Nga Johana Lubonja
Botuar në DITA
Agim Sinoimeri është ndarë nga jeta në tetor 2021. Ishte një ikje e parakohshme dhe një humbje për turizmin shqiptar. Sinoimeri ka qenë një ndër njohësit më të mirë të kësaj fushe dhe kishte një eksperiencë të pasur në Shqipëri dhe në SHBA.
Sinoimeri, i lindur në Paris nga dy prindër diplomatë, e ka nisur përvojën e tij në Drejtorinë e Përgjithshme të Albturizmit në vitet ’80 për të vazhduar në SHBA në vitet ‘90. Pasi përfundoi studimet në degën e Udhëtimeve dhe Turizmit në Kolegjin e Virgjinias, ai punoi si përfaqësues i United Airlines.
Më pas e thelloi ekspertizën e tij në fushën e udhëtimeve duke punuar në Uashington DC.
Në 2001 Sinoimeri zgjidhet zv.President i Asamblesë së Përgjithshme të 14-të të Organizatës Botërore të Turizmit. Më pas ai krijoi dhe menaxhoi agjencinë e udhëtimeve Key Tours Albania duke përhapur në tregun vendas përvojën dhe kulturën e punës amerikane. Si anëtar proaktiv i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë ai u zgjodh President nderi i këtij Unioni.
Sinoimeri është autor i guidës së parë turistike të Tiranës, bashkëautor i hartës turistike të Shqipërisë, i skenarit të filmit dokumentar “Mirë se Vini në Shqipëri”, hartues i shumë platformave ekspozitash turistike të organizuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe i mjaft materialeve të ilustruara mbi turizmin shqiptar.
Kur u nda nga jeta ai la pas dy djem dhe bashkëshorten, e cila punon në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Duke nisur nga fillimi i viteve 2000 Sinoimeri angazhohet në mënyrë shumë këmbëngulëse për një projekt të madh në ishullin e Sazanit. Në këtë periudhë ai ishte emëruar kryetar i Komitetit të Zhvillimit të Turizmit.
Me një grup ekspertësh të fushës hartuan dhe promovuan një mega-plan të detajuar për shndërrimin e ishullit të Sazanit dhe të gjirit të Vlorës në një destinacion të ri turistik mesdhetar. Projekti parashikonte ngritjen e një infrastrukture moderne komplekse turistike, por për fat të keq u la në heshtje nga qeveria e kohës dhe nga qeveritë që erdhën më pas.
Për çfarë bëhej fjalë…
Në një botim me titull “Shqipëria Mesdhetare – Artikuj dhe Intervista mbi Politikat dhe Perspektivat e Turizmit 2001-2008”, gjenden një seri artikujsh që dëshmojnë përpjekjet e shumta të Sinoimerit për t’i dhënë jetë projektit të Sazanit.
Kur sheh artikujt e shumtë të asaj periudhe në shtypin shqiptar por edhe në atë amerikan, impresionohesh nga vizioni i autorit mbi turizmin shqiptar e veçanërisht mbi Sazanin.
“Nëse vërtetë besojmë në një zhvillim konkret të turizmit në Shqipëri dhe nëse vërtetë e vlerësojmë atë si një industri prioritare të zhvillimit ekonomik të vendit, atëherë strategjia e zhvillimit të turizmit duhet të fillojë me ishullin e Sazanit” – shkruante ai në vitin 2006 në një artikull të botuar në numrin e 12 gushtit në gazetën Koha Jonë.
“Ishulli pret…” ishte dicitura e fotos që shoqëron botimin e artikullit në përmbledhjen e Sinoimerit, si për të thënë që kishin kaluar 5 vjet nga paraqitja e projektit që ishte bërë gati që në vitin 2001.
Nëse vendim-marrja politike do t’u hapte rrugë profesionistëve të asaj kohe që kryesonte Sinoimeri, ndoshta Sazani do ishte sot një nga perlat e Mesdheut dhe një pasuri publike e Shqipërisë që do dëshmonte jo vetëm identitetin shqiptar por edhe historinë tonë ushtarake të kthyer në atraksion turistik.
“Ishulli mund të kthehet në një prej kryeqendrave të Mesdheut”, shkruante në mënyrë profetike Sinoimeri, pikërisht atë fjali që po dëgjojmë sot në 2024 pas 23 vitesh nga kryeministri Edi Rama.
