Nga Brukseli për DITA
Dr. Jorgji Kote
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ( Làjen), është kandidatja kryesore e emëruar nga Grupimi i Partive të djathta Europiane në zgjedhjet për Parlamentin Europian të datës 6 – 9 Qershor. EPP-ja, Grupi i Partive Popullore Europiane në Kongresin e saj në Bukuresht e zgjodhi atë si kandidaten kryesore ( spitzen kandidat) për t’u riafirmuar në këtë post, më i larti në BE. Ndonëse ajo nuk pati kundërshtarë përballë dhe mes një klime të tensionuar mosbesimi dhe hezitimi. Pra, atë e zgjodhën, siç i thonë fjalës, më tepër “ nga halli se sa nga malli”
Le ta themi se emërimi i saj për të qenë sërish Presidente e Komisionit Europian nuk ishte ndonjë lajm entusiazt apo frymëzues për Europën, mbasi pa mohuar disa arritje të rëndësishme, për pesë vitet e ardhëshme ajo nuk është se premton ndonjë gjë më shumë se vazhdimësi dhe stabilitet, veçse me “pak qar dhe më shumë zarar“ për demokracinë në vendet e Bashkimit Europian. Kjo mbasi ajo nuk ka ndonjë vizion bindës për ndonjë ndryshim thelbësor për BE-në.
Veç të tjerash, ajo nuk mbajti një nga premtimet bazë, atë të rritjes së rolit dhe funksionit politik të Komisionit; në fakt, e kundërta ka ndodhur në disa drejtime themelore; sidomos me vendet e Ballkanit Perendimor, Komisioni ka mbetur donator ekonomik por “ noter teknik”, duke folur e shkruar me një gjuhë, e cila nuk është ”as mish as peshk” dhe pa ndikim e jehonë të vërtetë. I tillë është rasti me Progres Raportet vjetore, të cilët përdoren kryesisht si pika reference që më shumë tregojnë dobësitë e Komisionit se sa efektet e tij korrigjuese dhe mobilizuese. Edhe Strategjia e re e Zgjerimit e miratuar në shkurt 2020 vetëm sa i ndërlikoi më tej proceduat, duke u lënë fushë të lirë veprimi vendeve anëtare për të vendosur veton sa herë tua kërkojnë interesat e tyre politike, zgjedhore, etj.
Tani që fushata ka filluar dhe Von der Leyen po shfaqet në vende të ndryshme të BE-së, dyshimet për rizgjedhjen e saj janë shtuar dhe vetë brenda kampit të saj politik gjerman dhe në Bruksel. Në shtypin europian e sidomos atë gjerman prej nga dhe ajo vjen ka shkrime dhe analiza që hedhin hije të mëdha dyshimi, derisa flitet dhe “për puç“ të mundshëm ndaj saj në Bruksel.
Madje dhe ky fillim zgjedhor dhe politik për të paraqitet i vështirë për shkak të dy aferave të rënda që e tronditën atë dhe besimin te BE-ja, siç ishte kontrata për vaksinat Pfizer në kuadrin e Pandemisë COVID – 19 për të cilën prokuroria e BE-së nisi hetimet dhe tani së fundi me emërimin tejet të diskutueshëm jashtë standardeve të BE-së të mikut të vet të CDU-së, Markus Pieper në një pozitë tejet të lartë në Komisionin Europian. Kundërshtimi ishte i madh dhe nga vetë komisionerët e BE-së. Më në fund Pieper u tërhoq nga marrja e atij posti të pamerituar, por shija e hidhur e atij emërimi tejet të dyshueshëm mbeti.
Në respekt të lexuesit, pa u zgjatur në teorizime boshe, le të themi se Zonja Von der Leyen duhet të kapërcejë tri sfida madhore tejet serioze, njera më e vështirë se tjetra, përpara se të pretendojë rikonfirmimin si Presidente e Komisionit.
Së pari, Von der Leyen duhet të fitojë bindshëm, moralisht dhe në imazh në fushatën e tanishme për zgjedhjet e qershorit në të 27 vendet anëtare të BE-së. Diçka e vështirë kur kemi parasysh rritjen e forcave populiste dhe të ekstremit të djathtë në Europë, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, etj. Po ashtu, rënien e pëlqyeshmërisë së partive të djathta të moderuara, cilat ajo përfaqëson.
Qysh tani po shfaqen probleme dhe vetë brenda CDU-së gjermane, e cila ndryshe nga fushatat e mëparshme nuk ka dalë në fushatë me portretet dhe pllakatet e Von der Leyen, por me logo dhe slogane të Partisë. Kjo sipas tyre për arsye taktike, me qëllim që të mos ketë ngatërresa me partinë dhe se në elektorat duke goditur kandidaten indirekt goditet partia dhe votat e saj. Shenjë frike kjo brenda CDU-së.
