dhe e re, serbishtja, bullgarishtja, italishtja, turqishtja e frëngjishtja kanë lënë gjurmët e tyre në leksikun e saj, por pa mundur të depërtojnë në strukturën gramatikore.

Listës së këtyre gjuhëve iu shtua dekadat e fundit anglishtja, e cila brenda një periudhe të shkurtër kohe ka ushtruar ndikimin e saj të ndjeshëm mbi shqipen duke mundësuar, veç të tjerave, huazimin e disa qindra fjalëve, anglicizma të natyrave të ndryshme, që njihen e përdoren gjerësisht në shqipe. Një situatë e tillë nuk është pasqyruar në të vërtetë në asnjë prej fjalorëve shpjegues të shqipes të botuar në Shqipëri në vitet 2000 (Fjalori i shqipes së sotme, 2002; Fjalor i gjuhës shqipe, 2006; Fjalor i gjuhës shqipe, 2020), për shkak të ideologjisë gjuhësore neopuriste, që ka orientuar punën për këta fjalorë.

Ndonëse numri i anglicizmave të pasqyruar në fjalorët shpjegues të shqipes në këto 4 dekadat e fundit ka ardhur duke u rritur – nga 53 anglicizma që përmban Fjalori i Gjuhës Shqipe  (1980) në rreth 200 anglicizma në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (2020) – ai është larg shifrave reale e thuajse katër-pesë herë më i vogël se ai që kemi përllogaritur ne (rreth 900).

Po me ç’synime vjen ky fjalor?

Përmasat që ka marrë sot përhapja e anglishtes si një gjuhë e komunikimit ndërkombëtar dhe ndikimi i saj në leksikun e qindra gjuhëve, nga njëra anë, ka ngjallur frikëra dhe pasiguri për të ardhmen e tyre, por, nga ana tjetër, i ka nxitur studiuesit që ta dokumentojnë këtë ndikim e të bëjnë kërkime rreth tij.

Krahas fjalorëve që regjistrojnë anglicizmat në gjuhë të veçanta dhe studimeve përkatëse, janë ndërmarrë e po zhvillohen tashmë kërkime e studime krahasuese ndërmjet një numri të madh gjuhësh për të matur sasinë dhe për të përcaktuar llojet e ndikimit që anglishtja ka ushtruar mbi to. I tillë është edhe Global Anglicism Database (GLAD), një projekt që ka nisur e vijon i pandërprerë prej vitit 2014 nga një rrjet ndërkombëtar studiuesish, në kuadër të të cilit është krijuar një bazë të dhënash elektronike e anglicizmave për 21 gjuhë prej familjeve të ndryshme gjuhësore, ku bën pjesë edhe shqipja e ku kontribuese janë, bashkë me studimet përkatëse, edhe hartueset e këtij fjalori.

Në këtë klimë vjen Fjalor Anglicizmash në Shqipe, i pari fjalor në fushën e leksikografisë së huazimeve në shqipe. Synimi ka qenë për të regjistruar e dokumentuar prurjet leksikore të anglishtes në shqipen e Shqipërisë, duke lënë mënjanë ato në Kosovë, Maqedoninë e Veriut si dhe në diasporë, në vende ku shqipja bashkëjeton në kontakt të ngushtë me anglishten, si SHBA, Britania e Madhe, Australia etj. Janë bërë përpjekje për të përcaktuar shtresën e anglicizmave të shqipes në përdorim aktiv sot, në vitet ’20 të shekullit XXI, ku bëjnë pjesë fjalë me burim prej anglishtes, që kanë depërtuar prej kohësh në shqipe, por që vijojnë ende të përdoren, si dhe anglicizma të rinj që kanë dëshmuar vijueshmëri dhe qëndrueshmëri në përdorim, të paktën këto dhjetë vitet e fundit.

Një fjalor i tillë mund t’u shërbejë si referencë studiuesve të gjuhës shqipe, sidomos studiuesve të leksikut të saj, si dhe të gjithë atyre që interesohen për studimin e ndikimit të anglishtes mbi gjuhët e ndryshme. Po kështu, ai është me dobi për leksikografët, pra, hartuesit e fjalorëve, atyre njëgjuhësh apo shpjegues të shqipes e atyre dygjuhësh (shqip-gjuhë e huaj dhe gjuhë e huaj-shqip), si dhe për përkthyesit prej anglishtes, por edhe më gjerë.

