Ngjarja duket e pazakontë për nga rrethanat, por gjashtë të rinj nga Basilicata thonë se u kërcënuan dhe u rrahën nga një bandë prej rreth 20 adoleshentësh në Tiranë: “Njëri prej nesh pësoi disa lëndime në pjesë të ndryshme të trupit të tij.”
Një pushim i vështirë për t’u harruar për gjashtë të rinj nga Venosa (Itali), të cilët pas provimeve në universitet vendosën të kalonin disa ditë relaksi në Shqipëri. Por pushimet zgjatën më pak se një ditë.
Njëri prej tyre ka treguar çfarë ndodhi:
“Mbërritëm në Shqipëri, në Tiranë, më 29 korrik. Po atë mbrëmje, rreth orës 21:30, pasi bëmë dush, dolëm nga apartamenti që kishim marrë me qira për të shkuar për darkë. Ishim gjashtë veta. Sapo dolëm në rrugë, njëri prej nesh hyri në një dyqan të vogël për të blerë një shishe ujë.
Në atë moment u afrua një grup djemsh vendas që na pyetën nga vinim. Ne thjesht u përgjigjëm se ishim italianë. Filluan të ecnim drejt Sheshit Skënderbej, sheshit kryesor, kur ky grup – rreth 20 djem shumë të rinj, nga 16 deri në 18 vjeç – filloi të na ndiqte.
Filluan të na hidhnin ujë, shishe dhe madje edhe gurë. Në fillim u përpoqëm t’i injoronim dhe të vazhdonim rrugën, sepse sapo kishim mbërritur – ishte nata e parë e pushimeve tona – dhe sepse ishim në një vend të huaj dhe donim të shmangnim çdo problem.”
“Situata u përkeqësua papritur – tregon i riu nga Venosa. Ata rrethuan njërin prej nesh dhe i kërkuan para, duke e kërcënuar drejtpërdrejt me thikë. Në atë moment njerëzit që ndodheshin aty filluan të largoheshin drejt policëve që ishin në zonë, ndërsa ky grup vazhdonte të na ndiqte duke hedhur gurë dhe duke goditur me grushte e shkopinj ata prej nesh që kishin mbetur prapa.
Pothuajse të gjithë arritën të shpëtonin, përveç njërit. Ata e ndaluan, e goditën me grushte, e rrëzuan në tokë dhe vazhduan ta rrihnin edhe kur ishte i shtrirë.”

Por sipas tij kishte edhe më shumë:
“Diçka e pabesueshme dhe shumë serioze ishte sjellja e agjentëve të parë të policisë që ndodheshin aty. Disa prej nesh kërkuan ndihmë të dëshpëruar, por ata bënë sikur nuk panë asgjë.
I kërkuam një kalimtareje numrin e emergjencës së policisë lokale për të thirrur ndihmë, por nuk morëm përgjigje.
Fatmirësisht më pas ndërhynë policë të tjerë, të cilët arritën t’i largonin agresorët dhe thirrën ambulancën. Njëri prej nesh pësoi plagë dhe dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe mori ndihmën mjekësore në vendngjarje.”

Pas kësaj, të rinjtë vendosën të ktheheshin në Itali dhe nisën të kërkonin një fluturim.
“Menduam për shokun tonë të plagosur dhe menduam se do të ishte më mirë ta çonim në spitalin e Venosës. Kështu, në orën 6 të mëngjesit të 30 korrikut morëm fluturimin e parë të mundshëm dhe u kthyem në shtëpi. Pasi mbërritëm në Venosa, shoku që kishte pësuar dëmtimet më të rënda u vizitua dhe u mjekua në spital.”

Ai e mbyll rrëfimin: “Më mirë t’i durosh goditjet sesa të reagosh dhe të rrezikosh goditje me thikë që mund të ishin fatale.”
j.l./ dita