Pengesa dhe sfida e dytë është e madhe do të jetë Parlamenti i ri Europian, i cili do të dalë nga zgjedhjet e Qershorit. Dhe në rast se Partitë e djathta do të fitojnë sërish 180 vende, aq sa kanë tani, kjo nuk do të mjaftojë për të emëruar Von der Leyen si Presidente të Komisionit, sepse asaj do t‘i duhen 376 vota. Ndaj do të duhen detyrimisht marrëveshje dhe kompromise me çmime të larta politike me grupimet e tjera politike, diçka e vështirë, për të mos thënë e pamundur në kushtet dhe rrethanat e tanishme.
Kështu, socialistët, grupimi i dytë më i madh nuk do t’ia japin konsensusin, për shkak të qëndrimit të Von der Leyen në mbështetje të Izraelit mbas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023. Të Gjelbërit e kanë demonizuar atë për marrëveshjen “ Green deal” e cila u krijoi shumë telashe me fermerët që mbushën rrugët dhe sheshet dhe i vunë zjarrin metropoleve kryesore europiane; liberalët e konsiderojnë Leyen si burokraten më të madhe të Brukselit. Ata do të dalin me zonjën Zimmerman si kandidaten e tyre kryesore, eksperte mjaft e njohur dhe e përgatitur për problemet e sigurisë dhe europiane, e cila ka shumë të ngjarë të godasë ashpër von der Leyen. Edhe populistët dhe ekstremistët do të bëjnë të njëjtën gjë, madje dhe më shumë ndaj saj. Gjendja do të vështirësohet më tej, nëse PPE-ja do të sigurojë dhe më pak vende në Europarlamentin e ardhshëm.
Pengesa e tretë dhe më e madhe e që i mund “t’i verë kapakun“ kandidaturës së saj është Këshilli Europian, me liderët e të 27 vendeve anëtare të BE-së. Edhe kur kandidati kryesor si në rastin e mundshëm Von der Leyen të mund ta ketë fituar fushatën, madje të ketë marrë dhe votëbesimin e Parlamentit Europian, prapë fjalën e fundit do ta kenë Presidentët dhe Kryeministrat e 27 Vendeve Anëtare të BE-së.
Prandaj, nuk përjashtohet, përkundrazi, është e madhe mundësia që qoftë dhe një apo dy liderë të mos jenë dakord, atëhere loja do të fillojë nga fillimi me pazaret, lëshimet dhe kompromiset e rastit derisa në Bruksel të dalë “ tymi i bardhë”! Kështu ndodhi dhe më 2019, kur Manfred Weber, ndonëse ishte fituesi i qartë dhe kandidati kryesor i të djathtës europiane për President i Komisionit nuk e kapërceu dot me sukses “murin“ e Këshillit Europian, për shkak të kundërshtimit nga 2 – 3 liderë. Përfundimisht, u emërua Von der Leyen.
Mirëpo ky skenar i favorshëm nuk ka gjasa të ripërsëritet për këtë të fundit në koniunkturat e tanishme politike. Më konkretisht, Presidenti francez Macron, i cili e promovoi atë më 2019, edhe sikur të dojë, nuk është më në pozita mbizotëruese si atëhere, për shkak të konkurrencës nga ekstremistët e Le Penit. Por kryesorja, Macron nuk ka më asnjë interes të bëjë të njëjtën gjë dhe as që në krye të Komisionit të jetë një gjerman ( e).
Sa i takon Kancelarit gjerman Olaf Scholz, si social – demokrat që është ai ka interes të forcojë pozitat e partisë së vet dhe kandidaturës së saj dhe jo të Von der Leyen. Mirëpo, mjafton këta të dy apo qoftë dhe njeri prej tyre të jenë kundër dhe këtu “mbaron filmi“ për kanditaturën në fjalë.
Aq i mundshëm po duket një skenar i tillë, sa qysh tani pas kuintave po shfaqen dhe kandidatë të tjerë “surprizë“ që mund të befasojnë këto javë ose dhe në fund të procesit, sidomos nëse dhe kur “liderëve të BE-së “t’u ngecë sharra në gozhdë“ siç ndodh vazhdimisht në raste të tilla.
Dhe ata/ato nuk janë pak, madje janë emra tingëllues, për BE-në dhe shumë më gjerë; me një jetëshkrim dhe më të gjatë e të pasur se Von der Leyen, me peshë, jehonë dhe fuqi të madhe ekzekutive dhe në organizmat më të mëdha ndërkombëtare.