Përdorues të Fjalorit e përfitues prej tij mund të jenë, gjithashtu, të gjithë ata shqipfolës që puna a profesioni, por edhe pasioni i shtyn drejt njohjes së thelluar e përdorimit të drejtë, të përgjegjshëm e me kompetencë të gjuhës duke njohur njëherësh kuptimet e ngjyrimet e anglicizmave dhe fjalët shqipe sinonime me to, në rastet kur këto ekzistojnë.

Çfarë kriteresh janë ndjekur për të përfshirë ose jo anglicizmat në këtë fjalor?

Fjalor Anglicizmash në Shqipe nuk është një fjalor gjithëpërfshirës, në kuptimin që nuk regjistron të gjitha llojet e ndikimeve prej anglishtes në leksikun e shqipes. Aty janë përfshirë vetëm fjalë dhe fraza (lokucione) të huazuara drejtpërdrejt prej anglishtes, por nuk kanë zënë vend: – të ashtuquajturat kalke (si p.sh. ndërfaqe nga angl. interface); – gjysmëkalket apo krijimet “hibride” (si p.sh. webfaqe nga angl. webpage apo rekordmbajtës nga angl. recordholder); – të ashtuquajturat pseudoanglicizma apo anglicizma të rremë. Do të ndalemi pak në këtë kategori të fundit fjalësh, që, në pamje të parë, nuk kanë dallim prej anglicizmave të mirëfilltë.

Anglishtja, sikurse u tha më lart, e ka ushtruar dhe vijon ta ushtrojë ndikimin e saj thuajse në të gjitha gjuhët europiane, me disa prej të cilave shqipja ka qenë dhe/ose është në kontakt, si italishtja, frëngjishtja dhe rusishtja. Ndër huazimet që kanë depërtuar prej këtyre gjuhëve në shqipe, figurojnë edhe një varg fjalësh që janë huazime angleze të tyre. Shumë nga këto anglicizma kanë pësuar një varg ndryshimesh në këto gjuhë si në formën e tyre të shkrimit e të shqiptimit, ashtu dhe në kuptime.

Pikërisht me këto modifikime ato kanë hyrë edhe në shqipe, tashmë jo me statusin e anglicizmave, por, sipas rastit, me atë të italianizmave, francezizmave ose rusizmave. Pjesa dërrmuese e pseudoanglicizmave të shqipes janë në të vërtetë fjalë të burimit italian dhe shumë më pak janë me origjinë prej rusishtes e frëngjishtes.

Konkretisht, pseudoanglicizmat në shqipe janë:

1. Fjalë ose fraza që nuk ekzistojnë në gjuhën angleze, por janë krijuar me elemente të anglishtes e sipas modeleve të saj në gjuhë të tjera, si p.sh. shq. hot line (me këtë kuptim në anglisht përdoret adult chat line), shq. infopoint (angl. information center/point), shq. no-vax (angl. anti-vax, anti-vaxxer), shq. rekordmen (angl. record holder) etj. Këto fjalë janë “produkte” të proceseve fjalëformuese në italishte e frëngjishte, prej nga kanë depërtuar pastaj në shqipe. Vetëm dy fjalë, bllokmen e drogmen, janë pseudoanglicizma të krijuar brenda vetë shqipes.

2. Fjalë që ekzistojnë formalisht në anglisht, por në shqipe kanë kuptime krejt të ndryshme nga fjalët përkatëse angleze – shq. futb. bomber (angl. striker, top scorer), shq. hotspot (angl. refugee camp), shq. lifting (angl. face-lift), shq. mister (angl. trainer, coach), shq. mobbing (angl. bullying), shq. outing (angl. coming out), shq. playback (angl. lip-synchronization), shq. poker (angl. four of a kind), shq. slip (angl. panties), shq. spiker (angl. announcer), shq. surf (angl. board, surfboard), shq. teletajp (angl. teleprinter), shq. tost/toast (angl. toastie, toasty), etj. Me këto kuptime fjalët kanë hyrë në shqipe drejtpërdrejt prej italishtes e në pak raste prej frëngjishtes e rusishtes.