Pamje të projektit:
Më poshtë pjesë nga një artikull i 2006-s i Sinoimerit që jep dhe disa detaje për megaprojektin mbi Sazanin:
“Qenia në pronësi shtetërore e të gjithë ishullit është garancia kryesore për një investim serioz dhe të menjëhershëm me kapital vendas apo të huaj që do të mënjanojë që në fillim problemin e madh konfliktual të deritanishëm si rrjedhojë e parcelizimit të tokës me shumë pronarë të bregdetit shqiptar.
Avantazhi tjetër është potenciali i madh natyror turistik i vetë ishullit dhe shtrirja e tij në hyrje të Gjirit të Vlorës. Sigurisht transporti kryesor për të vizituar ishullin do jetë ai detar. Në portin e tij do të ankorohen krocierat e shumta përgjatë itinerarit të tyre në Detin Mesdhe pas vizitave në portet e ndryshme si Venecia, Dubrovniku, Korfuzi, Pireu, Stambolli, Kushadasi e më tej.
E kaluara e ishullit dhe veçanërisht vitet e luftës së ftohtë, ngritja e bazës detare ushtarake që nga koha e bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik, gjurmët e së cilës janë aktuale edhe sot përmes sistemit të tuneleve, bunkerëve dhe fortifikimeve të tjera ushtarake do të shërbejnë si themel mbi të cilin do të ngrihet i tërë promocioni dhe marketingu i ishullit.
Mbi bazën e kësaj infrastrukture dhe arsenalit ushtarak të trashëguar nga ajo periudhë duke shfrytëzuar edhe materialet e shumta dokumentare dhe audiovizuale të kohës do të ngrihet një ndër atraksionet kryesore të ishullit “Muzeu Aero-Naval” i tij.
Nëpër sallat dhe vitrinat e këtij muzeu do të ekspozohet edhe kolesioni i uniformës së ushtrisë shqiptare duke filluar që nga reliket e mesjetës e deri në ditët e sotme.
Në maj të vitit 2001 gjatë qeverisjes së z.Meta u paraqit i pari megaprojekt tepër ambicioz për zhvillimin e këtij ishulli dhe transformimin e tij në një resort ekskluziv turistik.
Megaprojekti parashikonte ngritjen e një resorti me kapacitet akomodues 3 deri në 4 mijë shtretër, ndërtimin e një marine përmes rikonstruksionit të portit ekzistues ushtarak të ishullit duke e shndërruar atë në një port jahtesh, ndërtimin e një kazinoje, muzeun aero-naval, ndërtimin e një qendre për spektakle.
Gjithashtu ish-qyteza e ushtarakëve, sot krejtësisht e braktisur, do të shndërrohet në qendër administrative treggtare dhe argëtuese plot gjallëri dhe jetë nate, përmes ngritjes së rrjetit të zyrave të administratës lokale, bar restoranteve, klubeve të natës, dyqaneve butikë, dyqaneve të suvenirëve, sallave të kinemasë, zyrave të këmbimit valutor, si dhe strukturave të tjera të shërbimeve në funksion të masës së vizitorëve.
Gjithashtu nisur nga pasuria dhe larmia e parkut nënujor të gjirit të Vlorës, parashikohej ndërtimi i një akuariumi në zonën e Radhimës. Të gjitha këto atraksione dhe kjo infrastrukturë bashkëkohore turistike do ta shndërronin Sazanin në një destinacion të ri në tregun mesdhetar dhe në një produkt tepër të preferuar nga operatorët e mëdhenj turistikë perëndimorë.
Ajo që është e rëndësishmja për t’u theksuar në këtë shkrim është dhe fakti që i gjithë ky projekt kishte në themel ruajtjen dhe respektimin e ambjentit, duke ndaluar qarkullimin e automjeteve private në ishull, duke ruajtur karakterin lokal arkitektonik në ndërtim, harmonizimin e objekteve me natyrën, relievin, si dhe duke shtuar sipërfaqet e gjelbëruara të ishullit.
Në të njëjtën kohë projekti parashikonte ngritjen e një shkolloe të lartë, për hoteleri turizëm, që do të plotësonte, kërkesat e shumta për personel të kualifikuar, për t’u punësuar në strukturat e shumta të këtij resorti.
Funksionimi i resortit, do ta fuste përfundimisht Shqipërinë në hartën turistike të Mesdheut, që përbën edhe djepin e turizmit botëror.
Përmes realizimit të këtij projekti, do të përcaktoheshin standardet bazë të zhvillimit të infrastrukturës turistike, vendase që do të shtrihej, përgjatë bregdetit në fazën e parë afatshkurtër të zhvillimit, dhe në brendësi të vendit në fazën tjetër afatgjatë. Të shpresojmë së bashku në ngritjen e ekonomisë shqiptare përmes turizimit…”