Bindesh lehtë sapo dëgjon të përmenden emrat e tyre, si Presidentja e Bankës Qendrore Europiane ( BQE) francezja Christine Lagarde, Presidentja e FMN-së, Bullgarja Kristina Gjeorgjeva, e cila para 10 viteve ishte zv.Presidente e Komisionit Europian, emblematiku Mario Draghi, ish drejtori i BQE-së dhe Kryeministri i nderuar i Italisë, etj. Janë personalitete rrezatuese, të papërfshirë e të papërlyer në politikat partiake, me shumë përvojë qeveritare dhe me mundësi më të mëdha konsensusi.
Ditët e fundit kanë dalë në skenë me pretendimet e tyre dhe dy emra liderësh nga rajoni ynë: Kryeministri grek Mitsotakis, i cili ka ndikim të fuqishëm te e djathta europiane dhe kryeministri kroat Andrea Plenkovic, i cili disa ditë më parë fitoi zgjedhjet parlamentare. Këta janë kandidatura të forta nëse do të vijë puna për të parapëlqyer drejtues politikë. Por, ata ata mund t’i ndihmojë “bingo“ fati dhe fakti se nga Europa Qendrore dhe Lindore, përfshirë Ballkanin, 20 vjet mbas pranimit të tyre në BE, ende nuk ka patur asnjë president në asnjë prej institucioneve më të larta europiane. Ndoshta momenti është tani dhe si një mesazh i mbështetjes së zgjerimit Europian drejt Ballkanit Perendimor.
Loja sapo ka filluar, zgjedhja e liderëve të BE-së është punë, mund, por siç ka treguar përvoja e këtyre 65 viteve, ajo është më shumë fat dhe rastësi!.
Nuk përjashtohet as Presidentja e tanishme 45 vjeçare e Parlamentit Europian, maltezja Roberta Metzola, edhe pse nuk ka përvojë qeveritare, por shquhet për karizmën dhe oratorinë e saj. Sa për atë që Malta është mikroshtet, rikujtojmë se si rrjedhojë e këtyre pazareve dhe kompromiseve, dy presidentë të Komisionit Europian në vitin 1994 dhe 2013 u zgjodhën pikërisht nga Luksemburgu i vogël.
Nga ana tjetër, ajo çka u tha më lart tregon se megjithë premtimet për demokratizimin e kësaj procedure nëpërmjet të famshmëve “Spitzen kandidat“ ose “kandidatë kryesorë“ BE-ja nuk e ka mbajtur premtimin demokratik. Zgjedhja e Presidentit të Komisionit dhe akoma më shumë e Këshillit, Parlamentit dhe Shërbimit të Jashtëm, pa shkuar më thellë pritet të bëhet sërish jo nëpërmjet zgjedhjeve të drejtpërdrejta, por nëpërmjet pazareve politike dhe kompromiseve jo parimore, sipas parimit “më jep të jap“, çka mund ta dobësojë më tej rolin dhe efektivitetin e Komisionit Europian dhe të BE-së në përgjithësi. Sepse, që të bëhesh lider konsensual praktikisht ose më shqip duhet ta “kesh grurë“ me të gjithë, dmth të mos kritikosh dhe kur dikush në BE “bën namin“ dhe shkel me të dyja këmbët vlerat dhe parimet themelore, të drejtat e njeriut, median e lirë, shoqërinë civile; më tej, kjo do të thotë se që të ecësh në karrierën e sipërme në BE duhet “të zesh me dyllë njerin vesh dhe të mbyllësh njerin sy“ përpara autokratëve dhe diktatorëve të rinj eurokratë, ndryshe ata hakmeren dhe nuk të japin votën. Ndaj dhe këto ditë, e pyetur lidhur me një kompromis të mundshëm me radikalët e djathtë të reformuar të Melonit, Le Penit, Orban, etj Von der Leyen nuk e përjashtoi këtë alternativë. Kësaj i thonë “kërcen prifti nga belaja“!
Mirëpo pasojat e këtyre pazareve politike pasqyrohen më vonë në të gjitha kapilarët dhe qelizat e tjera të BE-së deri te titullarët e përfaqësive diplomatike europiane në Ballkan, për ta patur mirë e butë me qeveritarët, sepse siç thuhet nga anët tona “sheh fiku fikun dhe piqet“. Aq sa narrativat mbi shtetin e të drejtës, demokracinë, vlerat dhe parimet duken kujtime muzeale tejet të largëta, të para 30 viteve, sa për të shembur komunizmin, duke lëkundur më tej besimin e popujve te BE-ja dhe idealet e saj, të zëvendësuara praktikisht me realpolitikën dhe interesat pragmatiste, tregtare, etj.
Ndërsa demokracia dhe shteti i të drejtës është pak të thuhet se kanë kaluar “prapa liste“!
Van Der Lejen,nje figure qe i ben nder Europes,uroj te zgjidhet perseri.
pa van der leyen nuk mund te eksistoj dot evropa ….pika