3. Fjalë ose fraza që në trajtën e tyre të plotë ekzistojnë në anglisht, por në shqipe dëshmohen me trajta që u mungon një element përbërës ose fjalëformues (prapashtesë ose temë): shq. beach volley (angl. beach volleyball), shq. blister (angl. blister pack), shq. body (angl. bodysuit), shq. çarter (angl. charter plane), shq. fashion (angl. fashionable), shq. happy end (angl. happy ending), shq. living (angl. living room), shq. minibasket (angl. mini basketball), shq. polo (angl. polo shirt), shq. relaks (angl. relaxation), shq. skoç (angl. scotch tape), shq. windsurf (angl. windsurfing), shq. xhin tonik (angl. gin and tonic) etj.

Këto trajta “të cunguara” fjalësh janë, pas të gjitha gjasave, rezultat i një procesi përshtatjeje, që nuk ka ndodhur brenda shqipes, por në gjuhë të tjera, si italishtja e frëngjishtja, prej nga fjalët kanë depërtuar më pas në shqipe. Të konsideruara si huazime italiane ose frënge, ato nuk janë përfshirë në “inventarin” tonë të anglicizmave të mirëfilltë.

Si anglicizma, përkundrazi, kemi konsideruar një varg fjalësh që, njësoj si ato më sipër, e kanë prejardhjen nga fjalë a fraza angleze, por, pas gjasash, “janë cunguar” brenda shqipes si pasojë e një procesi përshtatjeje: shq. bachelor (angl. bachelor’s degree), shq. copy-paste (angl. copy and paste), shq. flash (flash drive), shq. master (angl. master’s degree), shq. prompter (angl. teleprompter), shq. soft (angl. software), shq. streçe (angl. stretch pants), shq. tips (angl. nail tips), shq. USB (angl. USB flash drive), etj.

Në Fjalor, ndonëse kanë gjetur vend vetëm huazime të drejtpërdrejta prej anglishtes, këto përsëri nuk janë përfshirë aty në mënyrë shteruese. Nuk janë përfshirë në fjalor kategori të tilla, si: terma fushash të ndryshme që njihen e përdoren nga një rreth shumë i ngushtë specialistësh; fjalë me përhapje ndërkombëtare apo ndërkombëtarizma, që në shqipe kanë hyrë me trajta të afërta a të njëjta me ato të anglishtes; emra të përveçëm, si ato të markave, të organizmave e institucioneve të ndryshme me burim prej anglishtes; anglicizma me përdorim të rastësishëm, sporadik e të paqëndrueshëm në shqipe etj.

Anglicizmat e përfshirë në Fjalor u takojnë dy kategorive: huazimeve të ashtuquajtura “të përshtatura”, pra, që në shqipe paraqiten të ndryshuara në shkallë të ndryshme nga pikëpamja e shkrimit, shqiptimit e morfologjisë në krahasim me fjalët angleze të origjinës (si p.sh., ajsberg, aset, basketboll, bebisiter, billbord, biznes, brixh etj.), dhe atyre “të papërshtatura”, që ruajnë zakonisht formën që kanë në anglisht, veçanërisht formën shkrimore angleze (si p.sh., blackout, bluetooth, brownie, brunch etj.).

Paraqitja në Fjalor e këtyre të fundit, që zënë rreth 1/3 e fjalësit, është bërë nisur prej përdorimit të tyre real në këtë formë në shqipe, një dukuri kjo aspak e veçuar dhe e kufizuar vetëm këtu, po, përkundrazi, e përhapur në shumë gjuhë të botës. Mësimi dhe zotërimi gjithnjë e më i mirë i anglishtes prej folësve të gjuhëve të ndryshme dhe kontaktet e shumta e intensive mes anglishtes dhe gjuhëve të shumta, veçanërisht përmes mjeteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, internetit e mediave sociale, e kanë zbehur shumë dukurinë e përshtatjes dhe kanë nxitur e ngulitur këtë praktikë shkrimi.

Në një fjalor të tillë nuk mund të bëhet asgjë më shumë sesa thjesht dhe vetëm të përshkruhet situata gjuhësore që konstatohet. Shkrimi i huazimeve të reja nga anglishtja duke ruajtur grafinë e tyre origjinale është pasqyruar tashmë edhe në fjalorët shpjegues të shumë gjuhëve me drejtshkrime të ngjashme me të shqipes.

Nga janë mbledhur të dhënat për hartimin e Fjalorit?

Anglicizmat e Fjalorit janë qëmtuar e mbledhur prej burimesh të ndryshme, kryesisht të shkruara (në format të shtypur dhe elektronik) dhe shumë më pak të folura. Ndër burimet e shkruara të shtypura janë shfrytëzuar fjalorë shpjegues të shqipes, një fjalor shpjegues i anglicizmave europianë në 16 gjuhë, ku përfshihet edhe shqipja, si dhe artikuj e studime mbi marrëdhëniet e shqipes me anglishten, por dhe me italishten e frëngjishten.

Duhet thënë, megjithatë, që fjalorët shpjegues të shqipes, për shkak të karakterit të tyre normativ, na kanë ofruar një material shumë të kufizuar sa u takon anglicizmave, çka nuk i përgjigjet gjendjes reale të shqipes sot.

Për qëmtimin e anglicizmave dhe hartimin e fjalorit thelbësore kanë qenë burimet elektronike të shkruara e më së pari arkivat elektronike të disa gazetave e revistave shqiptare të këtyre dhjetë viteve të fundit. U zgjodh pikërisht shtypi si burimi kryesor për anglicizmat, pasi aty trajtohen tema prej fushash të shumta e të larmishme dhe lexuesi i tij u takon të gjitha shtresave shoqërore. Shtypi është një nga “laboratorët” më të rëndësishëm ku “gatuhet” e përpunohet gjuha, prej nga marrin jetë risi pa fund të saj për t’u përhapur e për t’u futur më pas në përdorim të gjerë.

Arkivat online të medias u shfrytëzuan jo vetëm për të qëmtuar e identifikuar anglicizmat në shqipe, por edhe për të vëzhguar trajtat e shfaqjes së tyre, kuptimet dhe përdorimin, shpeshtësinë me të cilën ato dalin si dhe për të nxjerrë shembujt ilustrues për fjalorin.

Pjesa më e madhe e fjalorëve të anglicizmave në gjuhë të ndryshme janë hartuar, me sa kemi parë, duke u mbështetur kryesisht në korpuse elektronike kombëtare të gjuhëve përkatëse, po shqipja, për fat të keq, nuk ka ende një korpus të tillë të plotë.  Ai që njihet si Albanian National Corpus (http://albanian.web-corpora.net), i krijuar nga studiues të Universitetit të Shën Peterburgut, nuk mund të konsiderohet i përfunduar.

Gjithsesi, për aq sa ofron, ai është shfrytëzuar për të hetuar variantet shkrimore e morfologjike të anglicizmave e për të nxjerrë shembuj të tyre të përdorur në shtypin e Shqipërisë. Mungesën e një korpusi kombëtar të plotë të shqipes e kemi kompensuar njëfarësoj duke përdorur ato që njihen si korpuse të internetit apo të web-it, pasi web-i është vështruar e konsideruar si një korpus. Janë shfrytëzuar kështu një numër i madh faqesh në internet të organizatave, institucioneve, korporatave, firmave e bizneseve të ndryshme, publike dhe private, pjesa kryesore e të cilave pasqyrohet te Burimet.

Sa u takon burimeve të folura për qëmtimin e anglicizmave, si të tilla kanë shërbyer ligjërimet në emisionet e ndryshme në radiot e televizionet publike e private, por këto kanë qenë më të pakta në raport me burimet e shkruara.

Jemi të vetëdijshme që mbështetja në të gjitha këto burime nuk e shmang tërësisht subjektivitetin e përzgjedhjes së fjalëve e të formave të tyre, por pa dyshim që e kufizon atë së tepërmi.

Rrugë të mbarë Fjalorit!

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
13 Comments
  • Arber 82 says:
    April 15, 2026 at 10:10 am

    E dhimbshme të dëgjosh të rinjtë që thonë ‘challenge’ në vend të ‘sfidë’ apo ‘support’ në vend të ‘përkrahje’. Gjuha është identiteti ynë i vetëm po e humbëm atë, kemi humbur gjithçka. Nga t tjerat ne jemi kasht e koqe

    Reply
    • xxx says:
      April 15, 2026 at 10:39 am

      Identiteti eshte shkaku i bastardimit te gjuhes me shume se anasjelltas.
      Ai segment i rinise qe synon ti iki Shqiperise e fillon kete me zevendesimin e gjuhes. Ajo shtrese qe madje e urren identitetin vendas revoltohet duke filluar nga gjuha.

      Reply
  • drini tech says:
    April 15, 2026 at 10:11 am

    Nuk mund ta ndalesh evolucionin e gjuhës me fjalorë. Teknologjia dhe ekonomia globale flasin anglisht. Nse nuk kemi terma shqip për ‘blockchain’ apo machine learning, normal do përdorim ato origjinalet. Kurseni kohën

    Reply
  • . says:
    April 15, 2026 at 10:13 am

    Përgzime m se un e shoh këtë problem përdit në hartimet e nxënsve të mi. Ky fjalor të shpërndahet në çdo shkollë. Shqipja ka pasuri të jashtzakonshme, thjesht jemi bërë përtacë për ta shfrytëzuar

    Reply
  • Skerdi says:
    April 15, 2026 at 10:13 am

    Ok, po ‘pasi’ për ‘after’ dhe ‘ndoshta’ për ‘maybe’ janë ok? Se na mbytën këta që nisin çdo fjali me ‘literally’

    Reply
  • V says:
    April 15, 2026 at 10:14 am

    Mendoj se problemi nuk është te përdorimi i fjalëve të huaja kur nuk ka shqip, por te zëvendësimi i fjalëve që ne i kemi shumë të bukura. Pse duhet të them ‘meeting’ kur mund të them ‘mbledhje’ ose ‘takim’? Duket si mungesë kulture, jo modernizim

    Reply
    • K R says:
      April 15, 2026 at 10:14 am

      Po pse emrat e lokaleve.??

      Reply
  • Emigrant says:
    April 15, 2026 at 10:16 am

    Jetoj jashtë 20 vite mbetem i shokuar kur dgjoj lajmet në Tiran. Moderatorët flasin gjysmë shqip e gjysmë anglisht. Ky fjalor është një ‘must’… ah ironia, desha të thosha ‘është i domosdoshëm

    Reply
  • Realist says:
    April 15, 2026 at 10:16 am

    Shumë zhurmë për asgjë. Gjuhët gjithmonë kanë marrë nga njëra-tjetra. Dikur ishin turqizmat, pastaj italishtet, tani anglishtja. Shqipja mbijeton, mos u bëni kaq dramatikë

    Reply
  • Mira says:
    April 15, 2026 at 10:17 am

    A ka një version PDF të këtij fjalori? Per telefon

    Reply
  • gjuhtari says:
    April 15, 2026 at 10:17 am

    Duhet pasur kujdes: purizmi ekstrem mund të jetë po aq i dëmshëm sa huazimet e tepërta. Duhet gjetur mesi i artë ku gjuha mbetet e gjallë dhe funksionale, por pa humbur strukturën e saj origjinale. Ky artikull prek një plagë të hapur të shoqërisë sonë konsumiste

    Reply
  • Anonymis says:
    April 15, 2026 at 10:18 am

    Provoni të flisni në një zyrë marketingu pa anglicizma… s’ju kupton as pastruesja. Eshtë bërë zhargon profesional, s’kemi çfarë t’i bëjmë

    Reply
  • demo says:
    April 15, 2026 at 12:43 pm

    Jo,or jo,.Do mesojme edhe pastruesen te flasi shqip,.O sukllen,o gjuhen.Sa bukur e meson shqipen kur i tregon deren!

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • “Pse na zhgënjeve ne që të besuam?”, Mevlan Shanaj letër të hapur Ramës
  • Rama vijon të relativizojë temën e pronësisë: I ka dalë pronari edhe Teatrit të Butrintit
  • Totalisht e dështuar, por RTSH kërkon rritje të tarifës e buxhet shtesë në Kuvend
  • Asfalia greke, UDB, rusët, Albin Kurti dhe iranianët: A është kjo e vërteta e protestës së Tiranës?
  • Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur

Komentet e Fundit

  1. sadiku on Protesta dhe analiza e deklaratave të Edi Ramës për Zvërnecin
  2. Ke parajsa e satëme on A po e sjell Zvërneci fundin e tranzicionit shqiptar?
  3. Glaukias on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)
  4. Glaukias on Rreth 200 milionë euro për Zvërnecin, nga vëllezërit sirianë, drejt llogarive të Artur Shehut
  5. Futja kot on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?